Vangjush Saro: Qasja e poetit në skenë dhe ekran
| E Diel, 20.11.2016, 09:10 AM |

Qasja (lirike) e poetit të njohur në skenë dhe ekran

Duke lexuar dhe kujtuar dramat dhe skenarët e Vangjush Zikos

Nga Vangjush Saro

Është një gjë e njohur afëria e poetëve me teatrin dhe filmin. Janë disa emra të spikatur të letërsisë botërore dhe asaj kombëtare, që kanë kontribuar njëherësh në poezi dhe në gjininë e dramës e të skenarit, çka me sa duket, lind si një nevojë jetike për t’u shprehur në mënyrë lirike edhe në këto arte.

Vangjush Ziko, ka qenë mik i teatrit dhe filmit që herët. (Mund të kujtojmë disa nga dramat e vëna në skenë nga teatri “A. Z. Çajupi”, Korçë, si “Rruga e madhe”, “Martesë pa dasmë” etj.) Duket se lidhja me teatrin dhe filmin, nuk kanë qenë të rastësishme dhe kalimtare për autorin. Tash së fundi, ai erdhi te lexuesi dhe ithtarët apo krijuesit e këtyre arteve, me një botim të disa prej dramave më të rëndësishme të tij. Ndër to, mendoj, në mënyrë të veçantë bie në sy drama “Motra Katerinë”, (tashmë e njohur dhe e vënë në skenë gjithë nga trupa profesioniste e teatrit “Andon Zako Çajupi”, Korçë).

Drama “Motra Katerinë” është një histori familjare, e shkruar me lirizëm, për më tepër me shumë vërtetësi dhe pa ngarkesa ideologjike. Drama shtjellon disa konflikte (e raporte të përmbysura njëherësh) në kushtet e një jete e të një sistemi, ku mbijetesa krijon mosmarrëveshje e të çara që kushtojnë. “Motra Katerinë” është me të vërtetë një shkollë e konceptimit të dialogut, monologut, heshtjes, konfliktit dramatik, vizatimit të situatave në të cilat veprojnë personazhet, linjave të heshtura dhe të ngarkuara me nënkuptime; (p.sh. historia e pianos, qiraja dhe shitja e saj). Ngjarjet në dramë zhvillohen pa bujë, por me shumë tension, në një pritje të vazhdueshme për çfarë do të ndodhë më pas; të mbetet në mendje brishtësia e asaj jete dhe e atyre marrëdhënieve, gjithaq disa personazhe të skalitura mirë: Katerina, Andoni, pronarja e pianos, etj.

Të veçanta në pamjet që përcjellin, edhe dramat “Trëndafili i vetmisë” dhe “Taverna Pandora”. E para, një poemë për dashurinë; pak personazhe, shumë jetë. E dyta, ku po ndalem disi, edhe pse na flet për kohët antike dhe për personazhe të tillë, për mitet gjithaq, (Prometeu, Pandora, Kaini, etj.,) heq paralele me kohën tonë, me çdo kohë pse jo, duke zbuluar konfliktin dhe mospërputhjet midis heroit dhe turmës së shitur tek interesi i vogël. (Prometeu: “Jeni të pasur me veset tuaja.”) Sadoqë në dukje ka një shtresë a sfond pothuaj epik, drama është e mbushur me shfrime e shaka, me sentenca të ndjera, me dialog të gjallë dhe perjetime lirike; madje, është një nga ato punë, ku shpesh drama përzihet me komedinë. Kjo veçanësi, e bën edhe më interesante pjesën dhe zgjon dëshirën për ta parë atë në skenë; le të shpresojmë se regjisorët e sotëm dhe teatri shqiptar do ta kenë në vëmendje këtë “tavernë” të vuajtjes dhe argëtimit, të dyshimeve dhe alegorive fine.

Mund të kujtojmë ndërkaq, se edhe te filmi artistik televiziv “Zambakë të bardhë”, realizuar shumë kohë më parë, megjithë ngarkesën e disa klisheve të imponuara, ndjehet sensi meditativ, janë të pranishëm elementet lirikë dhe dëshira për të ëndërruar, çka i jep ngjyra poetike filmit. Po ashtu, është interesante dhe fisnike qasja plot dashuri e nderim te figura e personazhit kryesor, një vajzë e çiltër, e zgjuar sa edhe e bukur, që do të flatrojë në jetë, duke çmuar, adhuruar më mirë, botën e shkencës, përkatësisht atë të bujqësisë intensive; edhe pse në kushte të caktuara, të njohura tashmë nga lexuesit dhe shikuesit, i gjithë ky pasion konvertohet në njëlloj krenarie të tepruar, që më në fund “përshtatet” me modelet e kohës.

Qasja e Vangjush Zikos në teatër e film, kjo përmbledhje me drama - publikim i Amazon - janë një “akt” i rëndësishëm i veprës letrare të poetit të njohur, akt që, më në fund, rikonfirmon disa dukuri e tipare të qenësishme të personalitetit krijues të tij.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: