Pëllumb Gorica: Legjendë e vjetër
| E Hene, 28.11.2016, 08:00 PM |

LEGJENDË  E  VJETËR

 

POEZI NGA PËLLUMB GORICA

 

LEGJENDË E VJETËR

 

Hapat ngatërrohen nga furi e erës,

si stuhi dallgësh janë kombi im,

vijnë me kohën buzë humnerës,

në pamje luftrash hingëllim.

 

Me gjoksin tënd zbraze falanga,

që mbollën brigjeve veç rrënim,

shikime të vrara rrëzonte nata,

dhe Diellin e sulmuan në verbim.

 

Thua ishin veç mallkime?

Si në legjendën e vjetër!

E rrudhur keq përmes kafshimesh,

një kopsht shprese je patjetër.

 

 

NJË FJALË S’MUND TË VRITET

 

Një fjalë zë fill me udhën,

tek hapin e parë provon,

shpresa se shuan këngën,

humbet por diku fiton.

 

Dyshimi akoma të tundon,

e pulsi rreh i zhgënjyer,

kur Jagot vendosen në fron,

ç’kryq është thyer.

 

Zemra dridhet e shqetsuar,

shplan kujtimet e gjalla,

kur liria është mohuar,

djep përkundje ngjason ëndërra.

 

Ëndërra kurrë s’mund të vritet,

jo çdo gjë është e pafat,

shpirti ynë ka dalë nga mitet,

ndaj do rrojë, do rrojë gjatë.

 

 

KRYEMLLEFI  NGRE  KRYE

 

Ne jemi sërish ata që ishim dje,

kështu do mbesim përsëri dhe nesër,

ecim durojmë së bashku çdo vuajtje.

si shpirt i vrarë dhe i verbër.

 

Jetojmë rutinës që vetë ngritëm,

të ndjejmë se toka rrotullohet,

lëvizim në drejtim të kundërt me dritën

dhe ndjejmë se çdo ngrohje ftohet.

 

Në zjarr mëkati vëmë drejtësinë,

si klithëm fshehur brenda nesh,

zjarrmon vullkani thellë në shpirt

dhe kryemllefin kudo ndesh.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: