Deo Graciani: Shpëtimi i vetëm i Shqiptarëve
| E Premte, 30.12.2016, 06:00 PM |

Shpëtimi i vetëm i shqiptarëve është kthimi në Mbretërinë e Dritës

Do të më kërkosh dhe do të më gjesh, kur të më kërkosh me gjithë zemër.  (Jeremiah 29:13)

Nga Deo Graciani

Sot në shekullin 21, bota po përjeton zhvillime të vrullshme në çdo fushë. Pavarësisht nga këto zhvillime, të krijohet përshtypja se ky planet kaq i ndërvarur ekonomikisht, është po aq i ndarë në aspektin social dhe shpirtëror. Ndërsa një pjesë e botës së zhvilluar pasi ka prekur majat më të larta të zhvillimit intelektual e shpirtëror po përjeton një ngërç moral, ajo pjesë e botës që jeton prej shekujsh në një realitet tribal arkaik, po rrëshqet në një primitivizëm edhe më të thellë se ai që kanë përjetuar njerëzit dhjetra e dhjetra shekuj më përpara.

Edhe shoqëria shqiptare si pjesë e këtij sistemi të sofistikuar social mbarëbotëror vazhdon përpjekjet për të krijuar një identitet të mirëfilltë të sajin, në mënyrë që të përfaqësojë disi veten në gjithë këtë shumëllojshmëri ngjyrash. Këto ‘përpjekje’ ama, ngjasojnë më shumë me ‘përpëlitjet’ e një pacienti i cili ndodhet në një gjendje vegjetative të pavetëdijshme, dhe ilaçet që merr rregullisht për shërimin e tij nuk ka pothuajse asnjë lloj efekti, sepse këto ilaçe janë përgatitur nga i njëjti laborator që ka shkaktuar edhe sëmundjen.

Kombi shqiptar ka kaluar nëpër stuhi të mëdha historike. Këto stuhi historike e kanë tjetërsuar ndërgjegjen dhe shpirtin e këtij kombi. Shoqëria shqiptare edhe sot e kësaj ditë, e gënjyer dhe e vetëgënjyer, vazhdon ta përjetojë gënjeshtrën në dimensione të ndryshme. Kjo gënjeshtër e injektuar me forcë, dinakëri e lajka gjatë shekujve, vazhdon edhe sot t’u serviret  njërëzve si diçka e vërtetë.

Është diçka shumë e çuditshme kur lexon me dhjetra artikuj dhe shkrime gati çdo ditë që merren me çeshtje të ndryshme por rrallëherë e lexon fjalën Zot. Shumë publicistë, analistë, këshilltarë, sociologë, psikologë e të tjerë, ofrojnë formula dhe zgjidhje të ndryshme për daljen nga kriza sociale, morale dhe shpirtërore që ka infektuar çdo qelizë të shoqërisë sonë, por pak arrijnë të kuptojnë se kura e vetme gjendet në mesin e tyre, dhe rrallëherë vihet re, për shkak të verbërisë dhe shurdhërisë shpirtërore. Shpirti i shumë shqiptarëve vazhdon të jetë i zbrazur nga rrebeshet dhe prurjet e kohës. Ai vazhdon të endet në botën e errësirës, larg nga Drita dhe Jeta, i humbur diku në fantazitë e bashkimit kombëtar, duke endërruar për gjakun e “pastër” dhe gjuhën e mbijetuar, duke menduar se gjuha mund ta bashkojë një komb që akoma nuk e di se ku gjendet shpirti i tij i degdisur diku në një territor të panjohur nëpër të cilin shumëkush ka frikë të shkelë.

Bashkimi kombëtar i një populli në grahmat e fundit të vetëdijes kombëtare

Shqiptarët janë sot një nga popujt më të humbur të botës. Çdo ditë në trojet tona të pushtuara e të grabitura vazhdon të valëvitet flamuri i shqyer i nacionalizmit qesharako-folklorik. Shumë tashmë e kanë humbur shpirtin, por ende vazhdojnë të mendojnë se gjuha do t’i shpëtojë. Shumë në mënyrë të vetëdijshme e të pavetëdijshme adhurojnë errësirën por akoma shpresojnë se është bashkimi që do t’i shpëtojë nga errësira dhe kaosi. Shumë kanë sy por nuk shohin, kanë veshë por nuk dëgjojnë.

Akoma shumë shqiptarë nuk e kuptojnë se i vetmi që mund ta shpëtojë këtë popull është Zoti, Zoti i paraardhësve tanë, Zoti i dritës dhe dashurisë, i njëjti Zot për të Cilin na foli me aq dashuri apostulli Pal kur shkeli për herë të parë në trojet e Ilirisë 2000 vite më parë. Vetëm ky Zot mund t’i flasë zemrave të shqiptarëve; vetëm ky Zot do t’i shpëtojë dhe bashkojë shqiptarët, dhe as gjuha, e as gjaku që prej brezash është ndotur nga mbetjet toksike të helmeve që e mbulojnë tokën tonë prej 6 shekujsh, dhe që kanë detyruar shumë shqiptarë të adhurojnë një “entitet” që jo vetëm nuk e njohin, por që u ka sjellur vdekje shpirtërore dhe fizike, që u ka injektuar veset më të poshtra dhe negative, që ka mbjellur urrejtjen në shpirtërat e tyre, që i ka lënë në vendnumëro prej 6 shekujsh, që i ka vërbuar aq shumë sa nuk arrijnë edhe sot të dallojnë gënjeshtrën nga e vërteta, mikun nga armiku, lirinë nga skllavëria.

Akoma edhe sot shumë njerëz vazhdojnë të adhurojnë djallin e urrejtjes në vend që të adhurojnë Zotin e dashurisë. E kanë përpara syve Zotin e dashurisë dhe dritës, por prapë nuk e dallojnë sepse mbajnë të mbëshjtellur fort zhgunin e verbërisë dhe skllavërisë shpirtërore, që ua shitën dhe vazhdojnë tua shesin argatët e errësirës dhe vdekjes. Këta predikues të një realiteti fatalist pasi e shkretuan anembanë këtë tokë, arritën t’u injektonin viktimave të mbijetuara serumin e amnezisë dhe të vetëskllavërimit shekullor, duke e lënë një popull të tërë duke u përpëlitur në grahmat e fundit të vetëdijes kombëtare dhe individuale, ashtu siç ka ndodhur me çdo popull ku ka shkelur kjo frymë satanike skllavëruese që lufton dritën dhe gjithçka të mirë dhe fisnike që ekziston në këtë botë.

E kam thënë edhe më përpara dhe po e përsëris: shoqëria shqiptare vuan nga sindroma e nacionalizmit qesherako-folklorik i cili nuk përmban në vetvete asnjë lloj substance të mirëfilltë. Ky lloj nacionalizmi qesharak ndërton e bashkon shtete endrrash. Ky lloj “zjarri” nacionalist, është mësuar të ngre flamurin e fitores së përditshme ndaj armiqve fiktivë, ndërsa sofrën e ndan me armiqtë e vërtetë të cilët e kanë zhveshur nga çdo tipar njerëzor. Armiqtë e vërtetë i kanë lënë shqiptarët:

të arratisur e syrgjinosur,

të rraskapitur dhe katosur,

anës detit të palarë,

anës dritës të paparë,

pranë sofrës të pangrënë,

pranë dijes të panxënë,

lakuriq e te dregosur

trup e shpirt te sakatosur.

Ndërsa Noli vajtonte pa fund e pa shpresë, anës Elbës, anës Spre-së, edhe sot si Noli shumë shqiptarë vajtojnë këtë realitet të pafund që nuk ndryshon, sepse mbahet peng nga një forcë e errët që bllokon aty ku shkel zhvillimin shpirtëror, social e ekonomik të çdo vendi në botë.

Hidhni sytë përreth! A mund ta dalloni dritën nga errësira, lirinë nga skllavëria? Zoti e krijoi njeriun me vullnet të lirë. Zoti nuk ka nevojë për skllevër dhe robotë. Ja çfarë thotë Fjala e Zotit në lidhje me lirinë: Atje ku është Fryma e Zotit të vërtetë, atje është liria (2 Korintasve 3:16) Atje ku adhurohet Zotit i dashurisë dhe paqes, atje është liria dhe progresi.

Predikimi i Fjalës së Zotit në Iliri

Përpara gati 2000 vitesh, Zoti i Vërtetë, u foli shqiptarëve nëpërmjet apostullit Pal, i cili i udhëhequr nga Fryma e Shenjtë, udhëtoi drej Ilirisë për të mbjellur në zemrat dhe shpirtin e ilirëve farën e mirë, lajmin e mirë të Shpëtimit.

“Me fuqi shenjash dhe mrekullish, me fuqi të Frymës së Perëndisë; kështu, prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam përmbushur shpalljen e ungjillit të Krishtit, duke u përpjekur të ungjillëzoj atje ku nuk ishte i njohur emri i Krishtit.” (Romakëve 15:19-20)

Në Fjalën e Zotit, në Bibël, përmendet fjala Illiricum, Iliria jonë, vendi ynë, atdheu ynë. Ka ardhur koha që shqiptarët të hedhin vështrimin prapa në kohë dhe të analizojnë me kujdes nga vijnë, çfarë kanë kaluar dhe ku po shkojnë. Pasardhësit tanë të lashtë vijnë nga Iliria dhe jo nga skllavoshqiptaria apo pseudoshqiptaria. ILIRIA = I L L I R I C U M. Imagjinojeni impaktin që duhet të ketë kjo fjalë në mendjen dhe psikikën e shqiptarëve. Vendi ynë, ILIRIA, është përmendur në Fjalën e Zotit. Apostulli Pal, mik i ngushtë i Zotit, shërbëtor i Mbretërisë së Dritës, në misionin e tij hyjnor, u dërgua nga Zoti për të predikuar lajmin e mirë të SHPËTIMIT në tokën e Ilirisë. Pra Zoti kishte planifikuar që të mbillte të Vërtetën e Tij, FARËN E MIRË në zemrat e ilirëve. Fjala “ilir” do të thotë “i lirë.” Asnjë popull nuk e ka këtë emër, i lirë, Illiricum. Zoti po i fliste me gjuhën e dashurisë popullit të lashtë ilir. Pra ky ishte misioni që Zoti i dha Palit për të predikuar në Iliri.

Pra, rreth 2000 vite më parë, shenjtori Pal, preku trojet e ilirëve së lashtë. I uritur, i keqtrajtuar, i goditur, i vuajtur, i persekutuar, i burgosur e i përndjekur, por i mbushur me Frymën e Shenjtë, i udhëhequr nga Fjala e Perëndisë, dhe i ngushëlluar nga e Vërteta Hyjnore, ai erdhi dhe mbolli në zemrat e shqipeve farën e mirë. Pali nuk erdhi në Iliri me ushtri, por i udhëhequr nga Fryma e Shenjtë. Ai nuk erdhi të predikonte urrejtjen, pedofilinë, diskriminimin gjinor, poligaminë, martesat brenda gjakut, shitjen e skllaveve të seksit, haremet, etj. Jo. Ai erdhi t’u fliste Ilirëve për Zotin e dashurisë. Ai erdhi t’u fliste ilirëve për Mbretërinë e Dritës, për Perëndinë e dashurisë. Ai erdhi t’u jepte ilirëve mesazhin e Shpëtimit dhe të Jetës së përjetshme. Zoti është i SHENJTË. Atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria (2 Korintasve 3:17).

Pali i gjeti Ilirët të lirë dhe i la të lirë. Ai thjeshtë u tregoi ilirëve se kush ishte Zoti i panjohur i lirisë së tyre. Ai u shpjegoi se atje ku është Fryma e Zotit atje është liria. Ilirët e adhuronin Zotin e lirisë, por nuk e njihnin emrin e Tij. Pali ua tregoi atë Emër që është përmbi çdo Emër.

Ky mik i ngushtë i Perëndisë, i solli lajmin e mirë popullit të lashtë ilir. Fjala e Zotit të gjallë u mboll dhe hodhi rrënjë në shpirtin e këtij kombi liridashës. Fjala e Zotit të vërtetë është gjithmonë dritë dhe dashuri për shpirtin e zhuritur për të vërtetën. Mesazhi i tij kishte në thelb dashurinë, sepse e vërteta jepet gjithmonë me dashuri, ndërsa gënjeshtra jepet gjithmonë me lajka ose imponohet me dhunë. Kjo e vërtetë atyre u erdhi nga dashuria. Kjo e Vërtetë ishte dashuri e kulluar. Ai nuk pati nevojë të përdorte dhunë, detyrim, kërcënim me vdekje, përdhunime, vrasje, burgosje dhe ekzekutime. Ai erdhi nga dashuria, sepse plani hyjnor përfshinte edhe ilirët. Kjo e Vërtetë u bë fari i tyre në tallazet historike.

Fjala e Zotit është Fjalë e gjallë. Është vepruese dhe transformuese. Ajo përtërin mendjen, transformon zemrën dhe shëron trupin. Fjala e Zotit nuk krijon zinxhirë por ka fuqinë të këputë çdo zinxhir, qoftë psikologjik apo shpirtëror.

Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcës; ajo gjykon  mendimet dhe qëndrimet e zemrës. (Hebrenjve 4:12-13)

Pali u foli Ilirëve për Mbretërinë e Dritës. Ai u foli Ilirëve për  Princin e Paqes dhe Shpëtimtarin e Botës, Jezu Krishtin. Ky ishte mesazhi i dritës për Ilirët dhe gjithë ata që duan t’i shërbejnë Mbretërisë së Dritës:

“Ju jeni drita e botës. Le të shndrisë drita juaj përpara njerëzve, që ata të shohin veprat tuaja të mira dhe të lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell. (Mateu 5:14-16)

Bijtë e mi, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe me vërtetësi. (1 Gjoni 3:18)

Të dashurit e mi, ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është prej Perëndisë dhe kushdo që ka dashuri, ka lindur prej Perëndisë dhe e njeh Perëndinë. Ai që nuk ka dashuri, nuk e njeh Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri. (1 Gjoni 4:7-8)

‘Ta duash të afërmin tënd si veten tënde. (Mateu 22:39)

Ja çfarë predikoi Pali në Iliri dhe kudo ku shkeli këmba e tij:  Lutem që dashuria juaj të rritet gjithnjë e më shumë në njohuri, që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit, të mbushur me fryte drejtësie që arrihen me anë të Jezu Krishtit, për lavdi e për lëvdim të Atit.” (Filipianëve 1:9-10)

“Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni! Paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus. Vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë të shkëlqyera, të virtytshme dhe të lavdrueshme, këto mendoni. Ato gjëra që keni mësuar, marrë dhe dëgjuar nga mua dhe patë në mua, i bëni, dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju.” (Philipianëve 4:8-10)

Bazat Biblike të Qytetërimit Perëndimor

Për ata që akoma nuk dijnë sesi është zhvilluar qytetërimi perëndimor, duhet të qartësohen përfundimisht se ky qytetërim është ndërtuar mbi baza biblike, pra, themelet e tij janë themele të krishtera. Pa këto themele, ky qytetërim nuk do kishte ekzistuar kurrë. Zoti i Biblës, është Zoti i progresit të gjithanshëm. Ligjet e Tij të shenjta janë ato ligje mbi të cilat mbështet progresi social, zhvillimi ekonomik, dhe ndriçimi shpirtëror. Ja çfarë u tha Jezusi dishepujve të Tij: “Unë jam hardhia, ju jeni degët; kush qëndron në Mua dhe Unë në të, jep shumë fryt, sepse pa Mua nuk mund të bëni asgjë.” Shikoni me kujdes lëvizjen e emigrantëve që largohen nga vendet e tyre ku sundon islami, komunizmi, hinduizmi, paganizmi, etj. Hidhni sytë rreth e rrotull, në vendet e ndryshme të botës, dhe do të kuptoni se cilat janë shoqëritë e lira dhe cilat janë ato shoqëri ku sundon diktatura, rracizmi, diskriminimi gjinor apo persekutimi religjioz. Fatkeqsisht, sot bota perëndimore ka filluar pak e nga pak të harrojë se themeli i saj i lirisë, progresit, drejtësisë, dhe barazisë sociale është doktrina e krishterë. Kjo harresë do ta çojë botën e zhvilluar perëndimore në vetëshkatërrim dhe vetëvrasje, ashtu siç edhe rrezikon të ndodhë.

Arsyet pse Bibla është një libër i besueshëm dhe më uniku në historinë njerëzore

Bibla është një libër i frymëzuar nga Fryma e Shenjtë.  Autorët e Biblës, e shkruan atë të drejtuar nga vetë Fryma e Perëndisë. Dikush mund të pyes sesi është e mundur diçka e tillë! Imagjinojeni pak që ky libër është shkruar përgjatë 1600 viteve, dhe qëndron në unitet të plotë nga fillimi deri në fund. Përshkruan historinë që nga krijimi i universit e deri në etapat e fundit të tij që akoma nuk kanë ndodhur. Lidhja logjike dhe harmonia që përshkon këtë libër është e jashtëzakonshme. Çdo ngjarje dhe fakt është në vendin e duhur.

Tejet i jashtëzakonshëm është gjithashtu fakti se pjesët e ndryshme të këtij libri kanë filluar të shkruhen rreth 33 shekuj më parë, nga 40 autorë të ndryshëm, gjatë 1600 viteve, të cilët jetonin në tre kontinente, Azi, Afrikë dhe Europë, që flisnin gjuhë të ndryshme, kishin profesione të ndryshme, dhe jetuan në epoka të ndryshme. Dhe nëse i merr shkrimet e secilit prej këtyre autoreve dhe i bashkon në një të tërë, kemi një bashkim dhe unitet perfekt, vazhdimësi dhe harmoni në çdo temë të tij. E paimagjinueshme dhe e pakonceptueshme për një mendje njerëzore sesi mund të ketë ndodhur diçka e tillë. Kjo është fuqia e Zotit, i Cili u foli secilit prej tyre në vende të ndryshme dhe kohë të ndryshme. Lavdi Zotit që bën mrekulli të tilla! Pra secilin autor Zoti e frymëzoi të shkruajë një pjesë të veçantë të planit hyjnor. Këta autorë vinin gjithashtu nga klasa të ndryshme shoqërore. Ata kishin profesione të ndryshme: mbretër, ushtarakë, dijetarë, fshatarë, çobanë, filozofë, doktorë, poetë, peshtakarë, mbledhës taksash, etj. Megjithëse shumë prej tyre shkruan mbi tema të ndryshme, ato gjëra që shkruan krijojnë një harmoni perfekte mes tyre.

Si ndodhi një mrekulli e tillë? Ndodhi sepse burimi ishte një dhe i vetëm. Ishte vetë Zoti, Perëndia i gjithëpushtetshëm.

Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e Mia nuk do të kalojnë,” thotë Zoti.” (Mateu 24:35)

I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë tërësisht i gatshëm dhe i  pajisur për çdo vepër të mirë. (2 Timoteut 3:16)

Fuqia transformuese dhe shëruese e Biblës

Në besimin e krishterë, Bibla konsiderohet si Fjala e Zotit për njerëzimin. Bibla është një libër i jashtëzakonshëm. Ky libër përmban zbulesën hyjnore për njerëzimin. Në këtë libër, Zoti i flet njerëzve dhe u tregon atyre planin e shpëtimit. Fjala e Zotit është armiku kryesor i ideologjive satanike që hodhën dhe vazhdojnë të hedhin rrënjë përgjatë gjithë historisë njerëzore. Në Islam Bibla është e ndaluar. Në komunizëm gjithashtu. Bibla është armiku i diktaturave dhe sistemeve represive (shtypëse) kudo në botë. Ajo predikon lirinë dhe barazinë. Është një fakt i dhimbshëm që sot shumë të krishterë, të cilët shkojnë në kisha, dhe madje janë edhe të pagëzuar, nuk e kanë hapur pothuajse asnjëherë Biblën dhe as nuk e kanë idenë se çfarë thotë ajo, megjithëse e kanë shpeshherë përpara syve. Ndërsa në pjesën tjetër të botës qindra e mijëra njerëz që nuk janë të krishterë por që janë të etur për fjalën e Perëndisë, rrezikojnë jetën e tyre për ta lexuar këtë thesar shpirtëror që rrezaton dashuri dhe drejtësi.

Bibla është një libër i mbinatyrshëm. Faqet e saj ripërtërijnë mendjen, rigjenerojnë shpirtin dhe shërojnë trupin. Çdo njeri që me zemër të pastër e kërkon Zotin, ai e gjen Atë në faqet e këtij Libri të shenjtë. Terroristë e kriminelë janë tranformuar nga ky libër. Walid Shoebat, një ish-terrorist i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, pasi u martua me një grua të krishterë, u përpoq ta bindte të shoqen se Kurani dhe Islami ishtë feja e vërtetë, dhe se Bibla nuk ishte e saktë. E shoqja i tha se nëse gjente një pasaktësi në Bibël pasi ta krahasonte me Kuranin, atëherë ajo do të pranonte të bëhej myslimane. Ai e pranoi sfidën, dhe filloi të lexonte Biblën duke e krahasuar në të njëjtën kohë me Kuranin. Pas muajsh studimesh, ai e pranoi se Bibla ishte e Fjala e Zotit. Që atëherë ai predikon besimin e krishterë dhe duke qenë një njohës i shkëlqyer i fesë Islame, ai bën kurse ku paraqet rreziqet qe vijnë nga kjo ideologji. Ai gjithashtu ka krijuar edhe një organizatë që ndihmon të krishterët e persekutuar në vendet Islame, dhe kryesisht në Pakistan.

Si Shoebat ka edhe të tjerë. “Vetëm në Afrikë,” thotë sheiku Ahmad-Al Katani, i intervistuar nga Al-Jazeera, “rreth 6 milionë myslimanë braktisin çdo vit Islamin duke përqafuar besimin e krishterë.” Zoti ka premtuar se do ta bekojë Fjalën e Tij, dhe kjo Fjalë po prodhon fryte të bollshme edhe në mesin e persekucionit më të madh.

Fjala e Zotit, është Ajo që shëron trupin. Përëndia thotë: “Unë jam Zoti që fal të gjitha mëkatet e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua.” (Psalmi 103:3)

Për t’i mbajtur njerëzit larg nga Bibla, u krijuan teori të ndryshme që thonin se Bibla është e korruptuar dhe e pasaktë. Sipas këtyre teorive teksti Biblik gjatë këtyre 3-4 mijë viteve që kur ka filluar të shkruhet, është ndryshuar apo modifikuar. Megjithatë, zbulimet arkeologjike gjatë 50-60 viteve të fundit, dhe gjetja e mijëra dorëshkrimeve Biblike që u zbuluan në shkretëtirën e Judeas, e hodhën përfundimisht poshtë këtë orvatje të dështuar. Dorëshkrimet që u gjetën ishin identike me ato të mijërave viteve më parë. Fjala e Zotit nuk mund të korruptohet.

Fjala e Zotit sjell progres dhe paqe në shoqëri

Dikush mund të pyes: Cili është ky Zot i progresit? “Cila është Fjala e Tij?” Apo çfarë është Bibla? Pse duhet ta lexoj? Epo, Fjala e Zotit, Bibla për shumë njerëz sot mbetet akoma e panjohur, dhe kjo është një nga fatkeqsitë më të mëdha që mund të prekë një shoqëri. Në shumë vende të botës njerëzit rrezikojnë jetën e tyre për një Bibël sepse janë të etur për të pirë nga Burimi i Jetës. Në vendet myslimane qindra mijëra myslimanë vriten, burgosen, arrestohen e torturohen çdo vit vetëm sepse kapen duke lexuar Biblën dhe janë të etur për të Vërtetën. Diktaturat islamike i mbajnë myslimanët larg nga Libri i Zotit. Në Kinë dhjetra mijëra kinezë çdo vit pësojnë të njëjtin fat vetëm sepse kanë pranuar Krishtin si Shpëtimtarin e tyre. E njëjta gjë ndodh në Korenë e Veriut, Vietnam, etj. Ndryshe nga vendet e mësipërme, shqiptarët sot kanë shansin e madh që të përqafojnë Dritën, dhe të lënë pas njëherë e mirë fatalizmin që i ndjek prej shekujsh.

Fjala e Zotit, Bibla e tmerron djallin. Djalli e urren Biblën. Djalli e urren kryqin, sepse Jezusi, Qengji i Perëndisë derdhi gjakun e tij të çmuar në kryq, duke shkatërruar kontrollin e Satanait mbi njerëzimin. Me anë të gjakut të Tij, Ai na çliroi nga pesha e mëkatit. (Zbulesa 1:6) Është gjaku i Krishtit që na ka shpenguar. (1 Pjetri 1:19)

Hiri, mëshira, paqja dhe shpëtimi gjenden vetëm tek Kryqi i Krishit. Kudo në botë dishepujt e Krishtit luten për paqe, sepse Krishti predikoi paqen hyjnore. Në kishë të krishterët luten për shpëtimin e njerëzve, për dashuri dhe për shërim. Nëse je duke udhëtuar dhe ke humbur rrugën dhe je në një vend të panjohur, dhe papritur shikon një kryq, një kishë, apo has në një komunitet të krishterë, të jesh i sigurtë se do gjesh ndihmë, strehë dhe dashuri. Nuk do të pyes kush nga je apo cili është religjioni yt, por do të marrësh ndihmë të pakushtëzuar. Atje ku është Krishti është dashuria, paqja, dhembshuria dhe mirëkuptimi.

Nese ty simboli i (pamja e) kryqit te krijon pështjellim, urrejtje apo mosqetësi shpirtërore, ti je nën kontrollin apo nën sulmin e forcave satanike. Djalli e urren kryqin. Pyete veten çfarë të pengon ty të shkosh tek Jezusi, ta ndjekësh Atë? Morali yt nuk e pranon? I urren njerëzit? Mos ndoshta ndihesh kaq i ndotur dhe i padenjë sa mendon se Perëndia nuk do të falë?  Apo mendon se ke bërë kaq shumë gjëra të këqija dhe nuk ka shpëtim për ty? Çfarë të pengon ty të bëhesh pjesë e familjes hyjnore, dhe ta thërrasësh Zotin tënd Atë? Nuk të pëlqen Drita? Nuk i do njerëzit? Nuk ta pranon familja? Do të ndihesh i diskriminuar dhe i persekutuar nga komuniteti? Nuk dëshiron të jetosh i lirë? Nëse ti vendos të ndjekësh Perëndinë e dashurisë, disa që akoma jetojnë errësirë, do të urrejnë, do të flasin pas shpine etj. Por Jezusi tha: “Të bekuar jeni ju, kur ju ofendojnë, ju përndjekin apo shpifin ndaj jush për shkakun Tim.” Perëndia e kësaj bote ua ka verbuar mendjet atyre që nuk besojnë, që ata të mos shohin dritën e ungjillit të lavdisë së Krishtit, i cili është shëmbëlltyra e Perëndisë.”

Si mund t’i rezistosh dashurisë dhe mirësisë së kulluar? Nëse kjo mirësi dhe dashuri hyjnore nuk të krijon asnjë ndjesi dhe madje të krijon pakënaqësi, e deri urrejtje, do të thotë se diçka nuk shkon tek ti; do të thotë se ti je akoma në errësirë dhe nuk e kupton dot dritën dhe as dashurinë e pakushtëzuar të Zotit. Mos iu frikëso Dritës. Sepse kur ti të shkelësh në dritë, veli i verbërisë shpirtërore do të ngrihet, dhe ti më në fund do ta shohësh realitetin ashtu siç është në të vërtetë, ashtu siç nuk e ke parë ndonjëherë. Me këtë hap ti do kalosh nga errësira në dritë, nga vdekja në jetë.

Zgjedh jetën dhe jo vdekjen

Kur ti deklaron me gojën tënde, “Unë besoj me gjithë zemër se Jezusi është Shpëtimtari i Botës,” “Unë i përkas Jezusit,” ti ke shkelur në dritë. Ti ke vendosur të dalësh nga mbretëria e errësirës. Ti ke vendosur t’i thuash stop urrejtjes. Ti ke marrë vendimin më të rëndësishëm të jetës tënde. Ti ishe i vdekur por je kthyer në botën e të gjallëve. Ti tashmë je një krijesë e re. Gjithçka rreth teje do të fillosh ta shikosh në një mënyrë krejt tjetër. Do t’i duash më shumë njerëzit që ke rreth e rrotull. Transformimi i mendjes dhe i shpirtit tënd ka filluar. Atë që Biri e bën të lirë është vërtet i lirë (Gjoni 8:36). Gjithçka do të ketë një kuptim të ri dhe më të thellë në jetën tënde. Disa njerëz do të kritikojnë dhe do të vazhdojnë të të përmendin gabimet apo të këqijat që t’i ke bërë në të kaluarën, por ti tani je një krijesë e re në Krishtin.

Ti nuk ke nevojë më të zhgërryhesh në vetë-keqardhje. Ti nuk ke nevojë që njerëzit të të mëshirojnë, siç bënin deri tani, sepse të konsideronin të humbur, të vuajtur dhe të pashpresë. Nuk mjafton vetëm mëshira, që dikush të ketë mëshirë për ty. Ajo është e rëndësishme, por ti ke nevojë për një fillim të ri. Ti ke nevojë për një transformim rrënjësor në çdo aspekt të jetës tënde. Ti ke nevojë për pastrim shpirtëror. Kur ti pendohesh me gjithë zemër, dhe e pranon se pa Zotin nuk mund të ndryshosh karakterin tënd dhe rrethanat e tua, ti ke shansin të bësh një kthesë të re në jetën tënde. Ti ke në dorë t’i hedhësh tutje rrobat e arnosura të vetë-drejtësisë tënde dhe të veshësh rrobën e drejtësisë dhe dashurisë hyjnore. Kur ti i drejtosh Atit dhe i thua: “Atë i dashur, Zot i gjithëpushtetshëm, më mbush me drejtësinë tënde, ripërtërije mendjen time, forcoje njeriun tim të brendshëm, dhe më drejto hapat,” të jesh i sigurtë se tranformimi yt ka filluar. Lumi i Dritës hyjnore do të vërshojë nëpër skutat e pluhurosura të shpirtit tënd, duke pastruar llumin e akumuluar aty nga prurjet e kohës. Pak e nga pak do të ndihesh më i lehtësuar; shpirti yt do të fillojë të rrezatojë më shumë dritë dhe dashuri. Ti nuk je më një jetim shpirtëror, por je bërë pjesë e familjes hyjnore. “Nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re. E vjetra ka kaluar, e reja ka ardhur (2 Korintasve 5:17).” Ti tashmë je një krijesë e re. Shumë njerëz do ta shohin ndryshimin tek ty. Nëse ke vendosur të ndjekësh Zotin e Vërtetë, Zotin e dashurisë, ngrihu në mëngjes, trokit në derën e fqinjit tënd, përshëndete, dhe uroji një ditë të bekuar në Emër të Perëndisë. Ai ndoshta mund të habitet por më vonë do ta kuptojë. Shko dhe foli familjarëve dhe miqve të tu dhe tregoji atyre çfarë Perëndia ka bërë për ty. Fali ata që kanë thënë ndonjë gjë kundër teje, ashtu siç Perëndia të fali ty.

Rruga që do zgjedhësh

Mendo për një moment sikur je duke ecur në rrugë i zemëruar dhe i inatosur me njerëz të caktuar apo thjesht me veten tënde sepse ndihesh i humbur dhe pa një mision në jetë. Papritur përpara teje shfaqen dy rrugë, dhe në secilën prej tyre ndodhet një njeri që deklarohet si i shenjtë, i cili,  njerëzve që kalojnë andej i jep këshilla për rrugën që duhet të ndjekin. I pari të thotë se ekziston një “Zot” i cili të kërkon të luftosh kundër çdo njeriu që nuk beson dhe as nuk mendon si ty derisa t’i zhdukësh apo t’i sundosh ata. Ndërsa i dyti të thotë gjithashtu se ekziston një Zot që të do, dhe kërkon nga ty t’i duash të tjerët si veten tënde, madje të lutesh edhe për shpëtimin e atyre që nuk sillen mirë ndaj teje dhe të urrejnë ty. Ky i dyti të kërkon të jesh i pastër, i drejtë, i mëshirshëm dhe i shenjtë ashtu siç është Ati yt. Cilën rrugë do të zgjidhje? Ndoshta do të mendoje se duhet të ketë edhe një rrugë të mesme. Fatkeqësisht nuk ka rrugë të mesme midis të mirës dhe të keqes, gënjeshtrës dhe të vërtetës, lirisë dhe skllavërisë, dashurisë dhe urrejtjes, vdekjes dhe jetës.

Betejat shpirtërore

Shumë njerëz nuk e kanë të qartë se kjo është një beteje shpirtërore. Kjo është një luftë shpirtërore dhe ti nuk mund ta fitosh dot me forcat e tua, pa mburojën hyjnore. Nëse një njeri vuan nga verbëria shpirtërore, pra është i verbër, ky njeri nuk mund të udhëheqë të tjerë sepse nëse një i verbër udhëheq një tjetër të verbër, të dy do të përfundojnë në gropë. Pra zgjedhja është në dorën tënde. Ose do të jesh bekim ose do të jesh mallkim për të tjerët. Ka shumë njerëz, politikanë, shkrimtarë apo psikologë që pothuajse çdo ditë paraqesin platforma kombëtare për mbrojtjen e vendit apo shoqërisë, por akoma nuk e kuptojnë se vendi mund të mbrohet vetëm me Fjalën e Ungjillit. Djalli e urren Ungjillin, Lajmin e Mirë. Kjo nuk është luftë numrash dhe statistikash, dhe as luftë kundër mishit por kundër forcave të errësirës, thotë apostulli Pal. Ungjilli është mburoja jote shpirtërore. Fjala e Zotit duhet të bëhet ushqimi yt i përditshëm shpirtëror.

Shumë njerëz e dijnë mirë se cilat ishin veprimet e para që bëri diktatura komuniste satanike në Shqipëri kur erdhi në pushtet. Apo mos vallë e keni harruar! Ajo u përpoq të fikte përfundimisht edhe atë dritë të vogël që u kishte mbetur njerëzve në shpirt, dhe në vend të saj të krijonte “njeriun e ri.” Ky “njeri i ri” duhet të ishte një qenie robotike, pa shpirt, dhe të mos besonte në Zot, pra të mohonte edhe ekzistencën e Zotit. Goditja e parë u bë ndaj pakicës së krishterë katolike dhe jo ndaj shumicës. Goditja e parë u bë ndaj komunitetit të krishterë. Ajo bashkësi e vogël e priftërinjsh që kishin mbijetuar pas shekujsh tallazesh historike, u godit pa mëshirë. Intelektualët e mirëfilltë që ishin ushqyer më kulturën perëndimore dhe kishin studjuar në shkollat e krishtera u eliminuan pa mëshirë. Ky grup njerëzish që mishëronin shpresën e ringjalljes u goditën qëllimisht që kombi ynë të mos kishte ringjallje.

Vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij. Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit, sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore. Prandaj merreni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të mbeteni më këmbë pasi të keni kryer çdo gjë. Qëndroni, pra, të fortë, duke patur në ijë brezin e së vërtetës, të veshur me parzmoren e drejtësisë, dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes, mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut. Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë,  (Efesianëve 6:10-17)

Shpëtimi i vetëm për popullin shqiptar

Zemra dhe shpirti i shqiptarëve është ndotur dhe errësuar shumë. Vetëm prania dhe dashuria e Krishtit në jetët tona mund ta ripërtërijë qenien tonë. Vetëm Ai mund ta shpëtojë, rigjenerojë, dhe pastrojë popullin tonë nga gjithë ajo errësirë e brendshme e cila ka pllakosur mbi tokën e arbrit për 6 shekuj.

Populli ynë duhet të kthehet në rrënjët e tij të krishtera, në dlirësinë e tij shpirtërore me të cilën të parët tanë, ilirët, e pritën apostullin Pal, ndërsa ai kaloi nëpër tokën e shenjtë të Ilirisë, duke predikuar mesazhin e shpëtimit dhe të dashurisë. Ilirët e përqafuan me gjithë zemër atë mesazh, siç duhet ta përqafojë sot përsëri pas 2000 vitesh çdo shqiptar që dëshiron të eci në shtegun e dashurisë, dhe të shikojë brezin e sotëm dhe brezat e ardhshëm të lirë nga vargonjtë e skllavërisë shpirtërore. Të ndjekësh Krishtin është vendimi më i rëndësishëm i jetës së çdo njeriu. Shqiptarët e kanë humbur drejtimin dhe vetëm Jezusi mund ta ndriçojë rrugën e tyre.

Kur ke Krishtin në zemrën tënde do t’i duash njerëzit më shumë, do t’i trajtosh me drejtësi dhe dashuri, nuk do shohësh ngjyrat, gjinitë dhe religjionet e tyre, sepse njeriu është krijuar nga Krijuesi. Shpirti yt do të ndihet më i çliruar. Kur të ngrihesh çdo ditë në mëngjes nuk do të mendosh sesi t’ia hedhësh të tjerëve apo si t’i mashtrosh për të fituar ndoshta ca më tepër, por si mund t’i ndihmosh ata. Perdja e errësirës rreth teje do të shqyhet dhe t’i do të shohësh dritën hyjnore, ajo Dritë përpara të Cilës errësira dhe e keqja dridhet dhe shkërmoqet. Ajo Dritë quhet Drita e Jetës dhe e Ringjalljes.

Dashuria e Zotit pastron, rigjeneron dhe shëron. Dashurinë që Zoti derdh mbi ty, t’i gjithashtu duhet ta derdhësh mbi të tjerët duke u bërë përcjellës i dashurisë hyjnore. Çdo njeri duhet të ketë një mision, dhe me Krishtin ti do ta zbulosh misionin tënd. Duke ecur çdo ditë në praninë e Zotit, ti bëhesh përcjellës i dritës, paqes dhe dashurisë.

Duke i pasur këto premtime, miq të dashur, le ta pastrojmë veten nga çdo gjë që ndot trupin dhe shpirtin, duke përsosur shenjtërinë tonë në nderim të thellë ndaj Perëndisë. (2 Korintasve 7:1)

Lutja ime për ju që do e lexoni këtë shkrim është që Zoti t’ju udhëheqë të filloni një udhëtim të ri në jetën tuaj. Është koha që edhe ju të jepni kontributin tuaj për përhapjen e dritës. Në momentin që ti ia dorëzon timonin e jetës tënde Jezus Krishtit, duke e bërë Atë Shpëtimtarin dhe Udhërrëfyesin e jetës tënde, ti i ke dhënë jetës tënde një drejtim të ri, duke bërë hapat e parë në Mbretërinë e Dritës dhe të Dashurisë. Ky është vendimi më i rëndësishëm që do marrësh në jetën tënde.

Nëse ke vendosur me gjithë zemër të bësh Krishtin, Zot dhe Shpëtimtar të jetës tënde, ulu në gjunjë, dhe me besim, me gjithë fuqinë e mendjes dhe shpirtit tend bëje lutjen e mëposhtme:

Atë qiellor, Zot i gjithëpushtetshëm. Ta dorëzoj jetën Ty dhe Të kërkoj falje për mëkatet e mia. Unë e pranoj Jezusin si Zotin dhe Shpëtimtarin tim. Unë Besoj se Ai vdiq në Kryq në vendin tim duke marrë ndëshkimin që unë meritoja. Unë besoj me gjithë zemër që Ti e ringjalle Jezusin prej së vdekuri dhe Ai është i gjallë sot. Pastroje zemrën time dhe bëje të dlirë. Më udhëhiq dhe më ndihmo që të sjellë fryt në çdo vepër të mirë duke u rritur në njohjen Tënde, o Perëndi i Shenjtë. Në Emrin e Jezusit. Amen

Nëse ke bërë lutjen e mësipërme, ti je bërë pjesë e familjes hyjnore. Zoti të ka adoptuar si birin e Tij nëpërmjet gjakut të shenjtë të Jezusit. Zoti është besnik. “Lum ata që janë ftuar në sofrën Qengjit” (Libri i Zbulesës 19:9)

“Ja, tani është koha e favorit të Zotit, tani është dita e shpëtimit.”  (2 Korintasve 6:2)

“Sot nëse e dëgjoni zërin e Perëndisë, mos i ngurtësoni zemrat tuaja.” (Hebrenjve 4:7)

“Do ta njihni të Vertetën dhe e Vërteta do t’ju bëjë të lirë.” (Gjoni 8:12)

“Atë që Biri e bën të lirë, është vërtet i lirë.” (Gjoni 8:36)

Ai që shpëton (këngë)




(Vota: 29 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: