Gani Mehmetaj: Pse i ndanë varret sipas modelit të Bangladeshit, Pakistanit e shteteve arabe?
| E Enjte, 02.02.2017, 10:20 PM |

Pse i ndanë varret sipas modelit të Bangladeshit, Pakistanit e shteteve arabe?

Ndarja e varreve e ndalimi i varrimit të komunitetit të caktuar është shkelje e Kartës së OKB-së, është shkelje e rregullave elementare të njeriut, është përdhosje e Kushtetutës, është krim kundër njerëzimit. Në Kosovë ndarja e varreve dhe ndalimi i varrimit të jo myslimanëve është veprimi bazë gati në çdo qytet e katund të Kosovës.

Nga Gani MEHMETAJ

Lorenc Rrudha në rrjetin social FB, më informon: "Z. Gani, jo vetëm në Tiranë, po e gjithë Shqipëria i ka varret e përbashkëta. Në një parcelë sheh të krishterë dhe myslimanë bashkë. Madje myslimanët e Shqipërisë varret i zbukurojnë me foto e gjëra të tjera, në vendet arabo-islamike varret janë pa foto". Ndërkaq, gjakovari Përparim Vula nga Kanadaja i shqetësuar më shkruan: "Në Chilliwack, British Columbia, Kanada, ku jetoj e punoj, janë të varrosur në një vend të krishterë, protestantë, budistë, jahudi, myslimanë e të tjerë. Dallohet veç nga shenjat religjioze, biles këtu ka të varrosur edhe gjakovarë myslimanë... Nuk kam koment për këto veprime e ndasitë në myslimanë e të krishterë. Turp për neve që veprojmë kësisoji", vazhdon ai i indinjuar.

Ndarja e varreve në myslimane, katolike e protestante e shqetësoi opinionin shqiptarë e subjektet ndërkombëtare. Askush nuk e kuptoi si është e mundur që zyrtarët e Kosovës, ua ndalojnë varrimin shqiptarëve katolikë, protestantë e ortodoks në varret e përbashkëta. Sipas shtetit tonë të drejtën e patjetërsueshme e paskan vetëm myslimanët, të tjerët qenkan qytetarë të rendit të dytë e të tretë. Askund në botën e qytetëruar nuk bëhet një veprim i tillë kriminal.

Të ne jo vetëm nuk lejojnë të varrosën budistë e hebrenj si në shembullin e Kanadasë e në tërë botën e qytetëruar, por zyrtarët tonë nuk i lejojnë në varre të përbashkëta as shqiptarët katolik, protestantë e ortodoks. Ne nuk e përfillim praktikën e botës së qytetëruar, te ne i shkelin të gjitha të drejtat elementare. Atë të drejtë që e ka myslimani, nuk i takon katolikut, protestantit, apo ortodoksit. Të ne nuk e morën modelin e botës së qytetëruar, ku varret janë të përbashkët, por e morëm modelin e  shëmtuar të Avganistanit, Pakistanit, Bangladeshit, Arabisë Saudite, Jemenit, ku gratë i mbysin me gurë, burrave ua presin kokat, ndërsa sheriati është i vetmi ligj.

Ndarja e varreve të shqiptarëve nis pas pushtimit të Shqipërisë nga perandoria otomane. Turqit ua rrënuan kishat e varret arbërorëve, mbi to ndërtuan xhami e varret e fesë së tyre. Popullatën i vranë, i detyruan të shpërngulën përtej detit, apo nëpër male. Ata që mbeten i bënë myslimanë: me shpatë e me kuran. Ata që nuk e pranonin kuranin, ua hiqnin kokat. Shqiptarët që u rikthyen nga malet, në qytetet e katundet e tyre, nuk i gjetën varret e vjetra, nuk i gjeten as kishat. Po ashtu, ua ndaluan t'i varrosnin të vdekurit afër varreve të myslimanëve, aty ku dikur ishin varret e të parëve të tyre të krishterë.

Shqiptarët lindnin e jetonin në të njëjtin qytete e katund, i takonin një gjaku e një gjuhe, shpesh i takonin një fisi. Mirëpo, pushtuesi i ndau në varre. Nuk ua pranoi as kombësinë. Kjo ndarje vazhdoi edhe pasi ia mbathi turku. Pushtuesi serb e malazez ua ndaloi po ashtu varret e përbashkëta shqiptarëve, ashtu sikurse ua ndaloi gjuhën e shkollat. Ushtria serbe vrau pjesën më të madhe të priftërinjtë katolikë e ortodoks shqiptarë në Kosovë e në Maqedoni. Gati i shfarosi. Shqiptarët ortodoks i përvetësoi, ose i vrau kur kundërshtonin shkombëtarizimin.

Ndarjen e varreve të shqiptarëve myslimanë e katolik i legjitimoi, duke i rrethuar me tela gjembor edhe pushteti i partizanëve jugosllavë në territoret shqiptare që i ri okupoi. Askush s'guxoi ta kundërshtonte. Ia mbathi pushtuesi jugosllavë e serbe, por ndarjen e la prapa. Askush nuk guxon ta varros shqiptarin katolik, protestant apo ortodoks në varret që dikur i caktoi kreu i Bashkësisë Myslimane të Jugosllavisë, filial e së cilës ishte edhe Bashkësia Islame e Kosovës. Beogradi ua dha vulën ndarjes së varreve të shqiptarëve myslimanë e katolik, BIK-u në bashkëpunim me kreun e komunave të Kosovës e zbatojnë ndarjen si ta kishin ende pushtetin e Beogradit mbi krye.

Ndarja e varreve dhe ndalimi i varrimit të katolikëve e protestantëve në varret e përbashkëta është problem i ngutshëm që duhet të trajtohet jo në nivel komunal, (është qesharake të debatohet në stilin: t'i jepet apo jo një parcelë katolikëve e protestantëve, sikur të qe fjala për lëmosh), por në nivel qendror.

Qeveria e Kuvendi i Kosovës, duhet të mblidhen e ta heqin turpin e ndarjes së varreve e ndalimin e varrimit në varrezat e përbashkëta. Të urdhërojnë menjëherë heqjen e telave me gjemba nga varret e përbashkëta, të ndëshkohen të gjithë ata që e pengojnë një gjë të tillë, t'u bëhet me dije kriminelëve islamikë se përdhosja e varreve krishtere do të ndëshkohet pa mëshirë.

Nuk mund ta fusni kokën në rërë si makushi, o shtetarët e mi, sepse rëra ua përvëlon kokën. Nuk duhet t'i thoni opinionit se BE-ja pa të drejtë po na izolon, sepse zyrtarët tuaj po i trajtojnë qytetarë të rendit të dytë shqiptarët katolikë, protestantë e ortodoksë, ndërsa kontinenti ku jetojmë nuk i diskriminon as kombet e tjera. Nuk duhet të lejojmë që të kemi të vdekur të privilegjuar, sepse janë myslimanë dhe të vdekur të diskriminuar sepse janë të krishterë. Hiqeni nga koka mendësinë anadollake e shkretinore.

Dhe se fundi: ende nuk u kërkoi falje familjes së Skënder Hotit, kryetarja Kusari, ndërsa ua  përdhosi varrin familjarit të tyre ditën e varrimit. Të tronditë kjo arrogancë kryeneçe- serbe e Lulës së xhehnemit. Serbët na vranë e na i përdhosën varret, kurrë nuk na kërkuan falje. këtë model e ndoqi edhe e para e Gjakovës. Por atë që nuk e bëri lulja e xhehnemit është mirë ta bëjë një delegacion i Ansamblesë Komunale të Gjakovës. Është njerëzore e në traditën shqiptare t'i kërkosh falje të dëmtuarit, është jo njerëzore të shtihesh kinse nuk ndodhi asgjë. Ansambleistë nëse nuk jeni solidarizuar me kryetaren tuaj, mos vononi e shkoni në kryeshëndosh të familja Hoti dhe kërkoni tri herë falje.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: