Aldo Bare, bemat 10 vjecare te bandes se Lushnjes
| E Hene, 25.08.2008, 02:47 PM |

Nga Bujar Hoxha

 

"Krimi dhe antikrimi, historia e bandave kriminale", është libri i oficerit të policisë, Bujar Hoxha ku rrëfehen ngjarjet më të bujshme të historisë së krimit në Shqipëri. Sot, "Gazeta Shqiptare" po boton kapitullin e librit ku flitet për bandat e Lushnjes, përplasjen e egër mes grupimit të Fred Shkurtit (alias Aldo Bare) dhe Tur Dajës e cila përfundoi me vrasjen makabër të këtij të fundit. Hoxha tregon se si zona ku vepronte Aldo Bare cilësohej si "komisariati nr. 2" i policisë në Lushnje. Mbretërimi i tij në qytet zgjati për gati 10 vjet, deri në vitin 2006 ku u godit dhe koka e bandës. Përpos kronologjisë së ngjarjeve, Hoxha ngre pyetjen interesante se si ka mundësi që një grupim kriminal arriti të veprojë për 10 vjet pa u prekur nga shteti. Ishte pafuqi e autoriteteve apo implikim i strukturave të policisë? Kjo pyetje ndoshta do të mbetet përgjithmonë pa përgjigje.
 

Në qytetin e Lushnjes gjëndja e kriminalitetit paraqitet tepër e rënduar. Që në mua jin mars 1997 dhe deri tani krimi jo vetëm nuk ka pushuar, por ka marrë përmasa të mëdha dhe është bërë i organizuar. Banorët e këtij qyteti janë teje të terrorizuar nga skenat makabre që kanë parë dhe dëgjojnë, policia është inferiore ndaj krimit dhe nuk ka inisiativën për ta mposhtur atë. Qytetari lushnjar në asnjë moment nuk ndihet i sigurtë dhe nuk ka besim tek policia. Autoritet të plotë tani kanë organizatat kriminale. Sfida që ata i bëjnë shtetit është e hapur, kryejnë vrasje të hapura, bëjnë demonstrime armësh dhe mjetesh,djegin banesa, hedhin eksploziv në to, gjuajnë me antitank automjetet, presin koka njerëzish dhe ato i ekspozojnë në qytet, u bëjnë presion njerëzve të drejtësisë dhe policisë. Duke kryer këto veprime, të gjitha organet e drejtësisë i janë nënshtruar krimit. Asnjë material në ngarkim të tyre nuk guxon të shkruhet, asnjë person, institucion apo organizëm nuk merret me ta. Pra, gjithçka ata e kanë nënshtruar dhe janë bërë sundues. Punonjësit e policisë janë tepër të terrorizuar dhe nuk guxojnë të flasin dhe me njerëzit më të afërt. Gjithë ky terror dhe krim e ka zanafillën në konfliktin që ka ndodhur ndërmjet dy grupeve rivale: Fredi Idajet Shkurti dhe Artur Ahmet Daja.
 Me këtë relacion alarmant, nje punonjës policie (ndoshta dhe shef) i drejtohet aparatit qëndror.dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Frika e tij shkon deri aty sa nuk identifikohet dhe relacioni eshte i pa protokolluar nga Komisariati i policisë Lushnje.
 

KUSH JANE TUR DAJA DHE FRED SHKURTI


 Fredi Idajet Shkurti, i njohur dhe me emrin e ndryshuar Aldo Sotir Bare është banor i qytetit të Lushnje. Banesa e tij ndodhet ngjitur me Komisariatin e policisë Lushnje. Deri në vitin 1992 ka qenë polic në repartin e ndërhyrjes së shpejtë në Durrës. Në vitin 1993 është larguar për në Greqi, për shkak se ka qenë i dyshuar në vrasjen e një shtetasi në këtë qytet, por që nuk u arrit të provohej ligjërisht. Më pas kalon në Itali, deri në vitin 1997, kohë në të cilën kthehet në Lushnje. Momenti i trazirave dhe konflikti me kundërshtarin e tij, Artur Daja, e bën të organizohet dhe banesa e tij me ambientet përreth marrin emrin "Komisariati Nr. 2".
 "Ky njeri është i organizuar dhe ka pushtet te gjithanshëm...Me krimet që ka kryer, ka krijuar mitin e të pamposhturit..." thuhej në relacionin anonim. Arrestimi i tij ishte një prej dhjetëra arrestimeve për krimet e kryera, rast aspak i ekzagjeruar, që kryhen normalisht nga policia që për raste të tilla dhe marrin lavderime. Duhet theksuar se arrestimi i tij do të bëhej një ngjarje me vlera të pallogaritshme. Ai ishte kreu i bandës, i dinte të gjitha ngjarjet, të vraret, varret e tyre etj. Ky njeri do të shfaqej herë pas here edhe në media.
 Deklarimet e tij me përçatjet e një gangsteri maniak krijonin mërzi. Nga ana tjetër, policia arriti të grumbullojë një mal me informacione lidhur me lëvizjet e tij jashtë teritorit shqiptar. Artur Ahmet Daja, i regjistruar në gjendjen civile me emrat Altin e Petro është banorë i qytetit Lushnje, i regjistruar nga policia: person me preçedent kriminal. Në vitin 1994 ka patur konflikt me MP nga fshati Karbunarë e Madhe dhe në pritën e organizuar nga Arturi, vriten tre djem të rinj. Shpallet në kërkim nga policia, ndërkohë ai kalon kufirin dhe qëndron në Itali dhe kthehet në periudhën e trazirave të marsit '97. Edhe ky ishte një rrugac, një kriminel që kishte vrarë njerëz e thyer koka. Ai përfaqësonte prototipin e një gangsteri të vogël që kërkonte të bënte emër në qytetin e Lushnjes. Do të ishte bërë një bandit profesionist, nëse nuk do të përballej me një kundërshtar si Aldo Bare.
 Informacionet e policisë flasin se konflikti mes dy "kapove" kishte lindur herët, para ngjarjeve të "97 - ës. Dyshohet për pazare të prishura në çështjet e trafiqeve, për të cilën Aldo Bare i kërkonte borxhin Artur Dajës duke e kërkuar në të gjithë Italinë. Pikërisht, në ditët e para të qershorit të vitit 1997, Aldo Bare së bashku me vëllain e tij, dhe kusherinjtë e tij Ramadanin, Bardhi dhe Enver Rabinë do të sulmonin nga vetura Artur Dajën dhe lidhjet e tij, të cilët po drekonin në një lokal të lagjes "Kadri Qystri". Nga shkëmbimi i zjarrit, mbetet i plagosur A.Daja dhe vritet shoku i tij Genci Kashari. Në drejtim të veturës, ka lëshuar breshëri automatiku Arturi, duke vrarë Ramadan Shkurtin dhe plagosur rëndë Bardhi Rabinë. Aldo largohet me shpejtësi në këmbë duke marrë në shpinë Enverin e plagosur në faqe dhe shpatull, ndërkohe që kundërshtari e ndiqte me kallashnikov në dorë. Arturi kthehet tek vetura e përplasur tek një makinë tip "Saurel" i merr nga dora pistoletën Bardhit dhe e qëllon në kokë. Njëkohësisht qëllon mbi Ramadanin që ndodhej i shtrirë në sediljen pas shoferit Kjo ngjarje e rëndë do të shërbente si sinjal për beteja të tjera dhe që do të mbante nën terror një qytet të tërë deri në vitin 2005, pikerisht nga grupi kriminal që do të njihej si "Banda e Lushnjes".
 Duke parë rrezikshmërinë e kundërshtarit, Aldo Bare do të planifikonte në detaj planin dhe menjëherë do të niste veprimet hakmarrëse ndaj grupit të Artur Dajës. Goditja e parë do të jepej ndaj Xhevat Demirit, i njohur me nofkën "kosovari". Ditën e ekzekutimit, i ndjekur gjatë gjithë ditës, do t'i zihej pritë në hyrje të qytetit Lushnje, tek kthesa e lokalit "Blerim" dhe në prani të gruas dhe dy fëmijëve do të qëllohej me breshëri automatiku. Në ikje e sipër, njëri nga autorët e këtij krimi, me pistoletë në dorë e qëllon në kokë. Ngjarja do t'i shkaktonte trauma pjestarëve të familjes, veçanërisht, djalit trevjeçar që vazhdon të vuajë pasojat epileptike të sëmundjes.
 Ngjarjet do të pasonin njëra-tjetrën. Bilançi do të numëronte rreth njëzetepesë të vrarë apo zhdukur, disa tentativa vrasjeje, dhjetra raste rrëmbimesh dhe torturash brenda dhe jashtë "Komisariatit Nr.2", si dhe vendosje me shumicë të lëndëve shpërthyese ndaj banesave apo objekteve ekonomike të lidhjeve të Artur Dajës. Nga ana tjetër, A.Daja do të qëndronte i fshehur dhe do të sulmonte grupin rival duke vrarë gjashtë pjestarë të "Bandës së Lushnjes" si dhe vendosje lëndë shpërthyese në disa shtëpia të kundërshtarëve të tyre. Artur Daja e kishte kuptuar rrezikun dhe pas vrasjes së shokut të tij, "kosovarit" organizoi planin për goditjen e grupit kundërshtar duke menduar se do t'i lante një herë e mirë hesapet me Aldo Barën. Për të nderuar shokun e vet të vrarë, Tur Daja do të betohej se do t'i merrte hakun, por jo në këtë mënyrë, që do të thoshte se po përgatitej të zgjeronte skenën e hakmarrjes. Atë verë, Artur Daja kërkonte të gjente një mënyrë që t'i bënte kundërshtarët të harronin se me kë kishin të bënin. Mënyra se si do vrisnin Aldon me grupin, do t'ja lente njerit prej pjestarëve që mbahej si mjeshtër i armës.
 Arturi dhe të tjerët do e paguanin shumë shtrenjtë gabimin e shënjestrës së kundratankut. Pasi siguroi informacionin e duhur, me 22.08.1998, bashkë me pjestarët e grupit të tij, në vendin e quajtur kthesa e Shënpremtes të fshatit Sulzotaj, do të qëllojnë me antitank ndaj makinës ku udhëtonin Aldo me njerëzit e tij më të besuar. Pasojat ndaj këtij sulmi ishin të papërfillshme, vetëm dy të plagosur. Fati e deshi që këta persona të udhëtonin me mjetin e blindur, tip furgon, ngjyrë të bardhë, që në ditët në vazhdim do shoqëronte gati të gjitha krimet e kryera ndaj lidhjeve të Artur Dajës. Duke ndjerë rrezikun, Aldo Bare krahas kobures, do të hidhte në veprim planin e ideuar me shumë mund dhe kujdes. Arriti të rekrutojë një person të besuar të Artur Dajës duke e joshur, por dhe falur për "mëkatet". Kështu ndodhi. Artur Daja do të vritej në rrethana misterioze, ndërsa koka do t'i pritej dhe çohej me tepsi shefit të tyre. Më pas koka e tij do të shëtitej në çdo qoshe të qytetit Lushnje duke i dhënë fund rivalitetit banditesk. Skena makabër do të trondiste banorët e këtij qyteti dhe përfundimisht do të instalonin atë që krimi gjithmonë dëshiron: heshtjen. Një deshmitar do të tregonte shumë kohë më pas "Une u ktheva dhe dola jashtë. Disa djem të qytetit po mbanin në dorë një kokë njeriu. Une kalova matanë rrugës dhe ndalova përballë shatërvanit të qytetit dhe po shikoja se cfarë po bëhej. Pashë që keta djem e hodhën kokën në bulevard dhe filluan të luanin me këmbë me njeri tjetrin, tamam siç luajnë fëmijët futboll me porta të vogla. Të gjithë njerëzit e shokuar nga ngjarja u larguan të tmerruar".
 Në 21.10.1998, në vendin e quajtur "Tre Urat e Terbufit" gjendet kufoma e Artur Dajës, pa kokë dhe e coptuar me eksploziv. Duke vepruar në këtë mënyrë, këta kriminelë forconin reputacionin mafioz sepse për ta "Mafia e ka për zemër të bëjë të qartë se nuk lëshon kurrë pe, dhe se i përndjek kundërshtarët viktima edhe atëhere kur janë në varr". "Banda e Lushnjes" nuk do të ndalej. Krahas ekzekutimeve të kundërshtarëve të mbetur, do të drejtonin sulmet kriminale edhe ndaj personave publikë. Veçanërisht, viti 2000 do të evidentonte nga policia nje serial krimesh të rënda. Vritet pranë shtëpisë inspektori i krimeve Klenti Bano; tentohet për të vrarë në pritë, në hyrje të qytetit shefin e Komisariatit; vendoset lëndë deksplozive në banesën e agjentit të krimeve AB si dhe vritet vjehërri i tij etj. Pas dështimit të atentatit ndaj shefit të Komisariatit, ndaj të cilit u lëshuan me qindra predha kallashnikovi, ndërmarrin aksionin terrorist, duke vendosur në hyrje të stadiumit të futbollit një sasi të konsiderueshme eksplozivi me telekomandë, përballë vendit ku shefi i komisariatit parkonte makinën e tij të policisë. Montimi i minës me sahat do të konstatohej rastësisht nga roja i stadiumit. Atë ditë ishte parashikuar të zhvillohej një ndeshje futbolli. Policia shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes dhe në mungesë të ekspertëve të tillë, kërkuan ndihmën e një shtetasi i cili kishte qenë xhenjer në strukturat e ushtrisë. Do të ishte ky person, që kishte montuar minën, i detyruar nga pjestarët e kësaj bande kriminale. I pyetur për këtë problem, RB do të shpjegonte si ishte thirrur ne "Komisariatin 2" kërkesën për të montuar një pushkë snajper dhe një minë me telekomandë. Për ndërtimin e minës, kishte kërkuar një dhënës e marrës të saktë, që ia sollën brenda dy javëve nga Italia. Njëri nga banditët i kërkoi që të bëheshin dy ngarkesa, njëra me telekomandë dhe tjetra manjetike. "Mbas një jave, vjen E.Cici. dhe vendosëm të bënim një provë. Mora një kapsolle elektrike, e instalova dhe vura një kavo plastike mbi kapsollen. U larguam rreth 50 metra, drejtuam antenën e dhënësit nga marrësi (ngarkesa), shtypëm butonin, aparatura funksionoi...Prova doli me sukses...".
 Të gjithë pjestarët e kësaj bande kriminale jetuan në një mjedis të lagur kriminal dhe krimet i justifikonin me preteksin për të mbrojtur qytetin nga krimi dhe kriminelët. Kushdo që i pengonte, përbuzej dhe vritej. Ata e quanin veten garantuesit e ligjit dhe të paprekshëm. "Ata donin para, ata donin pushtet dhe ishin të gatshëm të bënin gjithshka që ishte e mundur në mënyrë që të arrinin qëllimin e tyre". Duke kapur anët e përbashkëta, rezultonte se "Gatishmëria e tyre për të goditur dhe fakti që njerëzit kishin dijeni për brutalitetin e tyre të egër, ishin celësa të pushtetit të tyre, lajmi se ata mund ti merrnin jetën dikujt pa pyetur fare, ironikisht u jepte atyre jetë. Kjo i dallonte nga të tjerët. Ata mund ta bënin atë. Ata e fusnin grykën e pistoletës në gojën e viktimës dhe e vështronin në sy teksa tërhiqnin këmbëzen dhe e zbraznin atë.
 Nëse ata ishin kapërcyer, mohuar, ofenduar, penguar në ndonjë mënyrë, apo thjeshtë zemëruar pak, atëhere, shpagimi ishte kërkuar, dhe violenca ishte përgjigja e tyre. Ekspertët e policise kriminale që kanë punuar për zbulimin dhe goditjen e bandave kriminale në vendin tonë, tërheqin vëmendjen për "Bandën e Lushnjes" duke veçuar se "është një nga organizimet kriminale që i ka bërë karshillëk shtetit...". Në mbështetje të këtij konkluzioni, citohen disa ngjarje, për të cilën ja vlen të shtjellohen dy prej tyre. Gjatë ndjekjes se kësaj bande kriminale, disa ditë para arrestimit të tyre të parë ( flitet për muajin tetor 1998), një specialist i krimeve i ngarkuar për të siguruar prova ligjore, ndalohet para Komisariatit të policisë dhe në prani të shokëve të tyre rrihet barbarisht nga i gjithë grupi kriminal. Askush nga kolegët e tij nuk merrte guximin të ndërhynte dhe ta mbronin nga ky poshtërim. Nuk mjaftohen me kaq. E tërheqin zvarrë dhe me një makinë të rastit e detyrojnë të udhëtojë për në qytetin e lindjes, për të mos u kthyer më kurrë në Lushnje. Goditjet kriminale ndaj oficerëve të policisë, u bënë ritual i zakonshëm per "Bandën e Lushnjes". Vendimet hakmarrëse do të tentoheshin për t'u zbatuar edhe në vitin 2005, ndaj një specialisti të mirënjohur nga kriminelët, me banim në Tiranë. Për realizimin e planit të ekzekutimit, do të viheshin në lëvizje njerëzit më të besuar të bandës, të njohur dhe evidentuar nga policia.. Njëri prej tyre, ishte pikërisht Enver Rabia, personi i plagosur në ngjarjen e parë, ku mbeti i vrarë vëllai i tij, Bardhi Rabia si dhe vëllai i Aldo Bares, Ramadan Shkurti. E.Rabia pas ngjarjes, për të fshehur gjurmët e krimit dhe i porositur nga shefat e tij, do të linte qytetin e lindjes, Lushnje dhe do të sistemohej me gjëndje civile në një lagje të qytetit Fier. Mbas një viti do të ndryshonte vendbanim, do të legalizohej në qytetin e Rubikut dhe njëherësh do të martohej me një vajzë të këtij qyteti. Më pas do merrte emrin e ndryshuar zyrtar Luan Xhukollari dhe bashkë me familjen e krijuar do të vendosej në Greqi. Do kalonte disa vite ilegalisht dhe në muajin shkurt 2005, i thirrur nga "shefat", vjen në Tiranë dhe takohet me disa persona të identifikuar nga policia si lidhje të grupit kriminal "Banda e Lushnjes". Nëpërmjet killerit të njohur me pseudonimin " çibiku " merr eksplozivin e përgatitur dhe në orët e para të mëngjezit, në lagjen "Don Bosko", në shesh pushimin e apartamentit ku mendohej se banonte oficeri i policisë, në dorë i plas sasia e eksplozivit duke e lënë të vdekur në vend.
 Nuk do zgjatemi më tepër për ngjarjen. E citojmë për të treguar specifikën e kësaj bande, e cila edhe mbas shtatë vjetësh kërkonte të hakmerrej ndaj oficerëve të policisë që sipas tyre kishin ndikuar për arrestimin nga organet e drejtësisë. Nga ana tjetër, të kuptojmë organizimin perfekt për realizimin e aktit kriminal të dështuar "rastësisht". Alibia e ndërtuar tregonte përsosmëri në planifikim. Do të thotë se edhe po të zbulohej si ngjarje, autori do të nxirrte alibinë e përgatitur dhe do te ishte gati e pamundur të akuzohej për një krim të tillë. Dështimi i planit ndaj oficerit të policisë nuk do të ndalej. Këtë radhë, për realizimin e tij, do të ngarkoheshin njerëz të tjerë. Pikërisht, në muajin gusht 2005 autorët e paguar do të vendosnin eksploziv me telekomandë poshtë makinës së tij, por që nuk arriti të shpërthejë. Fati e deshi që eksplozivi të zbulohej rastësisht në një pikë servisi. Elektroauti, duke e ngritur makinën në krik, do të prekte një aparat celulari, por nuk kishte menduar se do të rezultonte armë vrastare. Veprimtaria kriminale e kësaj bande kriminale do të vazhdonte me dy vrasje të tjera, më e bujshmja ajo e datës 04.07.2005, pikërisht ditën e përfundimit të zgjedhjeve paralamentare. Killeri i frikshëm, Leonard Prifti, i njohur si "çibiku" me porosi të "shefit" do të ekzekutonte në qendër të qytetit, biznesmenin Baki Taullaj dhe njëherësh do të asgjësohej nga persona të panjohur. Po kush ishte "Cibiku"?
 

KILLERI


 Ishte Leonard Prifti, që hyri në jetën mafioze në menyrë të rastësishme. Në vitin 1977, kur ai ishte gati 14 vjec, hyri në Komisariatin numur dy i rekomanduar nga lidhjet e tij shoqërore. Që në momentet e para, "i vogli", pseudonimi tjetër që i përshtatej me shtatin e tij të shkurtër, do të ndiqte me verbëri rrugën e kriminelit vrasës, saqë cdo urdhër që do të merrte nga "profesori". Aldoja, do të zbatohej pa mëdyshje. Ai ishte rritur jetim, në një fshat afër qytetit Lushnje, me një baba njerk dhe disa vëllezër jo të gjakut. Gjyshja do të bëhej nëna dhe babai i tij. I braktisur nga të afërmit, do të zgjidhte vetë rrugën e jetës. Ai e kishte kuptuar vlerën e parasë, prandaj nuk vërdallisej kot nëpër rrugët e qytetit. Nuk e lodhte shumë veten, por punonte me porosi. Që në moshën adoleshente, ai filloi të kryente porositë e Aldo Bares. Pjestarët e bandës bënin kujdes në maredhëniet me Leonardin, i shmangnin acarimet se e dinin që nuk ta bënte të gjatë. Ky ishte i vetmi që nuk thirrej me emër. Ishte nga të vetmit që dinte kur të shfaqej dhe kur të zhdukej. Ai kontrollonte aktivitetet ekonomike të bandës, bingot dhe lojrat e fatit si dhe mbante rregullin dhe qetësinë, tamam si një gangster i lindur në lagjet e Cikagos. Tamam, tamam ai do te ishte "një gangster prej kartoni, një djalosh i lindur për Mafien. Ai ishte gjithmonë i krekosur. Por në të njëjtën kohë, ai po mësonte gjërat që i përkisnin asaj bote dhe nuk kishte në botë adoleshente që aspironin të bëheshin samuraj, apo murgjër Budistë, që e merrnin indoktrinimin dhe përgatitjen e tyre me seriozisht". Përvec talentit të tij konspirativ, "cibiku" ishte gjithashtu një nga njerezit më të frikshëm të botës së krimit. Ai kishte krijuar reputacionin e një vrasësi të dhunshëm dhe të pagabueshëm. Në civinë e tij kriminale do të shënoheshin me dhjetra vrasje me natyrë mafioze. Arma e tij e preferuar do të ishte edhe pistoleta pa zhurmë, ashtu edhe një automatik skorpions. Me këto armë në brez do të bridhte rrugëve të këtij qyteti sikur të ishte një padron i vërtetë. "Ashtu si Hilli i cili do të kujtonte me nostalgji kohën e kaluar të lidhur me krimin duke u shprehur se, ne moshën 12 vjecare ambicia ime ishte që të bëhesha gangster. Të bëhesha një Ëiseguy (djalë i zgjuar). Të qenurit gangster ishte më mirë se të ishe President i Shteteve të Bashkuara. Të ishe gangster do të thoshte që të kishe botën nën kontroll". Në veprimtarinë kriminale të kësaj bande do të rekrutoheshin dhe aktivizoheshin si vrasës me pagesë edhe persona të tjerë. Detyrat e tyre do të ishin të nivelit të dytë dhe pa rreziqe dekonspirimi por që zgjidhnin probleme të klaneve të vecanta të kësaj bande. Njëri prej tyre do të ishte edhe Dritan Vila i cili në momentet e para të arrestimit, midis të tjerave do të pranonte disa vrasje me pagesë me porosi të krerëve të bandës. Në një rast duke folur për vrasjen e dy kundërshtarëve të bandës, D. Vila do të shprehej: "hapa zjarr me pistoletë duke harxhuar krehërin komplet... shkova pas një pallati dhe fillova të dridhja një cigare hashash"...më pas prita E. Dondollakun i cili më dha 20.000 lekë të reja. Në vitin 2006, grupi kriminal i njohur si "Banda e Lushnjes" do të goditej nga organet e drejtësisë. Në bankën e të akuzuarve do të uleshin 27 persona, ndër ta edhe dy nga më të rëndësishmit, Aldo Bare e Enver Dondollaku. Do të duheshin dhjetë vite që të goditej bërthama dhe koka e kësaj organizate kriminale dhe me të drejte shtrohet pyetja që një organizatë kriminale të qëndrojë kaq e bashkuar dhe kaq e fortë për një kohë relativisht të gjatë? Përgjigjet mund të jenë të shumta por, njëra pjesë e shpjegimit është mungesa e provave, pasi pjestarët e kësaj bande mbanin nën kërcënim dëshmimtarët, bënin presion mbi policinë dhe mbi organet e drejtësisë, për më tepër dhe duke i korruptuar Në këtë proces do të perdorej për herë të parë dëshmitari i drejtësise me statusin e të penduarit.


G. Shqiptare, 23/08/2008

(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: