Gani Mehmetaj: Akrepat e apokalipsit
| E Shtune, 24.12.2016, 08:19 AM |

Akrepat e apokalipsit

(Rrëfimi nga bodrumi)

Nga Gani MEHMETAJ

Profecia po realizohej, karkalecat e apokalipsit, akrepat me parzmore, djajtë bishtpërdredhur, që hidhnin topa zjarri, futeshin nëpër banesa e shtëpi, në bodrume e strehimore. Digjnin e vrisnin, bënin kërdinë, përgjysmonin banorët, shkretonin qytetin. Kështu e shpjegon banori i bodrumit që i kaloi tetëdhjetë ditë në hapësirën që ia zinte frymën, por që ia ruajti kokën. Nuk ishte i vetëm, nga kujdesi i tij vareshin të tjerët. Ata po ia vidhnin orët e ditët vdekjes, luanin cicmic me Shën Gabrielin, kalonin nëpër tehun e shpatës, të tjerët ecnin këmbëzbathur nëpër prushin gaca ndezur.

Kufiri në mes të jetës e vdekjes ishte një fije peri. Fshiheshin në furrikun e vet, në bodrume, në lagje të braktisura, bridhnin pa bari e pa busull nëpër male e gërxhe. Ata që shpëtonin, shpëtuan, sepse fati i përkëdhelte, ndryshe do t'i qëllonin me nga një breshëri plumbash për argëtimin e policëve, për plotësimin e normës ditore, duke i lënë shakull në tokë afër një vije uji, një hendeku apo në midis të rrugës, përderisa kolona i shmangej shtatit ende të ngrohtë të fatkeqit që e vranë.

Kufiri në mes të jetës e vdekjes ishte aq i padukshëm. Duke iu ekspozuar çdo ditë vdekjes, nuk e hetonin kur ishin aq afër botës së përtejme dhe kur shpëtuan për një fije peri. Të gjithë nuk ishin me fat. Klithmat e mbushnin natën e qetë pas shkrepjes së breshërisë së plumbave. Dikujt i shuhej ylli i jetës, ndërsa yjet binin njëri pas tjetrit në netët e kthjellëta.

Ç'bëhet me shpirtin kur shkëputet nga trupi? Ç'bëhet më trupin kur e braktis shpirti?  Në cilat kuadrate qiellore fshihet shpirti jolëndësor? A e ndien vetminë e braktisjes shpirti pasi ta ketë tradhtuar trupin? Temat e tilla u bënë preokupim te të rriturit nëpër shumë familje, sepse vdekja u rrinte aq pranë, ndërsa s'kishin asnjë mundësi t'i shmangeshin, por i ruheshin së keqes. Banorët e ngujuar rrallë kishin menduar më parë për gjëra të këtilla, më parë luftonin për të mbijetuar, sepse çdo ditë përballeshin me mungesa të shumta të gjërave elementare, ballafaqoheshin me armikun mujshar, që godiste në lagje, katunde e qytete. Goditjet e njësive policore ishin me pasoja, prandaj mblidheshin kruspull, ose luftonin që të mos binin pre e këtyre goditjeve. Kësaj here situata u përshkallëzua, lufta u shpall, prandaj viktimat prisnin të kruspullosura nëpër apartamente, bodrume, furriqe dhe në rrugën e madhe, në kolona të pafundme.

Besmir Drini ende i kujtonte klithmat rrëqethëse të dy kalamajve natën e dytë pas bombardimeve. Gruaja lëshoi një zë të çjerrë, të ngufatur, duke u përpëlitur në përpjekje me policët. Asgjë nuk pipëtinte në tërë pallatin. Në bodrum rrinim të shushatur e të frikësuar, qetësia e pastajme ua cingëronte nervat. Klithma e kalamajve dhe zëri i çjerrë i gruas u dëgjuan jo shumë kohë pasi u shuan zhurmat zukatëse të aeroplanëve bombardues me fishkëllimat shpërthyese të bombave që godisnin cakun.

Para se të  nisnin bastisjet, patrullat e policisë u derdhën në rrugë si djajtë bishtpërdredhur. Të egërsuar u futën nëpër shtëpi e apartamente, i rrapëllonin e i thyenin dyert, çirreshin në kupë të qiellit. Dhe i nxirrnin njerëzit në rrugë. Patrulla u fut edhe në shkallën, ku fshihej familja e Besmirit. "Mbaruam! Na kapën!" ia përshkoi trurin alarmi. Të tjerët përpiqeshin ta shikonin në bebëza të syrit, duke ia kërkuar përgjigjen për këtë të papritur. Sikur e hetonin ka apo jo frikë, është në rrezik për ta kjo bastisje, apo do të kalojë. Lëvizjet në bodrum pushuan, frymëmarrja e shpeshtuar e banorëve ngulfatej nga frika se mos dëgjohej në korridore. Prisnin kur do të trokisnin në derën, prapa së cilës u bëhej se dikush përgjonte, megjithëse bodrumi ishte i shmangur, vështirë binte në sy. Pastaj ata nisën ta matnin kohën, përgjonin hapat kur do të afroheshin para derës, llogarisnin sa do ta përballonte dera e hekurt sulmin e furishëm të patrullës policore a të rezervistëve, sepse nuk e shihnin cilit formacion i takonin  ata që u futën me furi në hyrjen e pallatit të tyre. Dyert e hekurta mund ta përballonin ndonjë orë sulmin, sikur ata të gjenin ndërkohë rrugën e shpëtimit. Mirëpo nuk e shihnin asnjë rrugëdalje se si mund të  iknin po e shpërtheu policia derën e hekurt. T’ia mbathnin nga dritarja e ngushtë që dilte në trotuar, asnjërin nga banorët e bodrumit nuk e zinte ajo dritare qorre. Do t'i kapnin si minjtë në çark.

Zhurma e klithmat vinin nga korridori, përderisa ata shushateshin pa guxuar as të shihnim, as të përgjonim. Në këtë rrëmujë fëmijëve ua mbyllën veshët për t'i kursyer nga tmerret e klithmat. Policët nuk u ndalën para derës së bodrumit, nuk u ndalën as në sheshpushimin e katit të parë, u ngjitën shkallëve me vërtik si t’i ndiqte dikush prapa. Të gjithë e dëgjuan kur e nxorën me bagllamë derën e dikujt disa kate më lart. Pastaj klithmat e dy kalamajve u përhapën në tërë godinën. Gruaja lëshoi një zë të mbytur. Fëmijët klithën të tmerruar. Dera nga vinin klithmat pasi e shkallmuan me zhurmë sigurisht rrinte e hapur, sepse dëgjohej çdo gjë nga brenda: përleshjet, britmat e policëve të kafshëruar, thyerja e orendive. Fëmijët e dy familjeve nga bodrumi që nisën të shqetësoheshin me sytë e bebëzave të zmadhuara, ua mbyllën gojën me dorë, të tjerëve ua bënë me shenja të heshtnin. Ata e morën mesazhin, nuk hapën gojë as nuk pyetën. Heshtja në pritje i tmerronte. Nora e Besmirit e njihte fatkeqen që lëshoi klithma trishtuese, ishin fqinje të të njëjtit kat. E sulmuan gruan e pambrojtje.

Norës shtatzënë sytë iu rrëmbushën, u kruspullos në shtratin e saj dhe mbylli veshët. Nuk donte të dëgjonte më. Dridhej. E njihte mjeken, kishin pirë kafe te njëra-tjetra. Burri ende nuk i erdhi nga qyteti i lindjes, ku e varrosi të atin.

Hapat e policëve u dëgjuan prapë në të kthyer.  Kësaj here ecnin gati tinëzisht. Nga mënyra e zhurmës nëpër shkallë sikur bartnin trupa njerëzish, gjësende shtëpiake, apo të dyja bashkë. Diçka tërhiqnin zvarrë nëpër shkallë. Policët dolën duke e lënë derën e hyrjes kryesore të hapur, apo mbase e hapur ishte qëkur u futën brenda me rrapëllimë.

Edhe shumë kohë pasi ikën policët a rezervistët nuk e biseduan rrëmujën që u krijua disa kate më lart, e dinin që gruaja me dy kalamaj e pësoi, me çfarë pasojash nuk donin ta mendonin. Përpiqeshin të mos e kujtonin as më shumë detaje, nuk e biseduan asnjëherë këtë shpërthim dyersh, nuk donim ta kujtonim as klithmën e kalamajve që i rrëqethi të gjithë. Kohë më vonë u paraqitej në ëndrra skena e lemerishme, të cilën e përfytyronim, sepse nuk e pamë, por nga zërat krijuam tërësinë e ngjarjes, sa shumë ua kujtonte pafuqinë e tyre.

Besmir Drinit i mbeti peng pse s'pati guximin ta ndihmonte, megjithëse asnjëherë nuk e shkoi nëpër mend aktin heroik të shpëtimit të gruas, kishte hallin e familjes me kalamaj që rrinin të shushatur e përgjonin si lepuri gjahtarin. Mjekja fatkeqe i dilte para sysh nga takimet e rastësishme në rrugë, në shkallë, në apartamentin e saj kur i qerasi me kafe, apo kur ata ia dërgonin kalamajtë në ambulancë.

Mbetën me frikën e tyre. Qetësinë nuk e prishi asgjë deri në mëngjes. Në bodrumin e improvizuar nga dëgjoheshin të gjitha zhurmat, u vendosën tri familje, dy ditë para nisjes së bombardimeve.  Rregulluan disi një kuzhinë të vogël, dhoma tjetër ishte pak më e gjerë me qilarë për gjëra ushqimore, të ndarë me beze të tejdukshme. Në kuzhinë flinte Besmir Drini me gruan shtatzënë e dy fëmijë, të gjithë të shtrirë në dysheme. Dy pleqtë e tij flinin tutje, në një kënd të dhomës, përderisa sipër u rrinin gypat e ujësjellësit e kanalizimit, që përcillnin çdo shkarkim ujërash të tualetit nga apartamentet sipër. Hapësira nuk mjaftonte për një familje, ndërsa tri familjeve të ngjeshura pranë njëra- tjetrës u zihej fryma.

(Fragment nga romani " Boritë e Apokalipsut", i cili sw shpejti do tw del nga shtypi).



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: