Hazir Mehmeti: Protestë kundër ndalimit të Haradinaj
| E Merkure, 11.01.2017, 08:25 PM |

Miting proteste kundër ndalimit të Ramush Haradinaj

Nga Hazir Mehmeti

Në sheshin e njohur të Vjenës Schwarzenbergplatz,, para Ambasadës së Francës, u protestua nga mërgimtarët shqiptarë kundër arrestimit të ish kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.  Morën pjesë bashke mërgimtarë nga Graci, Linci, St.Pölteni e Vjena duke shprehur mllefin për arrestimin e  padrejtë të Ramush Haradinaj, njëri ndër drejtuesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e Kosovës dhe tani kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Nismëtare dhe organizatore ishte dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Austri në emër të së cilës fjalë rasti mbajti Sali Tolaj: “ Është e padrejtë arrestimi i Komandantit, ish kryeministrit dhe kryetarit të Aleancës për ardhmërinë e Kosovë z.Ramush Haradinaj, bazuar në një fletë arrest të lëshuar nga Serbia, ajo që bëri gjenocid mbi popullin shqiptarë, është i papranueshëm, i pakuptimtë dhe një fyerje ndaj një kombi. Kërkojmë nga autoritetet franceze që menjëherë ta liroj”

Tubimi u drejtua nga veprimtari  Xhevat Balaj, i cili lexoi kërkesat e mitingut protestues. “ Kërkojmë nga autoritet franceze që të lirohet menjëherë kryetari Ramush Haradinaj. Ndalesa e tij është e pakuptimtë pasi z. Haradinaj u shpall dy herë i pafajshëm nga të gjitha akuzat nga Gjykata e Hagës. Po ashtu, kërkojmë nga Institucionet e Kosovës të ndërpresin urgjentisht bisedimet me Serbinë deri në heqjen e të gjitha fletë-arresteve të lëshuar nga shteti serb”. Fjalë proteste mbajtën shumë përfaqësues shoqatash: Argëtim Hani; Valdrin Morina, Lobi Euroatlanti; Bukurije Lajqi, Rugovë; Enver Shala, Hazir Mehmeti.

Protestuesit mbanin në duar portrete të Ramush Haradinajt dhe pllakatet: “Ramushi është Kosova”, “Haradinaj ist Kosovo”, “Je suis- Haradinaj”,” Haradinaj est le Kosova”,  “Krenohemi me veprën tuaj, Ramush Haradinaj”. Delegacioni nga Xhevat Balaj dhe Sali Tolallj, përfaqësues të mitingut i dërgoi një protestë Ambasadës franceze ku kërkohet lirimi i menjëhershëm i Ramush Haradinajt. Gjithashtu shprehet mllefi në organet franceze që manipulohen me fletë arreste qesharake nga Serbia.

Rreth ndalimit të Ramush Haradinajt në Francë shkruan dhe shtypi në gjuhën gjermane. Analistë të caktuar arrestimin e shohin si para pengesë në pjesëmarrjen e tij në promovimin e presidentit amerikan Trampf si i ftuar direkt prej tij dhe si përfaqësuese i së djathtës në Kosovë (Frankfurterallgemeine), apo si qëndrim i ri  karshi Kosovës nga një pjesë e Evropës ku Franca është shembull i tillë në raport me rrethanat e krijuar në Ballkan.

Pjesëmarrësit e mitingut shpërndanë në kohën e përcaktuar pa shkaktuar asnjë incident apo parregullsi.  Protestat do vazhdojnë nëse nuk lirohet Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze.


Vjenë, 11 janar 2017.

(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: