Starton Liga Superiore, Partizani në krye të tabelës
| E Hene, 25.08.2008, 04:13 PM |

Futbollistet e Partizanit festojne fitoren
Vllaznia - Tirana ndahen barazim. Kampionët, nisje e gabuar

Kampionati shqiptar i futbollit ka ngritur më në fund siparin me javën e parë të edicionit futbollistik 2008-2009. Dhe që në ditën e parë nuk kanë munguar surprizat, ku mund të veçohen fitoret në transfertë të Partizanit dhe të Flamurtarit, por edhe goleada e Peqinit, ku Shkumbini ka shkatërruar Bylisin. Gjithsesi, bollëku i golave ka munguar: dje janë shënuar vetëm 7 të tillë, nga 13 që u shënuan në javën e parë të sezonit të kaluar.

Lushnja - Partizani 0-1

Partizani ka befasuar Lushnjën në ndeshjen e mirëseardhjes së saj në Superligë. Të kuqtë, me një skuadër që ende nuk e ka marrë veten nga kaosi pas problemeve financiare, kanë mundur të triumfojnë me rezultatin 0-1 para syve të tifozerisë lushnjare. Golin e vetëm e shënoi Karapici në 63‘. Loja nuk u ngjit në nivelin e kërkuar.

Besa - Flamurtari 0-1

Një surprizë të hidhur i ka rezervuar edhe Flamurtari skuadrës vendase të Besës, të cilën e ka mundur 1-0. Në përballjen mes tyre është zhvilluar një lojë thuajse e barabartë, por në fund fati u ka buzëqeshur vlonjatëve. Në 80‘ ka shënuar Çaushaj (karton i kuq në 84‘), pas një gabimi fatal të mesfushës së kavajasve.

Shkumbini - Bylis 4-1

Një goeladë e vërtetë ka qenë ndeshja Shkumbini-Bylis, ku edhe është fiksuar goli i parë i sezonit 2008-2009. Vendasit kanë triumfuar falë golave të Norës (51‘ me rafishatë), Shenaj (70‘ goditje nga distanca), Ramazani (83‘ gabimi i Egbo) dhe Mustafaj (88‘). Në të 91-ën, golin e nderit për ballshiotët e ka shënuar Nenaj.

Dinamo - Teuta 0-0

Zhgënjen Dinamo, e cila e përkufizuar si pretendentja kryesore me titullin kampion nuk ka mundur të shkojë më tej se një barazim 0-0 ndaj Teutës. Ndeshja ka qenë nën nivelin e pritur. Kampionët e kanë provuar me të gjitha mënyrat për të arritur te goli, por ka qenë e pamundur. Edhe Teuta ka pasur rastet e saj të pashfrytëzuara.

Elbasani - Apolonia 0-0

Elbasani nuk e nis mirë sezonin. Një barazim 0-0 ndaj Apolonisë, ka lënë të zhgënjyer tifozët e shumtë që ishin në shkallët e stadiumit. Ata kanë kontestuar nivelin e lojës me fërshëllima, për të arritur deri në minutat e fundit, ku edhe kanë filluar të boshatisin shkallët të irrituar. Kësaj ndeshjeje rastet nuk i kanë munguar.

Superndeshja

Një atmosferë e zjarrtë e "Loro Boriçit" shoqërohet me një lojë të kënaqshme

Vllaznia e Tirana, emocione e raste, por mungojnë golat

Një ceremoni festive, e ndezur nga fishekzjarrët, por edhe nga këngët e Bujar Qamilit dhe Mukades Çangas, ka paraprirë sfidat më të rëndësishme të javës së parë të edicionit 2008-2009. Në fushë nuk kanë zbritur të larguarit për te turqit Haxhitepes, Admir Teli, Xhevahir Sukaj dhe Gilman Lika, por ishte rikthyer golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar, Vioresin Sinani, i cili ka luajtur që nga minuta e parë. Ndërsa Tirana është kundërpërgjigjur me më të mirët e saj në dispozicion, ku kishte ndërthurur edhe dy lojtarët e Kombëtares, Andi Lila dhe Ansi Agolli. Atmosferë e gëzueshme dhe entuziazëm i madh kanë shoqëruar këtë sfidë që nga minutat e para. Kësaj atmosfere i është përgjigjur edhe niveli i lojës së këtyre dy skuadrave, të cilat nga minuta e parë deri në të fundit kanë shpalosur më të mirën e arsenalit të tyre, por gjithsesi fërshëllima tri herëshe e gjyqtarit Kridens Meta i ka ndarë në paqe. Rezultati i barabartë 0-0 ka qenë verdikti i duelit më interesant të javës. Ndoshta një gol do ta zbukuronte edhe më shumë këtë takim. Por asnjëra nga të dyja skuadrat nuk meritonte të humbiste, kjo për hir të asaj që demonstruan në fushën e lojës. Që në minutat e para shkodranët e zhvendosën lojën në gjysmëfushën e Tiranës, duke iu afruar disa herë golit. Tifozeria, që kishte mbushur shkallët e stadiumit, ka reaguar shpesh ndaj vendimeve të gjyqtarit tiranas, Kridens Metaj, të kontestuar që në momentin e përzgjedhjes së tij për të drejtuar këtë ndeshje. Megjithatë, vendimet e tij nuk kanë ndikuar në lojën e dy skuadrave. Një nga më të mirët në fushë për shkodranët ka qenë korçari Paulin Dhëmbi, i ardhur vetëm pak ditë më parë nga Partizani. Ai ka qenë protagonist i disa rasteve për Vllazninë, ka këmbëngulur më shumë për golin e avantazhit. Por në të gjitha rastet e tij ka qenë portieri Nallbani, i cili me ndërhyrjet e tij është shndërruar në shpëtimtarin e Tiranës. Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 0-0. Ndërsa e dyta ka nisur e shpejtë për shkodranët, të cilët provojnë dy herë me Dhëmbin brenda një minute, por sërish Nallbani i mohon golin. Trajnerët bëjnë ndërrimet, duke kërkuar të ndryshojnë edhe rrjedhën e lojës, që po shkonte drejt barazimit. Por ka qenë e pamundur edhe pas rasteve të Daniel Xhafës, që nuk mundi të devijonte një top me portën bosh, apo dhe ai i Ilir Nallbanit, kur topi i gjuajtur prej tij kalon ngjitur me shtyllën pingule të bardhebluve. Në fund Vllaznia dhe Tirana kanë ndarë nga një pikë.

Superliga

Rezultatet

Vllaznia - Tirana 0-0

Elbasani - Apolonia 0-0

Lushnja - Partizani 0-1
Karapici 63‘

Dinamo - Teuta 0-0

Besa - Flamurtari 0-1
Caushaj 80‘

Shkumbini - Bylis 4-1
Nora 51‘, Shenaj 70‘, Ramazani 83‘, Mustafaj 88‘ / Nenaj 91‘

Renditja

N P

Shkumbini 1 3
Partizani 1 3
Flamurtari 1 3
Vllaznia 1 1
Tirana 1 1
Elbasani 1 1
Apolonia 1 1
Dinamo 1 1
Teuta 1 1
Lushnja 1 0
Besa 1 0
Bylis 1 0


G. Shqip

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: