Përparim Hysi: Në Festën Pagane të Ullirit
| E Diel, 30.10.2016, 10:22 AM |

Në Festën Pagane të Ullirit në Kurjan të Roskovecit

(reportazh)

Nga Përparim Hysi

Brenda dyjavëshit të këtij fundtetori, me një ekip mikst nga Tirana, kemi  udhëtuar drejt Bashkisë së Roskovecit, si të ftuar nominalë nga ZONJA e Parë e kësaj bashike, MAJLINDA BUFI.

Në ftesën e parë qemë protagonistë të një promovimi librash të shkrimtarit MYSTEHAK XHEMALI. I impresionuar nga interesimi i kësaj bashkiake dhe për problemet e kulturës shkrova në masmedia, në ato organe që pëlqejnë shkrimet e mia. Se, kushdo që shkruan, e ka provuar "lojën prej snobësh" apo plot qibarllëk të shumë kolegëve të penës,që, pasi kanë marrë "tapitë" e drejtimit apo botimit të iks gazete, nxjerrin njëmijë shkaqe e dymijë sebepe (turpin e paçin për vete,- do t'i shpotitja me një varg shumë popullor dikur), nuk pranojnë që të botojnë shkrime, ku, në një mënyrë apo tjetër, preken interesa për persona "VIP"( pse kjo fjalë më rimon me "rryp?!) ose të vënë para kushtesh  fare të papranueshme:- Vetëm tek gazeta jonë!!! Sikur për ç'shkruan, të paguajnë qoftë dhe një grosh.

*    *     *

Po, kur thonë në Myzeqe:- Fjalët e shumta janë fukarallëk. Të hyjmë drejt e në temë.  Ndërsa në promovimin e librave të Mystehak Xhemalit, ekipi ishte me botuesen dhe poeten Fatmiroshe Xhemali, me poetin e prozatorin Faslli Canaj dhe me Kolonel Myslim Pashaj alias Kolonel "DETI" ( saj këtij atdhetari kaq të nderuar, shpëtoi ajo  zonë detare që për interesa fare të dyshimta dhe fare të paprincipta, iu dhurua Greqisë). Se ç'merita ka ky "ATDHETAR kaq modest",e dëshmon dhe vendimi  i Gjykatës Kushtetuese që votoi në favor të aktit të KOLONEL DETIT. Por, për çudi (sado jashtë synimit të këtij shkrimi), KOLONEL DETI në vend të shpallej NDERI I KOMBIT, u fye deri në ekstrem nga të gjithë ata që lozin "arushë" me Shqipërinë.

Në ekipin tonë, këtë radhë munguan për arsye objektive, edhe ZONJA FATMIROSHE, por edhe FASLLI CANAJ. Vendet e tyre u plotësuan nga Jovan Jano dhe Nikollaq Çuni. Që të dy njerëz të penës dhe të afirmuar në fushat e tyre.

*     *    *

Ceremonia festive (këtë e thoshte dhe ftesa) bëhej pranë Kishës së SHËN  NIKOLLIT në KURJAN, njësi administrative e Bashkisë Roskovec. Mysafirët( Jovan Jano dhe Nikollaq Çuni) mbetën të entuziazmuar nga ai peizazh me aq kolorit i zonës që jo vetëm t'i mbushte mushkëritë me ajër të freskët e të shëndetshëm, por dhe  sikur të malakste me atë"parfumin" e liqenit që vinte nga rezervuari aty ngjitur. Tek ngjitnim atë maloren e fortë për tek kisha, "shoferi veteran", Mystehaku, po na tregonte se ç'po ndodhte rreth e qark fshatit Kurjan (Mystehaku është vendas aty) dhe jo vetëm kaq: pamë me sytë tanë se si po ndërhyhej për t'u ribërë nga e para rruga e vjetër, e cila, ndërsa po shkallmohej tashmë, por do bëhej me bordura dhe, veç bordurave, dhe vendosja e shtyllave për ndriçim. Jo mbill e mos korr, por investo jo vetëm për sot, por dhe për nesër. Dhe, në të gjitha, në këto ndryshime për mirë,  dukej açik "dora prej amvise me nikoqirllëk" të asaj, Majlinda Bufit që ka fituar jo vetëm besimin e gjithë zonës, por, në të njëjtën kohë, edhe dashurinë. Duke ndjekur shtypin, u mbresova kur pashë atë akt aq njerëzor që, me nismën e kësaj ZONJE ( kjo fjalë, kur shkruhet për  të, duhet shkruar me të madhe) dhe me përkrahjen e Këshillit Bashkiak, u vendos që një familje fatkeqe, invalidësh, prej disa personash, jo vetëm të ndihmoheshin ekonomikisht, por t'u ndërtonin dhe shtëpi.

Mos kujtoni se kaq është pak? Unë që shkruaj, kam kohë që kam dalë në pension, por e kam provuar mbi shpinë se sa halle ka pushteti lokal. Kam qenë kryetar i pushtetit pluralist në zgjedhjet e pare demokratike në vitin 1991 dhe përfaqësoja PD. Vetëm tri-katër muaj rezistova dhe dhashë dorëheqjen e parevokueshme,se shtylla ime kurrizore qe e brishtë dhe mend u këput nga pesha prej elefanti të pushtetit. Tani, kur shoh gjithë këtë atmosferë pune tek kjo bashki, sado që jam i djathtë, faktet më vënë poshtë dhe nuk jam nga ata që të bardhës t'i them e zezë, se këtë të"bardhën" e ka bërë dikush që nuk aderon tek partia ime.

*    *    *

Mbrritëm te Kisha ku organizohej festa. Kisha është e vendosur në në një kodër dominuese dhe është aq përballë Manastirit të Ardenicës, sa, po të jesh (ta zëmë një Mateo Falkone), shënues i zoti dhe të vësh shënjë, predha vete direkt e në  manastir. Natyrisht, hamendja ime është pak metaforike se manastiri është larg prej këtu, por dua të theksoj se kushdo nga ata klerikët e dikurshëm, kur kanë ngritur këto objekte kulti, nuk para e kanë ngrënë bukën thatë. Sa mbrritëm, na priti ZONJA që na kish ftuar. Në pritje të të ftuarëve të tjerë nga Tirana dhe nga Fieri, si" valencë e lirë" që qemë, bëmë një vizitë brenda në kishën mbi 5-shekullore ( një nga më  të vjetrat, më thotë,Xhemal Xhemali që ka qenë kryetar komune në Kurjan dhe ka përfaqësuar PD).

Kur hyra brenda në këtë kishë kaq  të vjetër, u skandalizova. Barbarët, nëse do kishin vërshuar në fshat, nuk do kishin bërë kaq dëm. Afresket të përçudnuara (thonë që i ka bërë Shpatarku me famë), dhe të zinte lemeria. Ah, - mendova me vete,- more Janullatus që nuk të kam këtu dhe të thosha:- Pse nuk ke vënë dorë në  në këtë objekt kulti kaq të vjetër e me vlerë? Dhe, tek meditoja kështu, m'u kujtua miku im i vjetër, Naun Kule, që me të drejtë shkruante:- Janullatasi nuk vë dorë mbi kisha  të vjetra( ishte fjala për kishën e vjetër të Libofshës), por vete ngre kishë të re në"Agim"(ish Çiflig-Grëm) ku banorët janë rralluar dhe, historiksiht, nuk kanë patur kishë.

NJë nga arsyet e mëdha që Festa e Ullirit u bë në territorin e kësaj kishe, ishte dhe fakti që të bëhen dhe donacione se ZONJA MAJLINDA BUFI,sado që vet është e sektit bektashian, ka vendosur që me resurset e zonës do t'i kthejë Kishës së KURJANIT po atë shkëlqim që ka patur dikur, duke kënaqur gjithë besimtarët e krishterë që ka kjo zonë.

*      *      *

Sa mbrritën mysafirët nga Tirana dhe nga Fieri, Zonja e parë, bëri përshëndetjen duke u uruar mirëseardhjen dhe, në "vija të trasha" tregoi se si po i ringjallej kjo   "Festë e bukur pagane",ku këndohej për "drurin e bekuar nga Zoti", Ullirin, që është nga pemët më dominuese në zonë.  Nga Tiranë kishte ardhur një zëvendës ministër për kulturën. Të më falë, nëse arrin të lexojë shkrimin tim,se i harrova emrin); kishin ardhur deputetët Anduel Xhindi e Antoneta Dhima, kryetari i veteranëve të rethit, Thoma  Meço dhe, pasi përshëndetën dhe këta, filloi ceremonia festive. Tek shikoje atë preokupim aq mbresues të drejtorit të Pallatit të Bashkisë Roskovec, të palodhurit Thoma Goga, bindesh se Kryebashkiakja i ka gjetur punës njeriun. Thoma Goga mend kish fjetur tek kisha dhe gati lëshonte djersë të ftohta me shqetësimin qytetar që"Kjo festë e bukur" të linte gjurmë të tilla për t'u lakuar. Dhe e bëri këtë gjë aq mirë, sa duhet duartrokitur, siç edhe ndodhi.

Maksim Zarka, kryetari i Shoqatës "Myzeqea" për Fierin, sikur i kish patur në"xhep" si asetë me vlerë, dhe nxori dy valltarë të vjetër dhe lozën vallen dyshe myzeqare. Një grup tjetër një këngë myzeqare me kaba dhe, ne të moshuarit e shumtë, sikur u rihëm.

Momente të tjera e mocionuese: Thoma Goga kish ftuar nga Tirana, këngëtarë nga ata që" ngjallin të vdekurit" ( a nuk i shkonin për shtat kësaj  "festë ringjalljeje?), si: Françesk Radi e Kozma Dushi që ishin, si të thuash, si në rininë e tyre.

Por ZONJA e PARË, për t'u thënë zgjedhësve të saj, se nuk  është vetëm për Roskovecin, por dhe për fshatrat që ka në administrim, enkas për  t'i bërë pjesëmarrës aktivë të komunitetit,  kish aktivizuar nxënësit e shkollës "Naun Prifti" të Marinzës që të demonstronin valle myzeqare në podiumin  natyror tek sheshi i kishës. Tek  i shikoja me degët e ullirit mbi kokë, tek hidhnin valle myzeqare, u binda (dhe kjo bindje nuk qe vetëm imja) që nuk ka se si amplifikohet më bukur një traditë që për arsye, përçude, pothuaj qe varrosur.

I mënçmi di të zgjojë ndjenjat e fjetura, të cilat kanë nevojë për një shkëndijë që të ndezë zjarre të fjetura. Një moment emocionat qe, kur ne, të ftuarëve, na dhuruan nga një degëz ulliri,shoqëruar dhe me nga një kokërr ullir, një dhuratë aq e bukur dhe e veçantë.

Tek shkruaj për degëzën e ullirit, më duket vetja si një personazh butaforik  të një filmi në vitet '60-të, të shekullit që iku "Shofer pa dashje". Buza më shkon vesh më vesh, se në një nga poezitë e mia, mbaj mend që kam shkruar:"... sikur për shkrimet e mia  dhe për poezitë, të më jepnin një degë ulliri siç u jepnin fituesve në Greqinë e lashtë, do të isha më i lumturi i botës. Ke parë që, kur nuk e prisja, e mora një degë ulliri dhe një kokërr mbi të. Si thelë përmbi bisht! JU falnderoj, ju, moj ZONJË E NDERUAR, dhe ty, or miku im,Thoma Goga, që ditët të bëni një festë  aq të bukur dhe aq emcionuese.

*    *   *

Do të isha i padrejtë dhe fare i njëanshëm, nëse nuk do përmendja atë drekë aq madhështore që u shtrua nga ana e organizatorëve, ku,veç zërave aq pikante   të Françesk Radit e Kozma Dushit, buçitën këngët aq të bukura nga grupe të ndryshem të ftuarish, ku nuk kam se si mos veçoj, dy këngëtarë aq të  mrekullueshëm të dy klerikëve(medet që nuk ua mora dot emrat),që sikur kishin lindur  ditën e këngës.

Por dhe ekipi ynë nuk e hëngri thatë: me një këngëtar myzeqar si Jovan Jano dhe një "gjithëarmësh" si KOLONEL "DETI" dhamë dëshminë se"gjaku nuk bëhet ujë". Nga ana tjetër, KOLONELI,aty për aty, sikur t'i kishte në xhep, recitoi një vjershë dedikuar ullirit. Mystehak Xhemali (që ekipin tonë e ka marrë me"sipërmarrjen") mbajti një ligjëratë flanderimi dhe,si të thuash, vuri pikat mbi i për këtë ceremonial kaq të bukur.

NJerëzit  e kësaj treve, sikur u mësuan me "ekipin tonë mikst" dhe  nuk  kam se si mos veçoj,zotërinë Kadri Hyskaj, që na dhuroi secilit prej nesh nga një shishe me vajë ulliri.

U përcollëm me mjaft dashuri nga ana  e ZONJËS MAJLINDA BUFI dhe stafi i saj dhe, sikur morëm me vete,veç mbresave,  edhe atë ngrohtësi të atyre njerëzve të asaj zone aq mikpritëse.

Në ikje, vizituam fabirkën e përpunimit të ullirit me pronar Alim Hoxha dhe ky njeri kaq bujar, jo vetëm na ofroi vajë të pastër ( natyrisht me pagesë), por këmbënguli për të na qerasur në klubin ngjitur me fabrikën. Fabrika oshtinte si koshere bletësh dhe, tek shihja, gjithë atmosferë pune, nuk kisha se si mos e uroja këtë djalë të ri që, pasi kish bërë"shkollën e mundimshme të emigracionit", kish investuar aty, në fshat, dhe "korrte" frytet e një djerse të bardhë.

*   *  *

Kur shoh gjithë këtë atmosferë të gjallë pune, jo vetëm rreth e rrotull qytezës, por dhe më tej  në fshatrat që ka nën administrim kjo bashki, kur shoh atë dashamirësi në sytë e zgjedhësve të saj deri në ata që  janë opozitarë me të majtën që përfaqëson Krebashkiakja, nuk kam si nuk mbresohem dhe them me plot gojën:- Nëse do isha votues në zonën e saj elektorale, sado që jam i djathtë, do të votoja majtas. Se e meriton dhe, tek e mbyll këtë shkrim, i uroj vetëm suksese në punën me aq përgjegjësi.


Tiranë, 29 tetor 2016

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: