Gani Mehmetaj: Lulja e xhehnemit nuk lëshon pe
| E Hene, 30.01.2017, 09:31 PM |

Lulja e xhehnemit nuk lëshon pe as pas presionit amerikan e britanik

Asnjë reagim zyrtar të shtetit nuk pati kur u hoq kryqi dhe u përdhos varri i pastorit Skënder Hoti. Asnjë masë ndëshkimore nuk u mor, kur u përdhosën varret katolike shqiptare. Sikur ta përdhoste dikush ndonjë varr serb, do të protestonin zyrtarët tanë nga i pari të i fundit, do të tërboheshin komunarët e pa kurrizorë, do të merrnin masa drastike policia, duke arrestuar të fajshëm e të pafajshëm.

Nga Gani MEHMETAJ

Mimoza Kusari edhe pas ndërhyrjes amerikane e britanike nuk pranoi që pastorit Skënder Hoti, i cili vdiq tragjikisht ditë më parë, t'ia kthej kryqin mbi varr. Ua tha 1001 shfajësime amerikanëve e anglezëve, e mashtroi opinionin pa fije turpi, por shqiptarët ungjillor i la pa varre, ndërsa varrin e pastorit e përdhosi, duke e lënduar për jetë familjen e të vdekurit e besimtarët ungjillor. A ka krim më të madh, pas vrasjes? 
Lulja e xhehnemit, nuk është e vetmja kryetare komune që i diskriminon shqiptarët e krishterë. Ferra xhehnemi janë treguar shumë kryetarë komunash në Kosovë, por rasti i përdhosjes së varrit në Gjakovë u bë problem, sepse i vdekuri ishte i pari i një kishe protestante në qytet, vdiq tragjikisht, ishte i ri, ndërsa familja donte ta varroste sipas ritit ungjillor.
Ndarjen e varreve të shqiptarëve katolikë e myslimanë ua la amanet Serbia, sepse atëherë varret i ndau pushteti i Beogradit. Prandaj, asnjë komunë në Kosovë nuk lejoi as pas çlirimit që shqiptarët e krishterë t'i varrosin në varrezat e qytetit, që të  mos "i lëndojnë ndjenjat e myslimanëve!" Kështu, ka arsyetuar edhe kryetarja e Gjakovës, kështu arsyetojnë kryetarët e komunave që nuk u dhanë varre protestantëve. Ka arsyetim më të pafytyrë e më radikalë islamikë? Janë ata kryetarë komunash arabe, komunarë të qyteteve të Pakistanit e Avganistanit, apo të Kosovës? Vetëm këtyre shteteve e kreut të ISSI-it i shkon kjo gjuhë arsyetimi.
Pati arsyetime edhe më të pështira: "Po i lejuam varret e krishtera, do t'i thyejnë islamikët radikal!". Është ky arsyetim? Po shteti ynë, ç'bënë? I diskriminon të krishterët shqiptarë, lëshon pe para kriminelëve që përdhosin varret e të krishterëve shqiptarë, që të mos e çrregulloj "harmoninë fetare", apo që të mos i i prishi punët me shtetet arabe e Turqinë. Askush nga kriminelët islamikë që përdhosën varret katolike e protestante shqiptare nuk u kap, ndërsa u përdhosen dhjetëra varre. Asnjë reagim zyrtar nuk pati kur u hoq kryqi dhe u përdhos varri i pastorit Hoti. Asnjë masë ndëshkimore nuk u mor, as nuk pati reagime zyrtare kur u përdhosën varret katolike shqiptare.
Sikur ta përdhoste dikush ndonjë varr serb, do të protestonin zyrtarët tanë nga i pari të i fundit, do të shkumonin kombëtarë e ndërkombëtar, do të tërboheshin komunarët tonë servil e të pa kurrizorë, do të merrnin masa drastike policia, duke arrestuar të fajshëm e të pafajshëm. Natyrisht as kriminelëve islamikë që i përdhosën varret shqiptare, nuk u shkon mendja të përdhosin varret serbe, sepse do të përfundojnë në burgje. E dinë ata ku guxojnë e ku nuk guxojnë, e dinë këtë punë edhe komunarët.  
Shembulli i Tiranës
 Bashkësia Islame e Kosovës, doli e larë në këtë diskriminim fetar. Varret janë të shtetit, nuk janë të BIK-ut. Shteti lejon e ndalon varrimin. Kreu i BIK-ut u ka deklaruar të krishterëve se ata janë për varre të përbashkëta si në Tiranë, por janë komunarët që bëjnë ndalesa të tilla kriminale, sepse nuk duan t'ia prishin Serbisë. 
Shumë para të pista janë futur nëpër xhepat e zyrtarëve tanë, prandaj ndodhin këto anomali që s't'i kap mendja. Në varrezat e Tiranës nuk i ndajnë të vdekurit sipas fesë, por i varrosin në një hapësirë, me shenjat e fesë së tyre, apo me shenja kombëtare. Jetuan bashkë, pse duhet t'i ndajnë pas vdekjes. Këtë shembull patën mundësi ta ndjekin në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Gjilan etj, por nuk deshën të shkëputën nga tradita e Serbisë, ashtu si i ndanë zyrtarët serbët dikur, ashtu vepruan edhe zyrtarët shqipfolës sot.      
Në rastin e protestantëve komunarët e korruptuar harrojnë që komuniteti fetar i diskriminuar është pjesë e komunitetit më të madh fetar të Amerikës, Evropës Perëndimore e Qendrore. Duke ua përdhosur varret e duke i diskriminuar protestantët ngjanë sikur komunat tona (dhe jo vetëm komunat), u kanë shpall luftë ShBA-së, Britanisë së Madhe, Suedisë, Norvegjisë e Finlandës, që t'ua bëjnë qefin turqve e arabëve. Korrupsioni ua ka zënë sytë sa të mos shohin kundër kujt luftojnë. Harrojnë se nga gjenocidi serb i shpëtuan shtetet me popullatë shumicë protestante: Amerika, Britania e Madhe, Gjermania, Suedia, Norvegjia, Finlanda. Shtetet arabe e Pakistani do t'i linin në robëri të përjetshme.
Komunarët nuk e lejuan asnjë kishë të protestantëve, ndërsa lejuan qindra xhami, që u ndërtuan me ryshfete. Kisha e protestantëve të Prishtinës nuk mori leje renovimit nga Komuna e Prishtinës më shumë se dhjetë vjet, në pronën e vet, ndërkohë që komunarët ia dhanë  lejen e ndërtimit xhamisë me pretendime më të mëdha në gadishull, duke ia fal tokën e shtetit. Vetëm kur ndërhynë ambasadat perëndimore, atëherë kreu i komunës i dha gjysmë leje protestantëve. Komunarët prisnin ryshfete, ashtu sikurse ishin mësuar me xhami, ndërsa protestantët nuk japin ryshfete. Komunarët zbatonin edhe urdhrat e shoqatave islamike.
Kjo ndalesë ndaj kishave protestante është edhe më tutje në fuqi. S'ka ambasadë perëndimore që i detyron zyrtarët tonë të japin leje për kisha protestante, por s'ka kush që i ndalon për leje ndërtimi për xhami.
Është mirë që instancat më të larta të shtetit me tutelën e Perëndimit të merren seriozisht me këto probleme, sepse komunarëve të papërgjegjshëm nuk mund t'u lihet në përgjegjësi ndarja e shqiptareve në të krishterë e myslimanë, ashtu sikurse po bëjnë, as nuk duhet lejuar vazhdimi i diskriminimit në baza fetare. Veprimi i M. Kusarit e kryetarëve të shumë komunave të Kosovës  prek themelet e shtetit laik.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: