Kalosh Çeliku: Përurimi i librit me një trëndafil
| E Diel, 20.11.2016, 06:09 PM |

PËRURIMI LIBRIT SHQIP

ME NJË TRËNDAFIL

NGA KALOSH ÇELIKU

Moti kohë nuk marr pjesë në përurimin e librave. Shkaku, se: shumica e autorëve pa vetëdije për t’u dukur në botën artistike shqiptare “elitare”, përditë e përnatë po e përdhosin librin shqip para syve të botës. Në rendin e parë, krah për krahu ulen dhe radhiten kakademikët dhe intelektualët e “pavarur”. “Ajka” e popullit shqiptar. Papritmas, më vjen një mesazh - ftesë: Jeni i ftuar të merrni pjesë në përurimin e librit më të ri të Poetit Madh Shqiptar. Respekte. E përfundon ftesën organizatori.

Thashë me vete: haj të marr pjesë si krijues, ndoshta ka ndryshuar diçka në këto përurime monotone të librave të përditshëm, që po na e zënë frymën në Kryeqytetin Historik të Shqiptarëve. Turr bëjnë të gjithë shqiptarët në përurimin  librave të tyre “kryevepra” nga të katër anët e Atdheut: Shqipëria, Kosova, Mali Zi e Çamëria, kur shumë autorë shqiptar edhe pse jetojnë në Shkup, ende nuk i kanë përuruar librat e tyre. Përmëkeq, as që turren ta përurojnë librin e tyre në Tiranë e Prishtinë me përjashtim të ndonjë kalorësi të arratisur partiak.

Edhe, mora pjesë si dashamir i librit. Mezi u mblodhëm dhjetë vetë me gjithë gazetarë të radiove shtetërore dhe private. Televizionin Shtetëror dhe ato “kombëtarë”, që i kemi me bollëk në Shtetin e “përbashkët”, askund në mesin e ngjarjeve të përditshme kulturore. Poashtu, edhe studentët e disa universiteteve shtetërore e private. Përjashtim bën si “ngjarje e librit”, nëse në ato ngjarje kulturore merr pjesë ndonjë politikan. Bërrylat i përdorin, mos them edhe grushtat, kush i pari të marrë ndonjë store krah për krahu të artistëve me politikanë qeveritar. Dihet, e gjithë kjo ndodhë në prag të fushatës të jashtëzakonshme parazgjedhore. Falë Zotit, kësaj radhe nuk merrte pjesë asnjë politikan, ose funksionar qeveritar. Rastësisht,  merrte pjesë vetëm Drejtori i Institucionit Shtetëror, Dudumi. Ngase, ai në shumë përurime të këtilla të librit, nuk merr pjesë si nikoqir. Papritmas, shpërthej në vete si shkrimtar: kujt i duhen dhe i hyjnë në punë këto ngjarje kulturore, në prag të fushatës të jashtëzakonshme parazgjedhore?! I përgjigjem vetes: Partive Politike “Demokratike”, që garojnë për “pushtet” në këto zgjedhje parlamentare me rrëmbimin e postit të deputetit popullit. E, kur të shpallin “fitore”, vijnë në “pushtet” dhe hipin në karrige, katër vjet me radhë do ta harrojnë arsimin dhe kulturën shqiptare.

Skena artistike në nivel “aristokrat”, veç më ka filluar sipas hierarkisë “kulturore”: mbi piano një shishe me verë të kuqe dhe një trëndafil. Andej-këndej, mbi tavolinë dhe nën tavolinë plot libra të autorit rrinin kokë më kokë. Edhe, dikur dalin tre “burra” të pashëm e elegantë në prezentimin e librit pa asnjë grua: Aktori, prezentuesi i librit dhe autori. Njëri me sa mbaj mend, më duket se ishte veshur kuqezi. Haptas shihej diskriminimi i grave, në shoqërinë “demokratike”, gjinisë femërore e cila është trari i shtëpisë, që më së shumti e ngrisin zërin për barazi gjinore me burrat. Ankesa e tyre gjatë këtij përurimi, se: të gjitha të drejtat e burrave, ua kanë marrë gratë, godiste në shenjë. Nuk e kam fjalën këtu në këtë shkrim publicistik për Televizionin e “pavarur kombëtar SHENJA”. E as për televizionin tjetër të pavarur “ERA”. Edhe, të ndonjë Televizioni tjetër të “pavarur kombëtar”, veshur “kuqezi” me xhamadanin vija - vija. Burrat e grave, në këtë përurim libri e ngritën zërin, se: nuk kanë rrugë tjetër demokratike, përveçëse të dalin në rrugë para Qeverisië të Shtetit “përbaskët” me parulla dhe pankarta në duar e brohoritje  me protesta paqësore qytetare për të fituar barazi të plotë si gra besnike të partive politike.

Përçudi, në këtë përurim të librit mungonte Mikja azgane. Megjithatë, me siguri ajo edhe ia kishte përcjellë verën e kuqe me një trëndafil mbi piono autorit të librit. Arsye, që mungonte gjatë kësaj nate festive “ashikja”, Dylqineja e Bit-Pazarit. Kutadi unë, ndodhë shkaku mentalitetit “primitiv” shqiptar, “ashikja” e priste finalen festive  dhe autorin e librit, strukur në ndonjë tavernë “bohemësh”, matanë Urës Gurit.

Mbrëmjen festive e hap aktori elegantë duke na sjellë një portret letrar dhe fragment nga libri i autorit. Pastaj, fjalën e merr reçezenti i librit. Dalldiset mbi biografinë e autorit në disa faqe shkrimi, e shumë pak fjalë thotë para të pranishmëve për vlerat artistike të librit. Pastaj, përsëri aktori me një fragment të gjatë monoton nga libri. Duartrokitjet frenetike nuk mungojnë në sallë. Brenda vetes, them: popull i çuditshmëm jemi ne shqiptarët. Duartrokisim vend e pa vend edhe nëpër shfaqje teatrore. Vetes, ende i japim para pampurrit. Binareve të trenit nëpër tunel, ku me gjithë fuqinë motorike udhëton makina për në Evropë.

Mezi më në fund, pas aktorit dhe prezentuesit të librit, që nuk e kishin mendjen të zbresin nga skena, e merr fjalën edhe autori. Në vend që t’i faleminderojë të pranishmit, ai dalldiset dhe e shpjegon gjithë librin. Një krijues tjetër del dhe rrëfen një përrallë të gjatë për babain e tij në arë, që nuk ka të bëjë fare lidhje me librin. Tjetri, një diskutim patetik - patriotik.

Në fund, organizatori me një tepsi me ujëra të ngjyrosur të të gjitha ngjyrave ylberit, kur delë rrëzë malit pas shiut me shtamba, t’i rrasë pijet “hallall” para hundëve.

Faleminderit, i them. Vetëmse, nuk e di o mik i poezisë, a kam ardh në “mevlud”, apo në përurimin e librit shqip?!...



(Vota: 23 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: