Ndue Ukaj: Muri, Haradinaj, treni dhe liria e Kosovës
| E Diel, 15.01.2017, 12:40 PM |

Muri, Ramush Haradinaj, treni dhe liria e Kosovës

Nga Ndue Ukaj

Serbia, me tërë arsenalin e saj propagandistik e politik, po bën terror psikologjik mbi popullin e Kosovës.

Dihet, retorika e urrejtës serbe ndaj shqiptarëve, nuk është e re. Ka histori dhe është mbarsur e formësuar nëpër institucionet e tyre, të dijes, religjionit dhe të politikës. Ajo nuk ka ndryshuar dhe as që pritet të ndryshojë. Sidomos tani, kur ka trandje e turbulenca në rrafshin global, dhe kur, Rusia, si asnjëherë ma parë, po tenton ta konsolidojë dhe përforcojë agjendën e vetë.

Ndërtimi i murit në Mitrovicë- edhe nga ari po të ishte- është një marri primitive, që e bëjnë vetëm popujt e mbushur me urrejtje.

Po ashtu, arrestim i Ramush Haradinajt, njeriut që dy herë është gjykuar nga drejtësia ndërkombëtare, dhe është shpallë i pafajshëm, është një non sens juridik. Sepse, është parim i mirënjohur, që nga antika, se askush nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtat vepra penale. Mirëpo, Serbia nëpërmjet Haradinajt, po tenton ta gjykojë Kosovën.

Treni, i cili është mjet i përparimit dhe qytetërimit, i lidhjes ndërmjet popujve dhe i mundësive që krijon për qarkullim, po bëhet për ne faktor i ndarjes, i përbuzjes dhe përçmimit.

Mirëpo, ne me histeri nuk zgjedhim asgjë. Më se paku e ndihmojmë Kosovën. Vetëm e shtojmë pezmin dhe urrejtjen, edhe ashtu të tepruara ndërmjet nesh. Dhe natyrisht, bëhemi qesharak në sytë e të tjerëve. Koha është, të punojmë me mendje të shëndosha dhe racionale. Deri tash nuk kemi provuar një gjë të tillë. Ndaj, duhet të veprojmë me strategji afatgjate dhe jo me improvizime çastesh. Mbi të gjitha: duke qenë të sinqertë me vetveten dhe me ata që na ndihmuan ta fitojmë lirinë dhe pavarësinë.

Serbia e ka kuptuar qartë brishtësinë tonë dhe po e njeh mirë mentalitetin tonë. Ndaj e di që me një temë të tillë, po na mban peng për një kohë të pacaktuar.

Mirëpo, jam i bindur se rrugën e Kosovës kah liria e njëmend dhe përparimi, askush nuk mund ta pengojë ma shumë se vetë ne, budallaku dhe shpirtngushtësia jonë.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: