Beqir Cikaqi: Krujë, o qytet i bekuar
| E Diel, 11.12.2016, 10:28 AM |

Disa nga pjesëmarrsit e pas Mbrëmjes Gala

KRUJË, QYTET I BEKUAR ...

Nga Beqir  M. Cikaqi

Emri mendohet se ka origjinë nga fjala krua, që d.m.th. burim uji. Kruja ka shumë kroje(burime uji).Përndryshe Kruja është vendbanim i vjetër shqiptar, i takon Qarkut të Durrësit, kryeqytet i rrethit me të njëjtin emër, ka edhe Bashkinë. Shtrihet rreth 20 kilometra në veri të Tiranës. Banorët e Krujës quhen krutan.Vendbanim i rëndësishëm qysh në shtetin e Arbrit, me kthimin e Skënderbeut. Është e njohur Kalaja e Krujës me qëndresën heroike kudër pushtimit osman. Kruja është vendlindja e Gjergj Kastriotit në familjen e njohur si Principata e Kastriotit. Kruja është vend i rëndësishëm turistik në Shqipëri. Ka të zhvilluar industrinë e këpucëve, dhe industrinë e përpunimit të gurit gëlqeror...

Ishte dita e tretë për  SAMITIN  E  DIASPORËS, që u mbajt në Tiranë ( 18 – 20 nëntor 2016 ). Sipas agjendës, është dita kulturore për pjesëmarrësit e Samitit. Unë që kur e kam marr programin e Samitit, pa hezitim jam përcaktuar për Krujën. Dikush e mori Shkodren; disa  Durrësin; të tjerët Beratin, dikush tjetër qëndroi në Tiranë!

Ashtu sikur ishte planifikuar, para orës nëntë u mblodhëm te Pallati i Kongresit. Aty prisnin autobusët e minibusët të evidentuar me emrat e drejtimeve përkatëse. U vendosa në njërin nga minibusët, që ishte planifikuar të shkojë për Krujë. Nuk njihja asnjë nga të pranishmit, me gjithë atë shumë shpejt filluam të prezantohem  me njeri tjetrin, dhe kohë pas kohe shkëmbenim emal, numra telefoni, vizitkarta , etj.

Tre minibus u plotësuan të shkojnë për në Krujë. Minibusi ynë ishte më me fat, nëse mund të shprehem, sepse në rolin e ciceronit gjatë rrugës deri në Krujë, pos zonjushës  Marsela  Xhixha e caktuar nga MPJ, kishim edhe zonjën Mereme  (Megi) Llubani, gazetare  publicistë  e lindur në Krujë, me studime në Tiranë, por që tani e 25 vjet jeton në Gjermani, përkatësisht në Berlin.

Për në Krujë nga Tirana, duhej të kalonim nëpër Rinas e Fushë Krujë. Meqenëse udhëtoja për herë të parë në këtë relacion, isha kurioz që të mësojë sa më shumë për këtë zonë në përgjithësi dhe Krujën në veçanti. Dhe nuk mungonin informacionet nga  zonja  Megi, që na njoftonte vazhdimisht për gjithçka... Më bëri përshtypje( jo vetëm mua!) Fushë  Kruja dhe vizita e para disa viteve e ish presidentit amerikan  Xhorxh W Bush dhe “afera” e zbuluar për “zhdukjen” e orës së tij...

Në qytetin e Krujës arritëm pas një rruge prej disa kthesave që ka nga ultësira deri në qytet.  Fillimisht u drejtuam  te kalaja e Krujës e ngritur mbi një shkëmb që ka mundësi të vrojtohet shikimi në ultësirë deri në detin Adriatik.

Kalaja e Krujës

Na priti ngrohtësisht drejtori i Kalas së Krujës, z. Mehdi  Hafizi, i cili fillimisht na urojë mirëseardhje. Mandej në shenjë respekti të treguar për grupin e vizitorëve nga Samiti i Diasporës që po mbahet në Tiranë, rolin e ciceronit e mori vet, duke shpjeguar aq bukur e hollësisht me shpjegime plotësuese, sa kishe dëshirë ta dëgjoje me orë të tëra. Njoftoi, se: “ Brenda mureve të kalas janë dy muze: Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Etnografik. Përndryshe, themelet e kalasë janë mbi muret e një vendbanimi ilir të shekullit tretë para erës së re. Me emrin Krujë kalaja përmendet në një dokument kishtar. Kalaja gjatë mesjetës është fortifikuar disa herë pas fushatave të mëdha osmane. Edhe  një tërmet i fuqishëm në vitin 1617 dhe shkatërrimet masive të osmanëve pas shtypjes së kryengritjes së vitit 1832. Me gjithë rregullimet që janë bërë gjatë shekullit 19-të, kalaja nuk ka shkëlqimin e dikurshëm. Kalaja ka një pamje eliptike me sipërfaqe 2.25 hektar. Muri rrethues ka një perimetër 804 metra; me mure të trasha 1.5 metra; me nëntë  Kulla të ngritura në pjesët më të rëndësishme... Hyrja kryesore e kalasë është nga veri-lindja, derisa hyrja e dytë është e vendosur në jugë-perëndim. Kalaja është e banuar prej formimit, gjë që vërtetojnë dokumentet historike... Kalaja ka pozitën që mund të vështrohet një pjesë e mirë vendbanimeve për rreth, madje nga këtu në mbrëmje mund të vërehen edhe dritat e Ulqinit në Mal të Zi,e dritat e Barit të Italisë”... Ishte kënaqësi të dëgjosh zotin Mehdi  Hafizi se si interpretonte çdo figurë,  korridor dhomë, lokale, vizatime , dokumente e arkiva të ruajtura origjinale e kopje, sikur që ishte kopja e shpatës dhe përkrenares së Skënderbeut, pasi dihet se origjinali gjendet ne Vjen.

Ndër shumë shkrimet dhe dokumentet që janë muzeun e Kalas, ishte edhe kjo: Letër e Skënderbeut  shkruar në Lezhë më 8 prill 1456 drejtuar Kardinalit  të Fermos(Itali) Domeniko Kopranikës kishte këtë përmbajtje: “Njoftoheni se turku i është afruar kufirit. Me forcat tona po marshojm kundrejt tyre. Në qoftë se do të marr rrugën e Danubit ne do t’i qepemi mbrapa shpine, po në ardhtë kundër nesh ne do të rezistojmë me armë”.

Pas vizitës së Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” kaluam te ai Etnografikë. Edhe këtu u njoftuam gjerësisht për lokalet që janë përdorur, veshjet, veglat e punës, etj. Format e organizimit të jetës dhe traditës që ishin ndër shekuj... Normal nuk munguan edhe pyetjet, fotografimet dhe komplimentet, por edhe krenaria e të qenit shqiptar.

Pas Kalasë    Krujës, me minibus shkuam lartë në malin e Krujës që është pjesë e vargmaleve shqiptare. Në pikën me të lartë që arritëm, vërehej poshtë hapësirë e madhe e tokave shqiptare. Aty vizituam edhe  Tyrben e Sari Salltekut, një misionar i sektit bektashinj. Kështu pas një qëndrimi të shkurt u kthyem në Krujë, te Hotel Panorama, për drekën e shtruar nga Bashkia e Krujës. Pas drekës vizituam Pazarin e Vjetër-Karakteristik të Krujës , që lidhet menjëherë nga aty ku drekuam, me një rrugë të shtruar në kalldrëm e që lidhet me hyrjen e kalasë, me dyqane anash të ndërtuara krejtësisht nga druri. Gjithçka që është shqiptare  e kohës së tanishme, por edhe e të së kaluarës mund të hasësh. Ky Pazar ka funksionuar qysh në kohën e Skënderbeut. Aty sikush sipas shijes patëm mundësi të blejmë  punimet e ndryshme të artizanatit nga argjendi, bakri, qëndistari, bizhuteri, etj...

Në orët e vona të ditës u kthyem në Tiranë. Meqenëse ishte dita e fundit e Samitit, në Pallatin e Kongreseve u mbajt Mbrëmja Gala “Të pa ndarë për Shqipërinë”, ku personalitete e grupe të shquara shqiptare në botë, u vlerësuan me shpërblimin :  “Shqiponja e artë”, nga Samiti i Diasporës që u mbajt në Tiranë.

Ishte vizita ime e parë në Krujë, emrin e së cilës e kam mësuar qysh në moshën 9 vjeçare, kur për ditën e shkollës interpretova poezinë e  Naim Frashrit: Krujë, o qytet i bekuar!  Prandaj, jo rastësisht këtij reportazhi i vura këtë kryetitull. Për qëndresën heroike të Skendërbeut; për Besëlidhjen e Lezhës; për heroizmin e banorëve të Krujës e shqiptarëve nëpër shekuj, kam lexuar e dëgjuar, por vizita në Krujë dhe Kalanë e Krujës  kishte efektin e veçanet...

Këmbona që dha lajmin  e vdekjes së Skënderbeut


Në hapsirën e Kalasë së Krujës


Para Hotel Panoramës


Rruga e pazarit të Krujës


Z. Mehdi Hafizi, drejtori i Muzeumit të Kalasë


Krujë


Nëntor, 2016

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: