http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Fotaq Andrea: Protestë historike e Gjergj Adhamit
| E Diel, 22.01.2017, 05:13 PM |

Një protestë historike e Gjergj Adhamit

për kufijtë e Shqipërisë

Nga Fotaq Andrea

Është e njohur se Akti madhor historik i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u pasua nga një periudhë plot tollovi politike e shoqërore, sa në plan të brendshëm, aq edhe të jashtëm, kur copëtimi i trojeve të lashta të kombit shqiptar përbënte sërish një rrezik të ri, pas tragjedisë shqiptare që shkaktoi Kongresi i Berlinit i vitit 1878, që shkëputi nga trungu amë gjysmën e territoreve historike shqiptare.

Janë të njohura po ashtu figurat e Rilindjes sonë që mbrojtën fuqimisht të drejtën e kombit shqiptar për të jetuar i mëvetësuar në atdheun e lashtë iliro-arbëror. Veçse ka, për fat të keq në këtë mes, edhe figura historike që janë lënë gjer më sot në hije, kur meritojnë shumë më tepër dritë. Pale kur këto figura janë viktimë nofkash dhe etiketimesh ideologjike e dogmatike, pale thjesht letrare, nisur nga një optikë e kufizuar "bardhë e zi" e formës së prerë, që i fut personazhet historikë në kallëpet "i mirë a i keq", jashtë frymës së kohës historike që ata vetë kanë përjetuar, dhe sidomos jashtë relativitetit shkencor.

I tillë është rasti i Gjergj Adhami bej Frashërit, alias Gaqo Adhamidhi (1859-1939), nga familja e ndritur e Frashëllinjve, i njohur me pseudonimet Pano Bej Frashar apo Dr. Frassari Adamiti, të cilin Çajupi, për inate veç personale (pse Adhami nuk e bëri dhëndër të tij!) do ta shndërronte në personazh qesharak, "Dr. Adhamuti" apo "Adham –Uti", siç e shkruan këtë nofkë Dr. Robert Elsie. Nuk po i hyjmë biografisë së këtij personaliteti të Rilindjes sonë, kur tashmë prof. Kristo Frashëri, ndër të parët, është ndalur posaçërisht te kjo figurë e nderuar patriotike. Doktor në shkencat mjekësore, fizike e historike, Gjergj Adhami Frashëri, intelektual me të paktën shtatë gjuhë të huaja (greqisht, latinisht, arabisht, osmanisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht), ishte në shekullin XIX një anëtar aktiv i bashkësisë shqiptare të Egjiptit, përkrah Mihal Turtullit e Leonidha Naçit, duke zënë edhe postin e rëndësishëm të mjekut personal të Abasit II nga dinastia e Mehmet Aliut. Pas Luftës I-rë botërore e shohim ministër të financave në qeverisjen e Turhan Pashë Përmetit dhe më pas, Kryetar të "Këshillit Kombëtar shqiptar", një shoqëri kjo patriotike e diasporës shqiptare në Gjenevë, si dhe përfaqësues të Shqipërisë në Shoqërinë e Kombeve. Nga ana profesionale, e shohim gjithashtu edhe profesor të jashtëm në Universitetin e Lozanës.

Kaq dihet për të përgjithësisht. Por kohët e fundit na ra në dorë një shkrim i tij në gazetën më të vjetër franceze Journal des Débats (politiques et littéraires), e datës 27 shtator 1913. Artikulli  pason kronikën "Nga dita në ditë – Punët e Shqipërisë", lidhur me zhvillimet politike në Shqipëri e Ballkan. Po e japim më poshtë këtë artikull me përkthim të plotë, si një dokument që pasqyron jo vetëm qëndrimin patriotik të kësaj figure historike, por edhe argumentimin shkencor e historik që Dr. Adhami i bën çështjes së kombësisë shqiptare të Epirit, me një erudicion të tillë për ta pasur zili.

Po ashtu, na ka rënë në dorë edhe referati i tij me 50 faqe libër "Pellazgët dhe pasardhësit e tyre, shqiptarët", botuar në Buletinin e Institutit egjiptian, nr. 3 të vitit 1903. Nisur nga interesi i lexuesit shqiptar për çështjet para-ilire e pellazgjike, po i bëjmë një recension të shkurtër, në pritje për ta botuar të plotë si përkthim.

Ky referat, siç vë në dukje edhe prof. Kristo Frashëri, është një përgjigje shkencore e Dr. Gjergj Adhamit ndaj pikëpamjes së filologut grek Dr. Apostolidès, i cili mbronte tezën se "Pellazgët u helenizuan tërësisht, u përthithën nga Helenët". Që në fillim të studimit të tij, Dr. Adhami i kundërvuri këtij konkluzioni të gabuar argumentimin shkencor se "Pellazgët nuk u përthithën nga raca e vogël helenike, racë edhe vetë kjo pellazgjike, por vazhduan të mbijetojnë gjer në ditët e sotme, quajtur me emrin Shqiptarë, pasuesit e tyre". Autori nuk mungon me këtë rast të nënvizojë se i janë dashur njëzet vjet studime të thelluara për të ndërtuar të plotë historikun e Pellazgjisë (që e cilëson "Perandoria pellazge"), si një qytetërim i lulëzuar, i përbërë nga fise (të cilat ai i quan "popullata") të ndryshme, me një gjuhë të përbashkët pellazge, por në dialekte të ndryshme.

Studimi ndahet në dy pjesë: kreu historik me 15 faqe dhe kreu linguistik me 35 faqe. Argumentimin historik, studiuesi e mbështet tek autorë të lashtë greko-latinë (Homer, Herodot, Heziod, Eskil, Strabon, Tuqidit, Plin, Tit Livi, Ptolemeu etj.) dhe argumentimin gjuhësor tek mori filologësh modernë (si Berger, Müller, Benloew, Robstein, Humbold, Liebnitz, Thunmann, Masci, Malte Brun, Leake, Arndt, Assemann, Pouqueville, Nicoclès, Xylander, Bopp, Meyer, Schenider, Hahn et Falemerayer), krahas filologëve shqiptarë Thimi Mitko, Naim Frashëri, Sami Frashëri, të cilët ai i cilëson autorë "shqiptaro-epirotë".

Pasi jep një vështrim panoramik të "perandorisë pellazgjike" me qytetërimin e saj, alfabetin, artet, lidhjet me Fenikasit dhe Egjiptin e lashtë, Dr. Adhami del në konkluzionin se "tërë Jonianët e lashtë janë pellazgë", se edhe vetë Thesalia quhej më parë "Pelasgiotis" dhe se Dorët, Dolopët, Perebët, Driopët, Kranaojët, Lelegët, Sikulët, Abauzët, Etruskët, Trishët, Dardanët, Tenerët, Helenët, Etolët, Arkadët, Epiro-Maqedonët dhe Iliro-Maqedonët, krahas mori popullatash të tjera më arkaike (Argeojët e Danaojët e "Iliadës"), të gjithë ishin pellazgë, me amalgamë emigrimesh, me dhënie e marrje me shoshoq, me përplasje, shkrirje, por edhe me "mëvetësim" e "izolim", duke u cilësuar më pas si "popuj barbarë".

Për Dr. Adhamin, është Homeri ai që pasqyroi të lavdishmen pellazgjike para-helene me "Iliadën" dhe "Odisenë", duke '"përjetësuar kështu homogjeneitetin e idiomave dhe të qytetërimit pellazgjik në një gjuhë që përmban ende embrionet e dialektit eolian të krejt këtyre popujve arkaikë". Në Luftën e Trojës, vëren ai (duke cituar Strabonin e Tuqiditin), morën pjesë mori popullatash pellazge dhe asnjë nga popujt e perandorisë pellazgjike nuk konsiderohej barbar, por të gjithë përdornin dialekte të përngjashme. Ai i sheh me origjinë të përbashkët Dardanët e Ballkanit (të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë) me Dardanët e Azisë së Vogël të Hellespontit, të quajtur ndryshe "Ngushtica e Dardanëve" apo e "Dardaneleve". Trajton paralelisht karakteristika të feve pagane dhe çështje të mitologjisë pellazgjike, duke cituar Herodotin që vinte në dukje se "tërë perënditë e Pellazgëve u "importuan" në Egjipt" dhe se vetë Helenët huazuan tërë perënditë e tyre nga Pellazgët, sipas teogonisë së Heziodit, i cili nuk mungonte të nënvizonte se Grekët, si një racë e trungut pellazgjik, i hynë e asimiluan që në fillim kultin pellazgjik, e mbi të gjitha asimiluan alfabetin pellazgjik, që kishte depërtuar tek Pellazgët nëpërmjet Fenikasve, për arsye tregtie e kolonizimi, alfabet që edhe vetë Fenikasit e kishin huazuar nga egjiptianët. Përmend me këtë rast  Diodorin kur thotë se "germat pellazge i shërbyen Helenëve si alfabet". Në këtë përfundim del edhe filologu modern Berger i Shoqërisë linguistike të Parisit.

"Por, vë në dukje Dr. Adhami, gjashtëdhjetë vjet pas rënies së Trojës, fizionomia e perandorisë së madhe pellazgjike do të ndryshojë: Helenët do të shfaqen në skenën e Historisë, dhe me qytetërimin e tyre shpërthyes do të ndriçojnë vetë emrin e Pellazgëve, pa mundur t'i përthithnin (absorbonin)..." Helenët nuk mundën të helenizojnë as Etolinë, as Akarnaninë, që ruajtën idiomën e tyre pellazge. Edhe në vetë Athinën, siç thotë Herodoti, shohim Pellazgët e Atikës të flisnin dialektin e tyre arkaik, të ndërtonin muret e Akropolit dhe ... të dëbuar nga Atika strehohen në ishullin e Lemonsit, që kishte mbetur krejtësisht pellazgjik deri në kohën e Miltiadhit. Nga ku,  rrjedhimisht, mbishkrimi pellazg i Lemnosit, me alfabet eolo-dorik të pellazgëve të Kiprosit para-helen.

Popullatat pellazgjike nisin kështu të shpërndahen e të cilësohen barbare, ngaqë nuk flisnin helenishten dhe "Vendi i origjinës së Helenëve, Epiri, Iliria, Maqedonia u quajtën barbare, duke u përjashtuar edhe nga këshilli i amfiktionit" (të Delfit) i quajtur ndryshe "Lidhja e shenjtë greke" gjatë antikitetit grek.

Në këtë mënyrë, del logjikshëm konkluzioni i Dr. Adhamit se "Pellazgët, në pjesën më të madhe nuk u asimiluan nga vëllezërit e tyre Helenë dhe se mbijetojnë edhe sot e kësaj dite nën emrin Skypëtarë... duke ruajtur edhe gjuhën e tyre pellazge". Dhe janë pikërisht Iliro-Epirotët dhe Maqedonët e lashtë ata Pellazgë barbarë që Aleksandri i Madh diti t'i afrojë me Helenët nën skeptrin  tij, për të pushtuar Orientin me forcën e falangave të tij pellazge dhe me ndriçimin mahnitës të dijetarëve helenë.

Pa u ndalur në kreun e dytë "Linguistika" të studimit, që përbën kockën e fortë të argumentimit shkencor të Dr. Adhamit në bazë të metodës së gjuhësisë së krahasuar (tek vë njëkohësisht në dukje se shqipja, si gjuhë e lashtë pellazge, e ka të theksuar etimologjinë njërrokëshe të leksikut themeltar të saj), si dhe në bazë të tipologjisë mitologjike e zakonore pellazgo-shqiptare, le të shohim drejtpërdrejt artikullin e dijetarit Gjergj Adhami alias Gaqo Adhamidhi. Theksojmë nga ana tjetër se në fund të artikullit, autori shpreh qëndrimin e tij kundër Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, duke qenë në divergjencë pikëpamjesh me ta, sikurse ndodhte rëndom me shumë figura politike të Rilindjes që janë përplasur keq me shoshoq, me akuza të ndërsjella të tipit "filo" a "pro" "grek", "turk", "serb", "italian", "austriak", etj. sëmundje kjo kronike e figurave politike shqiptare, nisur nga interesa të caktuara, që jo vetëm dëmtonte rëndë secilin prej tyre individualisht, por dëmtonte edhe më rëndë e mbi të gjitha Çështjen e Madhe Kombëtare, atë pavarësi, aq shumë të mirëpritur, por edhe aq shumë të vonuar...

Kombësia shqiptare në Epir

Nga Pano Bey Frashar

Artikull i botuar në gazetën franceze "Journal des Débats" (politiques et littéraires),

27 shtator 1913.

Kemi marrë artikullin e mposhtëm rreth çështjes më të diskutuar në këtë çast, dhe aq shpesh trajtuar në mënyrë sipërfaqësore e të paragjykuar, lidhur me kombësinë shqiptare në rajonin  e kundërshtuar midis Greqisë dhe shtetit të ri shqiptar. [Hyrje redaksionale].

Zoti Drejtor,

Më lejoni t'ju drejtohem juve duke ju lutur të botoni në gazetën tuaj me emër korrigjime historike e etnografike mbi të thënat e gabuara dhe rivendikimet e padrejta të grekëve ndaj provincave të Argirokastrës dhe Koricës në Shqipërinë jugore.

Në cilësinë time të dyfishtë me origjinë nga Epiri dhe si historian, jam i detyruar t'i jap fund pështjellimit jo shkencor që shkaktojnë korrespondentë të njohur gazetash rreth emrave "Epirotë" dhe "Shqiptarë", që nuk janë veçse sinonime po aq sa emrat "Francezë" e "Galë", "Alemanë" e "Gjermanë" apo "Dojçë", etj.

Në tërë kohërat, Shqiptarët kanë qenë e janë thjesht epirotë dhe epirotët thjesht shqiptarë, gjë që do ta vërtetojmë me argumente historike të nxjerra nga autorë grekë e francezë.

Historiani i popujve ballkanikë, Choppin, përmend paragrafin e mëposhtëm të një historiani tjetër francez të shekullit XVI, Delplessis, që thotë: "Epirotët, të cilët quhen edhe shqiptarë, ashtu siç quhet epirot apo shqiptar edhe dialekti i tyre, e kanë origjinën nga popujt e lashtë..." Është pra e qartë se për autorët francezë, "Epirotë" e "Shqiptarë" janë sinonime, dhe se këtu është fjala për një dhe të njëjtën racë dhe se ky fakt, nga ana tjetër, vërtetohet në vazhdimësi nga udhëtarët anglo-francezë të shekullit të fundit [shek. XIX].

Për ta, Epiri nuk është veçse Shqipëria e Jugut dhe banorët e saj dallojnë midis tyre vetëm për nga feja, duke qenë se të gjithë kanë të njëjtat të dhëna të kafkës sipas studimeve të dijetarëve Virchow dhe doktor Hahn-it.

Emërtimi "shqiptar" nuk është përdorur veçse gjatë një periudhe të fundit historike për të njëjtat provinca që asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e Greqisë, por kanë qenë të qeverisura nga princër e mbretër të ndryshëm, nga të cilët vetëm njëri njihet në legjendat shqiptare: është fjala për Burrusin [Burrin] e Madh, që gjermanët e shqiptojnë në po atë mënyrë që e përmendin Plini dhe Justiniani "Burrus decibatur...". Ndërsa Plutarku, duke e shtrembëruar këtë emër e paraqiti në formën "Pyrrus" [Pirro"]. Dhe kjo, ngaqë helenët nuk e shqiptojnë dot germën "B".

Shqiptarët banonin në Epirin e poshtëm apo Epiri i vjetër (Shqipëria e Jugut) dhe Epiri i epërm (Shqipëria e Veriut) me doket dhe zakonet e tyre. Dialekti i tyre arkaik i karakterizon jo më pak nga forma e kafkës, e llojit unik e të saktë, aq mirë studiuar nga Virshow (oksiput i shtypur, me frontale shumë të dala), dhe këta përbëjnë një element etnik më vete, shumë të veçantë e të dallueshëm lehtë me shikim të parë.

Pohimi i Delplessis-it vërtetohet nga një dijetar arkeolog grek Nerutzos Bey, mjek në Egjipt, që ka studiuar kolonitë shqiptare në Greqi e Itali, në shekujt IX-XVIII në bazë të traktateve të lidhura midis despotëve të Dy-Epireve dhe fisnikëve të Greqisë. Tërë këto marrëveshje të gjendura në arkivat e Venedikut tregojnë qartë se ishin këta fisnikë që tërhoqën epirotët e Dy-Epireve drejt rajoneve të ndryshme të Greqisë, shkretuar në atë kohë nga piratët. Këta emigrantë mbartën, së bashku me qen e bagëti, zakonet e tyre, toponimitë e vendeve të tyre të origjinës dhe gjuhën e tyre epirote, të cilën që e ruajnë ende gjer në ditët tona dhe dialekti i tyre është shqiptar, ashtu sikurse fustanella, kostumi i atdheut të tyre të lashtë, veshje pastërtisht shqiptare apo epirote që as që njihej më parë në Greqi. Kështu pra, Epirotët, që kishin jetuar në Dy-Epiret, dhe që kishin emigruar në Greqi nga shekulli IX deri në shekullin XVIII flasin ende shqip dhe quhen midis tyre "Arbër" apo "Alban", domethënë Shqiptarë.

Robeinstein numëronte 700 000 shqiptarë epirotë në Greqi; këta e ruajtën dialektin e tyre shqiptar të Epirit gjer më 1870.

Shumë më parë se shekulli XVII, duka i Navarrës i shkruante mbretit të Francës: "Kam vizituar 700 qytete e fshatra të Moresë dhe kam vënë re se banorët, të gjithë Shqiptarë të fuqishëm e luftarakë mund të krijojnë një ushtri të shkëlqyer, e aftë për të dëbuar Turqit, të cilët nuk mund t'i durojnë më..." Është fjala gjithnjë për emigrantët e Dy-Epireve që flasin shqip dhe quhen me të njëjtin emër, ashtu sikurse lexojmë në një punim të doktor Apostolides-it, vetë ky një grek: "Janë pikërisht ata heronj shqiptarë që shfarosën sllavo-bullgarët nga Greqia duke rigjeneruar helenizmin e rënë, duke përgatitur luftën e vitit 1821 për pavarësinë e asaj Greqie që është vepër e racës së banorëve të Dy-Epireve, të Shqiptarëve".

Të gjithë ata marinarë, Miauli, Kanari, Korintorioti, Topazi, Shaturi, Bonbuli, suljotët Boçari, Danglisët, etj.etj. janë Shqiptarë dhe ende përdorin dialektin shqip në vatrat e tyre, vazhdojnë të ruajnë emrat e fiseve e të bajraqeve të Dy-Epireve.

Shqiptarët e Sicilisë, të Napolit apo të Venedikut, me origjinë nga Shqipëria, e ruanin në kujtesë emërtimin e lashtë epirot; kështu, Shqiptarët e Shkodrës strehuar në Venedik kishin Shoqërinë e tyre të Shqiptarëve epirotë.

Më në fund, qyteti i Janinës, në çastin e marrjes nga Turqit, nuk numëronte më Grekë, siç dëshmon historiani i asaj kohe që thotë: "Turqit, duke hyrë në të, masakruan banorët dhe krijuan një piramidë me 3 000 koka të prera luftëtarësh shqiptarë. Nuk kishte Grekë. Vetë Greqisë i mungonin banorët dhe do të ishte shpopulluar tërësisht sikur kolonitë shqiptare të mos kishin shkuar në ndihmë".

Nuk ka pasur kurrë emigrim helenësh në Epir, që prej kohës së Strabonit, i cili thotë: "Tërë krahinat në Veri të Greqisë, Epiri, Iliria, Maqedonia, kanë një gjuhë të përbashkët, doke e zakone të ndryshme nga ato të Grekëve".  Dhe, siç do ta vërtetojë i madhi Müller, ata ishin të gjithë Shqiptarë apo Ilirë. Toponimitë Arta, Preveza, Suli, etj. a nuk janë pastërtisht shqiptare? Po mitologjitë e Mal-Tomorrit, a nuk janë me burim shqiptar? Por, nëse ne nuk kemi as edhe një familje greke në Epir, ne prapëseprapë, e kultivuam greqishten si gjuhë arsimimi e tregtie. Vetë ne, Shqiptarët ortodoksë të fesë greke, themeluam shkollën e madhe të Janinës që shërbente si fanar jo vetëm për Shqipërinë dhe për ishujt jonianë, por edhe për vetë Greqinë.

Fqinjësia dhe identiteti fetar na afronin me vëllezërit tanë në Greqi, të një gjaku me ne.  Patriarkana, falë këtyre privilegjeve dhe falë klerit të saj na tërhiqte drejt helenizmit, dhe persekutimet e qeverisë turke na largonin nga vëllezërit tanë myslimanë.

Kësisoj, në sytë e Europës, helenizmi krijoi e sajoi të drejta mbi ortodoksët shqiptarë epirotë të fesë greke, ndërkohë që vëllezërit tanë myslimanë të të njëjtit fis shqiptar që jemi, akuzohen sikur i përkasin një race tjetër barbare.

E megjithatë, sa e sa familje myslimane shqiptare mbajnë ende emra familjesh të krishtera! Dhe e pranojnë se jemi kushërinj me ortodoksët epirotë. Kështu, në familjen time, tepër e madhe në numër, kemi ende kushërinj të shndërruar në myslimanë, të cilët konsiderohen nga korrespondentët e gazetave franceze sikur i përkasin një race tjetër, ndërkohë që unë dhe vëllezërit e mi, si ortodoksë që jemi, duan të na cilësojnë si grekë të pastër.

Mjaft të kesh një shkollë greke e të jesh ortodoks që Francezët që udhëtojnë në Epir të na marrin për Grekë! Dhe as duan t'ia dinë nëse ime më nuk di një fjalë greqisht dhe kafka ime paraqet tipin më të pastër të kafkës shqiptare, kur edhe vetë tipi i vërtetë helen është krejt semitik dolikocefal, sipas studimeve të dijetarit grek Zambaco Pasha.

Mirëpo, për shovinistët e Athinës, si dhe për disa gazetarë, qoftë etnologjia, qoftë kronologjia nuk llogariten fare, dhe mjaft që metropoliti grek t'u thotë se filan fshat banohet nga të krishterë shqiptarë të përfshirë në dioqezën e tij, që menjëherë të na quajnë helenë.

Nga kjo pikëpamje del se u dashkan konsideruar gjithë rusët ortodoksë si helenë! Nuk ka gjë më të habitshme të lexosh në gazetat zyrtare të Parisit se në qytetin e Argirokastrës, atdheu im, pjesa më e madhe janë myslimanë, kurse pjesa tjetër përbëhet nga helenë. Ndërkohë që të krishterët e këtij qyteti i përkasin të njëjtave familje dhe mbajnë të njëjtat emra fisesh si myslimanët.

Në fakt, feja asnjëherë nuk ka ndryshuar qelizat e anëtarëve të një familjeje. Tek lloji njerëzor tiparet fizike nuk mund të ndryshohen me anë të ideve shpirtërore.

Por shpresoj se dushi i ftohtë i dollisë së mbretit Konstandin do ta moderojë ultra-filhelenizmin e shtypit francez, dhe se po ata Francezë që jetojnë në shpirtrat tanë prej nxënësish të shkollave franceze do ndryshojnë një ditë qëndrim për të mos shkuar më tej dhe për të kuptuar se raca që ka dhënë vetëm heronj, siç thotë Francezi Adrien, meriton më së miri simpati nga ana e atyre që   mbrojtën Mirditët e dikurshëm si Latinë.

E përfundoj se Epiri, që prej Strabonit, asnjëherë nuk është banuar nga tjetërkush përveçse nga Shqiptarët, dhe jam gati të grish cilindo të vijë e të më tregojë makar dy familje të vërteta greke në qytetet shqiptare që njoh, si Përmetti, Argirokastra, Leskuviku, Koritza. Dhuroj 50 000 franga për cilindo anëtar të komisionin ndërkombëtar që do arrij të më gjejë dy apo tre familje që ta kenë me të vërtetë origjinën nga Greqia e të mos jenë shqiptare.

Nuk e kam fjalën për emigrantët e rinj ardhur nga Greqia, as për ndjenjat ultra-filhelene  që tregojnë shumë nga bashkëpatriotët dhe të afërmit e mi të krishterë shqiptarë nën presionin e klerit dhe nën kërcënimin e thikës së fituesit, por edhe nga frika se mos bien përsëri nën sundimin e një Ismail Beu pasuar nga Issa Bolatinaci me pisqollat e tij.