Bandat e Vlores, 74 vrasjet që tronditën Jugun
| E Shtune, 23.08.2008, 02:17 PM |

Dossieri që nis të botohet sot në "Gazetën Shqiptare" përmbledh historitë e ngjarjeve të bujshme të kronikës së zezë, rrëfyer nga një njeri i cili është përballur shumë herë më fytyrën e errët të krimit. Bujar Hoxha ka hedhur në letër bëmat e bandave më të famshme të Shqipërisë në një libër që do të shohë këto ditë dritën e botimit. "Krimi dhe antikrimi, historia e bandave kriminale" nuk është vetëm një libër dokumentar. Ai është një vëllim drithërues që ngërthen jo vetëm kronologjinë e pjesës së zezë të historisë së Shqipërisë post-komuniste, por një dëshmi e gjallë dhe udhërrëfyes për brezat e ardhshëm se si duhet të mos tuten dhe të dinë të ndajnë qartë të mirën nga e keqja. Sot po botojmë historinë e bandave të Vlorës, një luftë e përgjakshme disavjeçare mes kriminelëve që në fund pa vetëm një të fituar: thundrën e shtetit ligjor. 
 

Në vitin 1997 qyteti i Vlorës u ndodh para një realiteti të ri, konfuz dhe anarkik, të krijuar nga revoltat qytetare për shkak të humbjes së parave në "firmat piramidale". Anarkia ku gjendej ky qytet i egërsuar, ku forcat e policisë ishin tërhequr, mundësoi kushte të fa  vorshme për organizimin e grupeve kriminale, të cilët shihnin shanset për rifillimin e "punës" dhe, me sloganin "duam paret tona", nisën aktivitetet e tyre brenda qytetit, me objektiv kryesor brigjet italiane. Në ketë qytet, përveç qytetarëve të saj, kishin dalë në sipërfaqe gangsterë të të gjitha llojeve, banditë të rrugës, gjobëvënës dhe rrëmbyes pengjesh, vrasës të thjeshtë dhe mafioz batakçinj. Për shumë arsye, Vlora do të bëhej një vend i përshtatshëm për grupet kriminale me natyrë mafioze. Këtu do të krijoheshin aleancat e para mafioze, të cilat do të kishin bazën për krimin e organizuar. Në këtë qytet do të kishte gjithmonë goditje standarde të ekzekutimeve mafioze, biznesmenëve për t'i shtrydhur në mënyrë që të paguanin kur i kërkoheshin, rivalët e rinj që paralajmëroheshin të, mos ngacmonin zonat e influencës, dëshmitarë që kërcënoheshin për të mos folur dhe shpërthime me eksploziv të programuara. Aty do të dilnin gangsterë të fortë si Zani Caushi, Gaxhaj etj, që ishin në gatishmëri për të thyer koka njerëzish si dhe shënjues pistoletash e kallashnikovësh që nuk gabonin dhe të gatshëm për të marrë detyra të vështira.
 Duke shfrytëzuar "Komitetet e Shpëtimit Publik", të krijuar me idenë e ruajtjes së rendit dhe qetësisë, bandat kriminale të grupuara, ndanë zonat e influencës duke vendosur pushtetin e tyre real dhe projektuan planet e tyre mafioze.
 

GRABITJET

Gangsterët e rrugëve të Vlorës ishin të angazhuar në vjedhje e grabitje të ndryshme dhe në mbrojtje të zonave të tyre. Në kushtet e krijuara, grupet e njohura dhe të stacionuara në "sinorët" e tyre grabitën mbi 100 skafe dhe motobarka në portin e Rradhimës, të bllokuara nga policia kohë më parë dhe filluan trafikun "taksi" me drejtim Italinë. Pjesëtarët e këtyre grupeve arritën të depërtonin në të gjitha strukturat lokale, që formalisht qëndronin nëpër zyra, më qëllim të siguronin informacion të nevojshëm zyrtar dhe të siguroheshin për një punë të qetë në qytet, veçanërisht aktivitetin kriminal drejt Italisë. Të bindur për shembjet e pengesave shtetërore, shqetësim kryesor kishin ujdisjen e marrëveshjeve të fshehta me grupet e tjera, nga njëra anë për të evidentuar forcën dhe nga ana tjetër të mos përziheshin ndaj interesave të njëri-tjetrit. Me megalomaninë karakteristike të diktuar prej vitesh, "të vjetrit" kërkonin bindje dhe largim nga "pronat" e tyre; "të rinjtë" përkundrazi, me mendjemadhësinë se "gjyshërit" synonin të çliroheshin prej tyre, që të kishin mundësi të fitonin pozicione të favorshme për të komanduar trafiqet me Italinë.
 

VRASJET MAFIOZE

Këto mosmarrëveshje do t'i hapnin rrugë eleminimeve mafioze duke treguar forcën dhe diktatin e tyre. Kështu, në vitin '97 banda e Gaxhait do të vriste me kallashnikov në qendër të qytetit A.B., ndërsa pak ditë më vonë, për të treguar forcën e tyre, qëllojnë me një breshëri automatiku duke vrarë Z.H. dhe V.XH.
 Banda e frikshme me inicialet C.P., duke iu përgjigjur kundërshtarit, në vendin e quajtur "Parku i Tregtisë" do të qëllonte me breshëri ndaj dy personave dhe më pas, për të mbuluar gjurmët do të bënte edhe djegien e tyre. Duke vazhduar ritualin e tyre dhe për të treguar forcën dhe influencën, nëpërmjet killerve të paguar, në fillim të vitit 1998 do të ekzekutonte në qytetin e Tiranës një person të njohur.
 Në muajin maj 1998 do të goditej në pritën e organizuar brenda në qytet A.Y. dhe do të plagosej vëllai i tij V.Y. Në përgjigje të këtij ekzekutimi, pjesëtarë të bandës rivale do të ekzekutonin A.V. dhe ishin në kërkim të pjesëtarëve të tjerë dhe në fillim të vitit 1999, në vendin e quajtur "Tregu i Orizit" do të ekzekutonin edhe tre persona të tjerë. Në muajin prill 1999 do të ekzekutohej P.F., pronar i një lokali në qytetin e Vlorës, ndërsa pas një jave do të vritej F.SH. si dhe do të plagosej shoku që ndodhej bashkë me të.
 Në korrik '99 në qytetin e Vlorës do të ekzekutohej për rivalitet të egër Lefter Çaushaj, vëllai i kapobandës së njohur Zani Caushi, ndërkohë që zhduket dajua i tij. Në gusht '99, në ndjekje të kundërshtarëve do të vriteshin me armë zjarri L.I., K.H., M.K. si dhe do të plagoseshin edhe katër persona të tjerë, ndërsa në shtator do t'i vihej zjarri lokalit të A.SH. Në përgjigje të këtyre sulmeve dhe ndjekjeve të përditshme, po në muajin shtator do të ekzekutoheshin me armë të të gjitha llojeve Alfred Nebiu, Fatos Nebiu dhe Vladimir Nebiu dhe kufomat e tyre do të digjeshin.
 Në mars 2000, në një lagje të këtij qyteti do të ekzekutohej me armë zjarri Balil Çaushaj, vëllai i Zani Çaushit dhe pak orë më pas, do të ekzekutohej edhe E.D., lidhje e Çaushajve. Goditjet do të vazhdonin me furi dhe në prill 2000, brenda në qytet do të ekzekutohej T.SH. dhe do plagoseshin dy të tjerë. Në vitin 2000 do të vritej L.N., kunati i Zani Çaushit si dhe dy të tjerë F.I. dhe L.I. si lidhje të kësaj bande. Ndërsa në muajin maj 2000 do të gjendej i vrarë në pyllin e Llogarasë A.H., për të cilin do të ngriheshin edhe supozime për vrasje politike, që për hir të së vërtetës nuk qëndronin. Hetimet paraprake do të mbronin pistën e hakmarrjes nga grupe kriminale, kryesisht të trafiqeve të ndryshme, me të cilët viktima kishte pasur aktivitet të përbashkët.
 

HAKMARRJA E 2003

 

Viti 2003 do të nxirrte nga llogoret grupet rivale, të cilët filluan luftën kundër njëri-tjetrit për të zotëruar plotësisht kanalet e drogës, kontrabandës, burimet e furnizimit të prostitutave, garantimin e zonave të grabitjes dhe të personave për vënie gjobash si dhe sigurimin e kontrollin mafioz të bizneseve. Si njëra dhe tjetra palë përpiqej të mos lejonte grupin rival të depërtonte në aktivitetin e vet dhe, meqë nuk gjendej rrugë tjetër mirëkuptimi, rinisën orvajtjet që këto probleme të zgjidheshin me kobure dhe kallashnikov. Episodi i përgjakshëm filloi me goditjen e grupit kriminal të emërtuar me inicialet "C.P". Viktimat e para të radhës do të bëheshin A.H. nga Fieri dhe miku i tij A.K., që dikur kishte punuar në radhët e policisë, kufoma e të cilit pas ekzekutimit do të digjej bashkë me makinën e tij. Të frikësuar nga gjendja e krijuar, dy nga lidhjet e të vrarëve, ish-pjesëtarë aktivë të policisë në vitet e trazirave do të merrnin arratinë duke u fshehur, më pas do të kalonin ilegalisht jashtë shtetit. Nuk do të kalonte java, në një kafe të qytetit do të bëheshin shoshë nga plumbat e një automatiku, që qëlloi nga një veturë, R.F. dhe R.S., që të dy të implikuar në trafiqe si pjesëtarë të këtyre grupeve kriminale. Njëri prej të goditurve u përpoq të reagojë, por mbeti i gozhduar nga batareja e kallashnikovit me gjoksin e bërë gropë nga plumbat. Megjithëse ngjarja ndodhi ditën me diell, njerëzit përreth, të shokuar nga krismat e armëve dhe gjaku i derdhur, morën arratinë, dikush i mbrojtur nga goditjet dhe mund të ketë parë (apo njohur) autorët, por e vërteta do të mbetej mister.
 Pas disa ditësh, në hyrje të Vlorës do të ekzekutohej në mënyrë spektakolare taksisti A.P., në mjetin e të cilit ishte montuar një minë me telekomandë, e sofistikuar dhe trafikuar nga Mali i Zi. Vrasja e tij, mbështetur nga versionet e policisë, është bërë për shkak se ishte lidhje e të vrarëve A.H. dhe A.K., duhej të kishte dijeni për autorët që kishin realizuar aktin kriminal dhe do të pyetej nga policia, por për çudi, para tyre do të mbërrinin ekzekutorët, ndoshta dhe të njoftuar.
 Pavarësisht nga puna e bërë për goditjen e krimit dhe shifrave të deklaruara, kriminaliteti në Vlorë do të mbetej shqetësues, i pasigurt dhe i frikshëm. Megjithë firot e bandave, përsëri në këtë qytet, të mbijetuarit do të lëviznin për të treguar forcën dhe diktatin. Nëse do të jepnim shifra (për aq sa na lejohet), në këtë qytet të lodhur, operonin gati dhjetë grupe, me precedentë të mprehtë kriminalë, të ndarë nga njëri-tjetri, të rrezikshëm për të vepruar, nëse u prekeshin interesat.
 Pas disa kohësh hidhet në erë me eksploziv të telekomanduar, në qendër të qytetit A.M., i mbiquajtur Dap Dapi, pronar i një anijeje transporti, i njohur si person i fuqishëm dhe i respektuar nga qarqet e dyshimta. Mendohet se ekzekutimi të ketë ardhur si pasojë e përplasjeve të interesave të grupeve që menaxhonin trafikun e drogës dhe prostitutave. Ngjarjet pasonin njëra-tjetrën, ndërkohë që policia u vu në vështirësi, për shkak se informacionet shpërndaheshin në disa pista. Për më tepër, dokumentimi ishte i pamundur, veçanërisht për vrasjet me eksploziv, meqë zhduken provat që ndihmojnë për zbardhjen e çështjes, ndërsa informacionet policore ishin të zbehta dhe të paorientuara, pasoja të mungesave serioze që shmangnin kontaktet me mjediset kriminale.
 

FRIKESIMI I POLICISE

 

Një nga veçoritë e grupeve kriminale mbetet kërcënimi dhe shantazhi ndaj personave që janë ndodhur në momentin e kryerjes së krimeve, apo ndaj atyre që mësojnë fakte dhe rrethana të krimit dhe përpiqen të bashkëpunojnë me policinë. Kjo dukuri spikat edhe në këtë qytet, njerëzit nuk pranojnë të japin dëshmi të këtij lloji, si shkak kryesor është pasiguria dhe mungesa e besimit tek njerëzit e ligjit. Kështu grupi "C.P.", i njohur në Vlorë për egërsinë kriminale, të informuar për dëshmitë e lëshuara nga dy qytetarë për disa krime të kryera nga pjesëtarët e bandës, i pashqetësuar për pasojat, duke i kërcënuar, arrijnë t'i detyrojnë për tërheqjen e deklarimeve në polici. Kurajoja e këtyre banditëve ndaj dy dëshmitarëve nuk ndalon këtu. Duke ndjekur gjurmët e rrezikut, në mes të ditës, me kobure tek veshi, marrin forcërisht një punonjës policie dhe nën kërcënimin e armëve, i bëjnë presion të ndikojë në mbylljen e çështjes, në të kundërt do t'i kërkonin kthimin e shpërblimeve ndër vite. Gjatë debateve banditët hodhën poshtë me përbuzje çdo justifikim të policit, kështu që, vendosën lirimin e tij për t'u takuar kur të kishte përfunduar detyrën e marrë. Megjithë garancinë e lëshuar, ai porositet në formë paralajmërimi për pasojat familjare, nëse nuk mban premtimin.
 E gjithë çështja për këtë grup, duke përfshirë edhe policinë, do të çonte në zbehjen e provave, tërheqjen e dëshmitarëve dhe rritjen e autoritetit të banditëve; ky autoritet u detyrohej shumave të paguara si dhe faktit që edhe herë të tjera kishin qenë objekt i akuzave për krime të rënda, duke u fokusuar edhe në opinionin publik si grup i rrezikshëm. "Skedat penale të të pandehurve, nami i tyre i frikshëm, shenjat e ekzistencës të një plani të qëllimshëm për të zhdukur provat dhe për të frikësuar dëshmitarët, të gjitha këto çonin në drejtimin e një plani të unifikuar, pas të cilit ishte organizata e njohur si mafia. "Mbyllja e çështjes, me formulën e kulaçit dhe diktatit që u shkonte për shtat njerëzve të krimit, do të bënte bujë në qytet, por ndërkohë të tjerë qëndronin "vigjilentë" dhe përgatisnin planin që çështja e mbyllur nga strukturat shtetërore të çimentohej një herë e përgjithmonë në arkivolin e hapur për njeriun kryesor të kësaj bande.
 Ardhja në Vlorë e D.V. nuk do të shihej mirë nga qarqe të caktuara kriminale, ndërkohë që vunë në lëvizje njerëzit e tyre për të mësuar qëllimin e vërtetë dhe për t'u siguruar forcuan skalionet e tyre të mbrojtjes. Nga ana tjetër, policia përpiqej të depërtonte dhe të mësonte hollësira të tjera duke parashikuar së "furtuna" po afrohej, por pa qenë në gjendje të parashikonte zhvillimin e ngjarjeve të mëvonshme, për më tepër që vetë D.V. përcillte mesazhet e paqes duke prezantuar planet e tij të investimeve në këtë qytet. Siç duket, për disa të tjerë nuk ishte i besuar dhe, një ditë të bukur vere të vitit 2004, pikërisht në një lokal ku më parë ishte vrarë një rival i tij, u qëllua për vdekje, ndërsa autorët do të mbeteshin mister. Varianti zyrtar do të shpjegonte që vrasja ndodhi për shkaqe të vjetra kriminale. Episodet e krimit do të vazhdonin me të njëjtin vrull, për më tepër celulat e tyre në ndjekje të "kapove" do të piketonin sulme të reja dhe sa më parë të mbushnin xhepat e zbrazur. Të specializuar për krime misterioze, marrin peng e një djaloshi, nip i një biznesmeni të njohur dhe për lirimin e tij vendosin gjoba marramendëse, që shkonin në miliona dollarë, në të vërtetë një shifër e çmendur në pamje të parë, por dhe paralajmëruese për vetë rrezikshmërinë, arrogancën dhe prepotencën e tyre. Në të vërtetë rasti u zgjidh shpejt, falë dhe bashkëpunimit me policinë italiane, por krijuan habi ndërhyrjet dhe ngadalësia e veprimeve të organeve të drejtësisë për të zvarritur çështjen pambarimisht dhe kjo nëpërmjet presioneve të ndryshme e manipulimeve, të ndihmuar e mbështetur edhe nga njerëz të tjerë brenda policisë apo shërbimeve të tjera shtetërore. E tërë kjo lojë kulisash bëhej për shkak të pagesave të majme të premtuara nga lidhjet e tyre që qëndronin jashtë.
 

GJOBAT NDAJ BIZNESIT

 

Në këto ditë të nxehta qyteti përjetonte tmerr dhe pasiguri. Gjobat e vendosura njerëzve të ndryshëm, veçanërisht tregtarëve e biznesmenëve u bë një lojë e zakonshme. Nën pretekstin e marrjes në mbrojtje vendosnin shumat e kërkuara në "kesh" apo prona të patundshme, shtëpi, magazina, dyqane, ndërkohë i paralajmëronin të ruanin fshehtësinë duke mos denoncuar në polici. Kishte dhe nga ata që rezistonin, por tërhiqeshin kur ndaj tyre viheshin në veprim armët. Kështu ndodhi në muajin qershor të atij viti, kur dy të tillë do të tentonin të grabisnin me dhunë qendrën tregtare të një biznesmeni, por të ndodhur para grykave të drejtuara nga të zotët e mallit, largohen me shpejtësi. Ndalohen në flagrancë nga policia, por më pas do të lirohen, me pretekstin se dëshmitë nuk janë "bindëse", ndërkohë që veprimet bëhen gjysmake. Në mbrojtje të tyre qëndronin tre banditë të njohur si grabitës e vënie gjobash, trafikantë droge, prostitutash dhe vrasës me pagesë. Më pas njëri prej tyre, në një përplasje me armë do të plagosej, për të cilën do të ndalohej. Mbi bazën e materialeve të administruara nga policia kriminale, prokurori i çështjes do ta akuzonte për bashkëfajësi të kryer në mes të ditës në një nga rrugët e këtij qyteti, për shkak edhe të heshtjes që mbante ndaj kësaj ngjarjeje. I bindur se do të lirohej, ky njeri në pak ditë do të sulmohej përsëri, në një rast me pistoletë "zastava", por për fatin e tij do të shpëtonte pa u goditur. Aktiviteti i tij do të riniste rrugën gjysmë ilegale, duke vijuar punën si trafikant, ndërkohë që do të qëllohej me dhjetëra plumba kallashnikovi, kësaj here të llogaritur mirë, që e lanë të vrarë në vend. Në një rast tjetër, në orët e para të paradites të vitit '99 tre banditë rrëmbejnë në vendin e punës biznesmenin S.B. dhe duke komunikuar me telefon me familjarët i kërkojnë 20 milionë lekë të reja për lirimin e tij. Familjarët të alarmuar për njeriun e tyre marrin kontakt me policinë për të ndihmuar në gjetjen dhe lirimin e pengut. Pengmarrësit që ndiqnin nga afër çështjen, pas tre ditësh i dërgojnë në oborrin e shtëpisë një kasetë magnetofoni ku kishin incizuar zërin e pengut që u kërkonte familjarëve që në pamundësi të 20 milionëve, të siguronin 6 milionë të reja duke ia dhënë një personi me nofkën "Cili", që do të paraqitej për të tërhequr lekët, njëkohësisht i porosiste që të mos denonconin në polici, ndryshe… Mbas lirimit të pengut dhe shumës së paguar, i pyetur nga policia nuk ka pranuar të tregojë, ndërsa më pas për të qenë i garantuar nga të dy palët, edhe nga kriminelët edhe nga policia ka shpjeguar gjëra të përgjithshme, që nuk mundësonin identifikimin e autorëve, ndërsa për lirimin ka sqaruar se ka paguar 1.8 milionë të vjetra. Ngjarje të tilla në këtë qytet do të bëheshin alarmante, qytetarët shprehnin dhimbje dhe pasiguri, çuditeshin për inaktivitetin e policisë dhe drejtësisë, lirimin e personave të arrestuar, ku në thelb goditej autoriteti i shtetit, ndërkohë rritej fuqia e krimit. Vargu i gjatë i vrasjeve në këtë qytet, të kryera nga grupet e njohura kriminale, e ka origjinën në anarkinë e krijuar, në realitetin e egër për supremaci kriminale, në trafiqet e pafund të drogës, mbi të gjitha dhe në pafuqinë e strukturave të policisë për të depërtuar në radhët e këtyre grupeve, për të zbuluar në kohë konfiguracionin e këtij krimi mafioz që për shumë kohë sundoi i paprekur. Ndërkohë që sulmet kundër njëri-tjetrit vazhdonin, të tjerë me "hesape" të qëruara vazhdonin aktivitetin e tyre të fshehtë, por edhe të rriskuar. Policia italiane, në ndonjë rast edhe ajo greke, jepnin lajme për bllokimin e skafeve të shpejtë të ngarkuar me klandestinë dhe drogë. Në muajin qershor '03 policia italiane bllokoi një skaf katërmotorësh me mbi një ton drogë të rëndë dhe disa armë. Mbi bazën e informacioneve të dërguara nga italianët, policia shqiptare veproi menjëherë duke ndaluar dy të dyshuar, por edhe këta do të pësonin fatin e të tjerëve, lirimin për mungesë faktesh, ndoshta dhe për arsye të tjera të njohura, që më pas do të piketonin dyshime të forta për policë edhe me grada, të cilët do të ndëshkoheshin për veprime korruptive. Një muaj më vonë, një skaf i tillë i nisur nga gadishulli i Karaburunit, në brendësi të gjirit të Vlorës do të bllokohej nga policia greke. Skafi me vlerë 120.000 $ ishte pronë e dy vëllezërve të njohur si trafikantë, të cilët mendonin se kishin mbrojtje të sigurt, prandaj dhe punonin të qetë.
 Duke iu referuar ngjarjeve konkrete të Vlorës, por edhe për raste të ndodhura në rrethe të tjera, policia citohej: "Kemi mendimin se si gjatë fazës së hetimit, ashtu edhe në gjykim, duke pasur parasysh dënimet e dhëna ndaj këtyre grupeve kriminale, nuk ka pasur seriozitet në veprimet procedurale për dokumentimin në thellësi të veprimtarisë së tyre, si dhe në ndryshimin e kualifikimit ligjor në veprat penale më të lehta, gjë që ka ndikuar negativisht në dhënien e masave të dënimit dhe në lirimin e tyre".
 Në një material tjetër kërkohej ndërhyrja urgjente "për të ndërprerë veprimet e papërgjegjshme të punonjësve të veçantë në Prokurori, në kryerjen me dashje të veprimeve antiligjore të tyre dhe në mosgoditjen në kohë të veprimtarisë kriminale dhe për hetimin dhe gjykimin e këtyre krimeve". Duke bërë bilancin e këtyre grupeve kriminale, rezulton se në total janë vrarë me njëri-tjetrin 74 persona dhe plagosur 18 vetë, 13 janë arrestuar për krime të ndryshme dhe 18 janë larguar nga Shqipëria, 14 prej të cilëve janë në kërkim për krime të këtyre viteve mes bandave rivale, 8 prej tyre në Itali dhe 6 në Angli. Në raportet e përgatitura në Drejtorinë e Policisë Kriminale, vetëm për vitin 2001, në rrethin e Vlorës ishin evidencuar "59 vepra penale të vrasjes me dashje dhe 71 raste të vjedhjes me dhunë".


G. Shqiptare, 21/08/2008

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: