Jona Mërkuri: Tranzicioni i stërgjatur shqiptar
| E Merkure, 01.02.2017, 08:39 PM |

Tranzicioni  i stërgjatur shqiptar, Balcerowicz dhe “Terapia e shock-ut”

Mendime gjatë leximit të librit “Liberalizmi ekonomik”

Nga Jona Mërkuri

Njohja me dokrinën e ekonomisë liberale, nëpërmjet leximit të librit “Liberalizmi ekonomik”, shndrohet në një process meditimi për idetë e 24  mjeshtrave të liberalizmit, pasqyruar në këtë libër dhe rrugën ndjekur nga bota në zbatimin e tyre. Dhe sigurisht, që në fund bën edhe krahasimin me vendin tënd, sado i dhimbshëm qoftë konkluzioni. Është nga të paktët libra që të nxit “ta shohësh botën si ekonomist” dhe si ekonomist të thuash fjalën tënde, pavarësisht se sa  dhe kush të dëgjon. Sepse të nxit edhe fjala e  Einaudit … ”Përse vlejnë ekonomistët nëse rrinë të heshtur” dhe në përfundim të librit të duket se konkludon në postulatin …”Kur flasin ekonomistët duhet të dëgjojnë edhe.. presidentët”. Ndoshta i ndikuar edhe nga Thacher dhe Regan, vëmëndja me të cilën i dëgjonin  Hayek dhe Fredman i çoi ata në suksese eko-politike dhe përballimin e krizave në Angli dhe SHBA gjatë mandatit të tyre.

Një nga emrat madhorë bashkëkohorë të këtij libri është padyshim ekonomisti polak Leszek Balcerowicz dhe teoria e tij e “Terapisë së shock-ut”, teori e cila i krijoi mundësinë Polonisë për një tranzicion të shpejtë dhe të suksesshëm nga ekonomia e centralizuar në ekonominë liberale.

Në Shqipëri emri i Leszek Balcerowicz-it prezantohet  për herë të parë në këtë libër, bashkë me një biografi të shkurtër të tij dhe sigurisht, edhe me parimet e teorisë së “Terapisë së shock-ut”, zbatuar prej tij në periudhën ‘89-’91. Suksesi i kësaj “Terapie” bëri që vlerësimi për të të ishte si për “një hero kombëtar, që e shpëtoi Poloninë nga katastrofa ekonomike”, ndonëse nuk munguan edhe akuzat “si shkaktar i krizës  sociale dhe diferencimit të madh”. Por pavarësisht nga vlerësimet dhe opinionet gazetareske, e vërteta është që Polonia pati një tranzicion të shkurtër dhe të suksesshëm.

Por në se emri i Leszek Balcerowicz  erdhi në Shqipëri me këtë libër, teoria e tij e “Terapisë së shock-ut” ishte prezente , qysh në fillimet e lëvizjes demokratike, e prezantuar nga Gramoz Pashko, madje e cilësuar edhe si teoria e tij. Por fatkeqësisht në Shqipëria teoria  e “shock-ut” nuk dha efektin social-ekonomik të dëshiruar dhe në kohën rekord që pretendohej. Madje Shqipëria vijon edhe tani, pas 25 vjetësh, të përpëlitet nëpër rruginat e tranzicionit, duke shtruar natyrshëm pyetjen se çfarë nuk funksionoi normalisht me këtë teori në vendin tonë.

Faktikisht “Teoria e shock-ut” u quajt si teoria e “demokratit Gramoz Pashkos” dhe pati kundërshtime  nga forcat e majta, të cilat e prezantuan në popull si “Teoria e kthimit të ekonomisë  në zero”, e shkatërimit të çdo gjëje egzistuese për ta filluar  nga “zero”, (me pretendimin se do ti bëjnë  (fabrikat, uzinat plantacionet, vreshtat etj) të reja, moderne etj etj), pra duke shtrëmbëruar thelbin dhe idenë e teorisë së “Terapisë së shock-ut” si teoria e shkatërimit të gjithçkaje të ndërtuar gjer atëherë. Në qoftë se kjo do ishte vetëm një luftë  politike, kjo do ishte e keqja më e vogël. Por kjo u shndrua në një luftë ekonomike me shkatërimin real të aseteve  të vendit (fabrikat, uzinat, plantacionet e agrumeve, vreshtat etj), si “ndërtime komuniste” në vend që të privatizoheshin dhe të futeshin në ekonominë e tregut. Shkatërimi  (dhe jo privatizimi i tyre) e la vendin pa asetet e domosdoshme duke hapur në këtë mënyrë rrugën e prodhimit të huaj, i cili zaptoi tregun shqiptar, pengoi prodhimin vendas dhe nxorri jashtë vendit valutën, aq e domosdoshme për ekonominë shqiptare në hapat e para të tranzicionit. Rikrijimi nga “niveli zero” i ekonomisë shqiptare kërkoi një kosto më të madhe kohore dhe financiare nga sa do të duhej, po të privatizoheshin dhe të  modernizoheshin asetet  egzistuese.

Balcerowitsc mendonte se ..Shteti minimal dhe tregu i lirë…ishin kushte të panegociue- shme për të garantuar tranzicionin nga plani te tregu i lirë. (fq 348).

Por realisht në Shqipëri të gjitha qeveritë janë përpjekur të zgjerojnë shtetin,  ta bëjnë atë sa më të madh e më të “fortë”, duke e shndruar atë në një vend pune për militantët. Fridman theksonte se …Në një ekonomi tregu, zvogëlimi i rolit të shtetit ëështë mjeti i vetëm për të aritur lirinë politike dhe ekonomike” (Fq 230)

Po të shikosh në Shqipëri të gjithë (militantët) duan të fillojnë punë në administratën shtetërorë, shpeshë herë pa aftësinë profesionale përkatëse. Vetkuptohet që koston e paguan …tranzicioni.

Sipas Balcerowitsc thelbi i suksesit në politikat e tranzicionit qëndronte në privatizimin e shpejtë dhe transparent të ndërmarjeve dhe aseteve të tjera shtetërore.

Privatizimi me “borde privatizimi” i aplikuar në Shqipëri vetëm transparent nuk ishte dhe as i shpejtë. “Bordet e privatizimit” në Shqipëri vetëm sa u dhanë disa prona militantëve, prona të cilat ata nuk i shfrytëzuan në funksionet ekonomike, por i shndruan në magazine  mallrash të importuara, duke cënuar kështu ritmin ekonomik të vendit. Klasat politike shqiptare u treguan të “trembura” në drejtim të privatizimit të ekonomisë. Kjo duket dhe te fakti se ende shumë asete të rëndësishme të ekonomisë (nafta, energjia etj etj ) janë shtetërorë dhe ajo që është më e keqja janë zhytur në borxhe të pashlyeshme dhe nuk guxojnë të shpallin falimentin. Shpallja e falimentit të ekonomive të dështuara është si të heqësh një gur të madh, rënë në mes të  rrugës, për të krijuar mundësinë e një ecjeje normale dhe etë shpejtë të mjeteve të tjera.

Po të analizosh realisht firmat ekonomike shqiptare, konstaton se ato janë lidhur me njera tjetrën me një zinxhir borxhesh dhe mbahen te njera tjetra. Këputja e një hallke e këtij zinxhiri rrëzon një numër të madh firmash. Mirëpo mbajtja e ekonomisë në këtë “zinxhir” mund ta quajmë “ekonomi e lidhur me zinxhirë” dhe vetëm progress nuk mund të presësh prej tyre.

Hyrja e Shqipërisë ne ekonominë e tregut u bë në një boshllëk ligjor, ose më saktë, legjislacioni, në vend që ti paraprinte ekonomisë së tregut, “vrapoi” pas saj duke “e mbajtur nga xhaketa”, duke u bërë shpesh herë pengesë për ecjen e ekonomisë. Psh Ligji i tokës i bëri të gjithë pronarë tokash, (dhe ata që realisht nuk ishin të tillë) por faktikisht ky ligj erdhi me vonesë, (dhe zbatimi real i tij u bë me vonesë dhe pasaktësi) në kohën që krahu i punës së tokës kishte emigruar jashtë vendit dhe për pasojë “pronarët e rinj” me prona të pahipotekuara nuk e punonin tokën, duke e privuar ekonominë nga progresi ekonomik.

Kjo solli që konkurenca të mos ishte e lirë midis prodhimit  vendas dhe atij të huaj, duke patur privilegje prodhimi i huaj.

Suksesi i “Terapisë së shock-ut” varet nga shpejtësia e kryerjes së reformave. Duke përllogaritur pasojat sociale që ai krijonte , në Shqipëri u ndoq politika “ hiq e mos këput” për arsye të mungesës së një autoriteti kopetent ekonomie dhe paisjen e tij me kopetenca të plota. Autoriteti i Gramos Pashkos u godit politikisht dhe në këtë mënyrë ai s’mund të luante rolin e duhur në zbatimin e “Terapisë së shock-ut”. Nuk ndihmoi në këtë drejtim as fakti që u ftua nga qeveria e majtë pasardhëse për të vazhduar reformat. Qeveritë e majta preferuan metodën e “gradualizmit” në kalimin në ekonominë e tregut për vetë frikën e pasojave sociale.

Klasa e re politike shqiptare vinte nga mjediset komuniste dhe kontaktet e saj me teorine e tregut dhe ekonomine liberale ishin shumë të pakta, sa mund të themi se ishin të karakterit të një kurioziteti të ngjallur nga librat. Kontaktet dhe njohja reale mungonin. Kështu që klasa e re politike, për të realizuar misionin e kthimit të ekonomisë të planifikuar në ekonominë e tregut, në radhë të parë duhej që të mësonte vetë (teorikisht) hapat e nevojshëm për tu hedhur dhe pastaj tja prezantonte forcave politike dhe popullit, për të marë miratimin e tyre (jo vetëm në parlament) për zbatim. Klasa e re politike kishte dëshirën për të mësuar, por ajo nuk kishte kohën e duhur për këtë mësim. Kjo ndoshta është edhe një nga arsyet që, pas hapave të parë, u përqafua teoria e “gradualitetit”, duke i bërë ngadalë reformat.

Pra, kishte të drejtë Balcerowics kur thoshte se “…gjërat e ngadalta bëhen gabim dhe përfundojnë keq”. Kjo duket më së miri në praktikën shqiptare .

Këto shënime të shkurtëra, mbajtur gjatë leximit, lindur si deduksione në njohjen teorike të “Terapisë së shock-ut” të Balcerowitsc me zbatimin  konkret në Shqipëri, mendova ti ndaj me ju edhe si dëshmi e vlerësimit të  librit “Liberalizmi ekonomik” të autorëve Adrian Civici dhe Selami Xhepa.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: