Gjekë Gjonaj: Sokol Hiri Rudaj meriton të përjetësohet
| E Diel, 06.11.2016, 09:00 AM |

Sokol (Cok) Hiri Rudaj,  meriton të përjetësohet

Nga Gjekë Gjonaj

Ishte  djali i vetëm i Hir Gjelit Rudaj, i cili gjatë gjithë jetës luftoi për përpjekjet e shqiptarëve për liri, për troje etnike e për flamur kuq e zi.  Lindi në vitin 1853 në fshatin Selcë të Kelmendit në një familje  të ndershme malësore, atdhetare me virtyte të larta  morale e njerëzore.

Oda e burrave dhe kisha – shkolla e tij e vetme

Rritet jetimë  pa babë, që nga mosha pesë vjeçare,  me ngjarjet e mëdha  që kalonte kombi ynë, të cilat lanë vragë të pashlyeshme në edukimin e tij.  Shkolla e vetme e tij ishte oda e burrave ( një institucion popullor me shumë vlera e dobi për shqiptarët - malësorët) dhe kisha, të cilat asokohe kishin ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e shqiptarëve. Edukimin dhe arsimimin fillestar e mori   nga ninullat e nënës, nga këngët e grave, nga historitë gojore të gjyshërve, gjysheve dhe nga kategizmi.

Ndërsa  në edukimin  e tij të mëvonshëm atdhetar   për kombin,  shqiptarizmin dhe atdhedashurinë ndikuan bisedat e burrave të Malësisë në odat e burrave, ku  ndër të tjera mësoheshin normat e  Kanunit të Lekë Dukagjinit e të jetës ,   pleqnoheshin  ngjarjet, gjykoheshin njerëzit dhe trajtoheshin probleme të ndryshme të jetës shqiptare.

Formimi i tij  burrëror

Coku, duke e ndjekur shkollën e urtësisë popullore, nën tingujt e lahutës dhe të çiftelisë, që nga mosha  13 vjeçare,  u formua dhe u kalit në  një burrë besnik, fisnik, e të ndershëm, në një trim të pamposhtur dhe në një  luftëtar të pakompromis për lirinë e atdheut. Si i ri,  i varte me kujdes  në gozhdat e murit të odës së trimave  pushkët  e gjata, armët e brezit dhe kuburet  e burrave që vinin në shtëpinë e Rudajve.

Në moshën  15 vjeçare veç kishte mësuar se si mbusheshin pushkët. Kur në fytyrë  e në mjekër i kishin filluar qimet e para axha Prëkë  i dhuroi Cokut një kubure të bukur  e zbukuruar nga të gjithaanët me fije të holla argjendi. Prej asaj ditë Coku  nuk ishte vetëm një krah pune i shtëpisë së Rudajve, por edhe  një burrë  dhe një trim më shumë për nder, besë  e burrëri të kësaj shtëpi ,  të gjakut të tyre  dhe të shqiptarisë.

Mbrojtës i pakompromis i tokave të Arbërit

Cok Hiri në moshën 25 vjeçare, saktësisht në prill të vitit 1878   mori pjesë  takimin e mbajtur në Shkodër, ku u tubuan   burra  të shquar shkodranë   dhe të  krahinave  tjera të Malësisë së Madhe , në praninë edhe të  konsullit të Austro- Hungarisë Lipih  dhe  përfaqësueve të tjerë  diplomatikë të Fuqive të Mëdha , për të diksutuar për rrezikun e madh që po u kërcënohej shqiptarëve , për t’u zhdukur si komb. “  Ne prej shekujsh kemi ruajtur zakonet tona, ritet tona, kombësinë dhe gjuhën tonë. Me  zakonet që kemi, burrërinë, besën e trimërinë që kemi , ne nuk do t’i nënshtrohemi as malazezëve, as kujdo tjetër që do të synonte të futej në trojet tona. Ne do ta presim me luftë e do ta djegim me hekur këdo që do të shkelte trojet  tona”,  deklaroi prerë  Coku në  sytë e  diplomatëve të huaj.  Këtu kelmendasi i ri trim, që tashmë ishte shpërngulur në Shtoj të Ulqinit,   u tregoi qartë të gjithëve se është  gati  të mbrojë copëtimin dhe grabitjen e trojeve shqiptare nga  forcat  pushtuese turke, serbe e malaziase.  Megjithëse i ri  ka qenë  pjesëmarrës i Lidhjes së Prizrenit dhe  luftëtar aktiv   i ushtrisë shqiptare  për mbrojtjen e tokave  të Arbërit në  Plavë, Guci, Shkodër, Ulqin, Tivar  e  urë të Zharnicës afër Tuzit .

Në vitin 1875 Cok Hiri Rudaj, u bë Komandant i Forcave të Ushtrisë Shqiptare të zonës së Tivarit e krahinave të Ulqinit.

Më 1 mars të vitit 1880 Cok Hiri Rudaj, me krerët e Malësisë nënshkruan letrën për t'ia dërguar Konsullatës Angleze në Shkodër. (Shih:  PPTRI BLENI 114, f. 215, ACCO, Cetinë).

Esenca e përmbajtjes së kësaj letre dhe të letrës së  luftëtarëve malësorë të lirisë drejtuar Konsullit të Francës në Shkodër Alere AMIRE, për çështjen e tokave shqiptare,  të nënshkruar më 1882-1883.  (Shih: Alere Amire, CPC Vëll. 21, f. 348 -349.)

Adhurues i flaktë   i Flamurit Kombëtar Shqiptar

Cok  Hiri si trim i vërtet që ka pasur gjithmonë në zemër lirinë e Shqipërisë, së bashku me  malësorët e Shtojit të Ulqinit, ngriti Flamurin Kombëtar Shqiptar në Kanalin Port Milenë, në fund të vitit 1912,  duke menduar se aty ishte skaji më  fundor i shtetit shqiptar. Ky flamur qëndroi aty edhe me përkrahjen e ulqinakëve gjashtë muaj deri në mars të vitit 1913, kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër vendosi përfundimisht që Shkodra me rrethinë t’i mbetej Shqipërisë.

I rrezikuar nga forcat malazeze për këtë    veprim burrëror e   patriotik  iku  në Shkodër. Atje  pa familje  jetoi deri në vitin 1924, kur  iu lejua të kthehej në Shtoj, ku edhe vdiq në vitin 1925, në moshën 72 vjeçare. Eshtrat e tij prehen në varrezat familjare në Shënkollë të Ulqinit.

Ky  atdhetar i  devotshëm,     shenjë përkujtimi,   e meriton   një monument    Shtoj të Ulqinit, sespe njerëzit e këtillë nuk duhet të harrohen, por të përjetësohen.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: