Vilhelme Haxhiraj: Abdyl Sharra një nga Elitat kombëtare
| E Hene, 21.11.2016, 08:21 PM |

Abdyl Sharra një nga Elitat kombëtare të mohuara 70 vjet pa një varr.

Në kujtim të kushëririt të tim Eti, inxhinier Abdyl Sharrës!

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Mëngjesi i dates 8 (tetë) Nëntor 1946 agoi i zymtë. Re të zeza rëndonin mbi supet e atdheut arbëror. Male të krrusur nga “ortekët” e Glories së Çmendjes, që kishin filluar të merrnin jetë shqiptarësh. Kjo ishte gjëmë, jo nga Zoti, as nga fenomenet e natyrës, por nga një dorë e zezë, e huaj, vrastare, pasi injektoi helmin ideologjik marksist tek shqiptarët e virtytshëm, ideali i vetëm i të cilëve ndër shekuj kishte qenë SHQIPTARIA,  kërkonte ta çrrënjoste nga trupi, shpirti dhe mendja e atdheut këtë virtyt, që gjendej vetëm tek raca iliro-thrake. Me çdo kusht donte të hakmerrej ndaj identitetit të kësaj race superiore në Ballkan, në dy drejtime:

Së pari: Nisi të zhdukë shtresën e mesme që historikisht tregon se ka qenë, është dhe do të ngelet palca e kombit.Duke zhdukur tregtarët, çifligarët, borgjezinë e mesme të qytetit dhe fshatarin e mesëm, përmes konfiskimit të pasurisë së tundshme dhe të patundshme, e zhveshi atë nga prona. Kjo solli varfërinë ekonomike të familjes shqiptare, si dhe rrënimin ekonomik të Shqipërisë.

Së dyti- Frika e ideologjisë utopike marksiste që nuk ishte filozofi, as shkollë, por mashtrim i madh i një kombi, për ta mbajtur në padije shqiptarin e gjorë, zhduku inteligjencën e arsimuar në Perëndim, që ishte Truri i Kombit.

Nuk di se sa jetë ka një trup i gjymtuar, të cilit i ke hequr palcën dhe trurin?  Po një komb me gjymtime të tilla, sa jetë ka vallë?! Kombit më të lashtë në Evropë i hëngrën ashtin me sistemin antinatyral, antihuman që përhapi si farë krisjeje, kancerin e kuq komunist, që pasi grryeu komunitetin, hëngri veten, vetshkatërroi pushtetin që ngriti mbi themele rëre.

Para 70 vitesh atë 8 nëntor 1946 shqiptarët me në krye Partinë Komuniste festonin jubileun e parë, pesëvjetorin e themelimit të “Nënës Parti”. Pushteti totalitar që po ndërtonte diktaturën më të egër që ka njohur njerëzimi në mbarë botën, për ta kremtuar me kurbanë, kërkonte ta skuqte atë ditë me gjak të pafajshëm shqiptarësh. Nuk mjaftonin shpronësimet, tatimet mbi fitimet e jashtëzakonshme,  burgjet, kampet e internimit, as shpikja më djallëzore “Lufta e Klasave” që mohonte çdo të drejtë dhe liri humane, që i ndau shqiptarët me një hendek të thellë pro dhe kundër por Kanibali grykës ishte  i pangopur me gjak njeriu. Pikërisht atë mëngjes me penën e ngjyer në gjak të pafajshëm të gjashtë inxhinierëve shqiptar, demoni nënshkroi vendimin me vdekje të tyre. Ajo ditë makabre i mohoi jetën, nuk lejoi të shihte dritën e diellit një foshnjeje që rritej në barkun e nënës. Ndërkohë që tringëllinin gotat e dollive me fund për të festuar “fitoret e Partisë”, në kinema “17 Nëntori” u hap gjyqi i famshëm i sabotatorëve të kënetës së Maliqit.

I pari ndër të akuzuarit ishte drejtori I Kënetës së Maliqit ,Abdyl Musa Sharra, i cili nga nëna ishte pasardhës i familjes princërore të Gjergj Arianitit, nip në Vrana-jt e Kaninës familje tremijëvjeçare, themeluese e Kaninës, si dhe dhëndër i Abdyl Beshirit nga Durrësi. Po ta shikoje nga të gjitha drejtimet, prejardhja nga nëna e tij, Mahmude Vrana, motra e vetme e Xhevit Ali dhe MahmutAli Vrana Kaninës, të cilët ishin nipër te familja e madhe e Rrapo Hekalit, si dhe nga babai, edhe dera ku mori bashkëshorten, ishin nga ato familje që përbëjnë palcën e kombit, familje nacionaliste, tregtare, të arsimuar në universitetet më në zë të Evropës. Me këtë familje, diktatura  komuniste luftonte në të dy drejtimet, me një gurë vriste dy zogj, edhe palcën edhe trurin e kombit. Këto kërkonte të luftonte komunizmi sllavo-serb që u importua dhe u instalua  në Shqipëri si mikrob i kolerës.

Abdyl Sharra lindi më 6 qershor 1911 në Vlorë nga një familje tregtare e nacionaliste që mbështeti fuqimisht  Pavarësinë Kombëtare, lëvizjet demokratike dhe atdhetare të të gjitha kohërave. Pasi mori mësimet e para në shkollën e parë shqipe “28 Nëntori, apo Nr 1”, kreu shkollën “Harry Fulltz” në Tiranë dhe më pas kreu studimet në fakultetin e inxhinierisë, në Romë –Itali, me medalje ari. Abdyli gjatë gjithë studimeve ishte bashkë me djalin e dajës së tij të një moshe, Skënder Xhevit Vranën. Edhe në Itali shkuan bashkë, veçse Abdyli vazhdoi për inxhinieri në Romë, kurse Skënderi  shkoi në Universiteti ee Sienës(Firence) për ekonomi agrare. U kthyen bashkë nga studimet. Skënder Vrana drejtoi fermën e Llakatundit duke e shndërruaratë në një oaz model për Ballkanin. Por dy kushërinjtë që ishin edhe shokë, i ndau i huaji. Xhaxhanë tim, Skënderin,  e arrestuan gjermanët më 14 korrik 1944 dhe përfundoi në krematuriumet e Mat’hauzenit më 9 maj 1945.

Kurse djali i hallës së tij Abdyli u muar me ndërtime rrugësh dhe urash.  Mbas lufte rindërtoi portin e Vlorës, urën e Drashovicës, urën e Mifolit që u hodhën në erë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku u përzhëlit e u sakatos edhe Shqipëria. Inxhinierit Abdyl Sharra iu ngarkua të thajë kënetën e Maliqit në 8 muaj, ku e emëruan drejtor të punimeve.

Ai bashkë me kryeinxhinierin Kujtim Beqirin,(kreu studimet me medalje ari në Vjenë) dhe me 4 inxhinierë të tjerë,  thanë kënetën e Maliqit gjë që nuk e kishin bërë dot as inxhinierët austriakë e as ata serb. Të dy inxhinierët vlonjatë ishin sinonim i njëtri-tjetrit, ndaj nuk mund t’i ndajë asnjërin prej tyre. Kishin një profesion që e adhuronin dhe paten të njëjtin fat tragjik. Gjithsesi, si intelektualë  të ditur, profesionist të kualifikuar në Universitet më në zë të Evropës, ata dhanë një mendim për të ardhmen e kësaj fushe të fituar nga tharja e kënetës. “Edhe kur të mbarohet tharja e gjithë kënetës, ekziston mundësia e një përmbytjeje 100%  të mundshme nga gryka e Devollit, e cila është e ngushtë dhe në kohë reshjesh apo gjatë shkrirjes së dëborës, ka prurje mbi kapacitetin e shtratit ujëmbajtës të lumit. Abdyli dhe Kujtimi si dy inxhinier  mjaftë   aftë, profesionalisht dhe intelektualisht, dhanë mendimin që duheshin ndërtuar penda në grykën e ngushtë të Devollit para se të dalë në Fushën e Bilishtit. Madje konstatuan se donte shpenzime të mëdha (kolosale) që shteti i ri shqiptar nuk i kishte mundësitë ekonomike.  Kanibalët e kuq i shpërblyen , duke i dënuar me varje në litar, pse nuk e thanë kënetën në 8 muaj. I varën të dy në vendin e punës në Maliq, ditën e premte më 22 nëntor 1946. I lanë të varur që t’i hanin korbat dhe t’i shikonin të burgosurit, skllëevërit që punonin pa pagesë në bonifikimin  e kënetës, për të mësuar se çfarë i priste nëse shkonin kundër rrymës. Kurse katër të tjerët i pushkatuan. Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri janë pjesë e Elitës Kombëtare të Mohuar nga Diktatura komuniste. Erdhën mjaftë inxhinierë të huaj, si Çek, Rus, Gjermanë, pasi studiuan projektin dhe analizuan zbatimin e tij,  kërkuan të takonin projektuesin Abdyl Sharra.

-Nuk jeton asnjëri nga ata.

-Pse?

-I vramë,sepse tradhtarët i prêt vetëm litari dhe plumbi.

-Ç’keni bërë kështu?! Keni vrarë gjenitë e kësaj vepre?!- dhe me të vërtetë ata ishin dy elita Kombëtare që ua prenë jetën në mes.

Menjëherë pas ekzekutimit të tyre, diktatura  egër komuniste  largoi si të padëshiruar Konsullatën Amerikane në Shqipëri, e cila ka munguar që nga viti 1946 dhe u rikthye më 1991, si Përfaqësuese Diplomatike dhe Aleate e Fortë e Demokracisë në Shqipëri.

 

Cila është familja Sharra?

Mbiemri Sharra përmendet në mjaft dokumenta të konsujve, Austro-hungarezë, italianë, belgë, francezë. Kishin një emër në qytetet e Shqipërisë, si Vlorë, Fier, Kavajë, Durrës, Elbasan, Tiranë Shkodër. Rrënjët e kësaj familjeje janë nga Dardania Hyjnore, në këmbët e malit të Sharrit. Por si gjithë shqiptarët që nuk e durojnë robërinë, kjo familje nuk e pranoi dhunën e pushtuesit serb. Ndaj mërgoi duke u ndarë në dy degëzime: Njëra kapërceu Korabin dhe u vendos pak kohë në Tiranë, më pas në Kavajë. Meqë Vlora ishte port detar dhe e pasur me pyje, ata u vendosën përfundimisht në Vlorë, ku nisën tregtinë brenda vendit dhe me fqinjët. Ata njihen si tregtarë të punishteve të vajit të ullirit, ndaj biznesin  e zhvillonin me Italinë, Selanikun, Korfuzin dhe Spanjën.

Kurse dega e dytë kapërceu Apeninet dhe doli në Liguria . U vendos në ishullin e Sardenjës, ku banorët e ri të ishullit, nga vendasit u quajtën Sardë (enciklopedia ).

Në messhekullin e XIX-të lidhjet martesore të tyre me familjet finike të Vlorës, si Vrana, Kreshpa, Hamzaraj, Xhyheri, Agalliu, Mustafaraj,Muçaj, bënë që kjo familje të hyjë në radhët e fisnikërisë e si tregtarë të mëdhenj, ishin në krye të borgjezisë së Vlorës. Në vitin 1908 Sharrajt janë bashkëthemelues të Klubit patriotik Labëria. Hasan e Muço Sharra kanë pas llidhje me Shoqatat kulturore të rilindasve, si me Jani Vruho,( në Kajro), Petro Gogën- Stamboll(Ministër i Drejësisë në qeverinë e Ismail Qemalit), me Shahin Kolonjën( kryetar Bashkie –Vlorë më 1900, Ishin anëtarë të komisionit për zgjedhjen e I.Qemalit në Parlamnetin turk,kanë marrë pjesë në lëvizjen patriotike të Klubit Labëria më 1909, madje i arrestuan. Muço Sharra  ishte me delegacionin që priti Ismail Qemalin në Vjosë. Shtëpia Sharra sipas kujtimeve të Luigj Gurakuqit dhe Fejzi Alizotit, u bë baza, ku bujtën Ismail Qemali, Vehbi Dibra, Dom Nikollë  Kaçori, Mit’hat Frashëri e  të tjerë delegatë të Pavarësisë Kombëtare. Ushtaraku i lartë Ceno Sharra,mori pjesë në kryengritjen  osmane dhe shërbeu pranë Ministrisë së Luftës. Më 1913 Ceno Sharra, komandant I Xhandërmarisë  në përpjekje me fiorcat e Esat Pashë Toptanit u vra në Rrushbull të Durrësit, dy javë para martese. Në Luftën e Vlorës më 1920, vëllezërit Sharra me 400 vlonjatë u iternuan si vrasës të Piaçentinit. Gjatë përfshirjes së Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore, kati i parë i shtëpisë në sheshin e Flamurit( Fotua  e mësipërme) u kthyen në depozitë të ndihmave për luftëtarët shqiptarë që gjendeshin maleve pa bukë, pa ujë dhe pa veshje.Gjatë luftës, familja Vrana ishte vendosur në këtë shtëpi, për shkak të fushëbetejës që ishte vendsur në pronat e tyre. Natën e14 gusht 1944, kur gjernanët arrestuan Skënder Vranën, të udhëhequr nga krytari i xhandërmarinë, Vizhdan  Risilia,ky me majën e bajonetës shpoi thasët me miell e me ushqime. Kjo shërbeu si një fakt më tepër për arrestimin e xhaxhait.Po si u shpërblye kjo familje që dha kaq shumë ?!

Ç’ndodhi me familjen e Musa Sharrës?

Musa dhe Mahmude Sharra kishin një familje të madhe që gumëzhinte nga zërat e gjashtë djemëve që mbanin si një kanakare motrën e tyre të vetme. Hyri e quanin dhe e tillë ishte…

I thoshte hënës : “Dil apo të dalë!”- sepse me bukurinë, finesën, delikatesën, edukatën qytetare të trashëguar prej një familjeje fisnike, ajo e shprehte në gjithë qenien e saj, deri në sfidimin e hënës. Ndaj dhe vëllezërit e kishin me kimet , e adhuronin si një dhuratë të vyer prej Zotit motrën e tyre të vetme.Në fisin Sharra kishin ndodhur keqtrajtime  epersekucione rrëqethse  nga pushteti i ri komunist. Në tetor të vitit 1943 vritet në Vlorë Haziz Sharra 29 vjeç, në një atentat – Në 22 qershor 1945 dënohet me pushkatim vëllai i Hazizit, Muharrem Sharra, 32 vjeç, si anëtar i Ballit Kombëtar.

Tani i kishte ardhur radha familjes së Musait. Si do të goditej. Duhej krijuar një pretekst  dhe atë arma vrastare e Sigurimit të Shtetit që ishte gjëmëmadhja e shqiptarëve dhe përgjithësisht e diktaturave komuniste që shpikën shtetin policesk përmes armës së sigurimit që kontrollonte gjithçka. U gjet shkaku, u improvizua tradhtia dhe sabotimi i gjashtë inxhinierëve. Një nga të pestët ,sepse njëra ishte grua,  që u akuzuan si  sabotatorë të tharjes së kënetës së Maliqit  dhe agjentë të amerikanëve. Të gjashtë inxhinierët ishin prejardhje fisnike, të gjithë të arsimuar në Perëndim, edhe pse punonin në kushte të vështira moti, dhe ekonomike, ku punonin të burgosurit e ndërgjegjes, ata bënë një punë shumë të madhe, e cila nuk u vlerësua kurrë.

-Ç’krim makabër paskeni bërë?- habia e tyre u shua si një thirrje në shkretëtirë.

Familja e Musa Sharrës ishte e padëshiruar që të jetonte në qytet. Pas ekzekutimit të djalit të tyre Abdylit, një mëngjes ende pa dalë mirë dita, i kishin ngarkuar me disa plaçka në një kamion lufte gjithë familjen e do të  niseshin diku për internim. I biri i Xhevit Ali Vranës, Veipi(babai im) ose vëllai i Skënderit, u gjend para portës së tyre.

-Ku po i çoni ? -pyeti një polic që e njihte.

-Kemi urdhër që t’i izolojmë diku, në internim.

-Nëse janë të padëshirueshëm në qytet, atëherë po i marr unë në shtëpinë time. Kam boll ambiente për të gjithë dhe pasi morën miratimin e degës së Punëve të Brendshme, i mori në shtëpinë e çifligut të familjes Vrana në Qishbardhë, ku u internuan familjarisht në vitet 1950- 1954 ecila më vonë u bë qendër internimi edhe për familjet e tjera të Kaninës apo Vlorës.

Në atë shtëpi të Vranajve  u vajtua Abdyli, po aty u vajtuan edhe dy vëllezërit e tjerë të tij

Dy djemtë e tjerë të Musa Sharrës, Hysni Sharra tregtar dhe Ymer Sharra, professor i shkencave ekzakte, dy vëllezërit e  Abdylit,ishin  larguar që para çlirimit, në Itali që në vitin 1940, nuk u kthyen më në Shqipëri. Hysniu përfundoi në Francë, kurse Imer Sharra, dikur pedagog i matematikë- fizikës në shkollën Harry Fultz, tashmë  ishte dekan i katedrës së shkencave ekzakte në Universitetin “La Sapienca” në Romë. Bishat donin që të ktheheshin e gjoja të vazhdonin profesionin e tyre. Si ka mundësi? Ishte një kurth për t’ i vrarë si të tjerët. Jo vetëm i kishin dënuar me vdekje në mungesë, por shkak ishte edhe persekutimi i familjarëve.ndaj nuk u kthyen se do të kishin fatin e vëllezërve .Aty ndërruan edhe jetë.

Inxhinier Abdyl Sharra  ishte një prej grupit të të pestëve që u akuzuan si sabotatorë në tharjen e Kënetës së Maliqit, si dhe agjent të shërbimit anglo-amerikan, drejtuar nga Harri Fullc.

*Shyqyri Sharra, 38 vjeç, vëllai i Abdylit. Vret veten në vitin 1950 në burgun e Rrushbullit, në Kampet e Punës Beden (Kavajë),ku i varrosnin të gjallë në tokë çdo ditë duke u lënë vetëm  kokën jashtë në cingërimë dhe në temperatuirat 40 gradë celsisus. Këto tortura antinatyrale dhe çnjerëzore bënë që ai të kryente  aktin  e vetvrasjes, duke prerë me brisk barkun dhe venat.

*Lekmi Sharra 36 vjeç, vëllai tjetër i Abdyl Sharrës, vdes në vitin 1953. E arrestojnë 6 muaj pas martesës, kur e shoqja ishte shtatzënë me një vajzë. Familjarët thonë se vdiq si pasojë e torturave në hetuesinë e Vlorës. Por e vërteta ishte akoma më e dhimbshme. E mbyllën në një dollap metalik hermetic , i cili u asfiksua dhe sigurimsat e hodhën nga dritaret në rrugë.

Musa Sharra dhe gjithë familjet fisnike e dorëzuan floririn për të pasuruar pashallarët e kuq, për të depozituar mijëra dollarë nëpër bankat e Evropës, kurse Shqipëria edhe pse kishte shumë pasuri, ka qenë dhe është vendi më i varfër në continent.

Edhe sot pas 70 vitesh, shqiptarët e ndershëm kujtojnë me dhembje atë fillim tetori të largët të vitit 1946, kur me urdhër të Prokurorit Ushtarak, Kapitenit të Parë, Nevzat Haznedari, u arrestuan dhe u dërguan menjëherë prapa hekurave të qelisë një grup intelektualësh nga më të ndriturit që kishte Shqipëria e asaj kohe, të cilët ishin diplomuar në universitet më të njohura të Perëndimit. Të akuzuarit ishin: Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri, Jani Vasili, Vasil dhe Zyraka Mano, Pandeli Zografi, Mihal Stratobardha, Vasil Risto, si dhedy shtetas italianë, Eugenio Scaturo e Mario Guarnieri, të njohur ndryshe nga propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës si “Grupi sabotator tekniko-inxhinier i Kënetës së Maliqit”dhe agjentë të anglo-ameriaknëve, më 18 nëntor të po atij viti, u nxorën para një gjykate ushtarake speciale të improvizuar, ashtu siç ndodhte në atë kohë në të gjitha vendet e Lindjes Komuniste. Dhe pas disa seancash gjyqësore të zhvilluara plot bujë në sallën e kinema “17 Nëntori ” në qendër të Tiranës, ku merrnin pjesë e asistonin edhe gazetarë të huaj e misionet ushtarake, jugosllave, sovjetike, franceze, britanike e amerikane qe ishin atashuar në Shqipërinë e porsadalë nga lufta, ajo trupë gjykate ushtarake speciale iu dha pesë të pandehurve dënimin kapital. Misioni Harry Fulltz u largua përfundimisht nga Shqipëria bashkë me Ambasadën Amerikane. Ata u larguan, por lanë pas kufomat e inxhinierëve që shtuan varrezën e madhe shiptare mbushur me varre pa emër.

Pasardhësit etyre kanë të drejtë të pyesin:

Kush  do t’ua kthejë jetën  atyre intelektualëve të shquar? Kush do të përgjigjet për fëmijët e tyre jetim, fëmijë pa fëmijëri, për rininë pa rini, për të rinjtë pa dashuri, që goja kurrë nuk u tha “ baba” ? Zëri i viktimave ende këlthet: Përse na i morët jetën vallë? Kurse fëmijët e tyre të trembur pyesin edhe në ëndërr: “Kush e ka radhën vallë?! – kjo ishte frika që kishte futur edhe në embrion të çdo qelize ai shtet i kalbur, që frikësohej nga njerëzit e ditur e fisnikë dhe i mbushur me urrejtje e ndjenja persekucioni, kërkonte hakmarrje. Kundër kujt se?!

Më kujtohet si tani, sado që isha ende fëmijë, Hallë Mahmudeja ajo nënë, dikur me gjashtë djemë dhe një vajzë, tani i mbante sytë vetëm tek Ceceni, djali i vogël, dikur një futbollist me emër, si gjithë vëllezërit  e tij, i cili mirëmbante fushën e futbollit. Hysniu i dërgoi nga Franca një makinë korrëse bari dhe kur e thirrën në Degën e Punëve të Brendshme, e pyetën me provokim: -Ç’do të bësh me këtë makinë, do ta marrësh në shtëpi?

-Mua nuk ka ç’më duhet. Le ta marrë klubi i futbollit “Flamurtari”. E vetmja kënaqësi e imja do të jetë ta përdor për mirëmbajtjen e fushës.  Nëna  e tyre, hallë Mahmudeja endej si hije, e helmuar , e zbehtë prej dëshpërimit, fshihej në ndonjë kënd të shtëpisë për të mos ia parë lotët të tjerët dhe e kallzonin. Pasi për “tradhtarët e kombit” nuk duheshin derdhur lotë. E gjora nënë, u shua dalëngadalësi një hije, me dhembje në shpirt, me mendje tek 5 djemtë e saj që nuk kishin një varr, sikur ishin pa atdhe. O Zot cili duhet të jetë shpërblimi: Mëshirë apo drejtësi për fajtorët e pafaj? Përderi sa krimet e komunizmit nuk u dënuan si genocide shfarosës Brenda llojit, të një race, të një gjuhe, të një tradite, brenda një trualli,  jam e bindur se Drejtësia mbi tokë  nuk ekziston . Ajo gjendet vetëm te Nirvana…Përsa po persekutohet edhe brezi i katërt i kësaj shtrese të mohuar, të denigruar, a mund të ndërtohet Demokracia mbi gënjeshtrën dhe mashtrimin.?!  Kurrë…!

Ata i vranë për të mos u harruar kurrë, por do të kujtohen sa herë kalojmë lumenjt Shushica e Vjosa.  Apo kurdo që do të flitet për Kënetën e Maliqit,Ata, të gjith do të jenë të pranishëm... Mos u harroftë emri kurrë viktimave të Komunizmit!Respekt për veprën e tyre dhe jetën e lënë në mesrrugë!



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: