Sejdi Berisha: Treni i Pejës
| E Diel, 22.01.2017, 02:10 PM |

Rilexim me shkas

Sejdi BERISHA:

TRENI I PEJËS

Ka kohë që më kishte “rrokur” zjarrmia për të udhëtuar me tren prej qytetit të Pejës e deri në Prishtinë, për t’i kujtuar e për t’i thënë disa kujtime e ngjarje, që, siç dihet, hekurudha dhe treni gjithmonë i fshehin dhe kurrë nuk i tregojnë, e që më të vërtetë janë histori e dhembshme, janë dëshmi e kohë të strukura diku në mes faqeve të pashkruara të rrugëtimit të kombit, të ecjeve, të trishtimit e të lumturisë. Për këtë, më duket se gjërat e tilla e kanë peshën e madhështisë për t’i shkruar e komentuar ato, e kanë zërin, i cili pastaj sikur jehon për gjithçka në të katër anët, ose cep më cep të tokës. Por, edhe Ju duhet ta kuptoni se është e pamundur që edhe unë t’i them e t’i ndriçoj as çerekun e tyre. Mirëpo, do të përpiqem të them diçka edhe përtej trenit, përtej binarëve...

Thana dhe rrëfimi për varrin e gjyshes...

Sa herë më kishte shpjeguar babai për punën e trenit, për binarët si përralla e tregime të lashta, se çfarë kanë bartur e çfarë kanë fshehur binarët, lokomotivat dhe vagonët që i kanë sjellë rrotat nëpër ata hekura të pakëputur. Por, po e nisi me një rrëfim të thjeshtë por shumë të rëndësishëm e kurrë të paharruar për mua. Babanë dhe familjen e tij, jeta e kishte përplasur pamëshirshëm nëpër periudha dhe nëpër ndrydhjet e kohës. Më të dashurit e tij, disa i ishin varrosur në vendlindje, në disa në fshatra të ndryshme të huaja, ashtu siç iu kishte varrosur edhe nëna e tij e gjyshja ime, Vasa, të cilën nuk kisha arritur ta përjetoja dashurinë dhe ngrohtësinë e saj. Dhe sa e mbante mend babai. Kur merrnim  biseda për historinë e familjes, ai, së pari “kacafytej” me mallin për gjyshen time, respektivisht, për nënën e tij, dhe disa herë me krenari ma shpjegonte hamendjen e tij se ku e kanë varrosur atë në fshatin Ramun të Pejës. Gjithnjë thoshte se e mbante në mend se e kishin varrosur afër një trupi thane, dhe gjithnjë thoshte, e di ku është ajo ndër varret e këtij fshati, duke shtuar se thana jeton e qëndron gjatë, bile e kalon shekullin.

Isha i vogël, dhe babai kishte dëshirë që të ma tregojë varrin e nënës së vetë, por kishte dëshirë që edhe ai ta vizitojë dhe të çmallet jo pak por shumë. Kishte dëshirë edhe për të më treguar edhe shumëçka për trenin dhe binarët. Një ditë, vendosëm dhe u nisëm. Prej qytetit kishte bukur disa kilometra deri atje, por ishte interesant sepse udhëtohej përbri binarëve të trenit. Gjatë rrugëtimit, m’u regjistruan qindra ngjarje, por m’u ngarkua truri edhe me shumë ëndrra e çudira të mia të jetës, që kisha dëshirë për t’i kapur e për t’i përjetuar e rregulluar ashtu siç dua vetë.

Treni, simbol i rrugëtimit, i dhembjes dhe i krenarisë

Gjatë rrugëtimit, disa herë ecnim përmjedis hekurudhe, por e kishim kujdes trenin. Disa herë e hetova babanë se me duart e vrazhda si lëkurë prej opinge, i fshihte dhe i fshinte lotët nga faqet thatake. Besoni, shumë e doja, shumë e dua edhe sot, dhe çdo hap më shndërrohej nga një rrëfim historie, nga një pezëm e trishtim, por gjithnjë i mbështjellë me krenari. Dhe, kështu, deri tek vendi ku duhej ta shmangnim rrugën nga hekurudha e për t’u drejtuar për në fshatin Ramun, sikur sa qel e mbyll sytë arritëm. Prej aty nuk kishte shumë gjerë ke varrezat e këtij fshati, ku duhet të ishte edhe varri i sime gjyshe, varri i nënës së babait tim, varri i Vasë Llaushës.

Tani, edhe pse isha shumë, shumë i ri, djalë njomak, mendoja se si ta ngushëlloja babanë dhe të mos mërzitet, por e kisha edhe dronë për vetveten time se edhe unë do të shkrehesha në vajë, sepse, gjithnjë, por edhe sot jam shumë i ndjeshëm. Posa arritëm tek varrezat, vërejtëm se në to kulloste një kope delesh, kurse bariu ishte ulur dhe e mbështillte një cigare duhan. Ishim shumë kureshtarë, kujdesshëm vizituam çdo trup thane, sepse aty kishte shumë drunj thane. Por, gati si me hamendje, u afruam tek trungu i një thane të vjetër dhe kërkonim gjurmët e varrit të gjyshes. I hetuam disa gjurmë varri, edhe pse nuk ishim plotësisht të sigurt se aty do të ishte varri i nënës së babait. U ulëm, dhe për pak asnjëri nuk flisnim. Nuk punonte mendja dhe as nuk dilnin fjalët. Nuk vonoi dhe bariu, prapa të cilit i mbeteshin shtëllunga tymi të cigares, e që ishte me mbi të shtatëdhjetat mbi supe, na u afrua dhe na pyeti:

-Jeni duke kërkuar diçka, sepse, po ju vërej se jeni jabanxhi?!

-Po! –i tha babai. Jemi duke e kërkuar një varr bukur të moçëm,... Jam duke kërkuar varrin e nënës sime. E kemi pas varrosur pranë një thane, e po më duket se këtu diku është?!

-Ka qenë një plakë, Vasë Llaushja, i thoshin?!

-Po!...

-E bash nën këtë thanë e kanë pas varrosur, dhe këtu diku është varri i saj...- bëri bariu duke e vizatuar vendin e varrit me shtagën kërrutë.

Iu falënderuam, kurse ne u ulëm afër aty. Babai ra në dy gjunjë dhe filloi ta përkëdhelte barin me dorë e gjithnjë duke e theksuar emrin e gjyshes, Vasë. Por, nuk ishte vetëm kjo. Ai qante për nënën dhe historinë e saj, kurse unë qaja për gjyshen dhe për historinë... nuk di se të kujt...!

Ky ishte rrëfimi për varrin e gjyshes që kurrë nuk më hiqet mendjeje, e që shkas i kësaj ishte treni dhe binarët. U kthyem sërish binarëve të trenit, edhe të lumtur por edhe plotë mall. Të tillë mbetëm deri në minutën e fundit të frymës së babait tim, këtu e mbi dyzetë vjet më parë.

Kur treni lëshoi fishkëllimën e fundit, shtrëngova vajzën time duke i thënë: bija ime, paq fat e shëndet...!

Ishte kohë lufte. Kudo në Kosovë frymonte liria edhe pse me shumë lëvizje jo edhe aq të sigurta, me tortura, vrasje, burgosje dhe me dëbime popullate. Atëbotë, në asnjë vend rrugët nuk ishin të sigurta për të lëvizur nga qyteti në qyet. Vetëm treni bënte rrugë deri në Prishtinë, e që ding mbushej me popullatë, me udhëtarë, shumë prej të cilëve kurrë nuk e përjetonin kthimin prapa. Këtë fat e kishte edhe vajza ime e tretë, e cila të fejuarin e kishte në Prishtinë dhe duhej të bashkoheshin për të marrë rrugë tjetër, sepse, dasmë nuk mund të bënim. Nuk ishte kohë dasmash. Ishte vetëm një dasmë tjetër, ajo e lirisë. Kur dolëm nga shtëpia për në stacionin e trenit, në kokën time ishin shumë mendime, që dot nuk më reflektonin lumturi, por vetëm mall, dhembje e kujtime të hershme e të reja.

Udhëtim që digjte çdo qelizë trupi

Vajza ma digjte çdo qelizë trupi, çdo damar gjaku. Kush e di sa a do të takoheshim më ndonjëherë. Të gjitha ishin pikëpyetje. Arritëm në stacionin e trenit. Po, kush di ta përshkruajë atë atmosferë të pa përshkruar. Vetëm disa vagonë, e në te qindra e qindra udhëtarë, gra fëmijë, vajza, nuse e plaka. Në trupin e tyre, më shumë kishin peshë dhembjeje se kocka, gjak e mish, më shumë kishin lot që do t’i mbushnin liqenet e shumtë. Me te, deri në Fushë Kosovë udhëtonte edhe bashkëshortja ime, respektivisht nëna e saj, të cilës i dukej se pre atij momenti nga trupi po e nxirrte zemrën... Për ta mos lënë vetëm në të kthyer time shoqe, e shoqëronte edhe kunata e saj, të cilat pastaj nga Fushë

Kosova do ktheheshin bashkë.

Dhe, kur treni lëshoi fishkëllimën e fundit, e shtrëngova vajzën time duke i thënë:

-Bija ime, paq fat e shëndet...! Urime edhe martesa... por më fal që në këtë mënyrë po të përcjellë nga shtëpia ku je lind...

Vajza ime më puthi në sy e faqe dhe deri sa humbi treni, ajo as unë shikimet nuk i këputëm. Përbrenda këtyre shikimeve, aty për aty sikur u shkruan mijëra fletë romanësh.

Tani, stacioni i treni ngeli bosh. Mbretëronte qetësi mortore, kurse rrugët ishin të zbrazëta, sepse, nëpër to shëtiste vdekja, hija e djallit... Dikur nga ky stacion i përcillnim djemtë tanë për në armatë, sepse ishin rritë e bërë për ushtri... Bëhej festë në ato mbrëmje rrugëtimi, edhe pse, edhe atëherë përbrenda shpirtit, secili prind kishte dhembje e zbrazësi në shpirt, ngase rininë i përcillnim për në ushtri në tokë e vend të huaj. Po pra, po nga ky “tasjan”... Mbi binarët e trenit, sa njeriu është tretur, sa malli për vendlindjen është mbyllur në zarf me tri vija të kuqe, në arkivole hermetikisht të mbyllur, e përbrenda tyre bijtë e kësaj toke me një tegel opinge qepur trupi i tyre. Dhe këtu përfundonte malli, kënga dhe historia e tyre.

Derisa i përbiroja të gjitha historitë e pashkruara në mendjen time, nga Fushë Kosova ishte kthyer bashkëshortja ime. Edhe atje, drama e jetës ishte luajtur në mënyrën e vetë. Para se të nisej me vajzën, i pata thënë që në Fushë Kosovë të na i blejë dhjetë bukë, sepse, këtu në qytetin tonë ishte tretur edhe buka. Arriti bashkë me një strajcë bukë e me sy të ënjtur e pa gjak në fytyrë. Kështu ishte ky udhëtim me tren,... me trenin e Pejës!

Më kujtohet udhëtimi i mësuesve, që asaj kohe u ngjanin heronjve, të cilët e kanë ëndërr e synim vetëm diturinë dhe lirinë

Tash, ky udhëtimi im me tren, pikërisht ishte bërë për t’i zgjuar unë ato kujtime e për t’i përtëritur dhembjet, për rrugëtimin nëpër periudha kohore me trenin e Pejës...!

U nisëm. Unë, me plotë kujtime e hidhërime, disa prej të cilave nga pluhuri m’i nxirrnin stacionet e trenit prej këtu e deri në Prishtinë. Secili në mënyrën e vetë dhe me historinë e vetë... Shpejtë arritën në Zahaq... Ky fshat dhe fshatrat përreth kanë histori edhe të vjetër edhe të re. Këtë të renë, e kanë të llahtarshme, të tmerrshme...

Më kujtohet masakra në këtë fshat dhe në fshatin Çyshk,,, besa edhe masakra e Lybenit, por që ky fshat në lidhet me hekurudhë... Çfarë të shkruaj... Emra të fëmijëve, pleqve, plakave, grave... Për këtë më së miri dëshmojnë edhe pllakat dhe lapidarët mbushur me emra...

Ecim tutje. Arrimë në stacionin tjetër, Bllagajë, historia e të cilit është vazhdimësi e rrugëtimit të derikëtushëm. Por, më duket se diçka kishte ndërruar. Kishte ndërruar, sepse, nuk e ndija atë ngrohtësinë fëmijërore mbase edhe rinore që kisha për kujtimet në të cilat zë vend edhe kjo copë rruge, që dikur për anash ishte fushë pjellore e mbushur me misër e kopshte me plotë perime, nga të cilat popullata ushqehej e mbahej gjallë. Tash, është ndryshe. Janë shtuar shumë ngjarje, por janë ndërtuar shumë shtëpi moderne, kanë zënë krye shumë objekte e biznese, që edhe madhështojnë, por edhe kanë “ngushtuar” sipërfaqet e bukës dhe të arave, të cilat gjatë tërë pranverës dhe verës i ngrohte dielli, kurse vjeshta ishte “finale” e të gjitha të mirave dhe e bereqeteve. Për kujtimet tjera nuk dua të flas, sepse kemi edhe shumë rrugë për të bërë, unë deri në Prishtinë, e gjërat tjera nuk di si do të ecën...!

Tani treni nuk e ka atë rrapëllimën që e kishte dikur, dhe as lokomotiva as fishkëllimën dhe as atë erën e rreshkët të qymyrit. Por, nuk prishë punë. Puqja e rrotullimeve të rrotave me faqen e lëmuar të shinave, pothuaj se e kishte ruajtur melodinë e njëjtë. Tash, më ikën mendja në ato udhëtimet e viteve të gjashtëdhjeta me Trenin e Pejës të një numri jo të vogël të mësuesve dhe arsimtarëve, të cilët me mund e sakrificë jete shpërndanin dituri në shumë shkolla të Rrafshit të Dukagjinit dhe të një pjese të Drenicës. Më kujtohen një nga një mësuesit, të cilët që në mëngjes, diku kah ora katër e dyzetë minuta bashkoheshin, respektivisht, shoqëroheshim me “këngën” e trenit dhe me entuziazmin e secilit se çfarë do të punonim atë ditë. Por, më kujtohen edhe fshatrat ku jepnim mësim, si, Zahaqi, Çyshku, Kliçina, Drenoci, Gllaviçica, Budisalci, Zllakuçani, Pogragja, Jagoda, Klina, Ujëmiri, Siçeva, Gllareva, Kijeva etj.

Kur më kujtohet një udhëtim i tillë, më bëhet se mësuesit e asaj kohe ishin apo i ngjanin heronjve, të cilët e kanë ëndërr e synim vetëm dritën dhe diturinë. Por, njëherësh ishin edhe halë në sy, që përherë pengonin regjimin e atëhershëm, i cili, përkundër shtrëngimeve, megjithatë, nuk kishte forcë për ta penguar arsimin e gjeneratave, të cilat, edhe dje edhe sot janë madhështia e atdheut, janë drita e kombit,... dhe udhëtimi me tren nuk shkëputej dhe as nuk ndalej dot. Por, udhëtimi më i ngrohtë, që nuk harrohet kurrë e kurrë, ishte ai i orës gjashtëmbëdhjetë, kur të gjithë ktheheshim nga mësimi. Kishte shumë arsye pse ishte më i miri, por një e veçantë ishte, se vagoni ku tuboheshim ne, i ngjante një salle të improvizuar koncerti. Derisa arrinim në qytet, kënga dhe muzika nuk pushonte. Aty kishim këngëtarë dhe këngëtare që më vonë u bën figura të shquara të kulturës dhe muzikës. Dhe, defi, darabuku, kitara, por ndonjëherë edhe ndonjë instrument tjetër, e begatonte këngën. Nuk e harroj, se gjithnjë me ne ishte edhe e madhja këngëtare, Shahindere Bërlajolli, e cila edhe ajo punonte në njërën prej shkollave të fshatrave që i përmenda. Në këtë rrugëtim, vagoni ku ishim, ne nuk e dëgjonim, por sikur thoshte, po shumë më keni ngarkuar, kurse vagonët tjerë të trenit pothuaj se ishin të boshatisur. Të boshatisur, sepse, të gjithë udhëtarët që ndodheshin në tren, me padurim “transferoheshin’ tek ne, në dasmën dhe shpirtin e mësuesve.

Konflikti me vetveten dhe legjendat e historisë të rrugëtimit me tren...!

Se e zgjata këtë largim kohe, dhe kur ktheva kokën, treni kishte bërë bukur një copë rrugë. Kishte arritur në Drenas. Dikur, këtu ishte njëri prej stacioneve më me rëndësi, sepse treni “ngarkohej” me shumë udhëtarë, me nxënës dhe me studentë bëhej ding edhe në korridor. Dal në dritare dhe shikoj, por diçka, në të njëjtën kohë edhe si me përmallon por edhe më bën krenar. E Para, ngase, para shumë vitesh apo deceniesh, këtupari gjallëria depërtonte edhe në gurët e rrugëve, kurse tunelet gjatë rrugëtimit ruanin fshehtësitë e historisë së kësaj ane me shpirt të veçantë prej heroizmit dhe atdhetarisë... Ndërsa, e dyta. Më kujtohet se gjatë luftës në Kosovë, këtu thellohej gjithnjë e më shumë fryma e lirisë.

Djemtë me uniforma të UÇK-së ta kënaqnin dhe ta shtrëngonin zemrën nga ëndrra e madhështia. Prandaj, edhe ky udhëtim i sotëm me Trenin e Pejës ma ngacmon gëzimin, dhembjen, mallin, lumturin dhe hidhërimin, të cilat, kësaj radhe disa më janë bashkuar dhe çuditshëm më shoqërojnë... Po më kujtohet udhëtimi i vajzës sime, që në këtë mënyrë duhej të bëhej nuse, pa dasmë... Më kujtohet edhe kthimi i sime shoqe pasi e ka lënë vajzën në Fushë Kosovë, dhe pesha e dhembjes prej nëne, dhe e vajzës për ndarjen nga nëna e saj... Po, kështu janë, nëse mund të thuhet, legjendat e historisë sonë!

Vazhdojmë tutje. Por tash sikur më ka humbur busulla se ku jam...! Mirëpo, kryesorja e di se jam në Trenin e Pejës, jam në tokën e Kosovës lirshëm duke udhëtuar dhe krejt lirshëm duke i evokuar kujtimet e mia ashtu siç dua unë vetë.

Në stacionin e Klinës, ndalet treni, dhe pushon pakëz deri sa zbresin e hipin udhëtarët. Në këtë grimë kohë, gjithçka më kujtohet, që tani ka ngelur vetëm kujtim mendjeje dhe peshë shpirti. Mbi këta binarë kanë lëvizur e ecur trena e trena që kanë bartur edhe udhëtarë, edhe studentë, edhe të sëmurë, edhe të burgosur. Lëvizjet e rrotave të vagonëve, kanë lënë gjurmë por edhe kanë lëshuar zë për të treguar diçka e gjithçka...!

Dhe, kthehem mbrapsht në stacionin e trenit në Pejë. Pa dashjen time bie në konflikt me vetveten, sepse mendja më ngacmon për çdo kujtim që më shëtitë trupit, gjakut dhe ma përshkon çdo pjesë të ndijimit. Më dërmon të tërin. Në muret e stacionit sikur shoh të balsamosur tërë historinë e këtij stacioni të nisjes dhe arritjes, tërë atë historinë e lamtumirave, shumë prej të cilave kanë qenë të fundit.

Po, po. Fortë mirë më kujtohen përcjelljet e djemve dhe çunave që përpara kurrë nuk kishin marrë rrugë të tilla, e tash kishin vendosur të mos u ç’kapën binarëve deri në stacionet më të thella të trenave nëpër botë, për t’u bërë kurbeti gjithnjë e më shumë plagë e rëndë dhe kurrë e pashëruar deri në ditën e sotme. Dhe pikërisht, kjo dramë udhëtimi, shumë nëna i ka lënë pa gjumë e me shpresa të pambarim, duke pritur djemtë e tyre se një ditë do të kthehen, dhe bile do të përqafohen dhe shtrëngohen fortë edhe njëherë. Ky është ai stacion që edhe deri me sot ka grumbulluar dhe shënuar pa laps e letër kujtimet më të rënda e më të përmallshme të njeriut.

Treni ka bartur edhe flamurin me shqiponjë, që tokës e qiellit u jepte dritë e guxim...

Kujtojeni se çfarë peshe kujtimesh ka stacioni i trenit, treni dhe binarët, që gjithmonë kanë qenë, por në një mënyrë, edhe sot janë simbol i mallit, dhembjes dhe i pjesës më të pathënë dhe më të çuditshme e të pashkruar të historisë! Dhe, shih kah mund të depërtojë mendja: treni ka bartur kurbetçarë, të rinj e të reja, trenat ka bartur mall, misër, grurë e bukë..., kanë bartur uri e skamje, kanë bartur plagë, vrasje, maltretime,... kanë bartur edhe eshtra...! Kanë bartur edhe dashuri, që e ka madhështuar tokën.

Treni ka bartur dhe flamurin me shqiponjë, atëherë kur është ruajtur në fund të arkave të nënave dhe nuseve. Valëvitja e tij, përgjatë rrugës, tërë tokës, qiellit e binarëve u jepte shkëlqim, dritë e guxim...

Ky është treni i Pejës, janë edhe binarët që e lidhin këtë qytet me botën,... dhe, unë vendosa edhe tash të udhëtoj me tren për t’i “trembur” disa kujtime, për t’i shkruar edhe do fjalë, që janë vetëm xixë për ta ndezur mendjen e për t’i bërë flakë e dritë kujtimet...

Kur u ktheva sërish në Pejë, prita derisa sërish u nis treni për në Prishtinë,... Duke më ikur treni nga shikimi, më bëhej se e shija vajzën time duke udhëtuar me atë zemrën e thyer dhe të plasur të para gjashtëmbëdhjetë vjetëve më parë... Edhe tash, do lot tunxh m’i përcëlluan faqet e rrudhura... ishin edhe më flakë se ata të asaj kohe. Derisa ktheva mendjen dhe fsheha lotët, treni iku me atë pamjen e tmerrshme të përcjelljes së vajzës...

Ky është Treni i Pejës, edhe binarët që bukur shumë i ka gërryer koha, heshtja dhe dhembja për peshën e kohës, për rrugëtimin e njeriut. Ky është edhe stacioni i trenit, i cili nuk di a i ka ruajtur kujtimet, gëzimet dhe hidhërimet kurrë të pathëna... Do ta përgëzoja këtë “tasjan”, nëse edhe më tutje e mbanë në kujtesë peshën dhe thesarin e kohës së vetë...!

Ika për në shtëpi i gëzuar që hoqa shkrumbin që kisha për të udhëtuar me tren, por sërish ngela në konflikt me vetveten, tash nuk di se për çfarë... Por, më doli para edhe mendimi se a do të degëzohen madhështitë e hekurudhave Kosovë-Shqipëri?! Ato ende nuk ekzistojnë...! Më falni! Po, sa shumë u kam bezdisur, po sa shumë, siç thuhet, u kam shurdhuar...



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: