Fritz Radovani: Pse po harrohen martirët?!
| E Diel, 08.01.2017, 12:02 PM |

PSE  PO  HARROHEN  MARTIRËT?!!

Nga Fritz RADOVANI

Don Kolec Prennushi asht le me 1 Janar 1902 dhe ka vdekë me 2 Korrik 1950. Ka vazhdue studimet në Linz të Austrisë dhe asht shugurue Meshtar me 25 Qershor 1925. Ka njoh nandë gjuhë të hueja, të cilat i perdori në perkthime dhe shkrime letrare. Në vitin 1948 asht arrestue dhe mbas 11 muejsh u lirue, tue mbyllë jeten mbas shtatë muejsh...

Ata që e njohën kujtojnë qendrimin e Tij per mos me firmue “Statutin e Kishës Katolike të vitit 1950”, të paraqitun per aprovim nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës.

Ndoshta, ky qendrim “nuk pajtohej” me qendrimet e sotme proqeveritare, prandej edhe “harrohet” jo vetem Don Kolec Prennushi po, shumë e shumë tjerë si Martirë të Kishës!

***

Po ju paraqes një pjesë letrare që në fund, Don Koleci parashikon t’ ardhmen...

TË VËRSHUEMIT

Buna asht breg në breg. Bora maleve asht de prej erës së jugut e ka ajë lumin. Me madhni të njij ngallnjyesi, të cilit s’ka forcë qi i ban ball ulët rryma e gjanë pa pushue.

Gjindja janë strukë nëpër shtëpija. Ndonji bari i rrall qi nget kah shtëpija kqyrë pa da at element të mnershëm, qi vjen tue u shtri me kërcnim. Në të tanë katundin zotnon nji qeti vorresh porsi në nji qytet të mundun qi pret tue u dridhë kur të derdhet ushtrija me ba rrufi.

Qielli asht terratisë. Ret e zeza si male vigane njiten prej gryke. Duket se të tanë kupa e qiellit asht tue u dyndë si të njitej deti mbi horizont. Së largu ndihet gjama e ndryme e bumbullimës qi dridhë shtëpijat me themel. Deti, i tollovitun si përbindsh i egërcuem buluron për mnerë.

Mbi horizontin e ximë kah gryka shpërthejnë prej gojve të reve të zeza porsi gjarpij rrufet vetuese e futen vrap në gjinin e zymtë.

Nji fishkullimë e thekshme shiroku kalon nëpër shelqe e plepa porsi piskamë orësh qi ikin prej katundi. Mandej nji hingllim e ulurim i tërbuem nëpër gembat e landvet qi shpërvilen e përkulen si vigaj, qi luftojnë me elementa të shpranguem e mbrapa shtërgata me trollim të frigueshëm. Shiu me shena ka veshë shtëpijat e landët. Tushti i stuhisë e ka pështjellë katundin mbarë. Rêtë janë bashkue me uj poshtë qi ka nisë me lëshue.

“U thye penda e madhe!” ndihet nji vigëm e tretun nëpër ushtimë të motit. Uji derdhet nëpër rruga të katundit porsi pushtues krenar mbi plaçkën e vet. Rrugat nji metër e ma nën trollin e shtëpijavet e të kopshtijevet mbushen me uj qi shkon tue u rritë pa da. Ndihet kushtrimi i ndonjij bariu qi ka mbetë me gja në fushë qi e bredh ushtima e valvet me ndërlikim të zymtë. Valët e harlisuna dirgjen si aradhet e rrebta t’ushtrisë ngallnjyese. S’të dallon syni përveç shtëpija të zhytuna n’uj.

Errej nji mbramje e ftoftë. Qelqet e dritores n’odë të zjarmit krisshin prej pikave të shiut qi shkrepshin pa pushue. Era e fortë, hove-hove kthente tymin e tymtarit teposhtë qi na pshtielltë për rreth votre. Zjarmi strukej herë në njenën në anë, herë në tjetrën. Tjegullat kërsitshin në pullaz. Shtëpija mbarë gjimonte prej duhmë s’erës qi frynte me tërbim.

Përjashta ushtonte zhaurima e ujnavet qi bajshin rrjedhat e trumhasuna, e rridhte zymtas krah për krah me gjamën e stuhis.

N’errsinë e heshti të natës gjithkah prej ujnash edhe mjedis shtëpijave të njij katundi e ndien njeriu vetmin e trishtueshme si të gjindej mbi nji gumë mjedis detit e pa fuqin e vet para këtij elementi të tmershëm.

Të nesërmen në mëngjes mendimi i parë qi m’erdh qe nji.

Dola në dritore. Kishte dalë nji ditë prandvere. Natën kishte çue murrla e ra borë bjeshkvet. Malet e kaltërta kah veriu ngrehshin në horizont majat e mbulueme në borë, qi vetojshin në rreze të diellit. Përmbi majën e Rumis endej hija e rêve të bardha qi velizojshin në kupen e qiellit.

Poshtë ujnat e ndyta të Drinit qi kalojshin me shurimën e trishtueshme e shkulmet qi rrihshin me sulmet e veta muret e shtëpijavet hidhshin në kreni porsi trofe plaçkën e bame: cokla, cunga, trupa e bagti të mbytuna. Nëpër dritore burrat i bajshin za shoqishojt tue pyetë si kishin gdhi. Nëpër katund shkojshin e vijshin lundrat tue u bajtë tagji bagtive. Vetë sulja e vogël me nji njeri dy gisht mbi ujë, dukej porsi shigjetë rrymës teposhtë me u dridhë tue e pa.

Dam të pamatun ban të vërshuemit në katund.

MUIS POLEMI

Shënim nga FR: Muis Polemi asht pseudonimi i Don Kolec Prennushit.

Kjo pjesë letrare asht marrë nga: Antologjia “Rreze Drite” fq. 221-223, botim i vitit 1941.

Kam frikë se, sot asht harrue “të vërshuemit” e të gjithë Shqipnisë bashkë me Martirët!


Melbourne, 6 Janar 2017.

(Vota: 4 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: