Frank Shkreli: Ben Gilman ndërroi jetë
| E Diel, 18.12.2016, 08:03 PM |

ISH KONGRESISTI BEN GILMAN NDËRROI JETË

Nga Frank Shkreli

Ish Kongresisti amerikan i Partisë Republikane nga shteti i New Yorku-ut, Ben Gilman ndërroi jetë të shtunën në moshën 94-vjeçare në spitalin e veteranëve Castle Point në Wappingers Falls të New Yorkut, nja 70 kilometra në veri të qytetit New York. Bashkshortja e tij i tha medias se ai vdiq ashtu siç kishte jetuar: në paqë.

Kongresisti Gilman nuk ishte vetëm  një institucion politik i zonës Hudson Valley dhe i shtetit të New Yorkut por edhe një zë i fuqishëm në Kongresin amerikan në Washington, ku shërbeu për 30-vjetë.  Si legjislator, Ben Gilman njihej si ekspert i punëve të jashtme dhe gjatë gjithë karierës së tij u shqua me veprimtarinë e gjithanshme dhe të palodhshme si mbrojtës i vendosur i të drejtave të njeriut anë e mbanë botës.   Si anëtar i Kongresit dhe si kryetar i Komisionit të Kongresit për Marrëdhënje Ndërkombëtare nga viti 1995-2000, Ben Gilman, përveç shërbimeve të zakonshme dhe tradicionale për zgjedhësit e tij në lagjën elektorale të Hudson Valley-t në New York që ai përfaqsonte, ish-kongresisti republikan i dedikoi një pjesë të madhe të veprimtarisë dhe të jetës së tij politike, çështjeve ndërkombëtare, sidomos mbrojtjes së të drejtave të njeriut kudo.

Dikush mund të thotë po ç’na duhet të dimë se paska ndërruar jetë një ish-kongresist amerikan, tepër larg në hapësirë dhe jashtë interesimit për ne, kemi hallet tona.  Por, si një individ, si një shqiptaro-amerikan, por edhe si dëshmitarë i veprimatrisë së shumë kongresistve amerikanë në mbrojtje të shqiptarëve e sidomos në mbështetje të Kosovës, në kohën më të vështirë të saj, përfshirë Ben Gilmanin, unë e ndjejë për detyrë, që të pakën shkurtimisht me dy tre fjalë në shënjë respekti nderimi, mirnjohjeje dhe falendrimi ta shënoj vdekjen e këtij kongresisti amerikan të madh për shqiptarët.  Ben Gilman i përkiste një gjenerate politikanësh amerikanë të 4-5 dekadave të kaluara, që për arsye moshe fatkeqsisht po zhduken një nga një, por të cilët mbrojtën të drejtat e njeriut dhe liritë bazë, edhe për shqiptarët e të cilët sidomos treguan gjatë pothuaj 45 viteve të fundit, një mbështetje të fortë për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve të Kosovës, pa ndihmën e të cilëve -- në nivel kombëtar të politikës amerikane dhe në nivelin e politikës ndërkombëtare --  aktualiteti i shqiptarëve sot në Ballkan nuk do të ishte ai që është sot, përfshirë edhe pavarësinë e shtetit të kosovës.

Kjo është arsyeja që e ndjejë si obligim të pakën të kujtojmë në raste të tilla miqtë e shqiptarëve si Ben Gilman kur largohen nga kjo botë, për faktin se falë veprimtarisë dhe interesimit të tyre për fatin e popujve që as nuk i njihshin, ata e lanë botën tonë pak më të mirë se ç’ishte më përpara, përfshirë këtu, sidomos botën shqiptare.

Ai kishte shumë kauza që mbronte, duke filluar nga disidentët sovjetikë gjatë luftës së ftohtë, tibetasit e shtypur nga regjimi komunist kinez, promovonte zgjedhjet e lira anë e mbanë botës e tjera kauza në mbështetje të lirisë dhe të demokracisë së popujve. Por një kauzë me rëndësi të cilën e kishte tepër për zemër dhe të cilën ai e mbrojti vendosmërisht me fjalë dhe vepra, ishte çështja e Kosovës.  Kongresisti Ben Gilman, së bashku me një numër kolegësh të tij në Kongresin amerikan, nga të dy partitë kryesore politike -demokratë e republikanë -- ishte sponsorizues i rezolutave të shumta në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës, në mbrojtje të lirisë dhe të pavarsisë së Kosovës, madje edhe duke bërë thrirje për njohjen diploamtike të Republikës së Kosovës, duke filluar nga viti 1992 dhe më heret.

Ai doli në pension në vitin 2003.  Pas një kariere të gjatë të përqëndruar në politikën e jashtme dhe ndërkombëtare, Departamenti Amerikan i Shtetit e dekoroi ish-Kongresistin Gilman me dekoratën më të lartë të këtij enti qeveritar, me “Medaljen e Artë për Shërbim të Dalluar”, për përpjekjet e tija të vazhdueshme në mbrojtje të lirive bazë të njeriut anë e mbanë botës, puna e të cilit e bëri jetën e shumë njerëzve, në një numër vendesh të botës, më të mirë e më të kollajt se ç’ishte më përpara.

Kongresisti Ben Gilman, së bashku me shumë kolegë të tij senatorë e kongresistë mori pjesë në demonstratën ndoshta më të madhe të shqiptarëve në Washington në verën e vitit 1991, në mbështetje të lirisë për Kosovën. Demonstrata pat filluar para Shtëpisë së bardhë dhe përfundoi me një miting të madhe para Kongresit amerikan, ku përveç kongresistit Ben Gilman folën edhe anëtarë të tjerë të Kongresit dhe miqë të shqiptarëve, si Senatorët Bob Dole, Clairborne Pell, Larry Pressler, Al D’Amato, kongresistët Lantos, Porter, Broomfiled e të tjerë.

Me rastin e 10-vjetorit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në SHBA, Kongresisti Ben Gilman i kishte dërguar kësaj organizate një letër e dates 27 Janar, 2000, në të cilën ai tregon interesimin e tij si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë. Në lidhje me Kosovën Ben Gilman shprehë kënaqsinë e tij se më në fund Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Europën Perëndimore iu përgjigjen shtypjeve  të shqiptarëve nga regjimi serb duke miratuar sulmin e parë ajror kundër një vendi që kishte abuzuar me të drejtat e njeriut. “Në Kosovë” shprehet ai, “kemi fituar luftën por nuk kemi fituar ende paqën…Ju duhet ta dini gjithmonë se gëzoni mbështetjen dhe vullnetin e mire të popullit të Shteteve të Bashkuara dhe të tjerëve anë e mbanë botës. Së bashku, duhet të  punojmë që të sigurojmë se e ardhmja e Kosovës të jetë paqësore dhe e begatshme”, shkruante Ben Gilman.

Në lidhje me Shqiqpërinë, ai shprehur mirënjohjen se një vendi që sipas tij, megjith kufizimet ekonomike dhe politike, iu përgjegj krizës humanitare me vendosmëri dhe bujari. Nuk mund ta harrojmë Shqipërinë dhe nevojën e saj, ka thënë Gilman, për të qenë e angazhuar me ne dhe me popullin tonë.   Më në fund, ai ka thënë se përgjëgjësia për një të ardhëme më të mirë për Kosovën është në dorë të popullit të atij vendi, por njëkohsisht ai premton se ai dhe kolegët e tij në Kongres nuk do ta harrojnë Kosovën, por do të vazhdojnë të shqyrtojnë ecurinë e punëve në atë vend gjatë viteve në vijim. Kongresmeni Ben Gilman e përfundon letrën me urimin: “Rrofshin Shqiptarët!”

Miku i Shqiptarëve, ish Kongresisti Ben Gilman, Kryetar i Komisionit të Kongresit për Marrëdhënje të Jashtme gjatë 1990-ave dhe i cili shërbeu gjatë administratave të 7 presidentëve amerikanë gjatë një mandati 30-vjeçar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ndërroi jetë të shtunën në moshën 94-vjeçare.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: