Gjekë Gjonaj: Idriz Ajeti - 1 shekull jetë dhe punë
| E Enjte, 02.02.2017, 07:55 PM |

Një shekull jetë dhe punë shkencore të akademik Idriz Ajetit

Nga Gjekë Gjonaj

Të premten e kaluar akademik  Idriz Ajeti nga Medvegja  ka  mbushur  100 vjet. Një shekull jetë. Kështu e desht fati. Kështu, jam i sigurt, se e deshtën dhe e duan jo vetëm më të afërmit e tij, nxënësit dhe studentët e tij të dikurshëm, por edhe kolegët e tij dhe të gjithë ata që e njohin ose ata të cilët e njohën ose kanë lexuar e dëgjuar për profesorin e nderuar.  Me shëndetin që gëzon shpresojmë dhe besojmë thellë se do t’ia kalojë  me disa vjet edhe shekullit.

Atë ditë bota shkencore shqiptare e shënoi në Prishtinë  përvejtorin e madh të lindjes së  këtij doajeni, gjuhëtari, albanologu dhe profesori të gjuhës shqipe dhe njërit nga  ndërtuesit e institucioneve shkencore në Kosovë.  Këtë privilegj të jetëgjatësisë  e ka pak kush. Njerëzit e rrallë të shkencës dhe të kulturës jo vetëm shqiptare, por edhe botërore. Ai mbetet një fenomen i rrallë i dijes shqiptare.

Në njëqind vjetorin e  lindjes së tij Ajeti tha :“Nuk kam zgjedhur unë ta kem një shekull mbi supet e mia dhe as që e kam menduar se natyra e Zoti do të më japin këtë jetëgjatësi dhe njëkohësisht forcën që të shoh e përjetoj gjithë zhvillimin tonë si shoqëri e si shtet. Kam ardhur nga një fshat shqiptar përtej kufirit të sotëm të Kosovës, sikur shumë të rinj të tjerë, të gatshëm e të etur për të ndryshuar rrjedhat e shoqërisë. Por unë kam ardhur me idenë për të gjetur copëzat e shpërndara të gjuhës shqipe dhe për t’i bërë bashkë ato – në një mendje dhe një shpirt“

Nga kjo  ndërmarrje e rëndësishme e dashurisë për gjuhën, respektivisht nga puna shkencore albanologjike profesor Ajeti nuk po ndahet, por po e vazhdon punën e tij  në fushën e gjuhësisë. Ky njeri shekullor ka bërë një shekull punë për shkencën albanologjike. Kolegët e tij e quajtën Lis i Madh i kohës sonë. Ndër lisat e lartë të kulturës dhe të fisnikërisë shqiptare. Njeri që ka shkrirë trurin dhe mendjen e tij vetën për të mirën e kulturës dhe gjuhës amtare shqipe. I papërsëritshëm në jetën shkencore. Një dijetar dhe studjues i thellë i dijeve të Albanologjisë. Profesor me dinjitet të rrallë. Njeri e dijetar me plot kuptimin e fjalës. Personalitet i rrallë i jetës shkencore kulturore. Një emër i veçantë i institucionit të albanologjisë. Ndër emrat më të shquar të shkencës albnanologjike, i cili dha një kontribut shumë të madh gjuhës së unisuar letrare.  Emri i tij është i pandarë nga zhvillimi i arsimit dhe i shkencës në Kosovë. Në themelimin e Universitetit të Prishtinës dhe të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës roli dhe ndihmesa shkencore e organizative e Idriz Ajetit janë të pazëvendësueshm.Ai si rrallëkush  u ka vënë shpatullat dhe gjoksin burrërisht punëve të mëdha për çështjen kombëtare, për kulturën shqiptare e për gjuhën shqipe.

Veprimtaria shkencore e akademik Idriz Ajetit është e pasur  dhe e nduarduarshme. Ajo përmban  më vete një korpus të gjerë studimesh: sa nga dialektologjia aktuale e historike, po aq edhe nga historia e gjuhës së shkruar, sa nga morfologjia historike e shqipes dhe problemet e diskutueshme të saj, po aq edhe nga historia e leksikut, sa nga interferencat e dyanshme gjuhësore shqiptaro-sllavojugore, po aq edhe nga onomastika mesjetare, sa nga normimi i shqipes, po aq edhe nga çështjet e kulturës së gjuhës etj.

Drejtoi për 20 vjet në katedrën e gjuhës e të letërsisë shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës që nga themelimi i saj më 1960. Si rektor i Universitetit të Prishtinës themeloi më 1974 Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili zhvillohet për vit në muajin gusht. Seminari i Prishtinës u bë shpejt një vatër joshëse për formimin e albanologëve të rinj nga e gjithë bota dhe qendër takimesh shkencore ndërkombëtare.

Veprimtaria dhe puna e tij shkencore kolosale që ka bërë e po bën   është vlerësuar nga studiuesit si udhërrëfyes për emancipimin  dhe përpjekjet e shqiptarëve, në ish-Jugollavi për të drejtat e qytetarëve, e sidomos për identitetin kulturor e kombëtar të tyre.

Studiuesit Shaban Demiraj, Emil Lafe, Et’hem Lika, Gjovalin Shkurtaj, Rami Memushaj, Begzad Baliu, përveçse e quajnë akademik Ajetin bard i studimeve albanologjike, e cilësojnë atë trashëgimtari i albanologjisë historike, i cili i takon brezit më të arrirë të shekullit të XX-të.

Profesor Ajeti  poashtu është vlerësuar si një ndër veprimtarët më të mëdhenj në përparimin e identitetit kulturor e kombëtar të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe njëkohësisht edhe ndërtues i institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë. Për punën e tij në fushën e shkencës është nderuar disa herë nga presidentët e Kosovës dhe ai i Shqipërisë. Ndërkaq, nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, Ajeti u nderua me çmimin e karrierës.

Unë i gëzohem punës dhe jetës  të këtij njohësi  të thellë të  gjuhësisë shqiptare dhe  këtij  njeriu të madh të shkencës dhe të dijes në përgjithësi. Nderim dhe respekt profesor! Urime dhe rrofshi sa malet Akademiku  ynë, Nderi ynë!



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: