Bashkim Saliasi: Braktisja e fshehtë e shkollës
| E Shtune, 22.10.2016, 09:56 AM |

Braktisja e fshehtë e shkollës dhe parandalimi i saj si fenomen shqetësues

Nga Bashkim Saliasi

Puna e mësuesit është që të edukojë dhe të mësojë nxënësit se si të ecin në jetë. Nxënësit mësojnë dhe sillen në mënyra të ndryshme dhe kjo është rezultat i trashëgimisë, mjedisit ku rriten, dhe jetojnë, i gjendjes psikologjike, emocionale etj.

Detyrë e mësuesit të kujdesshëm është që të njoh psikologjinë e nxënësve, mbi bazën e vëzhgimit dhe t’i kushtojë vëmendje sjelljes, qëndrimit të tij në ambientet e brendshme dhe të jashtme të shkollës, sjelljes në rrugë, në familje, shoqëri etj.

Mbi bazën e kësaj njohje mësuesit i shndërrojnë klasat në vende gjithëpërfshirëse, mikpritëse të gëzueshme, ku nxënësit mësojnë, dhe formojnë sjelljet e tyre.  Bazuar në vëzhgime dhe shënime të vazhdueshme mbi aktivizimin e nxënësve në orët e mësimit, mësuesi ka mundësi të arrijë të zbulojë nxënësit braktisës, ata që nuk përqendrohen psikologjikisht gjatë orëve të mësimit, gjë e cila mbetet shqetësim në shkollat tona.

Në fushën intelektuale nuk mund të mohohet aspak që arritjet e mëdha në punët mendore, zbulimet dhe zgjidhet e problemeve me pasojë fenomenin e braktisjes së fshehtë, realizohen nga individi i veçuar që punon në vetmi dhe nuk bëhet pjesë e klasës.

Në bashkëbisedim nxënës-mësues, nuk përmenden gabimet sepse ato prishin suksesin e bisedës dhe ngjallin ankth e frikë.

Si mund ta parandalojmë fenomenin e braktisjes së fshehtë?

E gjithë veprimtaria e punës mësimore edukative që zhvillohet në shkollat tona, ka në qendër nxënësin. Puna mësimore ku jepen bazat shkencore e pedagogjike sipas lëndëve të shkencave ekzakte shkencore dhe shoqërore, gjatë orëve mësimore bën që te nxënësit te zbulohen anë e cilësi pozitive dhe negative.

Para tij shtrohen probleme të ndryshme, të cilat duan një zgjidhje, dhe çdo pikëpyetje kërkon  një argument për të argumentuar çdo problem.

Në këtë moment vëmendja e tyre drejtohet në ato anë që mund të japin përgjigje të sakta sipas mundësive. Mendoni një grup çiklistësh kur janë në start dhe sa jepet sinjali që të nisen, çdo njëri prej tyre mat forcat me aftësinë fizike e shëndetësore, ose udhëhiqen nga motive të ndryshme dhe në fund kur arrijnë në finish del i pari, i dyti etje…por gjatë rrugës kemi edhe probleme, dikush rrëzohet, të tjerët ulin shpejtësinë, ose mbeten në fund.

E japim këtë shembull për ta krahasuar me nxënësit e një klase. Një mësues ose mësuese e talentuar kujdestare e një klase në ciklin nëntëvjeçar, nga klasa e I-IX, i del për detyrë, të zbërthej dhe të evidentojë çdo problem të çdo nxënësi të klasës së saj, në një fletore të veçantë, duke patur një bashkëpunim të ngushtë me vet nxënësit e prindërit e tij.

Pra, ai ose ajo përcakton drejt e saktë ato probleme që nxënësin e largojnë nga shpërqendrimi i vëmendjes gjatë orës mësimore, nuk aktivizohet, i duket  vështirë dhe nuk e kupton se si shokët e shoqet e tjera mësimin, bën fjalë me të tjerët ose shpërqendron vëmendjen e klasës dhe si të tillë këta fillojnë të mungojnë me orë të tëra në lëndë të ndryshme, ose largohen nga shumë orë mësimore.

Personalitetet  e këtyre nxënësve mësuesja i ndjek vazhdimisht sipas vështirësive dhe veçorive në bashkëpunim me mësueset e lëndëve të ndryshme. Kjo punë e mirë-filluar vazhdon në të gjitha klasat e tjera të shkollës. Kështu nxënësit me probleme nuk do të rrinë më “nënë hije”, por do të lëvizin duke u munduar që të përfshihen gjatë zhvillimit të orëve mësimore.

Pra, çdo mësues të ndërtojë punën e tij në mënyrë që të ketë rezultate me këta nxënës të vështirë, të mos lodhet asnjëherë me ta, sepse në këtë veprimtari të gjatë e të ndërlikuar psikologjike ajo hedh urat për të shtuar më shumë dashurinë e nxënësve dhe respektin ndaj mësuesit, e cila është e shkruar në sytë e tyre të çiltër që shkëlqejnë

Ç’farë do kuptojë mësuesi me “Braktisje të fshehtë”?

Nga vet përcaktimi i mësipërm, braktisja e fshehtë nuk është e dukshme si fenomenet e tjera, por ajo duhet zbuluar, kuruar, eliminuar gradualisht.

Ç’farë bënë një mjek kur ka një pacient përpara për diagnostikim?

-           “Do ta qetësoj, do t`i dëgjojë shqetësimet e tij, e viziton, bënë analizat, e kalon në aparatura dhe përcakton diagnozën, i jepet mjekimi në varësi të gjithë këtyre përcaktimeve dhe pacienti më në fund shërohet”…..

-           Kështu veprohet edhe me nxënësit që në mënyrë të fshehtë pa e kuptuar mire nxënësi shkëputet nga gjithë ai proces mësimor edukativ deri në largimin nga shkolla, prandaj mësuesit nuk duhet t’i shpëtojë kurrsesi ky aspekt.

-           Mund të themi, që nxënësit që rrinë pasiv, nuk kanë rezultate të mira në mësime, janë pak të vëmendshëm, nuk kanë shumë interes gjatë orës së mësimit, ulen në bankat e fundit të klasës, janë fëmijë të vetmuar pa shoqëri nga nxënësit e tjerë, nuk lexojnë, pra në një farë mënyre nuk marrin pjesë në veprimtaritë e orës mësimore dhe jashtë tyre.

-Konfliktet e vazhdueshme të prindërve dhe grindjet në sy të këtyre fëmijëve deri në dhunë fizike janë një faktor tjetër që këta fëmijë bëhen stresant dhe të pavëmendshëm.

-Varfëria ekonomike dhe mos plotësimi i nevojave nga prindërit, çojnë në çekuilibrin e vëmendjes dhe humbjes së interesit për të pasur rezultate në procesin mësimor edukativ.

-           Një mësues i mirë i pa lodhur përqendrohet tek arsyet e kësaj braktisje për nxënës të veçantë të klasës.

-           Nga cila familje vijnë këta nxënës?

-           Ç’farë niveli arsimor kanë prindërit e tyre?

-           Ç’farë mendimi kanë prindërit për shkollën?

-           A i kanë mundësitë ekonomike për t’i ndjekur fëmijët e tyre nëpër shkolla?

-           Çfarë prejardhje gjeografike kanë këta fëmijë?

-           Nga bisedat e zhvilluara me prindër të ndryshim të nxënësve me problem, del se nuk janë shumë të shëndosha këto familje, kanë mentalitete dhe fanatizëm, duke thënë se fëmijët mund të punojnë edhe pa mbaruar shkollën ose e ardhmja e tyre është emigracioni etj…

Shkaqet  që i çojnë nxënësit në këtë shkallë prapambetje mësimore

-           Në disa shkolla bëhet punë e pamjaftueshme me këta nxënës dhe anashkalohen gjatë procesit mësimor.

-           Nuk zbatohet ligji nga pushteti lokal për prindërit e nxënësve që mungojnë mbi 50% të orëve mësimore.

-           Ka raste të pasigurisë nëpër shkolla si rrëmbime, përdorimi drogës etj.

-           Ka ndikuar lëvizja e pakontrolluar e popullsisë nga zonat rurale në zonat urbane dhe fëmijët përshtaten me vështirësi.

-           Ka prapambetje social kulturore.

-           Nuk vihen në dukje vlerat, shpresat, personaliteti i këtyre fëmijëve.

Çfarë duhet patur në qendër të vëmendjes për eliminimin e fenomenit braktisje e fshehtë?

-           Për këtë duhet një bashkëveprim i punës midis nxënësve-prindërve, mësuesve, komunitetit dhe MAS.

-           Në shkolla duhet një motivim më i madh i nxënësve në rrezik braktisjeje, duke përdorur strategji dhe metoda mësimdhënie për të stimuluar krijimtarinë e tyre, që të bëhet më i këndshëm qëndrimi në shkollë.

-           Duhet të planifikohen drejtë aktivitetet e përditshme në mësimdhënie.

-           Kërkohet një verifikim i gjendjes dhe nivelit të të mësuarit për të gjithë nxënësit.

-Të përcaktohet identifikimi i nxënësve në rrezik braktisje, mbajtje afër e tyre, duke e ndërtuar punën me programe speciale që të përfshihen ata në aktivitete që organizon shkolla.

-           Vazhdimisht të bëhen kontakte me prindërit e fëmijëve në rrezik braktisje.

-           Të aktivizohen më shumë organizmat brenda shkollës dhe marrja pjesë për të gjitha problemet e shkollës si bashkëpunimi me mësuesit kujdestar, me këshillin e mësuesve, me Qeverinë e nxënësve, për eliminimin e vështirësive të hasura gjatë vitit shkollor duke kërkuar ndihmë dhe mbështetje në çdo moment vështirësie.

-           Për komunitetin.

-           Vet komuniteti ku ndodhet shkolla duke e kuptuar mirë thënien se, shkolla është e komunitetit, të ndihmojnë në krijimin e një ambienti funksional si brenda dhe jashtë shkollës duke bashkëpunuar me stafin pedagogjik etj.

-           Në lidhje me prindërit shkolla duhet të kërkojë, që këta të qëndrojnë më afër shkollës, duke marrë pjesë vazhdimisht në takimet që bëhen me përfaqësuesit e bordit të shkollës, për të qenë në dijeni të problemeve të largimit të fëmijëve nga shkolla ka një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e procesit mësimor në shkollë.

-           Nxënësit që lihen pasiv në orët e mësimit priren më tepër të urrejnë dhe të grinden me shokët dhe shoqet dhe me kalimin e viteve pasi kalojnë moshën e pubertitetit bëhen tepër agresiv dhe nuk pranojnë kritika dhe këshilla. Brenda çdo fëmije ka një gotë emocionale, e cila prêt të mbushet me dashuri. Salmon shkruan: - “Një zemër e dëshpëruar rrënon njeriun, por një fjalë e mirë i jep kurajë”.

-           Detyrë e mësuesit është që me këta nxënës të organizojë bashkëbisedime dhe këto bashkëbisedime të ketë në themel dialogun dashamirës dhe të ndajnë me ta mendimet, ndjenjat dhe dëshirat në një kontekst miqësor.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: