Elvi Sidheri: Treni i mosarsyes ekzistenciale serbe
| E Diel, 15.01.2017, 03:00 PM |


Runaway Train

Treni i mosarsyes ekzistenciale serbe

Nga Elvi Sidheri

Faktikisht, këtë shkrim që nuk rreket të bëjë asgjë më tepër sesa thjesht të konstatojë edhe një herë më tepër (po qe nevoja) megallomaninë e skajshme dhe thellësisht të rrënjosur në ADN-në e Serbisë dhe shumë prej banorëve e qeveritarëve të saj, mund ta kisha titulluar cazë më saktësisht edhe “Highway to hell”, duke e zëvendësuar fjalën “Highway” me “Train” sipas rrethanave përkatëse të këtij rasti specifik.

Kjo këngë historike “Heavy Metal” e AC/DC, mënjanë që më kujton këtë grup legjendar, preferencë të adoleshencës sime të hershme dhe ndër simbolet e ringjalljes muzikore e kulturale të Shqipërisë së porsadalë nga regjimi monist, gjithësesi tani më shërben si ilustrim më tepër se nënkuptues, i drejtimit të këtij treni pa drejtim, i nisur nga Beogradi supozueshmërisht për Mitrovicë, asaj që serbët i referohen si Kosovska Mitrovica në mënyrën e tyre tipike asgjësuese të toponimeve joserbe përmes emërtimeve në serbisht.

Por nuk është ky thelbi i problemit sidoqoftë.

Fundja, një shekull e ca më parë, patën qenë pikërisht po këta serbët (ose më mirë gjyshërit e stërgjyshërit e tyre), që të rraskapitur nga udha e gjatë, kishin arritur një ditë (të bukur për ta), në hyrje të Durrësit tonë, dhe me britmat “Drač” i qenë sulur Adriatikut, ose “Jadranit” të ëndrrave të tyre më të epshme detare, duke ngulur kordhat në ujin e kripur, sikur të ishin duke dërrmuar armiqtë me rradhë.

Por, si edhe shumë ëndrra të tjera serbomëdhaja, ushtarët serbë një shekull e ca më parë, qenë sorollatur nëpër Durrës e Shqipëri “si pordha nëpër brekë”, patën vrarë e prerë civilë të pafajshëm me shumicë, kishin marrë shpulla e shkelma shkatërrimtare sa në Shkodër, aq në Dibër e kudo, dhe qenë tërhequr në panik me turp (dhe dorën “bujare” të ndihmës nga Esat Pashë Toptani) me bisht ndër shalë për në Korfuz, duke lënë në tokën e shtetit të ri shqiptar, dhjetëra mijëra ushtarë të vdekur, dhe varrosur vegimin e tyre ëndrrimtar për një dalje në det në Drač apo kudoqoftë në bregdetin shqiptar.

Kështu që, pas këtij digresioni momental nga tema parësore e trajtuar në këtë shkrim, i kthehemi përsëri idesë qëndrore, trenit serb të nisur për në Mitrovicën e Kosovës, ashtu siç në shqip do të përkthehej emri serb i këtij qyteti të Kosovës.

Praktika e ndërrimit të toponimeve, gjer në kodra e përrenj, të trojeve shqiptare nga zgjedha sllave, qoftë edhe e para 8-10 shekujve, nuk është ndonjë taktikë e re.

Serbët, pas ikjes nga Kosova me turp (si gjithmonë në çdo zbythje të tyren të rradhës), nuk kishin harruar të linin nga një emërtim serb për gjithçka në Kosovë, qytet, fshat, rrugë, pyll, luginë apo trumcak.

Ashtu si bullgarët në Shqipëri 1000 vite më parë, malazezët në Malësi e sllavët e Maqedonisë në IRJM.

Kështu që një tren që niset për në Kosovo i Metohija, për në Kosovska Mitrovica, do të pandehej fare mirë nga ndokush pak i informuar për çështjet serbo-shqiptare dhe për vijueshmërinë e marrëdhënieve të shtetit serb me shtetin e Kosovës, se ky tren, apo “Voz” siç i thonë në serbisht, të qe duke vajtur praktikisht në shtëpi.

Dhe për këtë arsye, aspak habitshmërisht, ky tren, ndër të tjera, është i mbushur cep më cep së jashtmi, me shkrime të një monotonie të nivelit maksimal (edhe kjo një dukuri tipike serbe, do pranuar, sipas modelit “Bjeri pafund të njëjtës gozhdë”), me frazën “Kosovo je Srbija”, e me rradhë në çdo gjuhë tjetër që stafi kryeministror i zotit Vuçiç, kishte mundur të përkthente automatikisht në Google Translate.

Pra, “Kosovo is Serbia”, “Il Kosovo e Serbia”, “Kosovo es Serbia”, “O Kosovo e Servia”, “Kosovo ist Serbien”, “Le Kosovo est Serbie” dhe shumë versione të tjera të së njëjtës frazë.

Tani, fakti që serbët shquhen fort për mosnjohje gjuhësh të huaja (krejt ndryshe nga shqiptarët), të mbarsur në megallomaninë e tyre gjithaq edhe gjuhësore, ku padyshim që shumëkush jo vetëm në ulicat e Beogradit, por edhe në qeveri apo Akademinë Serbe të Shkencave, afërmendsh që të mos besojë tejet bindshëm se edhe Jezu Krishti 2017 vite më parë, ka folur serbisht dhe ndoshta edhe mbiemrin e ka patur Nazaretoviç, pak rëndësi ka në këtë mes.

Treni qe mbishkruar në çdo centimetër të lirë, me këtë frazë, aq sa edhe simpatizantit më të ethshëm të kauzës serbe në Kosovë, në njëfarë pike kjo punë do t’i jetë bërë “Boring to death”, ashtu si edhe ankesat e përjetshme serbe për “vuajtjet” e tyre të supozuara në Kosovë dhe jo vetëm.

Por, kjo është bota dhe këta janë serbët, duam apo nuk duam ne!

Neve si shqiptarë, dhe për më tepër, shqiptarëve të shtetit të pavarur të Kosovës, na dhe u takon periodikisht të përballen me megallomaninë, sajesat, provokimet, provokacijat, pordhët, mendjemadhësinë, mosarsyet, të jetuarit jashtë realitetit dhe gjithçka tjetër që në vijimësi gatuhet në Beograd.

Ky tren, që gazetat serbe e quanin plot pompozitet si “Ruski Voz” (Treni Rus), pavarësisht këtij emërtimi hijerëndë, as guxoi t’i afrohet kufirit kosovar në Jarinjë.

Çështja është se sigurisht në Beograd, është synuar të tastohen njëkohësisht, gatishmëria e autoriteteve të Kosovës për t’u përballur me një provokim të tillë, të shkaktohen mundësisht incidente (që paskëtaj të thërritet menjëherë me urgjencë ndonjë seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit, që siç dihet, për dy arsye mblidhet përherë në çast; ose për të dënuar Izraelin, ose për t’i krehur bishtin Serbisë), si dhe të shikohet reagimi amerikan, në kohën e kalimit të pushteteve nga administrata Obama, në atë Tramp.

Dhe përgjigjen e morën tepër të qartë.

“Non c’è trippa per gatti” do të thoshin kushërinjtë tanë italianë në këtë rast.

Pra, “Gjë që s’bëhet”!

Sepse sipas shprehjes në fjalë italiane, as “Trippa”, që përbën një gjellë të varfër me plënc, nuk mbetet për ata që kanë një oreks të ekzagjeruar, serbët pra, në situatën për të cilën po flasim.

Tashmë, Vuçiçi, Daciçi dhe tërë maçokët e tjerë të hakërryer që qeverisin Serbinë kandidate me bisedime të hapura për antarësim në BE (thagmë me “TH” të madhe kjo), do të ankohen, do të mallkojnë, do të kërcënojnë e do të bëjnë si shpirtëra të këqinj, duke përmendur pafundësisht gjer në infinit, termin aq të njohur për ne, “Provokacija”.

Sepse, në fund të fundit, që të nisësh një tren që nuk ka asnjë leje ndërshtetërore qarkullimi në shtetin fqinj (e njeh ti apo jo ekzistencën e këtij shteti), për t’u futur sërish pa leje në territorin e këtij shtetit tjetër, për më tepër, edhe të mbushur me fyerje për këtë shtet dhe shtetësinë e tij, është në këndvështrimin krejt origjinal dhe haluçinant serb, diçka normale, e pafajshme, thuajse një veprim totalisht i dëlirë dhe i panjollë pikërisht.

Kurse, nëse shteti drejt të cilit ti e nis këtë tren të pikturuar plot kujdes cep më cep më fyerje pafund, pa leje ndër të tjera, guxon të mos ta pranojë hyrjen e tij në territorin e vet, kjo pra, është një “provokacija”, nga ato më të rëndat.

Epo, ç’të themi më tepër?

Përveç faktit, që si edhe në rastin e ndeshjes zulmëmadhe të 14 tetorit 2014, ku tentativës së organizuar mes policisë, federatës së futbollit dhe huliganëve serbë në stadiumin e Partizanit të Beogradit për të linçuar futbollistët shqiptarë në fushë, përsëri Vuçiçi iu referua si një “provokacija” shqiptare e nivelit më të skajshëm, edhe tani, situata e mosarsyes serbe, ngrihet në të njëjtin nivel çekuilibrimi mendor të pahasshëm tjetërkund, përveçse në Serbi.

Për t’i rënë shkurt,  një tren me shqiptarë nga Kosova, nëqoftëse do të shkelte në territorin serb, me shprehje sadopak patriotike qoftë edhe 1% të ngjashme me këto të Trenit Rus për Mitrovicë, me mbishkrime “Presheva është shqiptare”, “Nishi ka qenë shqiptar”, “Kostandini i Madh ka qenë ilir, domethënë shqiptar”, atëherë, nuk do të kishte asnjë dyshim se pasagjerët, trenisti e kushdo tjetër në atë tren, jo vetëm që do të arrestoheshin në vend, por linçimi i Beogradit, i mbetur në tentativë ndaj futbollistëve shqiptarë, do të kthehej në një masakër me gjakun deri në gju.

Shqiptarët dhe treni i tyre do të laheshin në gjak, trenistin do ta piqnin në hell të gjallë dhe nuk do të habitesha po ta hanin “live” të transmetuar në RTS (RadioTelevizija Serbije) me mbulim besnik edhe nga agjencia Tanjug.

Por, t’i lemë serbët në barbarinë e tyre, që 1300-1200 vite në këto troje, u ka mbetur sinonim dhe mënyrë të jetuari edhe sot e kësaj dite.

Kosova, qeveria, policia e saj, treguan maturi, vendosmëri dhe shtetësi të merituar, ndërsa për serbët, provokimi themelor, mbetet vetë fakti se shqiptarët EKZISTOJNË.



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: