Vangjush Saro: Teodor Laço, shkrimtari dhe njeriu
| E Shtune, 15.10.2016, 04:30 PM |

Teodor Laço, shkrimtari dhe njeriu

Nga Vangjush Saro

Teodor Laço, ndër emrat më të njohur në letërsinë shqiptare, përfaqëson në të njëjtën kohë një nga ato dukuri të rralla kur shkrimtari lëvron me sukses në disa fusha të letrave. Kemi sot përmbi 50 vepra që mbajnë emrin e tij: përmbledhje me tregime e novela, romane, drama, komedi, skenarë filmash, publicistikë. Një begati, që do ta kishte zili çdo shkrimtar i madh. Kjo pllojë veprash letrare në shumë plane, përbën një pasuri të madhe letrare jo thjesht e vetëm për Teodor Laçon, por më së pari për kulturën mbarëshqiptare.

Teodori hyri në letërsi përmes prozës së shkurtër. Tregimet e tij të para lajmëruan kritikën shqiptare dhe lexuesit se po qasej një talent i madh. Në tregimet e tij të hershme, krahas vizatimeve brilante të natyrës, erdhi njeriu i thjeshtë, me botën e tij të vockël a të madhe, por në njëfarë mënyre në një dritë të re, ku gjithmonë do të gjendej pak shpresë për nesër, një përfytyrim ndryshe, grishja për një zgjidhje më të mirë. “Ajri i ftohtë i mesnatës” do të shënonte një pikë kulmore në krijimtarinë e autorit. Më pas, ai do të përfshihej edhe në tema të angazhuara (“Tokë e ashpër”,) por do të punonte edhe në ngastra të tilla, ku disi i “bëhej bisht” realitetit “delikat” dhe parimeve e kërkesave të ngurta të soc-realizmit; (“Lëndina e lotëve”).

Në vite, krijimtaria e tij e zgjeron edhe më shtratin. Ai skaliti figura që u bënë dhe mbetën proverbiale. (Platon Bubuqi) Stili i shkrimtarit përsoset sidomos në librat  “Portat e dashurisë”, “Një ditë dhe një jetë”, “Zemërimi i një njeriu të urtë”, për të marrë përmasa të tjera në “Vit i hidhur”, “Vrasja e buzëqeshjes” si dhe “Një dritare në Kremlin” e “Kthimi i amerikanëve”. Një moment të rëndësishëm në krijimtarinë e tij, shënon padyshim libri “Bashkëjetesë me kohën”, ku ai rrëfen jetën e tij përtej vitit ‘97, sigurisht në një kuadër të gjerë të zhvillimeve komplekse në Shqipëri.

Ndërkaq, një pjesë e krijimtarisë së Teodor Laços është përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaja; (anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht, rumanisht, turqisht, bullgarisht, greqisht).

Duke pasur parasysh se proza e tij përgjithësisht është marrë në shqyrtim në një sërë analizash, në këto radhë po ndalem në disa nga veprat e tij të destinuara për skenën dhe ekranin. Në gjininë e dramës, Laço kontribuoi fillimisht me komedinë “Një nuse për Stasin”, për të vijuar me “Gjëmimi i atij dimri” dhe “Shi në plazh”, pjesë e vënë në skenë nga regjisori Gëzim Kame me pedagogët dhe studentët e Institutit të Lartë të Arteve në vitin 1985. “Këmbanat e muzgut” ishte drama që, si të thuash, e solli artin e Teodor Laços në erën e pluralizmit dhe të lëvizjes së lirë. Ai shkroi gjithashtu një numër të madh skenarësh, që u bënë filma artistikë, veçmas në përthyerje të viteve ‘80: “Streha e re”, “Dorina”, “Përballimi”, “Shtëpia jonë e përbashkët”, “Dhe vjen një ditë” , “Flutura në kabinën time”, etj.

Këtu është vendi për një parantezë. Nuk është ndonjë gjë e re të them se mbi letërsinë dhe filmat e kësaj dekade, shpesh pa të drejtë hidhet baltë. Këtë e bëjnë veçmas shkrues pa peshë, që edhe në atë kohë, edhe sot, mbeten  në periferi të letrave. Nuk është vendi të tjerrim këtë çështje, por duhet të pohojmë që edhe pse jo në kushtet më të favorshme, shkrimtarë dhe kineastë të kësaj periudhe tentuan të shkonin përtej rrjetave të ideologjisë së kohës. Në vështrimin tim, Teodor Laço ishte një nga këto personalitete që përpiqej heraherës t’iu vidhej parimeve të ngushta e rregullave të serta të soc-realizmit. Në një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij, ai kërkonte një mënyrë më të drejtpërdrejtë për të kumtuar problematikat e shoqërisë së atëhershme. Më së pari, kjo u vu re pikërisht në disa nga veprat e tij të skenës dhe ekranit.

Në krijimtarinë e Teodor Laços ka disa tregime që “u bënë problem” që përpara viteve ‘80 dhe ndonjë nga librat e tij u ndalua; por në këtë shënim, parapëlqej të përcjell disa nga vlerat - që zgjaten në kohë - të skenarëve dhe dramave të tij. Pa qenë nevoja të prodhojmë shumë debat për krijimet e tjera, “Dhe vjen një ditë” e “Flutura në kabinën time” (të regjisorit Vladimir Prifti) janë dy nga realizimet që përbëjnë kontribut të pacënueshëm në kinemanë shqiptare. Filmi i parë trajton temën e tjetërsimit të njeriut (mjaft e rrahur në letërsinë e viteve ‘80). Përmes jetës së personazhit kryesor Llano Bleta - njëlloj krijese hibrid i kohës, pak fshatar, pak qytetar, që e ndërton të ardhmen duke bjerrur fragmente të karakterit të tij - autorët japin pamje realiste të jetës në Shqipërinë e viteve ‘80.

“Dhe vjen një ditë” është një poemë e sjelljes njerëzore në rrethana kur njeriu ka përpara prova jo të lehta. Llano Bleta është një nga ata, që siç thotë diku Esenini, “e kanë harruar shtëpinë prej druri...” Llano i jepet tërësisht nuses së tij të bukur - prej një familjeje “me peshë” - strofkës së tij të ngrohtë. Dhe këtu nuk do të kishte asgjë të keqe, sikur ai të mos lëkundte (me këto prirje) raportet e tij me njerëzit më të afërt, sikur ai të mos linte pas dore rrethin e tij familjar, deri edhe të ëmën. Një trajtim kaq “privat” e njerëzor - dhe në detaje - i episodeve nga jeta e atyre që bënin “përpjetë” me çdo kusht e me çdo çmim, e bën filmin të ndiqet edhe sot me shumë interes.

I një natyre tjetër, por sërish përmes një drame të fortë, vjen rrëfimi për një djalë të shkujdesur, shofer, për të cilin nuk ka kuptim asgjë ideologjike përqark, as plani i ndërmarrjes, as këshillat moralizuese të shefave; ai po vëzhgon jetën e vet monotone, pa ritëm, të flashkët; dhe është i pakënaqur, pi e zhurmon se nuk mundet të protestojë ndryshe... Deri sa në pamjen e rëndomtë dhe mediokre të jetës së përditshme, shfaqet një vajzë. Është një mësuese. Një femër e bukur. Një njeri i qetë dhe që kur flet, të rrëmben me ëmbëlsinë e vet. Tek ajo fillon dhe mbaron edhe filmi “Flutura në kabinën time”. Asnjëherë më parë, kinemaja shqiptare nuk ishte dhënë kaq shumë pas një dashurie të vështirë, si në dramën e këtij djali liberal, (s’më erdhi në mendje tjetër epitet për momentin). Koha që shkon, edhe më të qarta e më solide i sjell vlerat e këtyre filmave.

Edhe “Shi në plazh” paraqet mjaft interes në këtë vështrim. Është një tjetër vepër përfaqësuese e pllojës Teodor Laço; bën pjesë ndër ato komedi që nuk rrahin të gjitha shtigjet për të përcjellë me doemos një mesazh apo një mësim shoqëror, paçka se jo gjithherë iu ikën moralizimeve. Unë mendoj, gjithsesi, që komedia anon më shumë nga arti për art, duke ndërtuar një ngjarje sa gazmore aq edhe dramatike, por gjithsesi me qendër graviteti larg ideologjive të kohës. Emblematik ka mbetur ndërkaq Çomja, një personazh tashmë aq popullor, nga ata që nuk krijohen pa mund dhe nuk zënë vend lehtë në mendjen e lexuesit dhe spektatorit. Ai të bën për vete me çiltërsinë e tij, me shpirtin e hapët; të gjitha këto cilësi, mbështeten në një fjalor çapraz dhe në një pasuri frazeologjike të rrallë.

Mbase edhe vërejtje mund të formuloja për të gjitha sa u analizuan më lart, por në kushtet kur një pjesë e shkruesve nuk dinë të menaxhojnë urrejtjet e tyre, kur disa shkrimtarë mesatarë kanë filluar të rrëfejnë histori bajate e të bëjnë lista si dikur, më duket më e drejtë shpërfaqja e disa vlerave, përkitazi nga ato që nuk kacaviren pas fjalëve. Qoftë edhe këtyre që u thanë në këtë shënim. “Teksti nuk mund të ndryshohet, kurse opinionet janë vetëm shprehje e dëshpërimit.” Thotë diku Franc Kafka.

Radhët e mëposhtëme nuk kanë të bëjnë posaçërisht me letërsinë dhe filmin. As me të tjera detaje të krijimtarisë së tij artistike. Por ato, gjithsesi, flasin për njeriun që ndërsa shkruante (e shkruan pareshtur), kujdesej po kaq edhe për krijuesit e tjerë, shpesh të tërhequr e të keqtrajtuar nëpër rrethe të largëta. Gjatë gjithë karrierës si shkrimtar dhe si zyrtar, nga Korça në Tiranë, nga Tirana në Fier, nga Fieri në ish-Kinostudio “Shqipëria e re”, në Ministrinë e Kulturës e gjetkë, Teodor Laço ka qenë një nga personalitetet që më shumë se kushdo tjetër ka inkurajuar dhe ndihmuar shkrimtarët më të rinj. Janë të shumtë emrat e sotëm të letërsisë dhe publicistikës shqiptare, që i janë atij mirënjohës për përkujdesjen ndaj tyre. (Me modesti, një nga ata është edhe autori i këtyre radhëve.)

Dhe nuk mund të ndodhë ndryshe nga sa Teodor Laço shkruan me aq shpirt në tregimet, skenarët dhe dramat e tij. Në këtë nëntemë, si mund të thoshte Faik Konica “...duhen pak fjalë dhe pak fjalë arrijnë.”



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: