Elvi Sidheri: Një votë e çorientuar
| E Premte, 09.12.2016, 08:40 PM |

Një votë e çorientuar

Nga Elvi Sidheri

Të dielën që vjen, në IRJ Maqedoni do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare ndoshta më të rëndësishme e vendimtare të këtyre 24 viteve qysh nga shpallja e butë e pavarësisë të këtij vendi.

Zgjedhje ku si kurrë më parë, faktori shqiptar vjen krejt i përçarë, me shumë pak vizion për të tashmen dhe të ardhmen, me një krizë identitare të tejpërhapur dhe ku pritet që jo pak vota shqiptare sipas shumë gjasave të shkojnë edhe për opozitën maqedonase.

Më konkretisht, 15 vite e ca pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, pozitat e shqiptarëve në IRJ Maqedoni, pavarësisht përmirësimeve më tepër kozmetike sesa vërtet përmbajtësore, vijojnë të mbeten margjinale dhe ende të ndërvarura nga humori përkatës i palës maqedonase-sllave në pushtet, fenomen ky edhe më i theksuar gjatë viteve të fundit të bashkëqeverisjes mes VMRO-së nacionaliste antishqiptare dhe BDI-së së dalë nga hiri i luftës së vitit 2001 dhe UÇK-ja triumfuese në këtë konflikt.

Kokëulja e BDI-së sidomos në periudhën e fundit, ka bërë që për herë të parë në këto zgjedhje, binomi i fortifikuar BDI-PDSH në krahun shqiptar të kriset me shfaqjen në skenë si pasojë e pakënaqësisë popullore dhe mungesës së besimit te dy partitë tradicionale shqiptare, të Lëvizjes për Reforma PDSH të kryetarit përparimtar të Komunës së Strugës, Zijadin Sela, një fraksioni të shkëputur nga BDI-ja, partia Uniteti e Gëzim Ostrenit etj, si dhe lëvizja tanimë e njohur filoturke me prirje të qarta fetare Besa.

Mënjanë këtij fragmentarizimi të thellë të krahut shqiptar, copëzimi i votës shqiptare pritet të vazhdojë edhe me kanalizimin e mjaft votave shqiptare për LSDM-në majtiste opozitare maqedonase, trashëgimtare e ish komunistëve jugosllavë, që nën flamurin (në dukje) përbashkues të Bratstvo Edinstvos së Bashkim-Vëllazërimit të ashtuquajtur të dikurshëm, po i josh shumë shqiptarë të zhgënjyer nga realiteti dhe shterimi i durimit të tashëm me eksponentët e partive të tyre, që po i referohen opsionit (gjithmonë në dukje) “gjithëpërfshirës” të opozitës së majtë maqedonase, karizmës dhe të folurit të zhdërvjellët e modern të liderit të saj Zaev, si një mundësie të mirëfilltë për të adresuar votën e tyre.

Dhe kush fiton nga kjo vallë?

Nuk i dihet tamam?

Tre faktorë janë kyçë sa i përket këtyre zgjedhjeve pra: 1) Fragmentarizimi i tepërt i votës shqiptare. 2) Dalja (e sforcuar) në skenë me fuqi e faktorit teokratik  fetar (në kurriz të identitetit kombëtar) në skenën politike shqiptare, të kamufluar pas një emërtimi tingëllues me një fjalë plot simbolikë shqiptare, si BESA dhe lëvizja që mban krejt padenjësisht këtë emër. 3) Mundësia e fortë që një sasi jo e pakët votash shqiptare të shkojnë në të mirë të opozitës maqedonase për herë të parë në histori.

Nga këto tre faktorë  do të përcaktohet ana shqiptare e këtyre zgjedhjeve kaq vendimtare për IRJ Maqedoninë.

Nuk do mend se të tre faktorët në vetvete përbëjnë një rrezik të theksuar për shqiptarët e këtij vendi gjithësesi.

Fragmentarizimi mund të shpjerë thuajse pashmangshmërisht drejt një defaktorizimi të shqiptarëve që mund të gjenden përballë një përfaqësimi të copëzuar dhe pa një zë të fuqishëm politik me të cilin të përballen qoftë me Gruevskin apo me Zaevin në qeverinë e ardhshme, duke rrezikuar që të bien në kushtet e një pjesëmarrje thjesht honorifike në pushtet, fort më keq sesa në të gjitha qeveritë e fundit, pas vitit 2001 të paktën (pavarësisht të metave dhe servilizmave të BDI-së  gjithë këto vite bashkëjetese me LSDM-në në fillim dhe VMRO-në nga 2008-a).

Shfaqja në skenën politike e lëvizjes Besa, shënon për herë të parë, faktorizimin e fuqishëm të një lëvizjeje me trajta të qarta predominuese teokratike fetare dhe turkocentrike, që i mvishen një “gëzofi” së jashtmi  shqiptar, duke përdorur humbjen e shpresës dhe besimit te popullsia shqiptare në IRJ Maqedoni, ashtu si edhe mbështetjen e pakursyer të “Babës Sulltan”, për të realizuar “detyrat e shtëpisë” që synojnë njësimin tërësisht antishqiptar të shqiptarëve të Maqedonisë (dhe më gjerë) me vizionin rrënues neo-otoman të zhbërjes totale të shqiptarësisë sonë unike siç ajo qe konceptuar nga rilindasit në kohën e shkëputjes nga kthetrat e Portës së Lartë dhe krijimin më pastaj të “insanit” të ri shqiptar Dumbabist.

Të tillë “insanër” shqiptarë që shqip flasin copë-copë, maqedonisht të thajnë e flasin perfektësisht më “литературно” se vetë sllavët e Maqedonisë dhe që turqisht u rreh zemra, u ushton goja dhe u përvëlon shpirti.

Jo pra, nuk i duhet kujt një Besë e këtillë!

Ndonjë “Güven” (versioni në turqisht i kësaj fjale) ndoshta, po jo të keqpërdoret fjala jonë e shenjtë kombëtare për të tilla qëllime.

Ndërsa sa i përket opsionit të tretë, atij që shikon jo pak vota shqiptare të kanalizuara drejt fondit elektoral të LSDM-së opozitare maqedonase, kjo është padyshim një e keqe tjetër e pashmangshme për kushtet aktuale.

Diçka që nuk do të kishte përbërë asnjë dukuri të habitshme në një vend normal (që IRJ Maqedonia nuk është), nëse ky shtet do të qe pjekur në atë pikë saqë shqiptarëve t’u jepte të drejtat që u takojnë, një përfaqësim që shkon përtej ministrave shqiptarë që nuk i pyesin fare e nuk ua varin teneqen as zëvëndësit e tyre sllavë në ministritë që drejtojnë (e askush tjetër nga vartësit sllavë gjithaq), duke arritur ndonjëherë së paku në nivelin e një shqiptari si kryetar parlamenti apo president, në mos gjë tjetër.

Kur maqedonasit sllavë të votonin për një parti shqiptare, atëherë vërtet do të ndodhte kapërcimi i ylberit ndëretnik në IRJ Maqedoni.

Ndonëse vota shqiptare për Zaevin e buzëqeshur dhe LSDM-në, mund të rrëzojë nga pushteti një diktator autoritar dhe filorus si Gruevskin, (gjysma e të keqes), ajo do të shoqërohet në 99% të mundësive, me një shpërfillje të rradhës ndaj kësaj vote në veçanti dhe interesave të shqiptarëve në përgjithësi.

Fjalët e bukura të Zaevit, premtimi si nën zë për zgjerimin e pranisë së shqipes në tërë territorin e IRJ Maqedonisë, apo kuadrot e deputetët shqiptarë të kësaj partie në legjislaturën e ardhshme, me shumë gjasa do të shërbejnë vetëm si “dekor” i këndshëm, i një partie që Bratstvo Edinstvon në version 2.0 do ta përdorë përsëri në interes të kombit të vet maqedonas sllav.

Votoni shqip, as zaevisht e as dumbabisht o shqiptarë!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: