Gani Mehmetaj: Si na prezantojnë televizionet shqiptare?
| E Premte, 11.11.2016, 08:38 PM |

Si na prezantojnë televizionet shqiptare?

Në kohën kur komunikimi në mes të Prishtinës e Tiranës është shumë më i lehtë, kur nuk e kanë asnjë pengesë në kufi, shoh e lexoj fare pak intervista të medieve të Prishtinës më Saimir Kumbaron, Piro Milkanin, Dhimitër Anagnostin, Robert Ndrenikën, Rikard Ljarjen, Mevlan Shanajn, Kujtim Çashkun etj. Ndërkaq, nuk e shoh asnjë intervistë të televizioneve shqiptare me Ekrem Kryeziun, Isa Qosjen, Agim Sopin etj. Ku qëndron arsyeja?

Nga Gani MEHMETAJ

1.

-Sikur ju që dini ta turpëroni vetën, nuk kam parë asnjë komb tjetër, më thoshte më zemër plasje kolegu im kineast nga Kroacia në një festival filmi, para 30 vjetësh, derisa bisedonim për prezantimin e politikanëve shqiptarë të Kosovës në TV e Beogradit dhe në mediet jugosllave.

-Kot që më bie në qafë, ne nuk e bëjmë përzgjedhjen, Beogradi i cakton kush do të flas në emër të shqiptarëve të Kosovës e kush jo, -ia ktheva po aq i zemëruar, më mënyrën se si na prezantonte ndonjë gjysmanalfabet i tipit të S. Bajramoviqit, i cili nuk e dinte as shqipen,nuk e dinte as serbishten, nuk ishte në gjendje të fliste si duhet në asnjë dialekt sllav.

Njëzetë vjet më vonë, miku im nga Tirana më tha në të njëjtën mënyrë: - Si ju që dini ta turpëroni vetën më gjysmanalfabet që na i sillni në televizionet shqiptare, askush s’di më keq. Unë njoh qindra intelektualë e krijues nga Kosova që kanë nivel e flasin rrjedhshëm, prandaj nuk e kuptoj ku i gjeni më të këqijtë.

Prapë i mllefosur ia ktheva mu si mikut kroat: -Ne nuk ua dërgojmë, as nuk i caktojmë, përzgjedhjen e bëjnë televizionet shqiptare. Batonin e ndonjë gjysmanalfabet tjetër , i betë ju “yje”, i nxorët nga balta, doni të na i shisni për të mençur. - Miku im mbeti i shastisur: - Pse e bëjnë një gjë të tillë, atëherë?, pyeste veten.

Nuk e dija dhe nuk e di arsyen, por është fenomen i shëmtuar që pjesa më e madhe e debatuesve “kosovarë” në televizionet shqiptare janë gjysmë analfabet (ka ndonjë përjashtim të rrallë), flasin në emër të shqiptarëve të Kosovës, ndërsa të turpërojnë jo vetëm pse nuk dinë të flasin, ndërsa televizioni e kërkon gojëtarinë, por nuk dinë as të mendojnë, janë konfuz në koncepte, belbëzojnë nga hutimi e padija. Ata nuk e kanë asnjë arsimim që të bëjnë vlerësime politike e kulturore, ndërkaq, njërin prej tyre Tirana e emëroi anëtar jurie të Këngës në Radiotelevizionit shqiptarë, duke i shpërfillur qindra këngëtarë e kompozitorë të Kosovës, duke e denigruar festivalin më prestigjioz të Shqipërisë.

Në Kosovë tallemi nga mëngjesi në mbrëmje me vetën, sepse i kemi votuar njerëzit të cilat pastaj na prezantojnë në forume ndërkombëtare në nivelin që nuk e kemi, por athua nuk mjafton kjo vetë- tallje sa të tallen edhe televizionet shqiptare me neve. Sa shumë na djeg kur të tjerët tallen me neve.

2.

Fenomeni tjetër që më shqetëson më shumë është mungesa e prezantimit të krijuesve të mëdhenj të kulturës shqiptare në mediet e Prishtinës e të Tiranës. E mbytëm shikuesin me politikë, politikanë e analistë gjysmë analfabetë, duke harruar se kultura është ajo që na a zbardhë fytyrën në këtë hidhësi përditshmërie. Mbaj në mend kur për një intervistë më Viktor Gjikën e ndjerë, apo për intervistën tjetër më Saimir Kumbaron, redaksia e gazetës “Rilindja” më dërgonte enkas në Tiranë, duke mi hequr të gjitha shpenzimet e rrugës, hotelit e ushqimit. Ditën e botimit të këtyre intervistave tirazhi i gazetës shitej sa çil e mbyll sytë, megjithëse lexuesit tonë kishin aq shumë halle, sepse ishin nën okupim. Edhe pas vitit 1999 kur isha botues e drejtor i një gazete të ditës, i dërgoja gazetarët në Tiranë, duke ua hequr redaksia të gjitha shpenzimet për të realizuar intervista më krijues. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, kur komunikimi në mes të Prishtinës e Tiranës është shumë më i lehtë, kur nuk e kanë asnjë pengesë në kufi, shoh e lexoj fare pak intervista të medieve të Prishtinës më Saimir Kumbaron, Piro Milkanin, Dhimitër Anagnostin, Robert Ndrenikën, Rikard Ljarjen, Mevlan Shanajn, Kujtim Çashkun etj. A thua ka rënë interesimi i shikuesve të Kosovës për këta krijues të mëdhenj? Jo. Filmat e tyre ende janë më të shikuarit. Por ka rënë interesimi i udhëheqjes së televizioneve tona më arsimim të dyshimtë për krijuesit e kulturën shqiptare, ndërsa ua zunë frymën shikuesve më seri të dobëta anadollake si të ishin xhiruar në katundin e humbur -Muçivërcë.

Ngjanë që t’u shpëtoj televizioneve të Kosovës ndonjë intervistë më krijues shqiptarë nga Tirana, por kurrë nuk mund të shikosh intervistë apo prezantim autorial më krijues shqiptarë të Kosovës në televizionet shqiptare. Kemi nis t’i mjaftojmë vetës me lagje e krahina, të ndajmë kulturën në të tyren dhe tonën, megjithëse pretendojmë se i takojnë kulturës shqiptare.

Megjithatë, ndonjëherë është më mirë të të mos prezantojnë fare se sa të të prezantojnë me dashakeqësi. Një televizion tiranas në emisionin më të shikuar populistë, fyente një vend të tërë, kur në studio fton këngëtarë tallava, që as u shkon zëri, as u ecën gojëtaria, kurse udhëheqësi “maço” nis e tall... me këngëtaren e më vendin që e përfaqëson ajo. Athua duhet ta njohim njëri-tjetrin në këtë mënyrë e në këtë nivel? Si mund të presim nga shtetet e kombet e tjera të na prezantojë e të na njohin, kur ne nuk e prezantojmë e nuk e njohim njëri-tjetrin. Pse dëshpërohemi kur të huajt nuk e njohin e nuk e prezantojnë kulturën tonë, kur as ne nuk e njohim kulturën që krijohet jashtë traut të Morinës.

***


Emisioni Portokalli ia futi kot

Në rrjetet sociale është shpërndarë një këngë e sajuar nga emisioni humoristik “Portokalli”. Reagimet janë nga më të ndryshmet. Disa shqiptarë të Kosovës më emocione e kanë marr goditje ndaj atdhedashurisë së tyre, prandaj i ka cytur të bëjnë garë se kush është më puro shqiptar. Intonimi i këngës e ka këtë synim, të godas, pa e sqaruar pse godet aty ku s’ke arsye të godasësh.

Nuk e di a e vlen për tre-katër “kosovaristë”, militantë-jeniçerë, më prejardhje etnike të dyshimit të këndohet një këngë, sepse gjërat pastaj sikur përgjithësohen, kur dihet që shumica absolute e shqiptarëve të Kosovës janë kundër teorisë serbo-turke për “kombin kosovarë’.

Nuk kam lexuar as dëgjuar që shqiptarët e Kosovës të kenë hequr dorë nga kombësia për një pasaporte a vend pune. Nuk kam dëgjuar të jenë turpëruar kudo që ishin pse janë shqiptarë. Përkundrazi katër nga këngëtaret më të famshme të planetit: Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi, Bebe Rexha e kanë vënë në pah dhe janë mburr që janë shqiptare.

Në Kosovë, Maqedoni e Luginën e Preshevës edhe më tutje janë fanatikët më të mëdhenj të përkatësisë së tyre etnike. Bastardet e jeniçerët nuk quhen shqiptarë, ata janë një grusht mjeranësh. Mos u merrni me ta, se ua rritni peshën specifike, të cilën nuk e kanë. Një sygjerim portikallinjve: mos i largoni ata që janë me juve.





(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: