Fritz Radovani: Po kur të marohen burrat?!
| E Diel, 11.12.2016, 12:52 PM |

PO KUR TË MAROHEN BURRAT ?!

Nga Fritz RADOVANI

Ishte viti 1913, kur Mark Kakarriqi ishte ambassador në Vjenë, dhe Shkodra vazhdonte me kenë e rrethueme nga Mali i Zi… Një gazetar e pyeti Markun: “Po kur të marojnë Burrat, shka keni nder mend me ba? – “Kur të mbarojnë burrat,  luftën do ta vazhdojnë gratë”, ju pergjegj Mark Kakarriqi... E fjala e Tij besa, vazhdoi edhe në okupacionin e 1944...

Edhe një Marije tjeter mbas Maria Shllakut rroku armët...

70 vjetori i VRASJES...

ISHTE MARIA ZOJZI (DEDA) ME BURRIN E SAJ PJETER DEDEN..., në Sheldi.

Me 5 dhjetor 1946 në Shkoder festohej Nata  e Shën’ Kollit. Një mbramje jo e zakonshme në këtë qytet të lashtë, që gjithmonë ka përcjellë brez mbas brezit doket e zakonet e të parëvet të vet. Edhe pse shumë qytetarë janë largue ndër krahina të ndryshme të vendit ose edhe jashta Atdheut, zakonet i ruejnë, ashtusi atë ditë që festohën në Shkodër.

Atë natë të duket sikur qyteti asht prush ose ma mirë me thanë, sikur toka asht ndezë flakë prej dritave që depërtojnë jashtë dritarëve e kafazlijeve karakteristike të qytetit. Rrugët janë paqtue mjaft herët mbasi sejcili e ka mendue dishka para se me ra muzgu. Një gjel asht flijue edhe ndër shtëpitë e Pazarit të vjetër ndër kodrat rreth Kalasë, sëpse festa ka kohë që ka shkapërcye muret e nalta, të veshuna me shermashek e lulevile të shtëpive katolike.

Festa e Shën Kollit kremtohet në të gjitha anët ë qytetit. Dugajtë janë mbyllë njëherësh tue urue njeni-tjetrin: “Për shumë mot festën, pritshi të mirë mot!”

Në çdo votër asht vue buzmi, sigurisht jo, ma i madhi, mbasi ai ruhet për natën e madhe të Këshnellave, por sejcili oxhak nxjerr tym simbas forcës se asaj mbramje përzie me erën e gjellëve, që amvisat përgatisin me mjeshtrinë ma të madhe të grave të njohuna në këtë natë feste. Ajo që e ban ma të veçantë këtë natë asht qiri që ndezet në çdo shtëpi. Qiri i Shën’ Kollit asht  i pikturuem me lajle e lule shumëngjyrshe që vëndoset në krye të vendit dhe ndezet nga i zoti i shtëpisë e, festa fillon!

Fëmijët janë ma të gëzuemit në sofren e vet dhe me sytë e tyne vezullues kontrollojnë çdo qoshë pa u rrëshqitë asgja. Aty kanë vargjët e fiqëve të thatë, arrat e lejthijat që aq shumë ua kande, molla e fruta të stinës, dikund shihet edhe ndonjë ftu e portogal.

Gjyshet e moshueme, prej kohësh ndër kanavetat e tyne me dryj kanë ruejt për këtë natë të mbështjellun në letra xhami, qyfterin e derdhun ndër format e bukura të peshkut.

Vena nuk i mungon as ma fukarasë. Ulen ndër sofrat e shtrueme me sofrabezat e kuq, fillon urata prej ma të moshuemve dhe mbas sajë në kupë të qiellit kanga e Shën’Kollit: “Vjen Shën’Kolli prej Misirit...” Vazhdon zani ma i bukur i shoqnuem prej korit të pjestarëve të familjes. Naltohet zani me u ndigjue edhe prej komshijve, mbasi asht kënaqësi kur të nesërmen bisedohet prej grave se kujt i asht ndigjue zani ma larg.

Prej sofrës së fëmijve vjen lajmi se kur, do të vijnë në sofrën e tyne bukfikja e pitegjarpni i bamë me arra e rrush të thatë Selaniku. Mbas sofrës, fëmijët e gzuem e të marrakotun nga gzimi vazhdonin laradashat në dhomën e fjetjes ndër dyshekët e shtruem përtokë.

Gaz’ e hare në atë dhomë fëmijësh, ndërsa në dhomën tjetër nder të gjitha sofrat bisedohej: “Ku e merr me pasë mendjën e tyne!”...

Ma plaku rrëmon zjarmin e në plasat e trungut të lisit me mashë kërkon me ba xhixha e shkëndia që çohen përpjetë. Krizmat e tyne i kujtojnë fishekzjarret që zbërthenin dikur në naltësi. Mendja i fluturon tek Kisha e Madhe... Sigurisht shenjë nervoziteti... Gratë i heqin vërejtje: “Boll ma, mos e luej se bukuri tèk asht!” Lodhja e ditës e shoqnueme me atë të pijes bajnë punën e vet e, kështu, ngadalë në Shkoder fillon e bie qetësia...

***

NATA  SHËN  KOLLIT..., dukej, sikur u mbyll pa krizma armësh partizane...

Atëherë, kur  ndër sofra shkrepën gotat e vëndosuna mbi sofrabezat e bukur që sonte kanë sipër gjithë të mirat, ndër mjaft shtëpi asht i treti Shën’Kollë që gratë kanë hapë arkat e baulat e nusisë dhe kanë hjedhë mbrendë, ndoshta, përgjithmonë fustanet e bukura me lloj-lloj ngjyrash, se ato janë zëvendsue me futat e zeza dhe degërmitë e bardha ashtusi në shtëpijat e Dedejakupëve, Kazazëve e të sa e sa të tjerëve, burrat e të cilave janë pushkatue. Janë mjaft në Seksionin e mbrendshëm tue u torturue e kushedisa ndër birucat e qelitë e këtij qyteti, ku çdo ditë djelmët e sa nanave hidheshin si thasë prej dritaresh me u thye kokat dhe me u hapë rrashtat ndër kalldramët e oborreve, ku ndihej vetëm era e shfarosjes së qytetnimit shkodran e atij kombtar europian, nën parullën e njohun të komunistëve: “Borgjezëve e reaksionarëve, plumbin ballit!”

Mbas mesnatës ndigjohen vetëm gjurmët e randa të këpucëve me thumba të agjentave, patrullave, zhurmat e xhipsit të Sigurimit të Ahmet Sujit e topolinos së Dulaç Lekiqit që merreshin me arrestime. Punojnë vetëm zyrat e hetuesisë së Seksionit të Mbrendshëm, të Seksionit Katolik, ndonjë zyrë e qarkorit të Partisë, që vazhdon në ilegalitet tue shpërnda urdhnat e sajë me agjentët terroristë të natës që tashma kanë pushtue qytetin.

Këto zyra, të drejtueme nga agjentët jugosllav bashkpunojnë me oficerët tanë tradhhtarë  Qazim Kapisyzi, Arif Gjyli, Lilo Zeneli, Ndrekë Nallbani, Ali Qorri, Zoji Themeli, Pjerin Kçira, Rasim Dedja, Nesti Kopali, Xheudet Miloti etj., që nuk i fikun dritat kurrë mbasi ditë e natë dritaret janë të mbylluna, për mos me u ndigjue ndër rruga virrmat e britmat e të torturuemve të shkallmuem nder kalldrame për vdekje.

Ka mjaft nana që nuk i zë gjumi tue mendue se në duert e kujt ka loçkën e zemrës.

Një prej këtyne nanave asht edhe fatzeza Pina, e shoqja e Shtjefën Zojzit, që zemra i ndien dishka... Ajo, atë natë feste rri me sy të ngulun harû ndër gaca tue vrojtue kah votra, nuk i bahet me u ulë në sofër. Ajo asht e veçantë në të gjithë Shkodrën! Ajo ka në mal vajzën me emnin Maria. Vetë emni të ban me kujtue pa e njohë fare, një grue të pastër, besnike dhe trimneshë. Asht grueja fisnike e Pjetrit të Dedëjakupëve, që për besën e dhanun një ditë në kunorën Shenjtë kur në gisht vuni rrethin e martesës, merr malët bashkë me fatin e sajë dhe del me luftue komunizmin që ka pushtue mbarë Atdheun.

Nuk ishte jo hov rinie edhe pse ishte 30 vjeçe, por në zemër kishte mullâ urrejtjen e vrasjes së kushrinit nga komunistët, ingj. Ludovik Zojzit, arkitekt i vorrëve të Rrëmajit. Vllaun e saj prof. Rrok Zojzin, e kishin torturue në Sigurim se kishte guxue me thanë se, sa ka vra Zogu për 15 vjet komunistët i kanë vra për 15 ditë. Kjo grue zgjodhi rrugën e malit mbasi nuk mund të jetonte pa Lirinë e Atdheut, një dëshirë e pathyeshme edhe e burrit të saj që nuk kishte pranue bashkpunimin me komunistët. Ata nuk dinin me nda Shqipninë nga familja ashtusi dikur,  burrat e motit bashkë me gratë burrnesha që morën malët për liri.

Edukata qytetare e atdhetare ishte brumosë edhe prej dy axhave klerikë të familjes Zojzi.

Në heshtjen e asaj natës kriminelët mendojnë vetëm për krime e vrasje. Këtë detyrë do ta kryenin ma së miri Zoji Themeli, Toger Baba, Vaskë Koleci, Dulaç Lekiqi, Fadil  Kapisyzi e Zenel Cani me shokët e Ndjekjës. Në të dalun të dritës së datës 6 dhjetor, rreth orës 04.00 të mëngjezit, në luginën e prronit të Hijes së Madhe, në Meshkallë të Sheldisë, kur Maria e zgjueme... doli nga çadra e vendosun prej Pjetrit në atë vend, u ndigjue një za: “Dorëzou Marije, se nuk të vrasim!”...

Ajo, u përgjegj: “Për së gjalli kurrë, mor qena....!”, nxori armën nga brezi sëpse, e njihte mirë “besën” e komunistëve... Po, gjuejtjet e automatikëve të katilëve komunistë nga pozicionet e vëndosuna rreth asaj çadre gjatë natës, e rrëzuen  përdhé...

Ajo u vra me pushkë në dorë. Gjaku i pastër i Marijes u derdh në përrue dhe zbriti në Dri, për me përshëndetë ma afër Shkodrën. Ajo me ujët e Drinit pershëndeti edhe Nanën e vet për me i tregue Asaj se, “kur më linde Ti, bashkë me qumështin gjaku më mori erë baroti, ashtu si më pate mësue qyshë të re, në besë të burrit qëndrova e bashkë me Pjetrin e dashtun u vramë për liri!..” Rozafa veshtroi Vajzen e Zojzakëve e nuk ju ndigjue zani!

Maria nuk ishte as e para shkodrane e as e fundit që doli malësh me armë në dorë mbas vitit 1944 me luftue kundër komunistëve. Ishte edhe Maria Shllaku po prej Shkodret, që zani i sajë do të jehonte për 50 vjet ndër malët e Kosovës. Vajza shqiptare u tregue gjithmonë e denjë për armët që mbante në brez. Ajo nuk u përkul as para pushkatimit, as para torturës, as para yllit të kuq të “çlirimtarëve jugosllavë”, me të cilin na zhigatne Flamurin. Ajo i provoi burgjet komuniste, ajo provoi malët e Tepelenës, ajo provoi baltat e kënetave të Myzeqesë, ajo nuk iu tremb as presionit moral, shpirtnuer e fizik të hetuesisë, as interrnimeve, as punës së randë të fermave e kooperativave bujqësore por, gjithkund mbas burrave vuejtën për një kafshatë bukë, lindën dhe rritën fëmijë që njëditë... do të ishin ndera e Atdheut.

***

Vajzat e vërteta shkodrane në ballin e Rozafës vendosën dafina!

Vajzat e vërteta Shqiptare, Shkodra i ka pa edhe më 2 prill 1991!

Ishin vajzat e djelmët e shkollës “Jordan Misja” që me Flamurin e ngjymë në gjakun e djelmoçave trima shkodranë, marrshuen drejt Demokracisë! Ishin po ato vajza që më 14 janar 1990 i trandën thëmelet bustit të diktatorit të shekullit Stalin. E, prap më 2 prill, do të djegin tankun para diktatorit tjetër Enver Hoxha, që nuk i la gja mangut atit të tij, tue paralajmërue fundin e veprës së tyne: Turpit të Shekullit XX-të.

Toka Shqiptare i ruen në gjiun e sajë Herojtë, edhe pse sot na nuk dijmë ku pushojnë shumica e Tyne. Fshatarët e Meshkallës e ruejtën për 45 vjetë  Marijen në tokën e tyne, me një rrasë të vogël si shenjë nën kaçuba ferrash. Aty çobanët kishin shkrue me kujdes: “Këtu pushon Maria e Shtjefën Zojzit, besnike e burrit të saj”. Njëditë ata fshatarë bashkë me krahinat e Jubanit, të Gurit të Zi, të Sheldisë e përrreth e përcollën për në Rrëmaji, Heroinën e tyne. Aty e priti Shkodra, sigurish, Ajo nuk erdhi me petkun e bardhë të nusisë por me atë visar që asht  ma i Shenjti dhe ma i shtrenjti, Ajo erdhi e veshun me Flamurin e Shqipnisë si një zonjë e randë, me atë Flamur që Maria, me gjakun e sajë i ka shlye pergjithmonë yllin e qelbun të Titos, Stalinit, Enverit e Ramizit.

Edhe Flamuri, në shenjë nderimi për Heroinën e vet në zemrën e tij ka vu portretin e saj: SHQIPËN DYKRENARE. Ajo sot prehët me Nanën Pinë, mbasi burrin e besës komunistët e zhdukën, tue e vra për së vdekuni në Zallin e Kirit, pranë vorreve të Rrëmajit. Edhe Ai asht aty afër Marijes, aty ku janë shumica e Martirëve të Shkodrës...

Të gjithë bashkë pa Shenjë as Emen tek koka...

Marije! Më duket se, për kërkend ma shumë se për Ty....Shkruente dikur..., i madhi ynë

At Gjergj Fishta:           “... Ju besën

Ka për t’ua dhanë mbi vorr, se kurr për s’ gjalli

S’ ka me e koritun namin t’uej e nderën,

Se ka me dekë p’ r Atdhé si desin burrat

Si diqet, qé, ju për nji Shqipni t’lirueme.”

Shenim: U lexue në Radio Shkodra nga autori, me 5 Dhjetor 1992.

Botohet në Dhjetor 2016.



(Vota: 10 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: