Entela Binjaku: Kontakte me një pjesë të realitetit tonë
| E Premte, 02.12.2016, 09:20 PM |

Kontakte me një pjesë të realitetit tonë…

Nga Entela Binjaku

Për disa sociologë konceptet e analizës sociologjike fillojnë nga grupi;  sipas tyre shoqëria nuk përbëhet nga individë, por nga grupe shoqërore. Cooley thoshte se “individi zhduket në grup, gjë e cila nxit sociologun të studiojë atë si element të analizës”.

Ndërsa Robert Musil  thoshte se “banorët e një vendi kanë të paktën nëntë karaktere: një profesional, një kombëtar, shtetëror, klasor, gjeografik, gjinor, të ndërgjegjshëm, të pandërgjegjshëm, dhe ndoshta një karakter privat. Sipas tij: “njeriu është hullia e ujit ku rrjedhin shumë currila që derdhen në të, që dalin prej aty për të rrjedhur në hulli të tjera. Sipas Musil njeriu ka edhe një karakter të dhjetë të fshehur që është “fantazia e hapësirave të pambushura”.

Nisur nga këto këndvështrime dhe mbi ndjesitë e njohjes personale lindi ideja për të shkruar mbi një grup të ri në shoqërinë tonë, për të cilin njohja është krejtësisht e kufizuar.

“Muxhahedinët” që në shqip do të thotë “luftëtarët e lirisë” janë disa nga qytetarët iranianë, të përzënë nga vendi i tyre, që jetojnë edhe në kryeqytetin tonë prej disa vitesh. Kur në rrugë u shfaqën të parët, njohja e qytetarëve për ta ishte thuajse zero. Kur u shfaqën më dendur, “njohuritë” u pasuruan me mendime që thuheshin aty-këtu, apo me ndonjë informacion që përthyhej herë drejt, herë shtrembër në optikat e njerëzve të ndryshëm. Çuditërisht,  asnjëherë këto njohuri nuk u formalizuan dhe as u përcollën zyrtarisht! Shteti me mungesën e informimit nuk bëri gjë tjetër veçse la të lirë “karakterin e dhjetë të njerëzve”, pra fantazinë të harliset dhe të shpupuriset në forma të ndryshme. Edhe kur një ndër ish-kryeministrat e Shqipërisë, aktualisht i zgjedhur i popullit në Kuvend  u vetëdeklarua me një ekzaltim impresionues në takimin e tyre të përvitshëm në Paris “ai em muxhahedin!”, sërish qytetarët nuk e patën idenë se çfarë janë këta individë. Ekzaltimi i politikanit u trajtua nga opinioni më shumë si një shpërthim emocional,  nga të cilat shkolla e politikës shqiptare ka prodhuar jo pak.

Një shoqëri si jona që ka jetuar shumë kohë e shkëputur nga zhvillimet e politikës ndërkombëtare, që ka pak informacion për çfarë politikanët e saj vendosin, në kushtet kur informacioni informal gëlon lirisht, ka nevojë të  madhe të informohet drejt dhe pa filtra.

Një ditë si përfaqësuese e Fondacionit “Harriet Martineau” një grup grash muxhahedine më ftuan në një aktivitet. Midis tyre ishin dy zonja njëra prej të cilave kishte studiuar antropologji në SHBA dhe tjetra kishte qenë mësuese në Iran. Prej tyre mësova shumë nga jeta e madhe e tyre, plot vuajtje dhe vështirësi aq sa ishte i madh edhe ideali tyre për të luftuar në emër të lirisë.

Ato më thjeshtësinë e tyre, brenda një ndjenje të madhërishme, midis të tjerave më folën edhe për një ngjarje që do të mjaftonte për të tronditur botën dhe për të motivuar miliona njerëz në përkrahje: regjimi kishte ekzekutuar me varje në një ditë të vetme, vite përpara, rreth 30 mijë njerëz të cilit kishin dalë kundër tij. Ato më treguan edhe për  gra të cilat në këtë luftë për liri kishin humbur të gjithë fëmijët. Kuptova se kjo egërsi kundër tyre i kishte bërë ato të disiplinuara si asnjë komb tjetër, në jetë dhe kryesisht edhe në luftën e tyre për çlirim. Më folën me shumë emocion edhe për drejtuesen e tyre, një grua sa e thjeshtë aq edhe e admirueshme, sa e brishtë aq edhe e fortë, “burrneshë” do të thoshim ne shqiptarët.

Organizimi i festës ishte sa  i papritur për ne, aq edhe madhështor! Brenda fjalës “së papritur” nuk e kisha menduar kurrë që ata njerëz mund të festonin aq solemnisht, aq thjesht, me një organizim të përsosur dhe me një nivel profesional artistik. Për një çast organizimi i tyre më rrëmbeu dhe ndjeva që kontakti im me realitetin ishte shkëputur. Brenda kësaj shkëputjeje kuptova se idealet buronin nga motivi i tyre sublim, që për ne duken si ndjesi të harruara.

Nga të gjitha këto kuptova se ky spiritualitet dhe ajo disiplinë rridhte nga vuajtja dhe nga persekutimi.

Nga ana tjetër ato më treguan se janë të befasuar nga klima e ngrohtë dhe njerëzore që kanë gjetur mes shqiptarëve, të tjera shprehen se pëlqejnë si jetojnë gratë shqiptare, të tjerë pohojnë se  ardhja e tyre në Shqipëri është shpërblimi për lutjet gjatë  ditëve më të vështira në kamp, ndërsa dikush  tjetër, më thotë se është: “vetë prova se Zoti ekziston”.

Media mund ta ndihmojë mjaft  shoqërinë duke  informuar mbi këtë organizatë duke përcjellë  rreth tyre ide e njohje, që përputhen  me realitetin, në disa drejtime.

Kauza e këtyre individëve “të dashuruar me lirinë” është ajo e një shoqërie pa dhunë  ku të drejtat e njeriut respektohen. Me lëvizjen e tyre kërkojnë njohjen  ndërkombëtarisht të kauzës së tyre për liri si dhe pranimin e masakrës së vitit 1988.

Ky grup shoqëror i ri në realitetin tonë ka botën e brendshme shpirtërore e psikologjike, ka kulturën e vetë të trashëguar dhe të kultivuar; ka durimin, përulësinë, solidaritetin, disiplinën, besimin tek qëndresa, shpresën tek e ardhmja. Me këto vlera të grupit, këta individë kanë arritur të ndërtojnë rrjetin e miqve dhe të mbështetësve edhe në qarqet ndërkombëtare, me ndihmën e të cilëve ata janë sot, edhe pjesë e realitetit tonë.



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: