Pëllumb Gorica: Shkolla e parë shqipe e Mollasit
| E Enjte, 03.11.2016, 10:27 PM |

SHKOLLA  E  PARË  SHQIPE  E  MOLLASIT,    100  - VJETORIN  E  SAJ

Nga Pëllumb Gorica

Prej më shumë se një shekull, në trevat e Elbasanit është luftuar për arsimin shqip. Idetë e Lidhjes së Prizrenit, që u mbajt më 1878, u përhapën në gjithë Shqipërinë, dhe gjetën mbështetje të gjërë. Lufta e patriotëve për liri e pavarësi ishte e pandarë nga lufta për dije e gjuhë shqipe, dhe vetëm të përmendësh këtë, të vjen menjëherë në mëndje një varg emra patriotësh të njohur elbasanas, që kanë lënë gjurmë në veprimtarinë kombëtare si Dhaskal Todri, Aqif Pashë Biçakçiu, Hysen Sulovari, Ali Çaushi, etj. Në këtë truall përpjekjet e patriotëve të krahinës së Sulovës nuk mbetën jashtë kësaj lëvizje. Edhe fillimi i përpjekjeve për gjuhë shqipe në Sulovë së bashku me rritjen e ndjenjës kombëtare aty ndërlidhet me aktivitetin e patriotëve të saj.

Të dhëna të reja të kemi mundur të mbledhim, dhe ja si shprehet mësuesi i parë i kësaj krahine, Riza Cërriku se: “Këta patriotë i sillnin librat në Sulovë, duke i fshehur nën samarët e kuajve pas kthimit nga pazari i Elbasanit.  Kjo sepse, në atë kohë, përhapja e librave shqip ishte një punë e vështirë, dhe me rreziqe të mëdha. Pushtuesit turq i kontrollonin, dhe arrestonin  ata që përhapnin libra dhe gazetat në gjuhën shqipe. Mësimi bëhej në mejtepin(xhamia) e Mollasit. Tregojnë se vet hoxha nën ndikimin dhe presionin e patriotëve pasi mësoi vet të shkruante, dhe të lexonte shqip, nisi t’ua mësonte gjuhën fshehurazi, edhe nxënësve të mejtepit”.  Një ndër patriotët më të njohur të Sulovës, Qazim bej Zavalani me vrullin e atdhetarizmit u bë faktor për përhapjen e ndjenjave kombëtare në krahinën e Sulovës. Ngjarjet e viteve 1887-1910 kanë qenë në qendër të vëmendjes, dhe aktivitetit të tij. Nisur nga ky fakt,  Shaban Demiraj, Kristaq Prifti në “Kongresi i Manastirit, ngjarje me rëndësi kombëtare shqiptare”, Tiranë 1968 shkruanin se: “Qazim Beu, Feim Beu, Refat Beu, Kamber Efendiu dhe shokët e tyre kanë punuar me sa u ka ardhur nga dora për mirësinë dhe interesat kombëtare”. Më tej  Riza Cërriku tregon se patrioti Qazim Bej Zavalani, e kërcënoi hoxhën e Mollasit me këto fjalë: “O mësoju fëmijëve gjuhën shqipe, ose plumbi të pret”. Njihet terrori i osmallinjve për gjuhën, dhe shkollat shqipe. Ato vlerësoheshin si një nisëm e rrezikshme, që do t’ua lëkundte sundimin pesë shekullor. Por, dëshira për gjuhën e të parëve, dhe identitetin kombëtar, ndonëse me sakrifica të mëdha, triumfoi me dritë mbi errësirën e pushtuesit turk.

Dokumentacionet e ruajtura sjellin përpjekjet dhe kërkesat e banorëve drejt autoriteteve të kohës për mësimin e gjuhës shqipe në krahinën e Sulovës. Një dokument që gjendet në muzeun e Gramshit tregon me anë të një letre kërkesat e sulovarëve për arsimim. Në të shkruhet: “ Letër nga Sulova prej Gramshit, korrik 28 1912. “I nalti, i ndershmi, i vlerti Zoti i nderuar Rufan Be! Të lutemi zotni, e të falemi shum, te merren dorënë e zontnissate Sherif Sadushi, edhe Yzeiri, edhe Sulejmani. Të gjithë vëllezër jemi. Neve të lutemi shum të na dërgojsh një mësonjës se këtu jan ngritur në këmbë njerzia se janë me mëshirë. Dufshan i poshtmi Brahim të falem.” Dokumenti në muzeun historik Gramsh, dosja 34.

Por përpjekjet më të madha për gjuhën dhe arsimim shqip, ashtu si në pjesën më të madhe të Shqipërisë, edhe në krahinën e Sulovës, shpërthyen pas Shpalljes së Pavarësisë. Në vitin 1916 në Mollas u hap shkolla e parë shqipe në këtë krahinë. Për sa i përket kohës së hapjes së saj me interes është një dokument, që gjendet në Arkivin Qendror Shqiptar. (Dosja e arsimit shqip, viti 1916, dokumenti 123) “Shkolla e Mollasit ishte ndër të parat në nënprefekturën e Gramshit”.(Atëherë Mollasi varej administrativisht nga nënprefektura e Gramshit, dhe ishte qëndër e komunës për gjithë krahinën e  Sulovës.) Ishin rrethana kritike në të cilat kalonte Shqipëria. Vite të errëta, vite të mbrapshta, injorance, dhe urie, por edhe lufte, megjithëse nën mjegullën e Austro-Hungarezëve, patriotët u përpoqën që të shfrytëzonin kushtet e krijuara për qëllimet e tyre. Në “Enciklopedia Elbasani”, faqe 25 shkruhet:“Gjatë periudhës së pushtimit Austro-Hungarez u hapën shkollat në Shelcan, Gjinar, Zavalinë, Mollas, Shtërmen, Polis, Fushbuall, Shmil, Floq, etj”. Hapja e shkollës së parë shqipe në Mollas nuk ishte as rastësi, e as dëshirë e një personi të vetëm, por rezultat i pëpjekjeve të atdhetarëve të kësaj krahine për liri e pavarësi, dhe të etjes për dritën e diturisë. Njerëz me kontribute si Estref Zavalani, Arif  Frakulli, Nazif  Kurti, Xhaferr  Cërriku, Sali Hoxha duhen njohur si të sakrificave për vetë egzistencën e kombit, por me keqardhje, emrat e atyre që ndihmuan në hapjen e shkollës së parë shqipe në Mollas, janë lënë në harresë, dhe as që janë vlerësuar deri më sot.

Me historikun e  hapjes së shkollës së parë shqipe në Mollas lidhet pazgjithmërisht emri, dhe kontributi i Dhimitër Konomi (njihej Taq Deliana) nga lagjia Kala e Elbasanit. “Rudolfi, një nga fëmijët e Taq Delianës, tregon se babai i tij ishte një ndër të rinjtë, që u angazhua krah Lef Nosit, Emin Haxhiademit, Ahmet Daklit, në përhapjen e librave dhe arsimit shqip. I angazhuar në arsim, ai do të jepte mësim edhe në shkollën e parë të Mollasit gjatë Luftës së Parë Botërore, ku shërbeu për një vit. Ishte shumë e madhe etja për të mësuar shqip. Nga ajo kohë Rudolfi ruan një dokument nga pleqësia e fshatit ku thuhet se babai i tij ka punuar në këtë periudhë në Mollas, e firmosur dhe e vulosur me pulla takse, madje dhe me një pullë ku thuhej se të ardhurat i shkonin Kryqit të Kuq.” (Gazeta Shekulli,8 dhjetor 2010). Histori gojore rreth tij kanë mbërritur tek brezi i ri nga ish nxënësit, teksa me tregimet e tyre, e kanë dhënë madhështinë e pjesëshme të këtij njeriu. Ai nuk ishte vetëm një mësues i mirë, por edhe një patriot i vendosur, që luftoi deri në fund të jetës për përparimin e vendit. Mësuesi Riza Cërriku ndër të tjera në gazetën “Shkumbini” të datës 14 tetor 1982 do të shkruante sipas kujtimeve të Bike Frakullit: “E pritën me aq dashuri mësuesin tonë të parë, që do të përhapte dritën e diturisë mes nesh. Ai pasi kishte siguruar libra, fletore e lapsa nga mesi i tetorit 1916, në një nga dhomat e xhamisë në Mollas hapi shkollën e parë shqipe.  Ishte një dhomë e vogël, por e mjaftueshme për numrin e fëmijëve që e frekuentonin. Në fillim ishim 24 nxënës, nga të gjithë fshatrat e Sulovës: nga Selita, Linasi, Kamunau, Dragoti, Topojani, Klosi, Lumasi, Qafa, Qyrkani.” Në librin e studiuesit Ilir Kanina jepen të dhëna të shumta për mësuesit që ushtruan profesionin në Sulovë. “Arsimi në  Shqipëri në vitet e Luftës së Parë Botërore“, faqe 58 është shkruar: “Më pas në shkollën e Mollasit në vitin 1918 erdhi mësues Qamil Xhani, i cili punoi deri në vitin 1920’’

Pas Kongresit të Lushnjës në vitin 1920, me ndihmën e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Sulejman Delvina, dhe ministri i arsimit, atdhetari  Sotir Peci u hapën shkolla krahas atyre ekzistuese. Shkollat shqipe u hapën atje ku ishin më tepër mundësitë, dhe ku u ndihmuan nga fshatarët arsimdashës. Për mungesë lokalesh mësimet zhvilloheshin në shtëpi private dhe në xhami. Midis shkollave të reja shqipe do të ishte edhe ajo e Tunjës, që u hap 4 shtator të vitit 1921 me mësues Vahid Kurmakun nga Stëbeleva e Gollobordës. (Petrit Basha “ Historiku i zhvillimit të arsimit në Tunjë e rreth saj”. “Shkolla shqipe e fshatit Selitë u hap nga mësuesi Riza Qerfozi e më pas mësues ishte Salih Mehmet Dibra’’, shkruan publiçisti Murat  Gecaj në librin e tij “Nëpër udhët e Shkollës shqipe”, faqe 97. Shkolla e Selitës së Elbasanit aq e mirëpritur në atë kohë e pati jetën e shkurtër, vetëm disa vite. Kjo ndodhi jo aq nga numri i nxënësve, se sa nga kujdesi i pamjaftueshëm i qeveritarëve të atëhershëm. Në fshatrat e tjerë të kësaj krahine përpjekjet nuk munguan në vitet e mëvonshëm me kërkesa të përsëritura në organet qeveritare. Në një dokument, që gjendet në Arkivin Qendror Shqiptar, i lëshuar nga këshilli pleqësor i arsimit për nënprefekturën e Gramshit në muajin korrik 1921, kërkohet Ministrisë së Punëve të Brendshme hapja e shkollave edhe në fshatra të tjerë. Por përgjigjja e Ministrisë së Arsimit në 11 tetor 1921 ishte negative: “Në asnjë mënyrë nuk është e mundur të hapen të gjitha ato shkolla për arsye se buxheti nuk premton, por edhe sikur ky të premtonte, nuk i kemi mësuesit e mjaftueshëm’’. Po në këtë dokument shkruhet se : “Në këtë nënprefekturë ndodhet vetëm një shkollë e çelur, ajo e Mollasit’’. Nga ‘‘Historiku i arsimit në Topojan” shkëpusim këto rreshta. “Në fshatin Dragot në vitin 1924 hapet shkolla me mësues Vladimir Apostolin”. Po sipas kujtimeve të bashkohësve, në Banjë Musa Hoxha hapi derën e shtëpisë, dhe e ktheu shkollë vite me radhë për fëmijët e këtij fshati.

Të shumta ishin përpjekjet, dhe vështirësitë për ta konsoliduar e për të ruajtur vazhdimësinë e shkollës së Mollasit. Këto i dëshmojnë të dhënat arkivore, dhe kujtimet e bashkohësve. Në vitin 1925 qeveria e Zogut e mbylli shkollën në Mollas. Shumë nga patriotët sulovarë protestuan me forcë për mbylljen e kësaj shkolle. “Historiku i zonës së Mollasit” shkruan se: “Në këtë kohë fshatarët patriotët e arsimdashës sulovarë kundërshtuan vendimin e qeverisë. Një grup prej tyre i përbërë nga Bajram Mëhalla, Neim Cerriku, Musa Hoxha, Isuf Qevani, Mehmet Asllani, Rrapush Asllani, Shaqe Gjini, Hasan Frakulli, shkoi te prefekti i Elbasanit dhe kundërshtuan këtë vendim të qeverisë së atëhershme, duke kërkuar me insistim rihapjen e saj.  Përballë këtij presioni popullor, qeveria u detyrua që të hap shkollën. Mësues ishte Musa Kongoli, dhe ai  kujtohet me respekt për disiplinën, taktin pedagogjik, dhe dëshirën e zjarrtë për t’u mësuar fëmijëve shkrim e këndim. Energjitë që konsumoi ai, dhe gjithë të tjerët që ushtruan profesionin e mësimdhënësit në Sulovë ishin jashtë maksimales. Ai përpiqej për demokratizimin e vendit, dhe i aderuar aktivisht në organizatën “Bashkimi” u shfaq hapur kundër qeverisë së Zogut me politikat antipopullore. Në Qershor të vitit 1924, mësuesi Musa Kongoli bashkohet me forcat revolucionare-demokratike, dhe lufton në kryengritjen kundër forcave feudale për vendosjen e Qeverisë Demokratike. Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit, nga Zogu, pikërisht për këtë pjesëmarrje ai pushohet nga puna. Por asnjëherë mësuesi patriot Musa Kongoli nuk u pajtua me  këto qëndrime. Pas disa vitesh rimerret në punë si mësues në Divjakë, por nuk do të harronte shkollën e Mollasit, nxënësit e tij, e sidomos patriotët sulovarë. Nën terrorin fashist e nazist ai vazhdoi punën si mësues në Elbasan. Aty ra në sy, edhe veprimtaria e tij antifashiste. Për këtë kapet nga forcat gjermane, dhe internohet në kampet shfarosëse naziste, duke qenë edhe një nga viktimat e shumta nga të gjithë vendet e pushtuara , i cili mbetet pishtar atdhedashurie.

Për shkak të kushteve të vështira, por dhe largësisë, qeveria e kohës nuk i plotësonte kërkesat as për mjete mësimore dhe ambiente banimi. Ndonëse shkolla e vendosur në një ambient të xhamisë së Mollasit në kushte të vështira ekonomike aty mësuan djem nga të gjithë fshatrat e krahinës së Sulovës, që bënin dy orë e me shumë rrugë në këmbë. Meqënëse në këtë mjedis zhvilloheshin edhe rite fetare lindi nevoja për të ndërtuar një shkollë të re. Për këtë arsye fshatarët ngritën një godinë me dy dhoma në qendër të fshatit, tek Sopi i Shicës. Themelet e së cilës u hodhën në vitin e largët 1928. Të gjitha shpenzimet për ndërtimin saj, sigurimin e orendive dhe mjeteve të tjera shkollore i përballoi kryplaku i fshatit, Rushan Kurti. Në botimin e autorëve nga Gramshi: Y Bajraktari, M Hoxha “Dritë driturie në Gramsh’’, faqe 40  mëson faktin. “Një punë të lavdërueshme bëri në shkollën e Mollasit në vitin 1928, edhe mësuesi Demir Koçi’

Por vështirësitë e shumta që dolën nga kriza ekonomike në vitin 1931 detyruan për disa muaj që shkolla e Mollasit të mbyllej përsëri. Nga të dhënat e materialeve të tjera të shkruara të kohës mësojmë se “Qeveria kërkoi, që mësuesit ti paguaj vetë populli siç paguan hoxhën e fshatit sepse ato nuk janë parashikuar në buxhet”.(Kumtesë e mësuesve të fshatit Mollas në sesionin shkencor të mbajtur më 1971, në inaugurimin e muzeut të Mollasit.) Natyrisht që shkolla e Mollasit, në saj të këtyre vështirësive ka pasur edhe rezultate të dobëta, dhe mësimdhënia bëhej tepër e vështirë. Pati probleme frekuentimi me ulje-ngritje të numrit të nxënësve, që luhatej 30-40 nxënës. Një fakt: Këshilli i nënprefekturës Gramsh më 1 qershor 1928 raportonte se “nga 42 nxënës që e ndoqën në fillim e përfunduan 35. Ndërsa në 5 mars 1929 ishin regjistruar 25 dhe e vazhduan një pakicë.” (Arkivi i Shtetit në Gramsh, dosja për arsimin). Midis nxënësve kishte edhe ndryshueshmëri moshe, dhe pothuajse shumica ishin djem. Femra sulovare në atë kohe e kishte të vështirë të dilte jashtë portës së shtëpisë. Kështu që të pakta ishin ato femra që e kanë ndjekur shkollën para vitit 1940.

Bashkëkohësit tregojnë se mësuesit ndërroheshin herë pas here, dhe ata kanë punuar në periudha të shkurta kohore. Midis tyre kishte edhe që vepronin me metoda jo shumë pedagogjike, ndaj dhe emrat e tyre nuk mbahen shumë mend. Megjithatë në ato kohëra nuk duhen harruar gjithashtu sakrificat e dhëna nga secili prej tyre. Vendi ku ata punonin ishte pa rrugë, tepër i varfër, i prapambetur e larg qyteteve. Nga fshatarët mësuesit gjetën mbështetje, dhe u trajtuan me dashuri e respekt. Nuk harrohen mësuesit Hysen Pajenga, Llaz Topalli, Spiro Gjirazi, Maliq Mullaholli, Musa Shehu etj”. (“Historiku i zonës së Mollasit ”) Ata mbeten njerëz të devotshëm, që sipas mundësive në moshën më të bukur, dhe në kushte jetese mbase në nivel heroizmi, e ushtruan profesionin e  mësuesit vite me radhë për të përhapur mes sulovarëve dije e kulturë. Përmendet puna e palodhur e mësuesit Hysen Pajenga. Ai edukoi breza nxënësish sulovarë, midis të cilëve edhe mësuesit e parë nga Sulova:  Isa Çalën, Sali Çalën e Riza Cërrikun, i cili në kujtimet e tij nuk do të harronte gjithë jetën mësuesin e parë të tij: “E kam ende të freskët në kujtesë mësuesin e klasës së parë. Ishte njeri i mirë, që përpiqej për të na mësuar, megjithëse ishte i rreptë ’’. Në dokumenta të tjera tregohet se shkolla e Mollasit me gjithë vështirësitë e shumta vijoi deri në vitin 1940, por më pas, e gjendur në rrethanat e Luftës së Dyë Botrore, u mbyll. Ishin vite kur fazhizmi italian, dhe nazizmi gjerman shpërthyen vërtet në një intensitet të paparë mbi gjithë botën në një luftë, ku rrodhën shumë gjak.

Shkolla shqipe e Mollasit në krahinën e Sulovës, që në fillimet saj ka qenë një vatër e patriotizmit, dhe e vlerave të formimit kulturor. Në historinë e saj ajo pregatiti shumë breza, që i shërbyen krahinës në vitet e ardhshme. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botrore në krahinën e Sulovës arsimi ka përjetuar një zhvillim të paparë, duke kaluar nëpër të gjitha etapat, dhe sot krahas dhjetra shkollave 9-vjeçare, prej 45 vjetësh në Mollas është hapur shkolla e mesme. Koha erdhi me kërkesa, jo vetëm për shkrim, lexim e njëhësim, ndërmjet luftës për zhdukjen e analfabetizmit, por edhe civilizim, edukatë e qytetari, duke lënë pas injorancën shekullore. U ndërtuan godina të reja shkollore me investime nga shteti i atëhershëm, klasa të përshtatshme, të pajisura me kabinete mësimore e laboratorë. Gjithashtu me arritje për një arsimim më cilësor, frekuentimi dhe marrja e njohurive shumë herë më e lartë prej mësuesëve që punuan me pasion e përkushtim.

Por nga viti i lindjes 1916 shkolla e parë shqipe në këtë krahinë, e feston me krenari 100 vjetorin e saj.



(Vota: 5 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: