Kozeta Zylo: Requiem Për Prof. Jozefita Markun
| E Diel, 06.11.2016, 12:29 PM |

Requiem Për PROF. JOZEFITA MARKUN, Një Shkencëtare Dhe Ëngjëllore  Shkodrane

Nga Keze Kozeta Zylo

Kur dëgjova për ikjen e papritur nga kjo botë të prof.Jozefita Markut u shokova, qava ashtu siç do të bënte çdo qenie njerëzore në gjithë rruzullin.  Por kur e njeh nga afër dhe ndjek gjithë punën e saj akademike shkencore sigurisht që dhembja qindfishohet.

Që ditën e parë qe na prezantoi Franci, bashkëshorti i saj fisnik, intelektual tejet i kompletuar, i punësuar me vite pranë OSBE-s ishte mjaft impresionuese, sidomos me botën e saj aq të pasur shpirtërore dhe thjeshtësinë e tejskajshme që ndihej në çdo qelizë.

Zëri i saj i kthjellët, eleganca, inteligjenca si dhe mjaft leksione në auditore të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në degën e kimisë industriale do të ngelen një pasuri për universitetin e Tiranës si dhe për gjithë studentët që i deshi dhe e deshën aq shumë.

Kushdo që e njohu dhe e takoi kishte se ç'të mësonte prej saj, prej shkodranes së bukur dhe te ëmbles Jozefitç, ose Jozi siç e thërrisnim ne të afërmit.

Ajo ishte një mirësi shkodrane, një vajzë që me plot vullnet dhe inteligjencë arriti të mbrojë doktoraturën dhe të ishte lektore, profesore në departamentin e kimisë industriale në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë.

Ajo la në pikëllim dy vajzat e bukura Enxhin dhe Julian të cilat po ecin te sigurta në rrugën e dijes qe siç thotë një proverb amerikane:  “An apple doesn't fall far from the tree” që përkthehet se një molle nuk mund të bjerë larg pemës…

Ikja e saj e parakohshme shokoi prindërit e mrekullueshëm Nikolinën dhe Toninin, që e kishin kanarinën e tyre, gjithë akademikët që e njihnin, studentët që iu shërbeu me aq kulturë dhe profesionalizëm dhe cilido që e njohu dhe e çmoi aq shumë.

Ja se ç’thotë Akademik, Prof.Dr.Dhimiter Mihali për portretin e saj të bukur dhe gati hyjnor: Jozefita Marku Berisha siç e njihnin pedagogët e bashkë-studentët e saj në Fakultetin e Shkencave të Natyres” u lind në Tiranë, në një familje shkodrane me tradita të shëndosha qytetare. Pas arsimit fillor e të mesëm, ajo ndoqi studimet e larta në degen e kimisë industriale që i përfundoi me rezultate të shkëlqyera, më 1987. Filloi punën në ISTN, Tiranë si specialiste pranë sektorit të qeramikes e më pas në laboratorin e kimisë analitike për materialet e ndërtimit, ku arriti edhe pozicionin si përgjegjëse e sektorit analitik dhe fiziko-mekanik.

Që nga viti 2000 Jozefita ka qënë pa ndërprerje si pedagoge në degën e Kimisë industriale, të Fakultetit të Shkencave Natyrore, në fillim si pedagoge e jashtme dhe nga viti 2003 e në vazhdim-pedagoge efektive.

Pasi kreu me sukses studimet pasuniversitare për gradën master shkencor më 2003 ajo vazhdoi punimin e doctoratës të cilen e mbrojti me vlerësimin shumë mirë, më 2006. Tani përpara saj u hap një perspektivë e re për zhvillimin e aftësive të saj dhe kësaj pune i hyri tërë përkushtim, kurajë e seriozitet të lartë duke arritur nivele të lakmueshme për çdo punonjës universitar, krahas me të gjitha detyrimet familjare, si bashkëshorte e nënë e devotshme. Ajo ishte titullare e njërës nga lëndët kryesore të këtij Departamenti “Bazat e projektimit në industrinë kimike në degët Kimi industriale e Kimi e teknologji e ushqimeve, për së cilen lëndë do të arrinte të hartonte edhe tekstin përkatës. Me kohë, Jozefita zhvilloi vetë lëndë të reja për kurrikulat e degës së kimisë industriale e mjedisore, duke hartuar po ashtu testet përkatëse.

Të gjithë ata që patën rastin të bashkëpunonin a të njiheshin me të, çmonin modestinë, seriozitetin dhe ndershmërinë në punë, ashtu si qëndrimin e saj dashamirës e të vemendshëm ndaj studentëve, kolegëve e cilitdo. Falë virtyteve të saj ajo arriti të fitojë respektin, dashurinë e simpatinë e të gjithë atyre që bashkëpunuan e u njohën me të dhe për këtë ajo do të mbetet e paharruar, nga kolegët, studentët që mësoi e udhëhoqi në detyra e punime diplomash apo edhe në disertacione doctorate.

Me punimet e saj në fushën e kërkimit shkencor Jozefita dha kontribut të çmuar në studimin e materialeve qeramike e të ndërtimit në përgjithësi, si dhe hapi rrugë për kryerjen te ne të studimeve në fushën e shkences së materialeve. Në këto fusha ajo realizoi e drejtoi projekte të shumta kërkimore në bashkëpunim me specialistë të vendit si dhe të huaj. Punimet e shumta shkencore që realizoi ajo i ka botuar në një numër të madh artikujsh në revista shkencore të njohura të vendit dhe të huaja, sikurse edhe i ka referuar në konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, si në Konferencen e Shoqatave të Kimistëve të Evropës jug-lindore, në Kongresin Ballkanik etj. Falë këtij produkti të çmuar mësimor-shkencor, cilësor e të bollshëm Jozefita fitoi me 2011 titullin profesore e asociuar. Trashëgimia pedagogjike-shkencore që ajo na lë do të jetë e vlerësuar dhe e kërkuar përgjithmonë në departamentin e kimisë industriale e më gjerë.

Me vdekjen aq të papritur e të parakohshme të Jozefitës familja humbi njeriun më të shtrenjtë – bashkëshorten, vajzat nënën e tyre, aq të devotshme e të përkushtuar, prindërit vajzën-zonjë shembullore, vëllai-motrën e dhemshur.

Edhe ne kolegët e departamentit të kimisë industriale në FSHN ndjejmë po aq hidhërim për humbjen e koleges sonë të dashur, model-sa për virtytet e larta njerëzore, aq dhe nga kualifikimi e kontributet e vyera shkencore.

Studentë, pedagogë, drejtues e shumë të tjerë të Fakultetit të Shkencave Natyrore të Tiranës akoma nuk e besojmë që nuk do ta kenë më në mes tyre pedagogen e tyre,  Prof. Asoc. Dr Jozefita Markun (Berisha), atë që për 15 vite shërbeu me aq shumë devotshmëri në degën e Kimisë industriale

Ajo duhej të ishte mes studentëve të saj, ashtu si gjithnonë e qeshur dhe e dashur me ta, komunikuese dhe shumë e aftë si pedagode e degës së Kimisë industriale, pozicion të cilin e mbante prej 15 vitesh në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Por, fatkeqësisht, një ndarje krejt e padrejtë dhe e papritur nga jeta në moshën 51 vjeçare profesoreshë Jozefita Markut (Berisha) ia privoi këtë mundësi.

(Nga fjala e mbajtur në ditën e cermonisë së varrimit, ku pranë trupit të saj të vendosur në Fakultetin e Shkencave të Natyrës bënë homazhe akademike, studentë dhe të gjithë të afërmit e saj).

Gojëmjalta Jozefitë, ti je një lule e bukur shkodrane gjithë arome që do të kujtojmë me mall e dashuri.

Buzëqeshja tënde e purpurt, urtësia tënde me modesti tëtejskajshme më frymëzojnë të heq paralele me thënien e poetit të famshëm amerikan Edgar Allan Poe I cili thotë: “The death of a beautiful woman, is unquestionably the most poetical topic in the world”, qe perkthehet: Vdekja e një gruaje të bukur, është pa diskutim tema më poetike në botë, me siguri po të kishte njohur direkt Edgar Allan Poe do të shtonte krahas togfjaleshit grua e bukur dhe fjalen e mencur qëdo të shërbente si temë poetiko shkencore në botë…

Ti tashmë je kthyer një Engjëll, je në një tjeter jetë që shërben me plot mirësi, ti je në qiell në fronin e grave shkencëtare, atje ku e ka vendin vetëm raca juaj…

30 Tetor, 2016

Staten Island, New York



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: