Mehmetaj: Xhamitë - bunkerë ku kultivohet errësirë
| E Enjte, 29.12.2016, 04:31 PM |

Xhamitë - bunkerë ku kultivohet prapambeturi e errësirë

Brenga e atyre që përpiqen të ndalojnë festimin e Krishtlindjeve e Vitit të ri, predikohet nëpër xhami, ndërsa u referohet grave e vajzave me shami të zeza arabe a shami lara-lara anadollake që i bënë këto ditë homazhe bredhit të Krishtlindjeve e zbukurimeve të Vitit të Ri, në Prishtinë e qytete tjera shqiptare.

Nga Gani MEHMETAJ

"Ti je mysliman, mos festo "festat e fundviti", është parulla që ka gdhirë në disa mjedise të Shkupit. Një grusht analfabetësh me mendësi të mesjetës së hershme arabe, që nuk e kuptojnë se koha e tyre ka perënduar, madje koha e tyre nuk ka qenë kurrë, përpiqen ta ndalin historinë e ta luftojnë qytetërimin si Don Kishoti që u sulej mullinjve të erës. Ata janë fatkeqësia e vetes dhe e shqiptarëve, ata janë në shërbim të djallit e të armiqve tonë historikë, ata për pak dinarë serb, lira turke e lira arabe janë në gjendje të shesin çdo gjë që është e shenjtë për shqiptarët, ata kanë çrregullime në tru, nëse e besojnë atë që e kanë shpërndarë, sepse shkruar e ka dikush tjetër, më i djallëzuar e më i mençur se ata. Ai e di qëllimin, por ata nuk e dinë. Ata janë vetëm mushka që bartin plehra.

"Myslimanët nuk i festojnë festat e kaurit" predikohet më shumë se dhjetë vjet nëpër shumicën e xhamive të Kosovës, të ndërtuara e rindërtuara nga Turqia anadollake e shtetet e mendësisë mesjetare arabe. Në Shkup e kam dëgjuar qysh me 1992 nga një miku im që tregonte se si hoxha i lagjes së shqiptarëve i kërcënonte besimtarët se po e festuan Vitin e Ri zjarri i "xhehnemit" do t'i djeg. Të njëjtin kërcënim e thonë edhe hoxhallarët në Kosovë nëpër xhami, në portale elektronike e në rrjete sociale. Ata jo vetëm që kërcënojnë besimtarët e vet, por nxisin urrejtje fetare e përpiqen të nxisin luftë vëllavrasëse, sepse shqiptarin e besimit tjetër, apo shqiptarin që nuk i bëhet vonë për fenë i paraqesin armiq. Kush nuk është primitiv si ata, është armik.

Pjesë e madhe e hoxhallarëve pjellin armiq nga mangët, sepse vetëm kështu mund t'i mbajnë nën fre besimtarët tru shpërlarë, vetëm në atë mënyrë mund të jetojnë mbi kurrizin e tyre. Ndalesat e frikësimet janë motoja kryesore e predikimeve. Zotin e kanë bërë mjet frikësues, që t’i mbajnë nën fre besimtarët e dëgjueshëm si delet.

Me moton mos festoni Krishtlindjet e Vitin e Ri, vërehet shqetësimi i mercenarëve të Kosovës e të Maqedonisë që lakmojnë paranë e huaj, sepse shumica dërmuese e shqiptarëve nuk e përfillin këtë marrëzi, nuk duan t'ia dinë për kërcënimin. Sivjet festuan si kurrë më parë Krishtlindjet të gjithë shqiptarët. Nuk mund të kaloje nëpër sheshin kryesor nga turmat e të rinjve, po edhe të moshave të tjera. Po ata shqiptarë po bëhen gati ta festojnë edhe Vitin e Ri. Prishtina me zbukurime e festime nuk dallonte nga kryeqytetet evropiane. Prishtina u dha grusht myslimanëve që i ka shkel koha.

Por, shqetësimi i islamikëve është aq më i madh, kur vërejnë se edhe gratë e vajzat më shami të zezë arabe në kokë i gëzoheshin bredhit të Krishtlindjeve, në Sheshin "Nëna Terezë", duke i bërë homazhe dhjetëra herë në ditë e mbrëmjeve romantike, duke iu mrekulluar zbukurimeve të qytetit për Krishtlindje e për Vitin e Ri. Dilni në Sheshin "Nëna Terezë" të Prishtinës dhe do të shihni gra e vajza më shami të zeza si asnjëherë tjetër. Bredhi i Krishtlindjeve e zbukurimet e Vitit të ri i joshin veçanërisht.

Prandaj, këtu nxjerr krye zemër plasja e islamikëve më parullën "Ti je mysliman, mos festo..." , kur shohin se edhe lloji i tyre u gëzohet dritave farfuritëse të kryeqytetit për Krishtlindje e Vitin e Ri, prandaj islamikët me zemër plasje përpiqen që së paku t'i bindin gratë e vajzat më shami të zeza e shami lara-lara anadollake të mos festojnë, ose të paktën të mos shëtisin aq shpesh nëpër Sheshin “Nena Terezë” këto ditë festash. Nuk janë të pakët as burrat e majmur me mjekra vehabiste që i kënaqen bredhave e zbukurimeve. Janë njerëz edhe ata, nuk janë beduin që t'u gëzohen rërës së shkretëtirave e gamileve (deveve).

Kjo mendësi e përpjekje për ndalim të festave-Krishtlindjeve e Vitit të Ri është kultivuar nëpër xhami, ndërsa xhamitë janë shndërruar në bunkerë që duan ta pengojnë qytetërimin, ta ndalin historinë, të izolojnë shqiptarin nga bota, ashtu sikurse bënë bunkerët e Enver Hoxhës që u ndërtuan jo të pengojnë futjen e armikut brenda, po të pengojnë depërtimin e qytetërimit evropian e lirinë brenda. Xhamitë bunkerë kultivojnë paranojën ndaj qytetërimit evropian, ndaj “kaurit”, ndaj çdo gjëje të mirë, ndërsa e nxisin frikën ndaj lirisë e demokracisë, duke u përpjekur të kultivojnë errësirë e prapambeturi.

Bunkerët e Enverit krijuan shumë andralla, e ndalën Shqipërinë gati pesëdhjetë vjet, por përfunduan për faqe të zezë. Xhamitë- bunkerë këtë fat do ta pësojnë, megjithëse një çmim të xhamive - bunkerë do ta paguajmë dhe po e paguajmë.



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: