Elvi Sidheri: Martirë
| E Diel, 06.11.2016, 08:00 PM |

Martirë

Nga Elvi Sidheri

Në ditët dhe kohët e sotme jemi, do pranuar kjo, dëshmitarë të një inflacioni pafund që ka shpënë drejt një keqpërdorimi dhe keqpërfaqësimi total të termit “martir”.

Gjë kjo që nuk e nderon aspak këtë fjalë të fisme që ngaherë ka shërbyer si cilësor për vepra, njerëz e akte të mëdhaja vetëmohimi e flijimi të skajshëm në shërbim të kauzave më të shenjta qysh në natën e kohëve.

Por sot, pata menduar që t’i kushtohesha përmes këtij shkrimi kryesisht dy fenomeneve, atij të 67 eksponentëve ballistë nacionalistë të pushkatuar nga Mehmet Shehu në vitet e luftës civile në suazat e luftës tjetër më të epërme dhe gjithëpopullore, asaj NacionalÇlirimtare, si dhe të ceremonisë të Lumnimit në Kishën e Shën Shtjefnit në Shkodër të 38 martirëve klerikë katolikë të regjimit gjakatar monist.

Dy palë martirë të marrëzive dhe mizorive e mënxyrave të shumta të shekullit të kaluar, brendapërbrenda 45-50 vjetëshit komunist të nisur porsi një gjëmë e llahtarshme më 8 nëntor 1941 nën hijen e emisarëve titistë Mugosha, Popoviç etj.

Sepse, çfarë do të thotë ditët e sotme që dikush të etiketohet si Ballist vallë?

Çfarë pra përbën saktësisht Balli Kombëtar për historinë zyrtare sidomos, por edhe jo vetëm, të shtetit shqiptar demokratik (ose së paku “quasi democratico” do të thoshin kushërinjtë tanë italianë)?

Të jetë gjë Balli Kombëtar për historiografinë e shtetit shqiptar anëtar të NATO-s, Kandidat zyrtar për Antarësim në Bashkimin Europian në prag të hapjes së bisedimeve për këtë akses të shumë-ëndërruar prej shekujsh e brezash, ende i konsideruar si një  organizatë kryekëput kolaboracioniste, terroriste, pulangrënëse apo çfarë se nuk po merret dot vesh qartësisht?

Nëse kemi rënë një mënyre apo tjetrën dakort, kryesisht për shkak të ndërhyrjeve në sparkatë nga Ambasasa e nderuar Amerikane, se Lufta NacionalÇlirimtare, nuk (vetë)identifikohet dot ekskluzivisht me xhaxhin Enver, shokun Mehmet, shoqet Nexhmije e një sërë gjakatarësh gjakpirës të tjerë monistë, as me portretet e qurrashëve nostalgjikë që tundin në ajër fotot e kriminelëve të mësipërm më 29 nëntor, 5 maj etj, atëherë rrjedhimisht edhe Ballit Kombëtar apo Legalitetit nevojitet t’i japim një përkufizim të ndershëm historik tashmë.

Diçka që mundësisht të jetë sa më larg paragjykimeve enveriste dhe mashtrimeve të paturpshme historike të shkruara (si rëndom) nga dora e përgjakur e fituesit pas nëntorit 1944, sipas shijes dhe qëllimeve të veta ogurzeza, që për fat të keq vijojnë të përbëjnë habitshmërisht edhe sot e kësaj dite, 72 vite pas fundit të luftës dhe çlirimit të vendit, burimin e thashethemeve dhe themelet e të pavërtetave historike që ushqejnë makinerinë e shpifjes enveriste moderne.

Lufta NacionalÇlirimtare nuk njollosi aspak mijëra e mijëra partizanë të thjeshtë që dolën maleve për të luftuar me armë dhe me jetë armikun pushtues, qoftë ai italian apo nazist gjerman.

Fakti që shqiptarët i mbështetën masivisht partizanët, nuk mund të mohohet dhe tregon qartë të vërtetën për këto formacione çlirimtare që nga ana tjetër, nuk është se luftuan të vetme ndaj okupatorit.

Para tyre dhe paralel me ta, kundër pushtuesit u ngritën edhe pushkët balliste dhe para të gjithëve Abaz Kupi, (legalist pra) pati drejtuar togën e luftëtarëve që bllokuan për orë të tëra zbarkimin e mijëra fashistëve italianë në brigjet e Durrësit më 7 prill 1939.

Sot, aty në Durrës, pranë ish hotelit legjendar Vollga (të rrënuar si shumë pjesëza të historisë shqiptare) ngrihet busti i Mujo Ulqinakut me plotë të drejtë, ndërsa Abaz Kupin ka akoma njerëz të shumtë, që për injorancë historike apo enverizëm pandemik, e konsiderojnë tradhëtar apo kushedi se çfarë sipas dënglave apo thjeshtë edhe pordhave me rigon të historiografisë miope dhe krejtësisht mashtruese moniste që ende sot na i përcaktuaka pas 25 viteve demokraci pikëpamjet tona historike.

Jo pra!

Është e pamundur dhe jashtë çdo konotacioni logjik që t’u besojmë marrinave moniste sikur të qemë duke lexuar librat e shenjtë (për të cilat kemi edhe të drejtën kushtetuese që të dyshojmë duke jetuar fatmirësisht në një vend krenarisht laik, kurse për historiografinë moniste nuk thuakemi dot as një gjysmë fjale, se çfarë paskësh thënë shoku Merhum, çfarë paskërka vrarë e prerë shoku Mehmet dhe çfarë qenkërkan rrekur të molloisin e shkarravisin shokët historianë brekëlëpirës të gjakatarëve të mësipërm, të gjitha na qenkëshin të vërteta hyjnore, qiellore, universale dhe pikë).

Kjo nuk qëndron as në qiell e as në tokë!

Partizanët në 90% të rasteve qenë njerëz të drejtë, patriotë, burra e gra që i vunë pushkën pushtuesit dhe luftuan e vdiqën për të mirën dhe lirinë e atdheut, edhe duke pranuar urdhërat e çmendura të udhëheqësve të tyre që i shpunë kot së koti të mbushnin me varre partizanësh shqiptarë Maqedoninë e gjer aty në Vishegrad.

Lufta e tyre ishte dhe mbeti e shenjtë, ashtu siç ishte dhe do të mbetet krejtësisht djallëzore vepra udhëheqësisë së Partisë Komuniste shqiptare të kohës, me në krye shokët Enver, Koçi, Mehmet etj, që i tradhëtuan një më një të tëra idealet e asaj lufte, dhe e morën Shqipërinë megjithë popullin e saj në qafë për 45 vite sipas urdhërave të Beogradit dhe marrëzisë enveriste.

Kurse sa për Ballistët se për ta qe fjala dhe protesta e paepur e envero-miladinisto-dushanistëve, këto 67 dekorata janë më e pakta që mund t’u jepen disave prej tyre apo edhe shumë eksponentëve të tjerë nacionalistë, antikomunistë apo edhe thjesht anti-jugosllavë të masakruar pashpirt nga Mehmet Shehu apo vartës të tjerë të shokut Enver.

Kishte ballistë që për arsye të ndryshme zgjodhën të marrin anën plotësisht të gabuar të kolaboracionizmit me pushtuesin fashist apo nazist, dhe ata i gjykoi historia sepse mbetën në anën e errët të historisë së atyre viteve në rang botëror dhe jo vetëm lokal shqiptar.

Kishte të tjerë që vranë civilë të pafajshëm shqiptarë, sa për të nxjerrë dufin dhe ndrydhjet e tyre dritëshkurtëra mbi njerëz pa faj, sa për të dëshmuar sadizmin e tyre aspak nacionalist, si hordhitë Deviste të natës së kobshme të 4 shkurtit 1944.

Këta njerëz e patën njollosur emrin e Ballit Kombëtar me krimet e tyre, kolaboracionizmin apo zgjedhjet e gabuara, pa arritur sidoqoftë ta përhapnin këtë njollë kurrësesi nëpër tërë rradhët e anëtarëve të kësaj organizate.

Njëlloj, në rrethana krejt të tjera ndërkaq, edhe emri i partizanëve dhe luftës së tyre dhe të shumicës së popullit shqiptar në Shqipëri që mori anën e tyre gradualisht (dhe kjo do pranuar pa mëdyshje), nuk mund të njolloset nga bëmat makabre të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe “compagnia bella” që vranë, pushkatuan, internuan, torturuan e masakruan mijëra e mijëra shqiptarë të pafajshëm, nacionalistë, komunistë, bashkëluftëtarë të tyre e këdo mundën gjatë dhjetëvjeçarëve të diktaturës.

Mehmet Shehu ishte një personazh i spikatur i Luftës së Spanjës, krah shumë shqiptarëve të tjerë si Petro Marko, Asim Vokshi, Xhemal Kada e shumë të tjerë.

Ky njeri ndoshta qe më burrë (në të gjitha kuptimet...) sesa shoku Enver, por duart në gjak i pati ngjyer po aq sa shefi i vet, duke nisur nga kjo vrasje masive kriminale e këtyre 67 eksponentëve ballistë të cilët presidenti Nishani me shumë drejtësi i dekoroi post mortum pas kaq vitesh.

Gjithaq, regjimi i Mehmetit dhe Enverit & Co, do të qenë protagonistë të shtypjes dhe përndjekjeve më brutale të imagjinueshme dhe të papërfytyrueshme të klerit katolik, por njëkohësisht edhe të krerëve të lartë të komunitetit ortodoks shqiptar, të liderëve myslimanë dhe të një numri të madh përfaqësuesish të komunitetit kryeneç bektashi.

Në kujtim të tyre, në Shkodrën e papërkulur anti-enveriste, të shtunën e 5 nëntorit, u zhvillua ceremonia e Lumnimit të 38 martirëve të klerit katolik, ndër ata heronj të shumtë të heshtur të këtij komuniteti patriot të fesë dhe atdheut, regjimi monist i përndoqi me një mizori të pashembullt për thuajse pesë dekada me rradhë, duke eksperimentuar mbi ta metodat më të dhunshme dhe të pashpirta të shtypjes, torturës dhe krimit shtetëror.

Në praninë e presidentit Nishani, të ministrave të qeverisë shqiptare Blendi Klosi, të kryeparlamentarit Meta, të kryetares së Bashkisë së Shkodrës zonjës Voltana Ademi, të ish kryeparlamentares së fisme, shkodranes Jozefina Topalli, të ish kryeministrit dhe ish presidentit Berisha, si dhe të përfaqësuesve nga qeveria e Kosovës si ministri i kulturës zoti Kujtim Shala, këta 38 martirë shqiptarë katolikë, nisën udhën e hyjshme të shenjtërimit të tyre përfundimtar.

Një ngjarje që na bën të ndihemi krenarë për këta bij të popullit dhe tokës sonë, që etjes monisto-enveriste për gjak, nuk iu përkulën dhe iu përgjigjen me thirrjen “Rroftë Shqipëria dhe Krishti mbret” para tytave të pushkatimit, duke iu përgjigjur mizorisë me lavdinë e veprës së tyre të pavdekshme.

Nuk është pra çështja te medaljet, te dekorimet apo çfarë tjetër.

Medalje dhe dekorime në Shqipëri, jo vetëm pas 1990-ës, janë dhënë me shumicë, përgjithësisht pa të drejtë, me një inflacion dekorueshmërie ku sipas shumë gjasave akoma quhen të dekoruar monstra si shoku Enver bashkë me kolegët në krim të Byrosë, por edhe Stalini ndoshta, druzhe Tito, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha.

Një herë që jepen ca medalje me të drejtë për disa ballistë, aq më tepër kur bëhet fjalë për eksponentë të kësaj organizate të pangatërruar aspak me pushtuesin e që nuk patën (si shumica absolute e krahut nacionalist fundja) shkrepur asnjë pushkë kundër shqiptarëve, pra partizanëve, atëherë mund të qe shmangur kjo stuhi në gotë.



(Vota: 21 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: