Dedë Preqi: A ka Kosova fare dell burri
| E Shtune, 10.12.2016, 01:47 PM |

A KA KOSOVA FARE DELL BURRI, QË LEJON MITROVICËN ME U NDA ME MURI

Nga Dedë Preqi

Është lehtë të flitet nga largë, nga ndonjë vend i largët ku jeta është krejtë ndryshe dhe pa probleme, por nuk mundesh të mbetësh indiferent ndaj asaj që të dhembë dhe të prek në shpirt dhe nuk të lë fare të qetë, dhe kjo ndjenjë e natyrshme dhe e pa shmangëshme e njeriut që jeton largë atdheut, sipas konstruktivës shpirtërore të njeriut në mërgatë është shumë më e fuqishme se te dikush tjetër ...

A nuk janë këto dëshmi të mjaftueshme, jo vetëm të bindet opinioni europian dhe ai i botës, por edhe të turpërohet me maskarallëqët dhe hipokrizitë që po i bënë politika e Serbisë, me shërbëtorët e vet kriminel në Mitrovicën e  Kosovës, ku vetëm mendja e varfër dhe e sëmuarë vepron në këtë mënyrë. Sikur që thotë edhe Cicëroni,  « harrojnë të mjerët » se,  është  e madhe forca e ndërgjegjës , ajo në njërën anë i liron nga hipokrizitë dhe frika ata që nxisin, gjëja që nuk bëjnë asgjë, ndërsa në anën tjetër ata që veprojnë dhe gabojnë, e kanë para syve dënimin, por nuk e shohin.

Serbët e pjesës veriore të Mitrovicës me arrogancën e tyre nuk ndalen dhe sjellja e tyre në Kosovë është, sikur nuk ekziston shteti  as ligji, dhe nuk ekziston asgjë që ata të ndalën një ditë dhe të mendojnë mirë se, nuk mund të mohohet një vend në të cilin ata jetojnë dhe janë banorë të atij vendi, në të cilin kanë një privilegj më të veqantë se të tjerët dhe nuk është kurrfarë pengese për t’u konstituar si pjesë përbërëse e këtij shteti.

Menjëherë pas luftës në Kosovë, në veriun e Mitrovicës filluan të shfaqën disa grupacione serbe, të cilët i formuan strukturat e tyre paralele, gjykatat, policinë dhe formacione tjera të mbrojtjes, duke funksionuar përmes urdhërave dhe ligjeve të Beogradit. Madje edhe më keq, kur disa prej këtyre grupacioneve kriminale formuan barikada të ndryshme, duke i bllokuar doganat dhe shumë rrugë që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të shqiptarëve dhe bllokuan edhe urën mbi lumin Ibër, duke vendosur mbi urë gjësende të ngurta, kinse po mbjellin një « park të paqës ».

Tani këto ditë fillon të ndërtohet edhe muri i ndarjes së Mitovicës, i cili mund të jetë i planifikuar edhe më herët për ta ndarë këtë qytet në dy pjesë etnike. Këto akte që po shpalohen në këtë qytet, janë më shumë se politike, të cilat plane po dihet se po i gatuan kuzhina e Beogradit, përmes të cilave tentohet për ta destabilizuar Kosovën dhe pastaj me realizue planet tjera. Kjo filozofi politike është shumë e qartë, sepse dikush ua ka përgaditë planin dhe terenin për ta filluar në këtë mënyrë ndarjen fizike dhe institucionale të serbëve, dhe pastaj me realizue qëllimin përmes ndonjë referendumi të mundshëm nga « zajednica ».

Qeveria e Kosovës po flinë dhe siduket tani gjindet në gjumin e thellë dimëror, e cila njëmend e ka treguar vetën të pa aftë për të kryer dhe zbatuar ligjet në bazë të Kushtetutës së vendit, përmes së cilës do të zgjidhej shumë herët formula e gjitha problemeve, sikur të ishin shpartalluar që në fillim të gjitha strukturat, bandat dhe aksionet e kriminelëve në veriun e Mitrovicës, duke i dënuar akterët në bazë të ligjit, sikur që po dënohen edhe shqiptarët faj e pafaj. Por, kjo nuk ndodhi dhe tani jemi të varur vetëm çka ndërmerr « për hatër të zotit » Bashkësia Ndërkombëtare dhe ne duhet të presim me ia bë aminin.

Ku janë burrecat e Kosovës, që kanë lënë atdheun dhe kanë mësyer vendet e huaja, duke treguar patriotizmin e tyre nëpër shkretirat e Sirisë dhe tjera vende, ku luftohet për xhihad, ndërsa xhihadin e vërtetë e kemi në Kosovë dhe kërkund tjetër. A ka Kosova fare dell burri, mos me lejue Mitrovicën me u nda me muri, jo me i rrokë armët, sepse ka kaluar koha e luftave, por me ngritë zërin në çdo mënyrë dhe të organizuar e të bashkuar me i kundërshtue këto politika dhe struktura kriminele në Kosovë. Ne mendojmë se këto janë përpjekjet e fundit që ka në plan kjo politikë për ta ndarë  Kosovën, ndoshta tani është fillimi, duke ditur se shteti i Serbisë, më shumë është i interesuar dhe hargjon energji politike dhe finansiare për ta rikthyer Kosovën, se per t’a  integruar popullin e vet.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: