Bajram Çeliku: Kryengritja shqiptare e Kërçovës
| E Marte, 07.02.2017, 07:45 PM |

KRYENGRITJA SHQIPTARE E KËRÇOVËS (1844) - LUFTA E SOPIT

NGA BAJRAM ÇELIKU - BALI

Gjithëmonë, si dhe në të gjitha trojet shqiptare, nën sundimin e egër otoman, poashtu edhe Kërçova sipas rrëfimit të gjyshit tim Emin Çeliku, kanë qenë të shtypur nga pushteti turk. Shpeshë- herë janë ngritur në kryengritje, por ato janë shuar me gjak, duke u përdorur edhe masakrime, dhunë, e shkatrrime. Edhe popullata e Kërçovës e kaloi një rrugë të tillë, e si kulminacion, tregonte gjyshi u arrijtë në kohën e sundimit të Sulltan Mexhitit. Gjatë kohës kur ka sunduar ky Sulltan u sollën edhe disa Reforma të njohura si Reformat e Tanzimatit. Sipas këtyre reformave, rrëfente gjyshi, shqiptarët ishin të detyruar t’i paguanin tagra Sulltanit dhe, nga një bir shtëpie të jepnin në ushtrinë turke, e cila i dërgonte ato që të luftojnë nëpër betejat luftarake jashtë Trojeve Etnike Shqiptare. Shumica e këtyre djemëve vriteshin nëpër shtete të huaja dhe atje, edhe varroseshin si “shehitë” lufte, e të afërmit e tyre nuk ua dinin as ku e kanë edhe varrin.

Pasi hynë në fuqi Reformat e Tanzimatit, ato arritën edhe në Kërçovë, që edhe në këtë vend të respektohen e të realizohen. Banorët e Kërçovës me rrethinë, nuk u pajtuan që këto reforma të aplikohen mes këtyre maleve kreshnike. Një ndër ata që nuk u pajtua me këto reforma ishte edhe Emin Çeliku (Xhambazi) nga fshati Cërvicë i njohur si Emin Kaçaku, e në histori si Emin Xhambazi - Kërçova. Këto reforma e prekën edhe atë që të bëhet ushtar në ushtrinë turke e të luftonte jashtë trojeve Etnike shqiptare. Ky trim sypatrembur i kundërshtoi këto reforma dhe duke shkuar katund më katund mblidhëte luftëtarë që do t’i bashkangjiteshin Çetës tij të kaçakëve me pushkë në dorë të luftonin kundër këtyre reformave. Ai mblodhi shumë luftëtarë nga fshati Zajas, si Selim Brajën, Afmet Brajën, Mefmet Brajën, Dën Çelikun, Sefer Zajazin, e nga fshatrat tjerë Baftir Shitovën, Osman Gjinin, e shumë të tjerë, numri i të cilëve si që rrëfente gjyshi arrinte 450 - 500 luftëtarë trima. Nën udhëheqjen e komandant Emin Çeliku (Xhambazi). Në fillim të pranverës të vitit 1844, u sulmua së pari kazerma turke e Kërçovës e vendosur rrëzë Kalasë së Kërçovës, gjegjësisht në afërsi të tregut të sotëm të kafshëve. Për një kohë të shkurtër kryengritësit shqiptarë kazermën turke e pushtojnë dhe e vënë nën kontrollin e tyre. Municionin që e posedonte kazerma turke e vendosin në një vend tjetër më të sigurt, që sipas nevojës të kaçakëve ta përdorin kur të kenë nevojë. Dy ushtarë turq të zënë rob i lënë gjallë që të shkojnë në Manastir e t’i tregojnë Pashës se kazerma turke e Kërçovës ka rënë në duar të shqiptarëve, si shenjë revolti kundër Reformave të Tanzimatit, të sjellura nga Sulltan Mexhiti. Pashai i Manastirit informon Sulltan Mexhitin se, Kërçova ka rënë në dorë të shqiptarëve dhe se pret urdhër nga Stambolli se çysh duhet bërë me veprimin luftarak. Sulltan Mexhiti, jep urdhër që Hajredin Pasha të niset në drejtim të Kërçovës me 5000 ushtarë dhe të marri përsëri kazermën e Kërçovës dhe të vendosi punët dhe rregullat ushtarake otomane në vend, ndërsa kokën e komandantit Emin Kaçakut t’ia sjellin si dhuratë lufte në Stamboll! Ose, sipas mundësisë të zihet i gjallë e të sillet para këmbëve të tij si Perendori Otomane.

Kur komandant Emin Kaçaku mëson se forca të mëdha turke me në krye Hajredin Pashën, është nisur në drejtim të Kërçovës, mbledh ushtrinë e tij me të cilët pushtuan kazermën e Kërçovës, dhe i vënë pusi në fshatin Sop, jo shumë larg në jug të Kërçovës. Fshati Sop, sot ka një pamje të mjerueshme, nuk mund të ta marri mendja se këtu dikur kanë jetuar shqiptarë trima që me armë në dorë gjithmonë i kanë dalë krahë vatanit.

Viti 1905, sipas disa të dhënave nga goja e më pleqëve dhe disa pas ardhësve të tyre, duhet  shënuar si vit tragjik për këte fshat, i cili gjatë këtij viti u dogj, masakrua dhe u rrënua deri në themele nga okupuesit serb dhe bullgar. Të paktë qenë ato që i shpëtuan masakrës serbo-bullgare, përmenden dy shtëpi që nga Sopi u vendosën në fshatin Staroec afër Kërçovës, të cilëve edhe njëherë më vonë gjatë luftës së dytë botërore iu rrezikua përsëri jeta duke lënë trojet e tyre etnike dhe gjithë pasurinë e ikën me gjithë familje për në Turqi, e më tutje nuk dihet halli i tyre. Në këtë fshat Emin Çeliku me shokë zhvilloi një luftë të ashpër kundër ushtrisë së madhe të Hajredin Pashës. Të parët nga prita kishin sulmuar forcat shqiptare në krye me komandant Emin Çelikun, duke i shkaktuar humbje të mëdha në njerëz, ushtrisë së Hajredin Pashës, por trimave të Kërçovës tregonte gjyshi filloi t’u mbarohet municioni, e komandanti jep urdhër që të tërhiqen ngadalë nëpër vise më të sigurta, për deri sa të furnizohen me fishekë. Gjatë kësaj tërhjekëje tregonte gjyshi disa luftëtarë kryengritës bijnë në dorë të turqëve. Hajredin Pasha duke menduar se shqiptarët kryengritës u mundën, me ushtarët e zënë rob niset në drejtim të Selanikut për të dëshmuar se i mundi shqiptarët kryengritës dhe si dhuratë ia sjellë robërit e luftës. Komandant Emin Çeliku (Xhambazi) me një shpejtësi rrëfeje me disa shokë vjen në Kërçovë dhe pasi furnizohet mirë e mirë me fishekë, i vihet pas ushtrisë së Hajredin Pashës, dhe dikund rrugës përsëri e sulmon si rrëfeja duke i shkaktuar humbje të mëdha në njerëz, e një herit i çliron shokët e luftës të zënë rob nga Pashai. Me shokët e luftës me të cilët ia përgjysmoi ushtrinë Hajredin Pashës me humbje minimale, këthehet në Kërçovë.

Në ndërkohë merr ftesë nga Dervish Cara - Tetova, që t’i bashkangjitet ushtrisë së tij, e së bashku të çlirojnë trojet etnike shqiptare duke filluar nga Shkupi e për të vazhduar për në jug në drejtim të Velesit, Prilepit, Manastirit e qytete të tjera ku jetojnë shqiptarët. Pasi me forca të përbashkëta çlirojnë Shkupin, nisen në drejtim të Velesit ku në afërsi të Katllanovës dhe Grykës së Taorit i pret ushtria turke në krye me Mefmet Pashë Llatasin të cilit më vonë do t’i bashkangjitej edhe ushtria e Hajredin Pashës, e cila pas humbjes së betejës që pati me Emin Çelikun (Xhambazin), përsëri do të mblidhte forca të reja dhe, edhe një herë do të sulmonte Kërçovën dhe do ta merrte pa asnjë farë rezistence. Ai kur kishte erdhë në Kërçovë, tregonte gjyshi kishte pyet se kush ishte Emin Çeliku, dhe kishte mësuar se ai ishte nga fshati Cërvicë. Nga Kërçova me ushtarët e vet ishte nis në drejtim të Cërvicës dhe gjatë natës e kishte rrethuar nga të katër anët. Në mëngjes kishte futur brenda misionarët e vet dhe kishte thirrë kryesinë e fshatit që gjallë a vdekur të dorëzojnë Emin Çelikun (Xhambazin), sepse në të kundërtën fshatit do t’i vënin zjarrin, dhe se do të masakrohej i gjithë fshati. Tubimi, tregonte gjyshi qe bërë te Shelgu i Asan Veselit - Xhambazi. Parësia e fshatit, tregonte gjyshi ishin mbledhur kokë më kokë, për të gjetë zgjidhje, sepse tani ishte e vështirë që të gjendet Emin Çeliku (Xhambazi), i cili tanimë i ishte bashkangjitur Ushtrisë Kryngritëse të Dervish Carës nga Tetova. Dikur, më në fund njëri nga fshatarët jep propozim që nga mëhalla Çelike të jepet një i ri kinëse ai është Emin Çeliku (Xhambazi). Kështu edhe ka ndodhë tregonte gjyshi, në vend të gjyshit të tij është dorëzuar te turqit Zeno Çeliku, të cilin turqit e marrin me vete për ta dorzuar në Stamboll te Sulltan Mexhiti.Dh e, kështu fshati shpëton nga djegëja dhe masakrimi i të pafajshëmve.

Sulltan Mexhiti, kur e sheh këtë trim shqiptar e sypatrembur duke menduar se me të vërtetë është Emin Çeliku (Xhambazi), ia fal jetën dhe e dërgon në luftëra në Siri e Liban, ku Zeno i ri tregon aftësi të mëdha luftarake, ku dhe në Siri edhe ndërron jetë duke mos ia ditur as edhe varrin.

Hajredin Pasha tregonte gjyshi pasi i rregullon punët në Kërçovë, merr rrugën për Prilep dhe në Veles i bashkangjitet ushtrisë së Mefmet Pashë Llatasit, në luftë kundër forcave kryengritëse shqiptare, duke menduar se kishte mbaruar punë me Emin Çelikun (Xhambazin). Në luftimet e më vonëshme kishte kuptuar se Cërvica e kishte mashtruar dhe se, me ushtrinë e Eminit Kaçakut u ndesh edhe shumë herë më vonë mes maleve shqiptare. Luftëtarët kryengritës shqiptarë sulmonin natën kampet turke duke u dhënë humbje të mëdha në njerëz. Luftëra u zhvilluan edhe gjatë ditës, ku ushtria turke përdori edhe topat, e shqiptarët duke treguar trimërinë e tyre pësuan shumë humbje, duke u tërhequr nëpër male. U kërkua edhe armë- pushim, por turqit keqëpërdorën fjalën e dhënë dhe në pabesi robëruan shtabin kryengritës në krye me Dervish Caren dhe Emin Çelikun (Xhambazin). Emin Çeliku (Xhambazi), vendos që të mos dorëzohet i gjallë duke hy në luftë të pa barabartë me turqit, e duke ikur në drejtim të shokëve të vet nga Kërçova, të cilët kur dëgjojnë se pushka kërset nga të katër anët, nisen në atë drejtim dhe pas një beteje të ashpër me turqit e shpëtojnë komandantin e tyre, të plagosur nga turqit. Dervish Carën me shokë, tregonte gjyshi e dërgojnë së bashku me shumë ushtarë të tjerë të zënë rob në Stamboll, dhe nuk këthehet më i gjallë, ndërsa Emin Çeliku (Xhambazi), tërhiqet në Malin e Zi të Shkupit, e pastaj me shokët e vet të luftës kalon në Kosovë e deri në Cetinje të Malit të Zi, ku gjatë vitit 1844 dhe 1845 zhvillon edhe disa luftime kundër ushtrisë turke, e njëheri me ndihmën e shokëve shëron plagët e marra pas kapjes nga turqit. Pas këthimit nga Kosova ushtarët e tij shpërndahen në grupe të vogla kaçakësh ndërsa vetë vepron në malet e Dibrës me kaçakun e njohur Halil Reka nga Dibra. Merr pjesë edhe në luftën te Gryka e Radikës kundër ushtrisë së Hajredin Pashës në vitin 1886 si dhe në Mbledhjen e Prizrenit më 1878, si delegat nga Kërçova.

Emin Çeliku (Xhambazi) ndërroi jetë në vitin 1917 në moshën 96 vjet. Për nder të kontributit të tij si luftëtar i denjë për Çështjen Kombëtare Shqiptare, në fshatin Cërvicë të Kërçovës iu ngritë një pllakë përkujtimore nga stërnipërit e tij e cila do të zbulohet për nderë të 100 vjetorit të ikjes së tij nga kjo botë, ku pritet të marrin pjesë historianë, artistë dhe patriotë shqiptar për të ngritur lartë veprën e tij madhore - historike për Shqipëri Etnike...



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: