Kalosh Çeliku: Mazi kur i pri para pelës azgane
| E Marte, 11.10.2016, 06:24 PM |

MAZI KUR I PRI PARA

PELËS AZGANE

NGA KALOSH ÇELIKU

Mjerimi shqiptar e ka arritur kulminacionin politik. Turma trusakate i pri në ballë Institucionit shqiptar.  Guxim merr të dalë në krye, udhëheq me Çështjen Shqiptare?! Arsimin shqiptar. Politikën shqiptare. Përderisa dje, bënim luftë pë shkolla shqipe fillore e të mesme, sot nuk duam universitete?!

Erdhi, koha sot të çohemi vetë kundër shkollave në gjuhën shqipe?! Përderisa dje, “Vëllai” Madh i Njerkës nuk na i jepte, ne turr me protesta “paqësore” në rrugë. E ngrisnim zërin për shkolla shqipe, aqsa na mori vesh edhe Evropa.

Sot “Vëllai” Madh i Njerkës e ndryshoi veprimin politik me mantalitetin shqiptar. E ka studiuar mirë e mirë nëpër institucione të shtetit të “përbashkët”. E kemi pasur gabim me shqiptarët, atyre duhet lejuar çdo kërkesë politike: duan liri, jepnu liri, duan flamur kuqezi kombëtar, jepnu flamur kuqezi, duan shkolla shqipe, jepnu shkolla shqipe, duan universitete, jepnu universitete...

Fitorja një ditë, është në anën tonë politike, Vetë vjen dita që shqiptarët do t’i shqelmojnë këto dhurata të partive të tyre politike. Shqiptarëve, po ua ndalove diçka kombëtare, ato turr e bëjnë namin për ato të drejta kombëtare. Koha, sot është ndryshe me metodat e vjetra politike: shqiptarëve duhet plotësuar çdo kërkesë politike. Vetë ato, kur t’u plotësohen këto kërkesa politike kombëtare, një ditë do të çohen i madh e i vogël kundër lirisë, shkollave shqipe, flamurit kombëtar kuqezi, universiteteve...

Turqit, herët e kanë studiuar mentalitetin shqiptar. Jo rastësisht, këtë popull edhe e kanë mbajtur pesqind vjet në robëri. Radhën, tashti ua kanë lënë sllavëve. Metodat e tyre politike për ta asimiluar një popull historik.

Një lagje në Zajaz nuk ka dashur ta pranojë fenë islame. I gjithë fshati janë bërë myslimanë, por një lagje kurrësesi nuk e pranon porosinë e Sulltanit. I pari i fshatit me kërkesë të Sulltanit një ditë shkon në Stamboll. Sulltani e pyet, se: çfarë burrash janë ato që nuk e pranojnë Fenë Islame?! I pari i fshatit i përgjigjet: lëre, mos pyet fare! Kaçakë, vrasës, hajdutë... I gjtihë katundi ka problem me këtë lagje. Sulltani i përgjigjet të Parit të fshatit Zajaz: Atyre, me urdhërin e Sulltanit, rreptësisht u ndalohet hyrja në xhami!

Një javë më vonë i Pari i fshatit këthehet në Zajaz. Burrat e kësaj lagje kryengritëse i dalin para me mauzerrët përqafe e koburet në brez: Hë, çka tha për ne Sulltani? Burra, lëreni mos pyetni fare: me urdhër të Sulltanit, juve rreptësisht u ndalohet hyrja në xhami!

Burrat hudhën struket nga krahu dhe rrokën mauzerret në dorë: kush është ai të na ndalojë ne mos hyjmë në Xhami? Dhe, njëri pas tjetrit me mauzerret në duar me gjithë opinga hynë në xhami. Kështu, edhe familja e kaçakëve të Zajazit, që kurrësesi nuk e pranonte me dhunë Fenë Islame, më në fund vetë vullnetarisht u bënë myslimanë.

Ngadalni, o burra! Çështja Shqiptare, nuk është zgjidhje katundi, po problem historik. Kujtiteket, hudhë një bajgë në mjetet e informacionit. Përmëkeq, ato që i blenë diplomat universitare dhe titujt shkencor në Qafë - Thanë dhe Jazhincë, në kufi me Kosovën. Gurë e dru, sot hudhin mbi universitet shqiptare. Dudumët që janë edhe prodhim serial ekonomik i këtyre institucioneve arsimore. Problemin e arsimit shqiptar, nuk e zgjidhi serbi, nuk e zgjidhi turku e as sot e kësaj dite “maqedonasi”. Sotpërsot, e  zgjidhin vetë shqiptarët.

Edhe them, besoj se do ta zgjidhim këtë problem historik. Vetëmse, duhet durim! Nuk e kam thënë këtë unë i pari, e ka thënë Ibrahim Rugova. Populli shqiptar e ka një thënie historike: Mazi nuk duhet të dalë para pelës azgane! Atëherë, mazi ynë pse duhet të dalë me bishtin mbi shpinë plot hingëllimë t’i pri para pelës azgane?!

Padashtas, erdhëm tek problemi kryesor i këtij shkrimi publicistik. Përderisa, mazi do t’i pri para pelës azgane, ky popull kurrën e kurrës nuk do të ketë ardhmëri historike...



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: