Frank Shkreli: Shteti u kërkon falje 38 martirëve
| E Diel, 20.11.2016, 06:08 PM |

“RRNOFT SHQIPNIA EDHE PA NE”

SHTETI SHQIPTAR U KËRKON FALJE 38 MARTIRËVE TË KISHËS KATOLIKE

Nga Frank Shkreli

Javën që kaloi në Presidenti i Republikës së Shqipërisë kryesoi një ceremoni me rëndësi jashtzakonisht të madhe për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar. Në të vërtetë u zhvillua një ceremoni me një domethënje historike, e cila fatkeqsisht nuk tërhoqi vëmendjen e duhur dhe as debatin shoqëror dhe mediatik që meritonte.  Ishte hera e parë në këto 25 vjetë të tranzicionit post komunist që një udhëheqës i lartë i Shqipërisë, në këtë rast Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani kërkoi falje dhe shprehi pendesë për krimet komuniste në atë vend.  Me rastin e dekorimit të 38 Martirëve të Kishës Katolike, me urdhërin e lartë të “Flamurit Kombëtar”,  Presidenti Nishani -- në emër të shtetit që ai kryeson --  siç u shpreh ai, përunjësisht, u kërkoi ndjesë gjatë ceremonisë solemne të dekorimit, 38-martirëve, të cilët pak kohë më parë u lumnuan nga Papa Françesku.

Megjithse mungonte Kryeministri Rama, prania në këtë ceremoni e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, të Kryetarit të opozitës Lulzim Basha, deputetve të Kuvendit, përfaqsuesve të bashkësive fetare të vendit dhe familjarëve të 38 Martirëve e bëri këtë solemnitet një ngjarje të shënuar kombëtare, gjatë të cilës u njohën dhe u kurorëzuan -- publikisht -- sakrificat dhe vuajtjet e këtyre viktimave të komunizmit.

Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit shqiptar, Presidenti Nishani iu drejtua të pranishëmve, përfshirë edhe përfaqsues të Trupit Diplomatik në Tiranë, me këto fjalë:  “Pranimi me përunjësi i krimeve,  jo i gabimeve, siç mund t’i quajë ndokush me dinakëri apo mendjelehtësi – dhe këtë e theksoj fort duke ju shikuar të gjithëve në sy – të regjimit komunist, pendesa e vërtetë dhe kokëulur, por mbi të gjitha, kërkesa e sinqertë për falje, drejtuar para të gjithëve familjarëve të viktimave të pafajshme për ato krime që janë kryer në ‘emër të popullit’ -- na ndihmon të gjithë si shoqëri shqiptare të shtrëngojmë radhët vëllazërisht e të ecim përpara pa pasur kurrë më frikë nga fantazmat e së kaluarës së errët diktatoriale.”

“Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit”, vazhdoi fjalën e tij Presdienti Nishani, “E ndiej të domosdoshme, sepse në radhë të parë ma kërkon ndërgjegjja ime si qytetar, që me shumë përunjësi, t’u kërkoj një falje të sinqertë, në emër të shtetit që më ka zgjedhur të shërbej e të jem me devotshmëri simboli i unitetit të popullit: familjarëve dhe pasardhësve të viktimave të panumërta të diktaturës komuniste, edhe atyre që ende nuk u janë gjetur as eshtrat”, u shpreh Presidenti Nishani.

“T’i kërkoj falje edhe Kishës Katolike shqiptare, por edhe kujdo tjetër, që u prek deri në palcë nga djepi e deri në varr, që u vra pafajësisht, u përndoq deri në tri breza, u internua padrejtësisht, që u dëmtua fizikisht, materialisht, por më tepër shpirtërisht, që u cenua rëndë në dinjitetin e vet njerëzor dhe që u privua nga të drejtat thelbësore dhe universale të njeriut, dhe që ndoshta vazhdon ende sot e kësaj dite të vuajë pasojat e tmerrshme e gati-gati të pariparueshme të atyre krimeve makabre, të cilave iu vesh përsipër padrejtësisht petku se po kryheshin në emër të shtetit dhe të ashquajturës ‘luftë klasash!’, nënvijoi, ndër të tjera, Kryetari i Shtetit shqiptar.

”Shteti shqiptar sot, ju kërkon sinqerisht dhe përunjësisht: Ndjesë! Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë!” (Presidenti Bujar Nishani)

Presidenti Nishani foli gjithashtu edhe mbi rolin dhe kontributin e Kishës Katolike dhe klerit të saj në historinë, gjuhën dhe kulturën e kombit shqiptar, gjatë shekujve.  Në historisë shekullore të shqiptarëve, këta klerikë martirë dhe të tjerë si këta para tyre, kanë qenë interpretuesit dhe bartësit më të shquar të aspiratave arbërore, të vlerave stërgjyshore dhe të ndjenjave më të thella të kombit shqiptar.  Këtë pohim, Zoti Nishani ua kujtoi edhe pjesëmarrsve në ceremoninë e dekorimit të këtyre martirëve, ndërsa theksoi se,  “Kisha Katolike dhe klerikët e saj të rrënjosur në këtë tokë prej dhjetëra shekujsh janë kudo në indet e këtij kombi qysh në ngjizjen e tij. Historia e këtij institucioni milenar në Shqipëri është sa histori ngadhnjimi, po aq edhe martirizimi, sa histori besimi, po aq edhe patriotizmi, sa histori fetare, aq edhe kulture, sa histori meshe, po aq edhe histori shkrimi, sa histori katoliçizmi, aq edhe harmonie e bashkëjetese, sa histori shqiptare, po aq edhe evropiane e universale.  Ajo është një trashëgimi e lavdishme e Shqipërisë, një realitet i vyer i saj”, u tha të pranishmëve Z. Nishani.

Dinjiteti kishtar dhe kombëtar i këtyre martirëve gjatë torturave dhe deri në ditën e vdekjes -- në kombinim me kontributin e tyre ndaj historisë dhe kulturës shqiptare ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit Skënderbe, e deri në ditët e sotëme -- u jep këtyre heronjëve një pamje madhështore qëndrese dhe trimërie, në radhët e përfaqsuesve më të mirë të kombit shqiptar.  Në lidhje me këtë, në përfundim të fjalës së tij me këtë rast, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani  u shpreh:

“Nga Pal Engjëlli i Skënderbeut deri tek Hirësia e Tij Kardinal Ernest Troshani, lista është e gjatë, e gdhendur librave, mungadave, kuvendeve, betejave për pavarësi dhe shtetformim, hetuesive, gjyqeve dhe plojës së Komunizmit, por mbi të gjitha në vetë kujtesën e kombit mbi të cilën mbahet thagma shqiptare. E thënë me fjalët e Atë Gjergj Fishtës, ajo rri si përmendore që nuk e dërrmon as rrufeja e as moti. Tridhjetë e tetë të kësaj liste, të cilët gjithë jetën kishin jetuar dhe ushtruar vokacionin e tyre brenda formulës së shenjtë, ‘Atdhe e fe’, teksa ndaheshin nga jeta tokësore pyesnin, ‘Çfarë duhej të bënim më tepër për të qenë shqiptarë?!’   Pasi kishin qëndruar heroikisht përballë torturave dhe vendimit që i denonte me vdekje, iknin këso bote në sintoni me mësimet e shenjta duke falur ekzekutorët e tyre, duke lënë mbi dhé amanetin e fundit,  ‘Rrnoftë Shqipnia edhe pa ne’.

Kjo ceremoni javën e kaluar, e organizuar nga Presidenca, nuk ishte e zakonshme si ceremonitë e tjera që Presidenti i Republikës organizon, nga koha në kohë, me rastin e shpërndarjes së dekorimeve të ndryshme individëve dhe grupeve të dalluara.   Kjo ishte një ngjarje madhështore, jo vetëm për faktin se Presidenti Nishani dekoroi me më të lartin Urdhër Shtetëror -- atë të Flamurit Kombëtar -- 38 klerikët martirë.   Kjo ceremoni mori përmasa të jashtzakonshme sepse për herë të parë në këto 25 vjetë post-komunizëm, një udhëheqës i lartë i Shqipërisë -- në personin e Presidentit të Republikës –  në emër të shtetit shqiptar, kërkon falje e ndjesë dhe u shpreh pendesë këtyre dhe viktimave të tjera të komunizmit në Shqipëri.  Fjalimi i Presidentit Nishani me këtë rast, mund të thuhet se është një prej fjalimeve më me rëndësi në këto 25 vite post-komunizëm në Shqipëri, jo vetëm për nga përmbajtja, por më tepër për nga simbolika që mbartë dhe për nga mesazhi që përcjellë autoriteti më i lartë i shtetit shqiptar. Progresi i një vendi nuk matet vetëm me ndërtimin e pallateve me para burimesh të dyshimta, ose me ndërtimin e rrugëve e të fabrikave.  Këto “përparime” mund t’i pretendonin edhe regjimet komuniste, fashiste e naziste.  Si rrjedhim,  institucionet shtetërore nuk duhet të shikohen vetëm si entitete abstrakte dhe burokratike që vetëm përpiqen të zbatojnë ligjet dhe rregullat proceduriale të një shteti.  Përfaqsuesit e enteve shtetërore dhe qeveritare, si kryeministri dhe presidenti i një vendi post-komunist si Shqipëria, duhet që njëkohsisht të mibilizojnë edhe vlerat morale, gjykimet dhe emocionet -- me fjalë të tjera, ata duhet të pasqyrojnë edhe forcën morale mbi të cilin mbështeten përpjekjet për krjimin e një shoqërie me vlera me të vërtetë demokratike, ku mbi të gjitha, jeta dhe të drejtat bazë të individit, duhet të jenë të mbrojtura nga shteti dhe jo të abuzohen.

Njëri nga ekspertët amerikanë të historisë së komunizmit, emri i të cilit nuk më kujtohet tani për tani, ka thënë se nëqoftse nuk mund t’i dallojmë të mirat nga të këqiat midis komunizmit dhe anti-komunizmit -- që mund të thuhet se përbënin luftën më të madhe morale të shekullit 20 -- atëherë është tepër e vështirë ta marrim me mend se mbi cilat çështje mund të bisedohet në mënyrë, racionale, inteligjente, me arsye dhe transparencë, madje edhe 25 vjetë pas shembjes së komunizmit.  Nuk jam i sigurt nëse shoqëria e gjërë shqiptare, madje edhe nivelet e larta qeveritare, i kanë pranuar përgjegjësitë dhe moralin shoqëror, si standard të pranueshëm sjelljesh në përgjithësi, veçanërisht përsa i përket të kaluarës komuniste dhe krimeve ndaj viktimave të regjimit komunist në Shqipëri.    Por deklarata e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani, drejtuar 38-martirëve të Kishës Katolike Shqiptare se, ”Shteti shqiptar sot, ju kërkon sinqerisht dhe përunjësisht: Ndjesë! Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë!”, është hapi i parë tepër i nevojshëm, ndonëse i vonuar në nivel shtetëror dhe qeveritar -- siç ka thënë edhe vet presidenti – për të ndarë të mirën nga e keqja, faktet nga trillimet, kriminelët nga të pafajshmit si dhe mitet nga realiteti historik.

Me këtë veprim, Presidenti Bujar Nishani ka hedhur një hap tjetër përpara, drejtë një Shqipërie me standarde morale -- duke ndarë të mirën nga e keqja-- dhe duke i dhënë një hov përpara pajtimit kombëtar dhe shërimit të plagëve, për të cilat Shqipëria dhe kombi shqiptar kanë aq shumë nevojë.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: