Sejdi Berisha: Lotët, ndoshta Zoti mund t'i numërojë
| E Diel, 29.01.2017, 05:55 PM |

Sh p ë r p u th j e

Sejdi BERISHA:

LOTËT, NDOSHTA ZOTI MUND T’I NUMËROJË...!

Sikur më krisi koka, por vetvetes i thash: ngadalë,... mos nxito. Ora ka vlerë të madhe, sepse,... ora e matë kohën. Po, pra. Ora e matë kohën! Kurse, koha ikën,... shkon dhe njeriu ngelet pa të, apo vetëm me një copë kohe e cila nuk i mjafton as për ta rehatuar vetveten! Andaj, nuk krahasohet me asgjë, bile nuk blihet me asnjë çmim. Për këtë arsye, duhet pasur kujdes,... të mos e prishim orën.

...M’u kujtua ora e xhepit e babait, të cilën, pak para se të ndahej nga jeta, më pat thënë që t’ia nxjerr nga xhepi i xhamadanit dhe njëherësh m’u lut që të mos e kurdis kurrë më! Pas atyre fjalëve, në moment i tërë trupi m’u dridh. Por, amaneti i tij shkoi në vend. U bë ashtu siç tha ai. Ora kishte pushuar në 15:55. Kurrë më nuk i kishin lëvizur akrepat e saj,... as nuk e kishin matur kohën...

Athua, kështu tash është jeta në Kosovë,... me shumë qendra tregtare,... restorante,... me shumë njerëz duke e hedhur e duke e kërkuar bukën,... me shumë ngjyra,... krejt lara-lara. Si t’i lidhet gryka kësaj pyetjeje,... por, drejtë e me përgjegjësi...?!

Ngela duke e shikuar vajzën time, dhe në vend të përgjigjes, e putha duke na u puqur lotët për t’u bërë zjarr në faqen e saj që nxjerrke flakë rinie dhe në faqen time e cila i fshihte motet e shkuara bukur shumë...! Nuk kisha ç’t’i them, pos që m’u kujtua se diku kisha lexuar se Apo, kjo është edhe ironi, edhe ngushëllim.

_____________

Kontrastet e jetës jo vetëm që begatojnë mendjen dhe rebelojnë për ta gjetur vetën në hartën e lirisë dhe për ta sforcuar shprehjen dhe lëvizjen e lirë, por edhe të bezdisin ndonjëherë për ta kujtuar të keqën, për ta përplasur vetveten me veten duke mos qenë i fuqishëm për ta luftuar të keqën me të madhërishmen, të shëmtuarën me të bukurën. Kështu, shpesh mendohet si pa lidhje  se jeta është një shoping, të cilën gjë dikush di ta zotërojë mirë. E dikush tmerrësisht  mashtrohet, dhe nga kjo i krijohet merimangë rrugëtimi dhe kot i kërkon shtandet ku shiten dhe ekspozohen gjërat.

1.

Kishte kohë që kisha planifikuar që me familje të bëja një shëtitje vikendi jashtë qytetit ku jetoj. E zgjohem kryeqendrën, ku, të them të drejtën, ka kohë që nuk kam qenë për shumë arsye. Dhe, mirë u bë. Shëtitëm pakëz, por edhe bëmë “shoping” pa blerë asgjë, dua të them, shëtitëm apo vizituam disa qendra të mëdha tregtare, tanimë të rangut evropian. Në të gjitha ato që i vizitova, u ndjeja krenar, por, nganjëherë më kaplonte edhe ndjenjë pasigurie kur e dija se populli ka shumë pak fuqi blerëse, kurse, disa janë në “luhatje” edhe të sigurimit të bukës së ditës. Po, po. Kjo është e vërtetë dhe mos e harroni këtë realitet të kësaj kohe, e në këtë kohë! Andaj, shumë gjera ma rrahën mendjen dhe ma molisen edhe vullnetin...!

Mbesa ime flokëverdhë, të cilën e dua pamasë, e që ende nuk i ka dymbëdhjetë vjet, ma bën zemrën mal duke shëtitur dhe duke kënduar me gjuhën e zemrën e saj, nëpër shtande me mallra të lloj-llojshme, që as unë dhe as të pranishmit tjerë dot nuk e kuptonin. Vetëm ajo ma shëron atë plagën që, interesant, nuk më shërohet kurrë për dhembjen që kam për njeriun. Kjo, përgjithësisht nënkupton shumëçka. Në “shoping”, në këto super qendra të tregut, askush nuk duket i mërrolur, i pa disponuar. Nga dyert e tyre dalin duarplot, por syresh edhe duarthatë. Hë,...me duar plot, e me mendje,... hajt të themi, plot!

2.

Në vend që vikendin ta kalonim diku në natyrë, na u lidh, që pothuaj tërë kohën të “shëtisim” për të bërë “pazar” pa bërë asgjë. Kjo, sikur më shkoi përshtati, sepse, shumë gjëra ma ngacmonin etjen e shkrimit të temave të veçanta. Duke vizituar kënde të ndryshme tregtimi, gjatë tërë kohës më provokonin çmimet e larta. Kur them kështu, nuk mendoj në çmimet për liri, as për rëniet heroike, as për humbjen e më të afërmve, por thjeshtë për çmimet e artikujve në treg!

I shikoja rrobat kat. Të them të drejtën, ndjeja nevojë që t’i kem sivjet, pasi i rrumbullakova do vite duke kaluar nëpër trakullima jete. Por, kur shikova çmimin, desh nuk plasa, ama desh nuk plasa nga gazi, që bashkë me te nga brendia e nxjerrja atë vrerin dhe dufin zemërak të mendjes dhe zemrës! Mbi pesëqind euro një palë rroba... e njerëzit me rroga beter të vogla, njerëzit të pa punë,... njerëzit e uritur,... pa çati mbi kokë, të gjitha sikur më silleshin vërdallë! Dhe, si për inat, menjëherë hasa në një kravatë në të cilën lëvarej çmimi: 50 €. Bash mirë, thash. I “kompletova” rrobat që kisha dëshirë t’i kam, dhe kur t’i veshi, të më kujtohen ato ditët kur i preferoja rrobat kat dhe kravatat shumë të rralla. Por, menjëherë më iku mendja, kurse rrobat e kravata u shndërruan në diçka që përfundimisht e urrej.

Për këtë zjarrmi, askush nga familja as nuk e dinte, por as nuk e vërente asnjë ndryshim tek unë. E tërë kjo, rrotullohej e përplasje vetëm në vetveten time. Punë e madhe, a...?!

3.

Kurrsesi të ç’kyçem nga “shopingu”. M’u soll nëpër mend se “shopingu” ka turli kuptimi. Këtë të gjithë e din. Në një shtand, aq me shije i kishin ekspozuar dhe “rehatuar” orë të ndryshme. Për shembull, orë muri të dimensioneve të ndryshme,... orë dore, ...orë si lavjerrës...Hë, pra... edhe orë digjitale,... orë prej ari...!

Nuk desha t’ua mësoj çmimin, por, një orë dore me fytyrë të zezë shumë më pëlqeu, dhe vetvetiu më shkuan sytë tek çmimi. Shumë shtrenjtë,... Sikur më krisi koka, por vetvetes i thash: ngadalë,... mos nxito. Ora ka vlerë të madhe, sepse,... ora e matë kohën. Po, pra. Ora e matë kohën! Kurse, koha ikën,... shkon dhe njeriu ngelet pa të, apo vetëm me një copë kohe e cila nuk i mjafton as për ta rehatuar vetveten! Andaj, nuk krahasohet me asgjë, bile nuk blihet për asnjë çmim. Për këtë arsye, duhet pasur kujdes,... të mos e prishim orën. Por, jo more,... jo. As ora, por as koha nuk matën me asgjë.

Ani, ora nuk është shtrenjtë, pa marrë parasysh çmimin. Për këtë shkak, duhet ruajtur atë,... të mos e dëmtojmë orën. Mos e dëmtoni orën! Por, nëse doni, prisheni, ose, ndaljani akrepat dhe, të pushojnë e të pushojnë nganjëherë...! Tani, hajt të shkojmë pakëz në restorantin përbri “Center Shoping”.

Plot e përplot njerëz presin për të drekuar. Presin në radhë për ta zgjedhur ushqimin e preferuar. Pas drekës, nga restoranti dalin pa fije brengash e me kotje nga tretja e ushqimit. Nuk u ha palla për asgjë,... Tash as për ushqimin!

4.

Posa dolëm nga ajo ndërtesë grandioze dhe si zonjë e rëndë, ngjitas me te ishte auto-parkingu i rregulluar me centimetra për makinat e vizitorëve dhe të konsumatorëve, të cilat ishin ding të radhitura. Pa një pa dy, para këmbëve sikur na vizatohet një çunak i të dhjetave me vetulla futë të zeza, duke na zgjatur dorën e njomë e cila i dridhej ku ta di se pse.

-A keni njëzetë centë,... për bukë?!

Dhe, deshe apo nuk deshe, shumë gjëra të sillen në kokë. Pasi futa dorën në xhep për t’i nxjerrë disa centë, sërish u tërhoqa dhe çunakut, në vend të parave ia drodha se ai nuk bën të lypë. Është keq kështu, i thash. Por, atij as që i la përshtypje zëri im dykahësh qortues dhe vazhdoi me të veten. Duke i përmbledhur të gjitha këto që i theksova deri me tash, e pyeta vetveten pa dhënë përgjigje: çfarë kontrasti,... çfarë harmonie e jetës është kjo?!...

Duke iu afruar makinës për të ikur nga kryeqendra, afër kontejnerit të stërmbushur me hedhurina, vërej një mace duke e shprushur me nervozë një gjysmë buke, të cilën e hetoi edhe çunaku i njëzetë centëve. Prita. Edhe këtë skenë e “filmova” në mendje si gjënë më të rëndë për këtë kohë. Iu afrua çunaku maces për t’ia marrë bukën, por ajo desh nuk ia nxori sytë duke e mbrojtur “sermien” e vetë.

Athua, kështu tash është jeta në Kosovë,... me shumë qendra tregtare,... restorante,... me shumë njerëz duke e hedhur e duke e kërkuar bukën,... me shumë ngjyra,... ama bash krejt lara-lara. Si t’i lidhet gryka kësaj pyetjeje,... por, drejtë e me përgjegjësi...?!

Pas tërë kësaj, vajza ime që ishte me mua, e që tinëz tërë kohën i kishte përcjellë “vargonjtë” e ndijimeve të mia, më thotë:

-Hë, babi. E kape temën, a?

Ngela duke e shikuar, dhe në vend të përgjigjes, e putha duke na u puqur të dyve lotët për t’u bërë zjarr në faqen e saj që nxjerrke flakë rinie dhe në faqen time, e cila i fshihte motet e shkuara bukur shumë...! Nuk kisha ç’t’i them, pos që m’u kujtua se diku kisha lexuar se lotët, ndoshta mund t’i numërojë Zoti...! Apo, kjo është edhe ironi, edhe ngushëllim...

5.

Për ta përmbyllur “shopingun”, edhe dy gjëra të rëndësishme shumë të rëndësishme! M’u kujtua ora e xhepit e babait, të cilën, pak para se të ndahej nga jeta, më pat thënë që t’ia nxjerr nga xhepi i xhamadanit dhe njëherësh m’u lut që të mos e kurdis kurrë më! Pas atyre fjalëve, në moment i tërë trupi m’u dridh. Por, amaneti i tij shkoi në vend. U bë ashtu siç tha ai. Ora kishte pushuar në 15:55. Kurrë më nuk i kishin lëvizur akrepat e saj,... as nuk e kishin matur kohën. Sikur çdo gjë e kishin injoruar. Prej atëherë, nuk e di a ecte më koha. Po më duket se jo! Babain e varrosem në varrezat e qytetit. Vetëm mua më kishte thënë dhe askujt tjetër, që mbi varr të mos i shkruajmë asgjë, sepse, epitafet nuk i pëlqente. Por, me zë të butë dhe lutës më pat thënë që t’ia shkruajmë vetëm emrin dhe mbiemrin, vitin e lindjes dhe të vdekjes. Kaq mjafton. Kush do ta kuptojë, le ta kuptojë, më pat thënë! Por, ora tani kishte ngelur tek 15:55, e ruajtur në vitrinën modeste të dhomës së ditës. Edhe këtë, edhe shtëpinë, shumë vite më vonë e kishin djegur gjatë luftës.

Në të kthyer pas lufte: shtëpia e djegur,... ora e babait e djegur! Por, për fat, i kishte shpëtuar më të keqes, edhe pse shumë e dëmtuar,... Fytyra, numrat dhe akrepat, nuk i kishin lëvizur, si të ishin gozhduar. Po, po. Njëherë ndalet ora...! Por, tash ec e qëlloja. Nuk e di, a ndalet ora, apo koha,... apo jeta?! Nuk zgjidhet edhe aq lehtë ky nyje i mendjes...!

Sa më nxori telashe ora e babait, e cila gjithnjë më shërben edhe si kujtim, edhe si provokim,... E cila gjithnjë më shërben për ta matur kohën si reflektim. Por, një gjë dihet, se ora kurrsesi nuk e matë kohën...! Akrepat e saj gënjejnë, besoni. Por, për gjëra të tilla pothuaj se asnjëherë nuk kam folur, as nuk do të flas njëherë. E, gjërat nuk duhet heshtur. Por, ndoshta në jetë heshtja mund të merret si kryevepër. Por, jo jo! Këtë vlerësojeni ju vetë, por ta keni parasysh se edhe lotët Zoti i numëron...!



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: