Gani Mehmetaj: Pse ia kanë frikën hoxhallarët flamurit kuq e zi si djalli kryqit?
| E Enjte, 01.12.2016, 10:14 PM |

Pse ia kanë frikën hoxhallarët flamurit kuq e zi si djalli kryqit?

Nga Gani MEHMETAJ

1.

Para festës së flamurit një pjesë e xhamive në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoni ziejnë nga tërbimi i hoxhallarëve të cilët shkumëzojnë kundër shpalljes së shtetit shqiptar, duke mos e thënë asnjë fjalë të keqe për pushtimin e territoreve etnike nga Serbia e Mali i Zi. Vajtojnë me përulësinë e pjata lëpirësit pse u dëbua Turqia, ndërsa nuk u del asnjë ofshamë a psherëtimë pse nuk u bë shteti shqiptar ashtu si duhej të bëhej, në tërë hapësirën shqiptare. Një hoxhë agresiv i Shkodrës e vë në ballë të xhamisë vulën e sulltanit gjakatar që vrau mijëra arbëror. S'ka zog shqiptari a pushtetari që mund t'ia heq këtë shëmti. Apo nuk duan, sepse dikush ua ka shkel bishtin më këmbë? Ajo që bëri hoxha me mentalitet anadollaku, është njëjtë sikur në xhami të Kosovës të vihej fotografia e Milosheviëçit, vrasësit tjetër të shqiptarëve. Hoxhës së Shkodrës feja e tij ia ndalon të vë portrete të Sulltanit gjakatar, ndryshe do ta bënte.

Po në Shkodër dy-tre ditë para përvjetorit të pavarësisë dikush hodhi koka "kurbanesh" në rrugën e këmbësorëve, mbase për t'i paralajmëruar shkodranët se Turqia do të kthehet një ditë më gjak e koka të hequra. Dikur po këta shpirt shitur për të nxitur vëllavrasje shqiptarësh, hidhnin koka derrash nëpër xhami. Shkodra po përdhoset nga islamikët muajve të fundit si asnjë qytet tjetër, pikërisht pse dikur ishte simbol i veriut shqiptar nga Prishtina deri në Shkup e Tetovë. Kërcënimet islamike e detyruan organizatorin ta bartë ndeshjen në Elbasan.

2.

Kreu i BIK-ut në xhaminë kryesore të Prishtinës e ka vënë dhe e ve në spikamë flamurin turk, ndërsa kurrë nuk e ka vënë flamuri shqiptar. Po në këtë xhami e në xhami të tjera ka qëndruar dikur për festa shtetërore flamuri serbë e jugosllavë. Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës e lavdëroi Sulltan Muratin vrasësin e mijëra arbërorëve. Po ky hoxhë servil një herë e lavdëroi Gulenin, duke e krahasuar më shenjtorin e myslimanëve, pastaj e kafshoi gjuhën dhe e lavdëroi Erdoganin, duke u përpjekur të përmirësonte gabimin e parë, meqë Erdogani e bëri armik, Gulenin, ish-pejgamerin e kreut të BIK-ut. Servilizma të tilla nuk ndodhin askund tjetër në botë. Dhe ai qëndron në krye të organizatës së vet në mënyrë të paligjshme, falë qëndrimit puthadorë e mbështetjes së hapur turke. Pushtetarët tonë nuk duan ta prishin më Ankaranë. Hoxhallarët që mendojnë e veprojnë ndryshe janë margjinalizuar, ose ndiqen.

3.

Nga simbolet kombëtare pjesë e konsiderueshme e hoxhallarëve e urrejnë flamurin kombëtar, por kurrë nuk kanë folur më urrejtje apo më përbuzje për flamurin serb, në emër të të cilin Serbia vrau mijëra shqiptarë. Hoxhallarët u thonë besimtarëve të festojnë, ose të kujtojnë luftërat e përgjakshme okupuese arabe e turke, por kurrë nuk u thonë, festojeni 28- nëntorin, ditën e shpalljes së pavarësisë, apo nuk u thonë festojeni ditën e kthimit të Gjergj Kastriotit në Krujë. Nuk ka klerikë fetar në faqe të dheut, sikurse hoxhallarët tonë që punojnë kundër kombit e shtetit të tyre. Dhe askush nuk i pengon.

Është e habitshme se si pjesës jo e pakët të hoxhallarëve nuk u del kurrë nga goja asnjë fjalë e keqe apo ndonjë mallkim kundër Serbisë që masakroi aq shumë shqiptarë të pafajshëm, nuk u shkon as nëpër mend të paraqesin në predikimet e tyre krimet turke ndaj shqiptarëve, por nuk u shpëton pa i mallkuar heronjtë shqiptarë që kontribuuan në luftën kundër perandorisë turke, nuk u shpëton pa gënjyer për historinë e shqiptarëve, duke e propaganduar versionin serb të historisë sonë. Kur predikojnë nëpër xhami, ata nuk e përçojnë fjalën e Zotit, ata bëjnë politikë kundër interesave tona kombëtare, na turpërojnë e dëmtojnë rëndë, duke mobilizuar të rinjtë që të luftojnë për islamin, por asnjëherë nuk kanë predikuar që ta luftojmë pushtuesin serbë. Ata e përçojnë fjalën e djallit që i cyt të denigrojnë heronjtë, të fyejnë flamurin kombëtar, duke e lartësuar ish pushtuesin.

Në fëmijërinë time pjesë e madhe e hoxhallarëve pa fije turpi e lavdëronin Jugosllavinë. Sipas tyre Jugosllavia po na jep bukë, liri e të drejta më të mëdha në botë. E madhëronin Titon, të cilin herë e venin para Zotit, herë pas Zotit, apo e barazonin me Zotin. "Tita dhe Zoti na e fali jetën", çirreshin shumë prej tyre, duke harruar se mijëra shqiptarë të Kosovës e të Maqedonisë nuk mund ta dëgjonin këtë lavd, sepse ushtria serbo-malazeze e Titos i vrau mizorisht.

Dikur hoxhallarët e shitur, ngurronin ta shanin më aq pafytyrësi flamurin kuq e zi, sikurse e shajnë sot, megjithëse ishim nën okupim. Atëbotë kishin frikë nga të rinjtë që do t'ua bënin kokën me xhunga në terrin e natës larg nga sytë e UDB-së që i mbronte hoxhët. Është e habitshme që askush nuk u reagon, as nuk ua tharton turinjtë atyre që flasin kundër Ditës së pavarësisë, kundër flamurit shqiptar dhe kundër Gjergj Kastriotit. Kush i mbështet aq fuqishëm sa të bëhen të pafytyrë e trima kundër shqiptarëve, kur dihet që historikisht pjesë e madhe e hoxhallarëve janë treguar burracak.

Pse ia ka frikën një pjesë e konsiderueshme e hoxhallarëve flamurit kuq e zi mu si djalli që ia ka frikën kryqit? Druajnë se do të mbeten pa fonde? Nuk janë shqiptarë as nga nëna, as nga babai? Janë mendërisht të sëmur? Por një gjë dihet një pjesë e tyre janë më fytyra të vrerosura nga tehuajësimi e çnjerëzimi që kanë përjetuat.



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: