Gani Mehmetaj: Ku janë shtatorët e arbërorëve të lavdishëm?
| E Premte, 16.12.2016, 09:33 PM |

Ku janë shtatorët e arbërorëve të lavdishëm?

Sipas shtatorëve të munguara nuk kemi të kaluar, jemi pa rrënje, jemi pa histori. Nga antika mbretëresha Teuta, mbreti Agron, Konstantini, Justiniani; nga mesjeta Milosh Kopiliqi, Theodori II Muzaka, Gjon Kastrioti, Demetër Jonima, Gjin Bua Shpata, Lekë Dukagjini etj. nuk kanë zënë vend në asnjë shesh a rrugë.- Ndërkaq, jeniçerët shqipfolës që morën para të pista nga Stambolli lejojnë përdhosjen e kështjellave ilire e mesjetare si ajo në Prizren për të ndërtuar xhami, duke ia humbur identitetin arbëror këtij qyteti. Ka turp më të madh?  Çka mbeten pa shitë partitë politike, pos dinjitetit që nuk e kanë.

Nga Gani MEHMETAJ

M. Begolli, pinjolli i njërës ndër familjet më të vjetra në Pejë, në një libër qindra faqesh përpiqet të nxjerr prejardhjen e familjes së tij nga Lekë Dukagjini. Në punën disavjeçare historiani Begolli ka shfrytëzuar literaturë e autorë të ndryshëm për ta mbështetur teorinë e prejardhjes princore. Asnjë familje tjetër shqiptare nuk ka pretendime se rrjedh nga familja e Lekë Dukagjinit.

Shtatorja e Lekë Dukagjinit në Pejë

Rrafshi i Dukagjinit që përfshin territorin nga Istogu deri në Prizren, emërtimin e merr nga familja Dukagjini. Ndërkaq, Peja është konsideruar qendër shpirtërore e administrative e Rrafshit të Dukagjinit. Prandaj, për këtë dhe disa arsye të tjera pejanët gjithnjë e kanë përmendur mundësinë që në qytetin e tyre t’i ngrihet shtatore Lekë Dukagjini. Arsye tjetër, thonë përkrahësit e shtatores së princit arbëror, është fakti se në Pejë, Rugovë e në tërë Rrafshin ka vepruar dhe është respektuar deri në shenjtëri Kanuni i Lekës të shqiptarët e të dy feve qindra vjet pas vdekjes së princit. Më Kanun shqiptarët katolik e myslimanë i kanë zgjidhur të gjitha kontestet, jo vetëm gjakmarrjen, duke i shpërfillur ligjet e pushtuesit turk e serb.

Familjet e vjetra arbërore me merita për kombin, nuk i kemi përjetësuar në asnjë shtatore, më asnjë përkujtimore apo Muze, thuajse jemi komb i pa rrënjë, pa të kaluar e pa të ardhme, sepse ai që nuk ka të kaluar s’ka se si të ketë të ardhme.

Dihet pse deri vonë nuk e bëmë asnjë shtatore të heronjve arbëror, bëmat e të cilëve janë të lidhura ngushët më historinë  e vendit tonë. Dikur nuk na lejuan pushtuesit  turq, më vonë na e ndaluan pushtuesit serb. Në Shqipëri patën mundësi ta plotësojnë boshllëkun e historisë, por nuk e bënë, sepse ishin të zënë me buste të Stalinit, Leninit e diktatorëve të tjerë sovjetik e shqiptar.

Në historinë më të re pushtetarët i rrëmbeu euforia e pushtetit, duke e harruat të kaluarën e të ardhmen. Ata mendonin vetëm për të tashmen e tyre. Sot e kemi një mundësi të mirë të punojmë e të veprojmë esëll, ta vlerësojmë të kaluarën, t’i nxjerrim në pah personalitetet e të ngrehim shtatore e përkujtimore aty ku e kanë vendin.

Qyteti i Pejës, qendër administrative, kulturore e historike e Rrafshit të Dukagjinit do të financonte  shtatoren e Lekë Dukagjinit. Gjakova, krahas themeluesit Jak Vula, ka edhe personalitete të tjera që do t'i përjetësonte në shtatore, ashtu sikurse do ta bënin këtë gjë edhe qytetet e tjera të Kosovës. Shkujdesja dhjetëra vjeçare nuk na falet. Emrat e lavdishëm të periudhës së mesjetës sikur i kemi harruar, të rrëmbyer më përmendore të reja, duke harruar se historia shqiptare, pra edhe historia e Dardanisë si pjesë e Shqipërisë nuk nis në 70 vjetët e  fundit. Në Shqipëri e mbollën në çdo qytet e katund nga një përmendore  a shtatore partizane. Në Kosovë e morën të njëjtin model. Uzina shqiptare e pushoi punën në Shqipëri, por u aktivizua pas luftës për Kosovën.

Heronjtë e Kosovës: Millosh Kopiliqi, Demetër Jonima, Theodor Muzaka

Pos  Lekë Dukagjinit, princit arbëror e bashkëluftëtarit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeu, kemi heronjtë e Betejës së Kosovës, që luftuan, ndër herët e pakta gjatë historisë kur veriu e jugu arbëror u bashkuan kundër pushtuesit të përbashkët, Perandorisë Otomane.  Milosh Kopiliqi, Theodori II Muzaka, Gjon Kastrioti, Demetër Jonima, janë disa nga figurat më të rëndësishme të Arbërisë që morën pjesë në këtë betejë. Disa prej tyre dhanë jetën në fushën e Dardanisë, disa u kthyen në principata e tyre, por ushtarët e tyre u flijuan për mbrojtjen e Dardanisë.

Një shtatore në ballë të fushës së betejës për Millosh Kopiliqin që vrau Sulltan Muratin dhe u bë theror, një tjetër përmendore për ushtarët e Theodor II Muzaka, Gjon Kastriotit e kontëve të tjerë arbëror, do të ishte mirënjohje, a shënjim i lavdisë së tyre pas 600 e ca vjetësh. Më këto shtatore do ta përjetësonim luftën e sakrificën e tyre, lavdinë e fatkeqësinë.

Milosh Kopiliqit, princit arbëror, i kemi hyrë veçanërisht në hak, sepse jo vetëm nuk i ngritëm përmendore, as nuk i bëmë sa duhet lavde, por ua lamë serbëve ta përtypin, ta përvetësojnë e  ta përdhosin. Ata bënë histori më figurën tonë të vjedhur, ndërtuan përkujtimore,aty ku duhej ta ndërtonim ne, kurse turqit e bënë Tyrben e Sulltan Muratit më të brendshmet e tij. Por ne s'patëm mundësi deri pas vitit 1999 t'i kushtonim shtatore a faltore Milosh Kopiliqit, as princërve e kontëve të tjerë arbëror, sepse ishim nën pushtim. Sot askush nuk na pengon, askush s'mund të na e ndaloj që ta rikujtojmë historinë tonë. Por duhet vetëdije kombëtare e përgjegjësi shtetërore, duhet edhe kulturë.

Kemi disa herë më shumë arsye t'i ngrehim shtatore këtij heroi të mesjetës para të tjerëve. E para, beteja e u bë në Fushën e Dardanisë, aty ku i kishim dhe ku i kemi rrënjët. E dyta, forca goditëse ishin arbërorët me aleatët e tjerë ballkanas. E treta, pasardhësit e Millosh Kopiliqit, Gjon Kastriotit, Muzakës etj. u përballuan të gjitha furtunave, duke, e mbajtur vendin ku u derdhë gjaku i arbërorëve. Ata jetojnë në këto hapësira. të tjerët ia mbathën ashtu si erdhën.

Ndërkaq, serbët kanë arsye të vajtojnë, ashtu siç e vajtojnë që nga shekulli XIX kur e sajuan legjendën për Betejën e Kosovës, sipas versionit të tyre. Kanë edhe një arsye tjetër të vajtojnë: princin e tyre turqit e lidhen në vargonj, duke e endur si bishë mali në kafaz për ta ekzekutuar. Princi tjetër serb, Vuk Brankviq, tradhtoi, u bë me Sulltanin. Turqit, megjithë mizorinë  nuk e mbajtën këtë vend.

Prandaj një projekt shtetëror për pamjen e shtatorëve e objekteve të tjera përcjellëse është i domosdoshëm, në vendin ku supozohet se është bërë Beteja e Kosovës . Sllavët e Maqedonisë ngritën shtatore gjigante me mbretër e princër ilirë, serbët e çmenden botën  me princin tonë Kopiliqin, kurse ne edhe më tutje heshtim? Ku është arsyeja? Jemi  rrëmbyer nga babëzia për pasuri e etja për pushtet? Druajmë nga reagimi i Serbisë? Nuk duam t'ia prishim Turqisë në babëzinë për ta ripushtuar Kosovën? Do t'i këndellim budallenjtë shqiptarë që falën të Tyrbja e Sulltan Muratit, vrasësit të stërgjyshërve të tyre?

Kemi edhe shumë personalitete arbërore të cilët duhet t’i përjetësojmë me shtatore: sundimtarët mesjetar të Vushtrisë, sundimtarët e Novorderës, të Prishtinës, Prizrenit etj.

Nga antika nuk e kemi asnjë shtatore të Justinianit, nuk e kemi asnjë shtatore të Konstantinit, ndërsa është njëri ndër ilirët-dardanët më të famshme, nuk e kemi përkujtuar më përmendore mbretëreshën Teutë, përderisa kemi qindra emra femrash më këtë emër, nuk i kushtuam asnjë kujtim mbretit Agron.

Është edhe një personalitete historik që meriton ta ketë përmendoren pikërisht në Kosovë. Gjin Bua Shpata, njëri ndër princërit më të lavdishëm arbëror, është ai që e shpartalloi mbretin serb në Greqinë e sotme. Këtu nis fundi i mbretërisë serbe, që aq egërsisht luftoi kundër shqiptarëve.

Mungesa e shtatorëve të arbërorëve të lavdishëm është po aq e theksuar edhe në Shqipëri. Historia atje fillon e mbaron më partizanë. Këtu po ri zgjohet fantazma e frikshme e frymës primitive otomane. Ata që duhet ta mbrojnë identitetin tonë, kanë marr para të pista nga Turqia, prandaj lejojnë të përdhosën qytetet tona me xhami në kështjellat më të vizituara.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: