Pëllumb Gorica: Në thinja flokësh
| E Diel, 12.02.2017, 04:50 PM |

POEZI NGA PËLLUMB GORICA

 

NË THINJA FLOKËSH


Në krahë trupin mban të ngrirë,
edhe pse një dorë e lehtë hidhet në sup,
të shpin lodhjen ai sy i mpirë,
shembjen e shpirtit e mbledh në grusht.


Me plagë skuqur-o nga gjaku,
një dinjitet më shumë e prek,
e dora dridhet mes një laku,
në shpirtin sterrë dëshirën merr.


Se këmba dhe trupi hiqen zvarrë,
të lodhur keq nga dorë e fatit,
në thinja flokësh dhe përmbi varr,
shfaqesh engjëll me sy lugati.


MIQTË E MALIT


Miqëve të mi alpinist, Fation Plaku dhe Artan Gaziu

 

Ju ngjitni shkrepa të pashkelur, 
nëpër maja çudirash si magji,
 
me sytë e mendjes të mprehur,
 
kërkoni enigmat në çdo lartësi.

 

Me lartësitë ndërroni mesazhe
dhe horizonteve që shihni atje,
 
ju shpërtheni kufij e kafaze
 
dhe gdhendni emrin nëpër re.

 

Heshtjet e maleve fluturojnë, 
nga kacavarjet tuaja alpiniste,
lartësitë shkëmbore ju ftojnë,
 
për t’i ngjitur me flatra shqipesh.

 

THIRRJE TË MBYTURA NË VETMI

 

Kish veshur koha kristal të bukur,
kish mbledhur vuajtjet vit pas viti,
me brenga gjoksin e kishte mbushur,
shpresa deshi, por jetë dot s’rriti.

 

Kish sjellë dhimbjen që gulçonte,
ëndërrthurur netëve të trishta
sythe shprese në tokë rrëzonte,
dhe thellë fshihej e vërteta.

 

Por atje ku dheu i zi kërcet i ftohtë,
në honet ku të fut vetmia,
merr frymë me zor sot kjo botë,
në ajrin helmuar nga babëzia.

 

UNË NJERIU

 

Çdo qënie në jetë orët i rezervon,
në fytyra të pashtershme trishtimi,
i derdh harrueshëm tek vështron,
me fjalët nën lëkurë zgjimi.

 

Se ujrat s’kanë forcë të rrëshkasin,
mbi tokën e plasaritur nga jeta,
pas natës edhe gurët godasin,
ëndërrat fashitur nga shpresa.

 

Mendimet si vorbulla ere,
tërhiqen, zvarriten për në qiell,
me pyetje të ndryshme retorike,
një rreze kërkojnë nga ky diell.

 

Çdo çast e vështrojnë sytë e marrë,
lagur nëpër shi duke vrapuar,
areali më ngjan si një përrallë,
mua njeriun me strall gatuar.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: