Preqi: Me lehtë shkon në Australi se në veri
| E Marte, 06.12.2016, 08:01 PM |

ME PËRSHKUE KOSOVËN, MË LEHTË SHKON NË AUSTRALI SE NË VERI

Nga Dedë Preqi

Çfarë kohe është sot, një kohë e një kohe të pakohë, e cila na tërheq pas vetës në botën e saj të mistereve dhe mashtrimeve, që ta imponon edhe ajrin që e thithë. Por,  njeriu i qëndrueshëm që ka durim dhe nerva të çelikta, mundet t’i përballojë, në këtë rast këtë epitet e kanë vetëm njerëzit e fortë, njerëzit e guximshëm dhe njerëzit që i përjetojnë nën lëkurë të gjitha dhe durojnë, vetëm e vetëm për ta zgjedhur çështjen e një zgjedhje paqësore , e dikush e beson, apo nuk e beson se këto gjëra ndodhin në një vend, sikur që është Kosova me popullin e saj.

Pasi që  Serbija e ç’fryenë mullanin dhe urrejtjen e saj  ndaj popujve jo serb, që dikur jetonin së bashku me slloganin «vllaznim-bashkim», duke menduar se një energji e keqe e këtij populli u hargjue dhe u lirua në luftëra irituese dhe të përgjakshme në tërë «ish-jugosllavinë», atëherë, a nuk mjaftojnë të gjitha këto marrëzira që shkakëtojë ky regjim i egër, që edhe sot nën këtë shiije nuk ndalet, duke shaluar kuajt e vet mitologjik bashkë me përkrahjen  e qeverisë aktuale, e cila akoma ëndërron dhe e ruan me fanatizëm mykun e kësaj historie jo njerëzore.

Edhe pse NATO, e ndëshkon regjimin e Serbisë me 1999, për të bëmat dhe gjenocidin që shkakëtojë ndaj popullit të pafajshëm të Kosovës,  politika e Serbisë ndaj Kosovës edhe sot fare pak ka ndryshuar. Ajo në praninë e Brukselit,  paraqitet si një negociatore e ndershme dhe e arsyeshme, por në anën tjetër i tejkalon të gjitha caqët e marrëdhënive jo të mira fqinjësore, duke mos respektuar asnjë Marrëveshje, që kanë të bëjnë me veriun e Mitrovicës.

Prandaj, popullata e këtij vendi e ka shumë vështirë që të gjejë qetësinë dhe rehatinë e vet, sepse në këtë pjesë të veriut të Kosovës, ka organizime të ndryshme të bandave kriminale serbe, të cilat i ushqenë dhe i josh vetë Beogradi, për të penguar çdo gjë që rrjedh nga Institucionet e Kosovës dhe Kushtetuta e saj, poashtu duke penguar edhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve dhe banimin e tyre në pronat e veta.

Tek e fundit, ne nuk mundemi që botën e miteve të Serbisë që ta ndryshojmë, apo ti japim kahe tjetër, ajo të vazhdojë  këtë avaz deri aty ku i ka edhe rrënjët, por ajo që i intereson dhe i dhemb popullit dhe shtetit të Kosovës, është përzierja e Serbisë në shumë çështje të brendshme të Kosovës, posaqërisht në çështjen e veriut të Mitrovicës, e cila çështje mvaret të zgjidhet edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare, gjegjësisht nga BE-ja, e cila është në mes të negociatave.

Sot në këtë kohë, kur Kosova e ka fituar lirinë që pas vitit 1999 dhe pavarsinë e shtetit të vet me 2008, qytetarët e saj shqiptarë akoma nuk e ndjejnë vetën të lirë dhe lëvizja e tyre nuk është e lirë të lëviz në tërë shtetin e vet, posaqërisht  në pjesën veriore të vendit ku banohet me popullatë serbe. Kemi shumë familje shqiptare të cilët i kanë shtëpiat dhe pronat e veta që para luftës në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, por sot ata nuk janë në gjendje të jetojnë të qetë në pronat e tyre, sepse  bandat dhe kriminelët serb nuk lejojnë banimin e shqiptarëve në këtë vend.

Prandaj, është shumë e dhimbshme dhe brengosëse kjo gjendje, kur në shtetin e «lirë»  dhe demokratik» të Kosovës, në vend që populli ta pushtojë lirinë e vet dhe ta shijojë demokracinë, apo në vend që ti bashkangjitet dhe inkuadrohet vendeve bashkëkohore në zhvillim, ky popull akoma përballët me mbeturinat dhe regjimet e të kaluarës.

Dhe kemi rastin më të freskët, kur kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa këto ditë ishte i ftuar në perurimin e urës që i lidh dy komunat e pjesës veriore Zveçanin me Leposaviçin, të cilën urë e kishte ndërtuar NATO, duke investuar mbi 400 mijë ero, me ç’rast kryeministri dhe eskorta e tij, është dashur të gjejë një rrugë tjetër alternative me mbërri në vendin e caktuar, përshkak të bllokimit të rrugës nga serbët e organizuar në Rudarë, ndërsa, ceremonia realizohet vetëm nën sigurinë e forcave të KFOR-rit.

Shtetin e Kosovës nuk e kanë trilluar dhe as që e kanë ëndërruar ndonjëherë «makineritë Akademike të Serbisë», por arkitekt të këtij shteti ishin ideologët shqiptarë në krye me Presidentin historik Ibrahim Rugova, bashkë me popullin e vet, dhe besojmë se, mos sot, nesër gjithsesi, në jetën tonë politike do të hyjnë më të mirët dhe më të aftit, do të hyjë brezi tjetër i ri politik, që do të quhet «brezi i demokracisë së re», dhe njerëz që e meritojnë besimin e popullit, sepse të gjitha këto ngecje politike në zhvillimin dhe avansimin e shtetit të Kosovës, po i shfrytëzon Serbia, nga njerëzit  që i pushtuan Institucionet e vendit pa meritë, jo me votën e lirë, por me dhunimin e saj.

Shqiptarët e Kosovës, përveq që po izolohen nga vetë Europa, duke eksperimentuar me shqiptarë, e cila të vetmit i ka vequar ndër popuj të rajonit dhe botës, ky popull po izolohet edhe brenda kufinjëve të vet, me çrast, më lehtë mund të shkoni deri në ndonjë kënd të kontinentit në Australi, se sa të shkoni dikund në veri të vendit, ku banohet me popullatë serbe.

Edhe pse kjo gjendje dikujna nuk ia turbollon trurin, por nuk është e drejtë që këtë barrë ta merr përsipër populli, apo të thuhet se shqiptarët, i kanë sot të gjitha të drejtat, por nuk dinë që ti shfrytëzojnë ato, përderi sa në Institucionet e Kosovës, udhëheqin  grupe mafiozësh, njerëz të krimit dhe njerëz që nuk dinë më mirë, vetëm se të prodhojnë anarki dhe fetkeqësi në këtë vend.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: