Gani Mehmetaj: Atdhedashuria
| E Diel, 16.10.2016, 08:46 AM |

Atdhedashuria

Nga Gani Mehmetaj

- Nuk e di pse e duan kosovarët Shqipërinë, - mu drejtua 19- vjeçari nga Kamëza derisa ma lante makinën në një punëtori të improvizuar.

- Nuk e di as unë, por mirë bëjnë që e duan, -ia ktheva me dashamirësi. Ai e bënte punën e tij me zell, ndërsa më rrëfehej për hallet e veta. Sikur të kishte mundësi do t'ia mbathte që nesër. Më lehtësinë më të madhe ma tha se jo vetëm nuk e donte atdheun, por e urrente!

Me erdhi keq për të riun e dëshpëruar, me theri në zemër dashuria e munguar, nuk dija si t'ia thosha se atdheun duhej ta donte, edhe kur nuk e dinte arsyen, edhe kur atdheu nuk i jepte asgjë, apo kur ia ofronte vetëm një punë si të tijën- të lante makina të rastit. Si t'i bëja me dije se këtë punë e bënin mijëra moshatarë të tij në Greqi a Perëndim, ku ëndërronte të ikte. Po t'ia thosha, do të dukesha shitës mendsh, mbase do të më shihte më përbuzje. Ndërkaq, në këto relacione e biseda të ndjeshme gjithnjë kishte keqkuptime, acarime, akuza, fyerje.

Bisedën me te e kujtova deri në Prishtinë. Me preokupoi disa ditë. Nuk me le të qetë as sot pas dy vjetësh. Tjetërsimi i të riut nga Kamëza është tipikja e të rinjve në Shqipëri, është tipikja e të rinjve në Kosovë: dëshpërim i madh më atdheun që nuk u ofroi asgjë, që ua mori rininë. Ata s'duan ta kuptojnë sloganin idealist: atdheun (mëmëdheun) duaje edhe kur s'të ofron asgjë. Atdhedashuria për ta është puna, apartamenti, makina e mirë, familja, qetësia.

Atdhedashuria nuk ishte dhunti as e brezit të babai të tij. Brezi i refugjatëve, i atyre që vareshin nëpër anije si buburrecat, brezi i atyre që ia mbathën përtej kufirit, shpesh duke lënë kokën në një gërxhe mali, në fundin e detit, në një brez lumi. Brezi i tyre arsyetohej pse u mungonte atdhedashuria, por si ta kuptonim brezin e sotëm?

Po "kosovarët" pse e donin Shqipërinë? Kishin mall për te, sepse nuk patën atdhe tjetër, kishin mall për fjalën shqipe, për flamurin kuq e zi, për shtatoren e Gjergj Kastriotit, për Krujën, ndërsa nuk kërkonin asgjë nga Shqipëria, pos pak mirëkuptim që jo rrallë mungonte. "Kosovarët" vazhdojnë ta duan atdheun mëmë edhe sot kur e bënë shtetin e tyre, sepse atdheu i parë, shteti mëmë nuk harrohet, ndërkaq, shteti i tyre, shteti bijë u ngjiz keq: me vrasje e uzurpime, me shantazhe e krim të organizuar, më pasurim të pakufishëm të komandantëve që nuk e çliruan asnjë katund, ndërsa e morën pasurinë e tërë shtetit. Ata e duan Shqipërinë, sepse prindërit e tyre idealistë ua ngulitën në kokë atdhedashurinë, por sot si t'i bindin që duhet ta duan edhe shtetin e tyre, Kosovën. Si t'i ndalim që të mos ikin kah sytë këmbët?

Shqiptarëve të Shqipërisë e Kosovës nuk do t'u mungonte atdhedashuria sikur të mos ua tjetërsonin elitat shtetërore e politike. Ata po i lënë pa të ardhme e atdhe.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: