Vangjush Saro: Natyra shqiptare në agoni
| E Shtune, 17.12.2016, 05:55 PM |

Natyra shqiptare në agoni…

Përndryshe: Hajde dalim të kërkojmë ndonjë zabel a lulishte…

Nga Vangjush Saro

Nuk është ndonjë gjë e re të themi sot, një çerek shekulli pas bujës së madhe të demokracisë dhe ekonomisë së tregut - të interpretuara në mënyrën më të keqe të mundshme në Shqipëri - që vendi ka probleme të rënda ekonomike, tani gjithnjë e më tepër, edhe aso mjedisore. Televizionet shqiptare, mediat në tërësi, kumtojnë herë pas here lajme për marrëveshjet për klimën dhe mjedisin, që administrata i nënshkruan pa asnjë problem dhe pa u ndjerë asfare në faj, më e pakta në hall, për shkak të rolit të saj abuziv në shkatërrimin e natyrës shqiptare. Këto marrëveshje e protokolle, të brendshme a të jashtme, janë njëlloj formaliteti, që qeveria shqiptare, qeveritë shqiptare, i firmosin sepse nuk iu kushton asgjë; e ndërkaq shtiren edhe luajalë me Perëndimin, me organizmat rajonale, ato mjedisore, më në fund në akord me gjithë prirjen për ta lehtësuar botën nga barra e ndotjeve dhe e zvetënimit natyror.

U bë më shumë se çereku i shekullit, duke parë se si merren dhe agjitohen këto vendime formale, se si përbetohen kryeministrat, ministrat dhe drejtorët - midis të tjerave - për mbrojtjen e pyjeve. Janë 26 vjet që dëgjohen “këngë” të tilla, por  ndërkaq është ca më e fortë zhurma e sharrave dhe pastaj, e makinave që numërojnë paratë… Si shumëçka në këtë tranzicion pa fund, pyjet dhe gjelbërimi në tërësi kanë qenë dhe mbeten të “njerkës”. Por ndërkaq, kemi tashmë një moratorium mbi 10 vjeçar, sipas të cilit, duke filluar nga shkurti i shkuar - sa herë kanë shkuar shkurte e prille, kurrkush s’e di - nuk do të lejohej më prerja e pyjeve. Kujtojmë se deri në fillimet e viteve ‘90, ngase më parë gjendej nën kujdes e kontroll, kjo pasuri e pazëvendësueshme zinte 32% të sipërfaqes së vendit. Sot mund të duket si film vizatimor përmendja e kësaj shifre dhe vizatimi i asaj tabloje, kur pyjet, gjëja e gjelbër, zinte një të tretën e sipërfaqes së vendit. Tani, aktualisht, nuk jemi të sigurt nëse mund të mbahemi ende pas gjysmës së asaj shifre…

Ndoshta nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe episodet e veçuara, për shkak se fenomeni është tërësor, por në disa media e shërbime mjedisore, kohë më parë, thuhej se në Lurë janë hedhur - kështu e lexova dhe s’kam ndër mend të luftoj pa fund me çfarë prodhojnë e hedhin në treg “shkollat” e sotme të gazetarisë dhe zëdhënësisë - pra, janë hedhur nga Ministria e Mjedisit rreth 200 mijë EU. (Zëra të tjerë tregojnë se në shërbimin pyjor Dibër, janë raportuar 500 mijë EU) për të mbjellë 45.000 fidane, po ashtu për të rregulluar rrugën dhe për të pastruar pyllin nga trungjet e mbetur që përbëjnë rrezik zjarri. Askush nuk e di me saktësi se çfarë bëhet në këto e në të tjera hapësira, ku ka shumë politikë dhe ndeshje për pushtet, por pak drejtësi dhe kujdes për natyrën, për vendin vetë.

Ja një lajm tjetër i para do kohe, që shkon kundër të njëjtës demagogji. Për të mos folur për tema tanimë të vjetra e për shkatërrime e shëmtime tanimë të pakthyeshme (Golemi), në qytetin dhe rrethinat e Durrësit, masivi i plehrave po kthehet në një bombë ekologjike për popullsinë. Sipas inspektorëve të mjedisit, në krejt Qarkun e Durrësit, ky fenomen i frikshëm ekologjik, zhvillohet vetëm pak kilometra larg nga qendra e qytetit; e qytetit… mëse tremijëvjeçar. Helmet toksike që lëshohen nga asgjësimi i mbetjeve urbane në zonën e Porto Romanos apo edhe ndotja masive e tokës në vendin, në vendet ku ato grumbullohen pa e kuptuar, janë bërë një rrezik i madh për shëndetin e qytetarëve.

Në Qarkun Fier, disa nga të dhënat, të një natyre tjetër, gjithashtu janë të trishta. Brenda një viti, 23 ha tokë ka humbur në rrethet Fier e Mallakastër(!) Nga gërryerjet e lumenjve, janë dëmtuar 9 ha tokë. Gërryerjet sipërfaqësore kanë shkatërruar 23.8 ha. Ndërsa fenomeni i zhavorrimeve ka zhdukur 31.5 ha. Jashtë tablosë aspak optimiste, nuk ka mbetur as dukuria e rimoçalizimit, për shkak të mungesës ndër vite të sistemit të kullimit dhe vaditjes.

Një tjetër dukuri këto kohë, që të lë pa mend. Edhe pse, si shkrimtar e gazetar, ëndërroj dhe dua të mirën e vendit tim, përparimin e tij real, asnjeherë nuk e kam kuptuar epideminë e hidrocentraleve (të vogla) mbi (pothuaj) të gjithë lumenjtë e vendit. Ndonjëherë, kjo më duket si një lëvizje groteske. Nuk jam i atij profesioni, sadoqe përvoja si gazetar më ka mësuar disa gjëra nga ekonomia, nga ligjet, natyra dhe sjellja njerezore. Por kur them s'e kuptoj, kam parasysh një sërë pyetje: Për kaq shumë energji (elektrike) paska nevojë Shqipëria? Duan ta eksportojnë për të fituar? Për të “zhvilluar ekonominë”? Apo duan ca fitime për vete? (Klanet. Bizneset e huaja. Ato vendase. Politikanët.)

Dëgjoj për ankesa intelektualësh dhe profesionistësh. Në Devoll. Në Mat. Në Vlorë e Tepelenë. Dhe ja, ndonjë nga krahët e administratës, për shembull, Ministria e Energjetikës dhe Industrisë, siç thonë mediat, “sqaron se qeveria është e vendosur që të mos lejojë ndërtimin e hidrocentraleve përgjatë rrjedhës kryesore të Vjosës nga Kalivaçi e sipër. Duke u ndalur në rastin e referuar në media për HEC-in e Poçemit, MEI thotë se ai nuk ka lidhje me rrjedhën kryesore sipër Kalivaçit, pasi ndodhet poshtë kësaj zone.” Pastaj “përralla” vazhdon: “Pjesa poshtë Kalivaçit do të shfrytëzohet në përputhje me objektivat e qeverisë për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike dhe reduktimin e nevojës për import të saj nga jashtë.”

E habitshme! Nuk duan t’ia dinë që tashmë u teprua gjithkund me shkatërrimin e natyrës, pyjet, bregdetin, lumenjtë, tokat bujqësore, etj.? Më në fund, kjo punë, më kujton atë “aksionin” e një kohe të shkuar në Tiranë, kur duke menduar se do të zgjidhej problemi i strehimit, u shkulën të gjitha çatitë dhe tarracat e shtëpive e banesave, për të ndërtuar nga një kat-shtesë.

Në këtë argument, por edhe në ato që u cekën më lart, do të doja që të isha jashtë teme e, (më falni për shprehjen) t'ia mbysja kot... Dhe ta kisha gabim. Do të doja shumë. Por lënda që kemi përpara, ca më shumë faktet, nuk të lënë të shpresosh… Me sa duket, ndryshimet mund të realizohen vetëm nga një brez tjetër, më i shkolluar, më i pangatërruar me bizneset, më i vetëdijshëm për vlerat e natyrës dhe për nevojën e “rindërtimit real të vendit”. Një brez tjetër. Në një kohë, dikur… Pyetja shtrohet: Si ta afrojmë këtë kohë? Në disa media e në komunitetin e intelektualëve shqiptarë, ka edhe përgjigje, edhe alternativa. Por ato i sfumon sistemi aktual parti-pushtet-klan. Edhe këtë skemë të shpifur, një brez tjetër do ta ndryshojë. Në mungesë të përgjigjeve të mëtejshme, mbetem optimist, qoftë edhe për kaq.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: