Fritz Radovani: At Mati Prennushi, Shejt
| E Enjte, 03.11.2016, 09:00 PM |

Nga Fritz RADOVANI:

At  MATI  PRENNUSHI  O.F.M.

SHPEJT  DO    JETË  SHEJT !

“POPULL SHQIPTAR,  EC PËRPARA ME KURAJO DREJT SHTIGJËVE TË SOLIDARITETIT. ASHT NJË RRUGË E VËSHTIRË KJO, POR NË TÉ JANË  TË MBJELLUNA FARNAT E SHPRESËS.

LÈ TË SHOQNOJNË FORCA E MARTIRËVE TË TU, DISHMITARË GJITHMONË NË ROJE TË LIRISË NË VITËT E PAFUND TË SHTYPJES SË RREGJIMIT TOTALITAR.»

PAPA  GJON  PALI  II

Tiranë, 25 Prill 1993

Me daten 8 Janar 1948, në gjyqin e mbyllun që po zhvillohej në mensen e burgut të Kishës së Fretenëve në Shkoder, Provinçiali At Mati Prennushi në fjalën e fundit tha:

“Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër hûj e na kanë varë n’ konop ata që nuk deshten as Fenë as kombin, por e kemi thirrë vedin gjithmonë Shqiptarë katolikë të Gjergj Kastriotit.

Kemi jetue gjithmonë me Popullin si në luftë, si në paqë. Në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njani na mbante në robni e tjetri donte me na përpî. Ndërsa na nuk jemi nda kurr prej Popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë atë kulturë që ka Europa e mos me u dallue për keq prej të tjerëvet. Na kemi hapë shkolla Shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që Populli Shqiptar të ecin në rrugën e Zotit.” (Revista “Buzuku”, nr. 18, E. Merlika, me 22 tetor 2005, Ulqin.)

***

At Mati PRENNUSHI ka lé në Shkodër më 2 tetor 1882, prej prindve Kolë e Drande Prennushi. Asht i pagëzuem me emnin Paulin. Familja Prennushi asht e vjetër në qytetin e Shkodrës. Të parët e tyne kanë ma shumë se 350 vjet që kanë ardhë nga Zhupa, fshat malor por që, asnjëherë nuk asht shkelë nga turqit deri në ardhjen e kësaj familje në Shkodër, prandej, edhe nuk kanë ndrrue Fé. Tregojnë se vazhdimisht kanë pasë klerikë në za. Ndër të fundit asht kenë Don Mati Prennushi, axha i At Matisë, që ka vdekë në vitin 1904 e asht varrosë në Rrëmaji, ku janë vorret e kësaj familje. Don Matia ishte i njohun për aktivitet atdhetar në krahinat e Veriut. At Matia trashigoi emnin e Tij, mbasi pikërisht atë vit kur Ai vdiq ky u shugurue meshtar, më datë 4 prill 1904, në Kishën e Françeskanve të Gjuhadolit. At Matia mësimet e para i mori në Troshan, ku edhe Ju kushtue Urdhnit të Shën Françeskut, i njohun në Shqipni “Urdhni i Fretënve të Vogjël, O.F.M.”. Vazhdoi në Bosnje mbasi pothuej ishte ba traditë parapërgatitore e fretënve për vazhdimin e studimeve të nalta në Austri. Kjo rrugë asht ndjekë nga pjesa ma e madhe e françeskanëve Shqiptarë, mbasi Austria jo vetëm, se ishte forcë e madhe, po ishte e vullnetëshme me ndihmue Shqipninë me kuadro të nalta në të gjitha fushat.

Pergatitja e klerikëve atje bahej me dëshirën ma të madhe prej tyne mbasi atë kohë ajo shihte edhe tëposhtën që kishte marrë Përandoria Turke. At Matia studimet e nalta i përfundoi në Grac në vitin 1904. E theksova këtë fakt mbasi edukata dhe kultura e marrun në këto qendra edukimi në Austri, la përjetësisht gjurmët e veta të pashlyeshme në formimin atdhetar e fetar në të gjithë ata Shqiptarë që, edhe pse ishin nën pushtimin mizor turk, formuen atë brezni që Shqipnia nuk do të mundët me e persëritë kurrëma.

Në moshën 24 vjeçare At Matia, zotnonte mirë gjuhët: latinisht, greqishtën e vjetër, italisht, gjermanisht, serbo-kroatisht dhe frengjisht, gjuhë të cilat i fliste dhe i shkruante saktësisht. Françeskani i ri e filloi misionin e tij si profesor në Gjimnazin e Fretënve dhe mbas një viti shkoi në Katund të Kastratit ku, përfshihej edhe Bajza. Ka edhe sot familje e që kujtojnë me respekt meshtarin e ri ndër votrat e të parëve të tyne.

Shumë shpejt u fiton zemrën besimtarëve të vet. At Dioniz Maka më tregonte më 14 prill 1995: “Kur turqit në agoninë e tatpjetës mendonin aty nga 1905 me djegë Shkodrën, në shenjë hakmarrje për përpjekjet që po baheshin me dalë nga zgjedha e robnisë së tyne, njëditë të dielë mbas meshët, At Matia çveshi teshat e meshës e u tha besimtarëve me pritë në oborr pesë minuta. Ai vetë shkoi te qela, doli para Kishës dhe ju drejtue të pranishëmve tue nxjerrë prej xhepit të zhgunit një alltije: - Kush asht burrë dhe e don me zemër Shkodrën o sot o kurr, me ardhë mbas meje, do t’ju prij unë e do të shkojmë me i ndalue dorën hasmit turk që don me zharitë vëllaznit tonë!

Të gjithë si ishin shkuen ndër shtëpia, ndrruen teshat, u armatosën dhe u rreshtuen mbas Tij ndër kuaj për pak kohë. Dhanë kushtrimin përreth ndër male dhe nën drejtimin e At Matisë u nisën në drejtim të Shkodrës. Lajmi erdhi shumë shpejt edhe në Shkodër. Me të marrun vesht Valia dërgoi ndërmjetësit tek Kisha e Madhe e Shkodrës për me e ndalue këtë veprim, tue u premtue se ushtria turke nuk do të bajë asnjë reprazalje kundër shkodranëve. Imzot Guarini i dërgoi  një përfaqësues me u dalë para malësorëve që po vinin me At Matinë në krye. Përfaqësuesi i klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë dhe mbasi ishin marrë garancitë prej Valisë, malësorët u kthyen, Shkodra shpëtoi... At Matia qysh i ri asht dallue në trimni. Kishte një za të trashë dhe pak të marrun... e, si tash e kam ndër veshë zanin e tij kur këndonte Gloria...”

Me shkuemjen e Imzot Lazër Mjedjes në Prizren, aty nga 1908, At Matia shkon në Traboin, Deçiq dhe Greçë. Tue pa përditë me sy tiparët e malësorit të kulluem atje, Ai preku me dorë gjanë ma të çmueshme që e karakterizon Shqiptarin dhe që e veçon nga kombët tjera, aty ishte burrnia e besa! Në çdo votër ndër ata male përcillej ndër breza qëndresa e kreshnikia pa mburrje.

Virtyti ma i shenjti i yni besa, qarkullonte ndër damarët e gjakut të malësorit bashkë me fisnikinë dhe formulen “Fé e Atdhé”, aqsa dukej sikur ky ny i pazgjidhshëm asht lidhë njëherit me kërthizën e tij.

Prova ma e saktë asht vetësakrifica për hatër të mikut, ndërsa, për priftin edhe binte në zjarr e nuk i dhimbsej jeta si me lé së dyti. Ishin françeskanët të parët që e provuan këtë gja ndër male mbasi me ndôre të këtyne, ata mërrijtën me falë edhe gjaksin. Një veper sa Fetare aq Atdhetare e papersëritëshme. Ishte besa që në karakterin e atyne burrave ruente të forta dhe të freskëta ndjesitë Atdhetare që prisnin çdo çast me u zgjue nga dora e bekueme me gjakun e martirëve, nga dora e atij Kreshniku që shpejt do të thërriste: “Çonju burra, ku jeni, drejt e në Deçiq!..”

E, mbas Tij, fluturuen edhe shqipet e Alpëve tona!

Më 24 mars 1911 janë At Mati Prennushi e At Buon Gjeçaj, që shpalosin nga gjoksi i tyne Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dhe ia dorëzojnë të pathyeshmit Trim të Traboinit, DEDË GJO’ LULIT, që me ata dy sy zhgabë që i vezullojshin prej gëzimi, e buzëngërthye nën ata mustakë të bardhë si biluri, me kësulë mbi një sy si bora e MAJËS SË BRATILËS, i mbërthyem ndër armët e të Parëve, në atë brez të punuem prej lokes qysh se rrezja e diellit kishte shkrepë ndër ato maje, me ata çakçirë nën t’ artin xhamadan ku rrahte ORA E SHQIPNISË, aty, po, ishte zëmreku i kombit ku gufonte gjaku i shkuem rrëkajë i Fatosave; aty, po, ishte ajo e forta zemër që me duer prej bronxi, ngjiti në atë shtizë të latueme në shekuj atë cohë KUQ E ZI, të qëndisun nga duert e bijave të Rozafës, po, në atë shkam ku asht daltue amaneti i GJERGJIT, që për pesë shekuj priti: AGIMIN E LIRISË...

Po, po, bash AI BURRË, që sot nuk ka as vorr!

Për këtë ngjarje kaq të randësishme përveç dokumentëve historike të botueme të asaj kohe, fotografive etj., në revistat “Leka”, “Hylli i Dritës”, etj., shkruan edhe Stephen Schwartz, Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco: “On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.”; dhe, e përkthyeme:

“Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.”

At Matia nuk asht i knaqun vetëm me lirinë e malëve mbasi atje liria pothuej nuk ishte shkelë asnjëherë. Vepra fisnike e Deçiqit vërtetë që ishte një shpërblim i luftës së vazhdueshme të malëve tona, por kënaqësia duhej me u shtri në të gjithë Shqiptarët.

Asht kjo arësyeja që në qelën e At Matisë, në Greçë, shkon Imzot Lazër Mjedja dhe organizojnë takimin historik ku përpilohet një dokument shumë i randësishëm: “Memorandumi i Greçës”, më 23 qershor 1911, që i prinë ngjarjës së madhe të Pavarësisë Kombtare në Vlonë, më 28 nandor 1912.

Ky Memorandum u shkrue në gjuhën frenge nga dora e atdhetarit Luigj Gurakuqi dhe u përpilue nga Imzot Lazër Mjedja, Luigj Gurakuqi, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, dhe asht nenshkrue nga: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. Burra që nuk i vijnë ma Shqipnisë!

Ajo që sot bie në sy në këte Dokument kaq të rendsishem asht përdorimi i saktë i terminologjisë juridike të asaj kohe, kur as Shqipni pothuej “nuk kishte”...që, të jep përshtypjen e përpilimit të tij në kohën e sotme moderne prej ndonjë grupi juristësh të një shteti shumë të përparuem.

Kur malazezët shkelin tokat tona, për këto akte atdhetarie që At Matia kishte organizue atje, e kapin dhe e dënojnë me varje në litar. Gjatë zhvillimit  të gjyqit një anëtar i  trupit gjykues, i thotë: “E sheh litarin që ke në brez, në atë litar do të varim!” ...dhe,  At Matia, me buzë në gaz i përgjegjët: -“Ua dij për nderë me më varë në konopin tem mbasi me siguri litari em ka me ma falë jetën!” Thanja kishte dy kuptime: Së parit, konopi i Françeskanit do të këputej, mbasi nuk do të pranonte që të varet kush në atë litar; së dyti, litari i tij nuk kishte si me bajtë peshën e randë të trupit të madh dhe të shëndetshëm të At Matisë. Asht e vërtetë që me At Fishtën ishin miq por ishin edhe bashkëpunëtorë. Për hirë të kësaj dashtnije që kishte At Gjergj Fishta për té, Ai ndërhyni tek Krajl Nikolla për me i falë jetën At Matisë. Krajli jo vetëm i fali jetën po, edhe e liroi dhe ja dha me vete. Erdhën në Shkodër ku për pak kohë punoi si profesor në Gjimnazin Françeskan. Siduket, ata i përpiqte bashkë edhe humori. At Fishta e tregonte shpesh thanjën e At Matisë para gjyqit dhe qeshëshin. Kjo vërehet edhe ndër ato pak letra të korrespondencës së tyne që për fat nuk janë zhdukë dhe, prej të cilave një muejta me e fotokopjue. Pjesa ma e madhe e tyne asht e vështirë me ra në duert’ e mija. Nuk zgjati shumë kohë dhe At Matia u kthye në Bajzë të Kastratit edhe njëherë mjedis miqve të vjetër, që e pritën me dashtninë dhe mirnjohjen e vet ma të madhe.

Në vitin 1924 asht përkrah Opozitës si gjithë Kleri Katolik Shqiptar, kryesisht ai Françeskan, kundër regjimit të Zogut. Lëvizjet e 1926 e përfshijnë edhe At Matinë, i cili mbas vrasjes së Luigj Gurakuqit, nuk donte me i ndigjue emnin as Zogut dhe as Musa Jukës. Arrëstohet prap në këtë Lëvizje bashkë me shumë klerikë të tjerë. Don Gjon Gazulli u dënue me varje dhe u ekzekutue vëndimi në Shkoder në 1927.

At Matia do të pushkatohej. Këtë herë asht At Palë Dodaj që ndërhyn tek Zogu, i cili për miqësinë që kishte me At Palin qyshë në Rubik, ia fali jetën At Matisë. Edhe ky e liron por me kusht që At Matia me u largue nga ato krahina malore. Atëherë detyrohet me u largue përfundimisht dhe emnohet në Laç të Kurbinit. Në vitin 1928 shkon në Iballe të Pukës dhe mbas pak vitësh asht famullitar në Gomsiqe. Në vitin 1941 emnohët në Tiranë, megjithëse aty nuk shtrihej veprimtaria e Françeskanëve. Në Tiranë bashkë me Provinçialin e tyne At Anton Harapin, hapin Kishën Françeskane të kryeqytetit, ku At Matia ushtron një aktivitet të gjanë atdhetar. Këto vepra as nuk perkujtohen!

Aty bashkëpunon me At Pjeter Meshkallën, Imzot Vinçenc Prennushin, Imzot Luigj Bumçin, Don Lazër Shantojën etj. At Matia jo vetëm ishte antifashist por ishte edhe anti-italian. Nuk pajtohej me pushtimin e Shqipnisë nga Italia, gja të cilën, e ka shpreh pa kurrfarë frike. Në Kishën Françeskane të Tiranës më 28 nandor 1942, ai ka vue Flamurin Kombëtar me Shqipën e flamurit të Deçiqit, pa stemat e fashizmit. Kryente vizita kortezie ndër autoritetet shtetnore edhe italiane që i kishte të detyrueme po prej tyne... At Mati Prennushi konsiderohej nga autoritetet atje: “Françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane”. Dëshmi e At Dioniz Makës (1995).

Në Tiranë Ai u njoh me shumë përsonalitete të kohës si, me Shefqet Vërlacin, Mustafa Krujën, Maliq Bushatin, Iliaz Agushin, Musa Gjylbegun, Rexhep Mitrovicën, Ibrahim Biçakun, Lef Nosin, Cafo Beg Ulqinin etj. Të gjithë dokumentët arkivore të marrëdhanjëve të At Matisë me këta përsonalitete, flasin vetëm për ATDHETARIZËM. Ai, edhe pse ishte në Tiranë ruen miqësinë me fisin e Ded Gjo’Lulit, me Prekë Calin, Kol Zefin e Grudës, Kol Ndoun - Bajraktar’i Shalës, Lulash Gjeloshin e Shoshit dhe, veçon Gjelosh Lulin, si trim dhe atdhetar. Në grupin e politikanëve të njohun ruen respekt për Mehdi Frashërin, si politikan, jurist, historian e liberal shumë i kulturuem. (Dosja 1302).

Ndër takimet e bame me italianët shihët kjartë interesi që ata kishin për me krijue lidhje me Françeskanët e Shqipnisë, për të cilët Konti Çiano shkruen në kujtimet e veta: “Shkollat e tyne kishin edukue rininë me ndjenja të theksueme anti italiane...”

Ata ndërtuen disa qela e Kisha në zonat e Tiranës dhe në Veri, per me krijue tjera ide per ta nder Shqiptarë. Këto dokumentohën edhe sot me shpjegimet e shpënzimeve të sakta, të ruejtuna nga At Matia në Arkivin e Shtetit Tiranë. (Libri “Françeskanët”1998)

Në vitin 1943 At Matia vjen në Shkodër. Mbas emnimit të At Anton Harapit në Regjencë, në vendin e Tij si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, emnohet At Matia, detyrë e cila i njihët zyrtarisht nga eprorët në muejin qershor të vitit 1944. Detyrën e fillueme në gjysmën e vitit 1943 e vazhdon pa emnim zyrtar, mbasi  rruga e ndjekun me At Anton Harapin nga Argjipeshkvia e Shkodres për aprovimin e Tij në Regjencë, ka vazhdue disa muej. Mënyrën si u veprue do ta shpjegoj tashti nga burimet e vërteta për këtë çashtje: Zgjedhja e At Mati Prennushit si Provinçial asht mjaft origjinale.

Po citoj nga At Konrrad Gjolaj, i cili ishte i pranishëm në atë mbledhje porsa kishte ardhë nga studimet prej Italie. Në librin “Çinarët” (fq. 67) shkruen: “At Çiprian Nika ishte ndër françeskanët ma me vlerë që ka pasë kleri e kjo asht edhe arësyeja që kur u zgjodh Provinçial At Matia, Ai pat ngulë kambë mos me u zgjedhë At Çipriani, se komunistët punën e parë që kanë me ba kanë me pushkatue Provinçialin, prandej, t’a ruejmë At Çiprianin për ma vonë, mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né. Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë, nuk i bante përshtypje pushkatimi, se edhe dy herë maparë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile edhe deri tek stoli i konopit në Serbi.” Po në këtë mënyrë e shpjegon edhe At Dioniz Maka mënyrën e zgjedhjes së At Matisë Provinçial.

Në fq. 65, At Konrrad Gjolaj shkruen: “Ardhjen e At Mati Prennushit si Provinçial të Françeskanëve të Shqipnisë, unë e kam konsiderue gjithmonë si një fat i madh i Kishës Katolike dhe i Françeskanëve të Shqipnisë. Ai asht kenë portreti shpirtnuer, fizik e moral i një Françeskani të vërtetë. Inteligjent, trim dhe organizator. Janë tri cilësi të vështira me u kombinue, por sidukët Zoti, tue dashtë me na ruejtë me faqe të bardhë na shndriti mendjën me zgjedhë At Matinë në kohën ma të rrezikshme dhe delikate, në të cilën asht ndodhë Kisha përballë terrorit sllavo-aziatik komunist”.

Shkuemjen e At Anton Harapit në Regjencë, At Matia e konsideron të rregullt dhe në përputhje të plotë me normat ligjore të Urdhnit, mbasi vetë At Antoni ka kërkue rrugën ligjore. Mbasi u mblodhën françeskanët: At Mati Prennushi, At Pal Dodaj, At Çiprian Nikaj, At Donat Kurti, At Pashko Bardhi, At Gjon Shllaku dhe At Augustin Ashiku; At  Matia deklaron: “... U bisedue nëse mund t’i sillej ndonji dobi Atdheut me pjesëmarrjen e tij (Padër Antonit) në Regjencë, e arritëm në përfundimin se mund t’i sillet shumë, prandej e autorizueme Padër Antonin të marrin pjesë në Regjencë.”

(At M. Prennushi Dosja 1302, fq. 56, Arkivi Min. Mbrendshme, Tiranë).

Ma poshtë vazhdon: “Mbas kësaj mbledhjeje i asht kërkue mendimi Papës, dhe Vatikani në bazë të Kodit Kishtar, e lé në dorë të Argjipeshkvit. Argjipeshkvi i Shkodrës e pëlqen këtë vëndim dhe Padër Antoni shkoi në Regjencë”.(po aty fq. 57.)

Kur hetuesi e pyet At Matinë, se konsiderohët apo jo At Antoni “kriminel lufte”, përgjegja asht kjo: “Për Padër Anton Harapin nuk ka ndonjë fakt që të më bindin se ky mund të jenë kenë kriminel lufte”. (Dosja 1302 fq. 6). Letra e At Antonit që i ka dhanë Osman Kazazit njëditë para pushkatimit, ende nuk po botohet. E quej me vlerë po të ishte mundësia e një studimi të plotë për At Anton Harapin, me nxjerrë në dritë një letër të Lef Nosit, që ruhet në Arkivin e Shtetit, me të cilën Lef Nosi kërkon me çdo kusht kenjen e At Antonit në përbamjen e Regjencës.            Po aty asht e ruejtun një letër tjetër që At Matia ua dërgon të gjithë françeskanëve me rasën e vrasjes At Lekë Lulit në mënyrë mizore dhe tradhtisht, vetëm me i plaçkitë të hollat që kishte me vete. Në këtë letër jep urdhën të premë që asnjë frat të mos merrët me politikë dhe të mos ju besojnë asnjenës parti, mbasi jo vetëm mund të pësojnë fatin e At Lekë Lulit, por edhe do të njolloset me akuzat ma të këqia nga ajo parti që do t’i marrë edhe jetën.

Porosia asht e padiskutueshme. Ka një shënim me të cilin akuzojnë At Matinë, se kjo letër asht shkrue vetëm kundër Lëvizjes N.Çl. dhe formacionëve partizane. Qëllimi i vërtetë me sa duket asht frika e përzimjes klerikëve në turbullinat e kohës.

Në të vërtetë koha e turbullt dhe e pa sigurtë e vitit kobzi 1944 sjell të paprituna të njëmbasnjëshme. Shumë nana shkodrane zanë derën e kuvendit për me ju shpëtue kokat e djelmëve të kapun nga gjermanët, si komunistë ose të dyshimtë; shumë të tjerë afrohën me vërejtë se çfarë qëndrimi po mbante kleri kundrejt partizanëve; shumë të tjerë vijnë me lypë ndihmë për jetesë si Pjerin Kçira me shokë; shumë të tjerë kërkojnë me rrahë në të dy krahët dhe me e pasë mirë me të gjitha palët e, që këta të fundit, janë kenë ma të shumtit. Praktikisht në Kuvendin e Fretënve gjetën strehë edhe shumë prej atyne që ma vonë do të dëshmojnë për “veprimtarinë antikombëtare” të françeskanëve, vetëm e vetëm me sigurue një vend pune të rahatshëm, me marrë një gradë shkencore edhe ate të pameritueme etj. etj., që shtjellohën ma kjartë në ngjarjet e ndodhuna mbas vitit 1944.

Procesët e bame ndër gjyqet e hapuna të Shkodrës janë dëshmia ma e mirë dhe mbahën mend nga qytetarët, por procesët e “mbylluna” që sot edhe ato janë të hapuna e publike, për fat të keq, dëshmojnë se shumë vetë kanë mendue se komunizmi asht i “përjetëshëm” dhe asnjëherë, nuk kanë mendue se një ditë do të dalin në shesh e vërteta e veprimeve të tyne antiatdhetare e antifetare.

Nuk ishte detyrë e thjeshtë me kenë Provinçial në një kohë ma keq se në kohë të paganëve, për Françeskanët e Shqipnisë ishte koha ma e vështirë e shekullit.

Gjithshka ishte në dorën e jugosllavëve e tradhtarëve, e kush ma parë se fretnit do të kishin punë me ta?

Në fillim të Janarit 1945, At Matia asht i pari klerik katolik Shqiptar që takohet me terroristët e njohun Sheuqet Peçi dhe Mehmet Shehu, në kuvendin e Gjuhadolit në Shkoder, dhe kur ata i kanë kerkue shkëputjen nga Vatikani, At Matia u asht pergjegjë: “Kjo punë nuk mund të bahet kurr nga Kleri Katolik Shqiptar!” Pikrisht, aty ishte edhe piknisja e Gjenocidit komunist kunder Klerit tanë që vazhdoi tiraninë 47 vjetë!

At Mati Prennushi ruejti dinjitetin e vet dhe të shokëve pa madhështi. Ai u ndodh i vorfën mjedis të vorfënve të Asizit. Dijti me lidhë gjithmonë veprën me logjikën, tue arsytue gjithshka e këshillonte Atë vëllau i kuvendit. Per këte flasin kjartë dokumentat e Dosjes së Sigurimit të shtetit nr. 1302.

Ai ishte i sjellshëm, i premë në vëndimet ma delikate, i njerëzishëm, bujar dhe i pakundërshtueshëm, mbasi me fjalë e vepra nuk dijti me iu randue as anmikut. At Matia ishte elokuent, të bante për vete, Ai ishte gjithmonë dashamirës. Këshilla e vërejtja e Tij mirëpritej si prej Atit, se njihej si Atdhetar që nuk u pajtue me asnjë okupatorë!

Punoi pa iu ndigjue zani për Fé e Atdhé si të gjithë françeskanët, mbasi në zemër u vlonte LIRIA. Ai vdiq i respektuem edhe nga anmiqtë, se njihëj për Burrë trim.

AT MATI PRENNUSHI, me 11 Mars 1948, në Zallin e Kirit para pushkatimit ka thanë: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!

U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”

(Dosja 1302, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme Tiranë, 1998.)

Kanë kalue 25 vjetë e “Varri... as sot nuk i dihet!”...

Me daten 5 Nandor 2016, Papa Françesku në Vatikan do të shpallin:

SHEJTIN MATI PRENNUSHI...


Melbourne, Nandor 2016.

(Vota: 7 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: