Sidheri: Një fundjavë e pazakontë gjaku blu dhe futbolli
| E Hene, 10.10.2016, 08:21 PM |

Një fundjavë e pazakontë gjaku blu dhe futbolli

Nga Elvi Sidheri

Në një vend siç është Shqipëria jonë, rrallëherë të vjen mundësia që brenda një fundjave, ta argëtosh vëmendjen me dy ngjarje madhore rradhazi, “sa në Shkodër, sa në Tiranë” (duke ia përshtatur me një spostim të vockël verior, këngën e dikurshme Ponit vlonjate).

Jo më marijuanë, aksidente rrugore dhe jo vetëm, drejtësi me reformim në tentativë dhe drejtim ende të paditur, xhepistë të kapur në flagrancë e përmbytje nga shiu vjeshtor, gjithherë të pashmangshme në atdheun tonë të fund-2016-ës.

Martohet princi trashëgimtar Leka II dhe gjithaq edhe luan në Loro Boriçi kombëtarja e Shqipërisë përballë “Furia roja-s” spanjolle.

Dhe, nëse në Shkodër, kësaj rradhe shiu pavarësisht se sipas traditës më të mirë ra “me gjyma”, prapëseprapë nuk u shndërrua dot në atë stuhinë thuajse biblike ala-përmbytje universale të fillim-shtatorit, që na i nxori “gështenjat nga zjarri” (na shpëtoi lëkurën) gjatë ndeshjen me IRJ Maqedoninë nuk na ndihmoi dot, ndërkaq, në Tiranë, martesa mbretërore u krye plotësisht në nivelin e një ngjarjeje të këtillë.

Para një muaji e ca arritëm që falë ndërhyrjes hyjnore të stuhisë së shiut shkodran dhe ndërprerjes së ndeshjes, të nesërmen, në të thatë, t’i mundnim fqinjët tanë, dhe të korrnim një fitore të pamenduar në minutën e fundit, përkundër traditës sonë të mirëkanalizuar shqiptare, të humbjes në minutën e fundit që vetë historikisht e kemi vuajtur në kurriz sa e sa herë.

Por, shiu kësaj rradhe spanjollëve as që u hyri në sy, dhe, iberikët e molepsur me “vesin” e lojës së nivelit të epërm tekniko-taktik, nuk i lanë lojtarët tanë të shikonin top me sy, duke marrë një fitore, faktikisht pavarësisht dëshirës sonë të merituar.

Mesa duket, ekipe kaq teknike, janë ende jashtë rrezes sonë të mundësisë për t’u matur me ta dhe për t’u marrë ndonjë rezultat historik për ne.

Gjithësesi nuk është aspak për t’u dëshpëruar, përkundër apatisë dhe atrofizimit të beftë kolektiv të lojtarëve tanë në fushë dhe mungesës së agresivitetit, apo ndonjë sulmi të mirëfilltë gjatë 90 minutave në Loro Boriçi.

Kemi një ekip kombëtar që është i vetëdijshëm për nivelin e vet dhe që më në fund fiton kur duhet dhe kundër atyre kundërshtarëve që janë të nivelit të vet ose pakëz më lart.

Një lojë më e çartur përballë spanjollëve mund të sillte një rezultat katastrofikisht të thellë në favor të kundërshtarëve tanë, me rrjedhoja të rënda për moralin e lojtarëve dhe krejt popullit shqiptar që jeton dhe lumturohet e pezmatohet varësisht nga sukseset e jashtëzakonshme, apo edhe humbjet e kësaj kombëtareje.

T’i shtrijmë këmbët sa jorgani pra, duke hedhur njërin hap pas tjetrit, mbështetur në filozofinë pragmatike të teknikut tonë italian që na ka ngritur kaq lart si nivel futbolli dhe arritjesh sportive, te sakrificat e lojtarëve tanë në fushë dhe te mbështetja e jashtëzakonshme e tifozëve shqiptarë në stadium, apo para ekraneve të televizorit.

Roma nuk u pat ndërtuar brenda një dite, as Shqipëria në futboll nuk do kapë nivelet stratosferike të cilësisë futbollistike të Spanjës brenda kaq pak kohe.

Të ruash dinjitetin, ka rëndësinë e vet nganjëherë, më tepër se ta humbësh atë si pasojë e ndonjë aventure kokëkrisur të pamenduar mirë.

Gara është e hapur dhe një fitore me Izraelin pas një muaji (ashtu si ajo historikja përballë Rumanisë pas humbjes së dhimbshme me Francën në EURO 2016), mund të përbëjë shpagimin e De Biasit dhe djemve të tij para tifozëve shqiptarë duke na e vijuar akoma këtë ëndërr të mrekullueshme, të pamundur për ne gjer shumë pak vite të shkuara.

Ndërkaq, dinjiteti i shumëkujt nuk u ruajt aspak sa i përket komenteve dhe vlerësimeve mbi martesën mbretërore të kësaj fundjave.

Kishte shumë luks gjë? Shumë varëse ari, ambre, platini ndoshta? Bizhuteri me shumicë? Fustane balloje të ekzagjeruara thua? Glamur me tepri atypari apo atjedyti ose këtejtreti në ambientet e fisme të të ashtuquajturit “Pallat të Brigadave”, ish Pallatit Mbretëror që më në fund, qoftë edhe për ca orë të shpejta u rikthye në arsyen e ndërtimit dhe ideimit të tij?

Edhe?

Çfarë dashka të thotë kjo?

Ku është parë ndonjëherë martesë mbretërore pa  një prekje të epërme glamuri, luksi, shije, arti, cohërash farfuritëse, truku nga pakëz të tepruar faqkave të të ftuarave, kapelesh të dallueshme kilometra larg, takash të larta e ngjyrash pafund, porsi të ishte një oaz i ylbertë fisnikërie të qëmotshme të ringjallur në një vend ish bolshevik stalinist, ku leninizmi jetëgjatë shkundet dhe përzihet si koktej siberiano-maoist me osmanizimin “DumBabist” të një të shkuare turko-enveriste që akoma gjallon në realitetin e sotëm shqiptar.

E pra, ende e pyetkemi veten në paskësh qenë apo jo Ahmet Zogu mbret i shqiptarëve (i shqiptarëve domethënë, jo thjesht i Shqipërisë, për ata që rreken t’i bien fort në forma të parealizueshme, krejtësisht utopike dhe totalisht bizarre vrimave të fyellit nacionalisto-tallavaist të ditëve të sotme, kjo pra, ka qenë metoda thellësisht e mençur që ky Zogu i keq nga Burgajeti i Matit, kish zgjedhur për ta mbajtur gjallë ëndrrën e bashkimit kombëtar, si dhe presionin te fqinjët grabitqarë në kohë të vet, duke u shpallur mbret i tërë shqiptarëve, kudo që të ndodheshin dhe jetonin)?

Po ore, ka qenë posi!

Si shumë mbretër të tjerë anembanë botës dhe jo vetëm Europës sonë të moçme, që fisnikërinë mbretërore e kanë fituar përmes bëmave me armë, inteligjencë, finokëri tregtare apo dinakëri politike gjithashtu.

Mjafton këtu të përmendim dinastinë mbretërore serbe, që e ngriti fqinjin tonë veri-lindor, nga një popull druvarësh, në mbretëri shumëkombëshe, që jo pak herë paskëtaj do të na binte në qafë kryesisht ne shqiptarëve, bashkë me çdo fqinj tjetër tyrin.

Karagjorgjeviçët e nisin gjenezën e tyre me një fermer dhe tregtar derrash (Gjorgje Petroviç).

A mos i bie kujt në mendje që ta vërë në dyshim gjakun e tyre blu gjë?

Ç’faj kishim ne shqiptarët fundja, që pas pavarësisë aq të vështirë, princi që zgjodhën për ne Fuqitë e Mëdha na qëlloi cazë i paaftë për t’u përshtatur me ambientin post-osman shqiptar?

Nuk ishte faji i Princ Vidit, por as i joni gjithësesi ky.

Kështu që, në mungesë të ndonjë pasardhësi “degno di questo nome” (të denjë për këtë emër) të Kastriotëve, mbretin e zgjodhëm vetë, ose thënë më mirë, ai doli si rezultat i rrethanave aq “sui generis” të Shqipërisë së viteve 20-30 të shekullit të kaluar.

Ahmet Zogu u bë president, pastaj mbret.

Mbretëria e tij krijoi nga asgjëja në Shqipërinë post-osmane, bankat, sistemin financiar, monedhën, spitalet, shkollat, shtroi aq rrugë sa mundi, ngriti nga e para arteriet që edhe sot gëzojmë të kryeqytetit tonë të hijshëm, Tiranës, falë angazhimit të specialistëve italianë, dhe u rrek ta laicizonte shoqërinë shqiptare, duke ndihmuar njëkohësisht në mënyrë vendimtare fetë e pranishme mes popullit tonë, që të shqiptarizoheshin maksimalisht.

Jo rastësisht, komuniteti Bektashi vjen në Shqipëri në kohë të Zogut, Kisha Autoqefale Orthodhokse shqiptare merr Autoqefalinë në vitin 1937 në kohë të Zogut etj.

Por, italianët grykës, nuk ngopen me influencën e tyre gjithësesi madhore në Mbretërinë Shqiptare të Zogut, dhe duan më tepër, kështu që vendosin të na pushtojnë për inat të Hitlerit dhe sulmit të tij në lindje drejt Polonisë dhe Çekosllovakisë.

Këtu, Zogu ikën, largohet nga atdheu.

Mund të rezistonte më tepër?

Mund të organizonte vallë ndonjë lëvizje reagimi ndaj pushtuesit vallë (Abaz Kupi ç’ishte ndërkaq? Alien, apo zogist dhe komandanti i Mujo Ulqinakut në Durrës ditën e zbarkimit italian?

Ka kaluar mjaft kohë dhe është hedhur aq baltë mbi figurën e Ahmet Zogut nga ata që duart i kishin gjer në llërë të përgjakura me gjak shqiptari për llogari të shokëve jugosllavë dhe druzhe Titos në Beograd, saqë qimja është bërë tanimë tra, dhe shapi nga sheqeri nuk ndahet dot më.

Padyshim që vrasjet e patriotëve viganë Avni Rustemit e Luigj Gurakuqit, përbëjnë mëkatet më të spikatura të këtij mbreti, gjeste të pafalshme, që nuk mund të rehabilitohen kurrësesi dot nga ndonjë përçapje qesharake e sotme shëlbimi filo-Esadistësh të vonuar revizionistë.

Ndoshta prandaj edhe mbreti do të vuante mërgimin dhe peripecitë pafund të cilave familja e tij do t’i nënshtroheshin paskëtaj për dekada të tëra.

Por, koha ecën, motet ndryshojnë, ikin dhjetëvjeçarët dhe nipi i Ahmet Zogut, Leka II, celebron martesën me partneren e tij kohëgjatë, Elia Zaharian.

Shteti shqiptar, prej vitesh e ka lejuar familjen mbretërore të kthehet në atdhe, ashtu siç kanë bërë tërë ish mbretëritë e shndërruara në republika nëpër Europë, qysh nga Italia në Rumani.

Disa prona u janë kthyer pinjollëve të familjes mbretërore, tashmë kemi edhe një Pallat modest Mbretëror, megjithë oborr përkatës e gjithçka tjetër.

Leka II martohet me zonjën e tij, Kryetari i Bashkisë i kryeqytetit drejton ceremoninë me buzë në gaz, të pranishme janë “kokat të kurorëzuara” nga dhjetëra vende me apo pa regjim monarkik, anës çiftit dhe kryetarit të bashkisë ndodhen bashkërisht krerët e të katër komuniteteve fetare shqiptare, që japin bekimin e tyre fetar në një ceremoni martese thelbësisht laike për një çift të martuarish shumëfetar.

Ku ka më shqiptarisht se kaq fundja?

Simboli i një Shqipërie moderne pra, ku në një regjim të gjithëpranuar (edhe nga autori i këtyre rreshtave) republikan, trashëgimia historike mbretërore njihet dhe çoku respektohet  ligjërisht, trashëgimtari i fronit mbretëror martohet nga një kryetar bashkie i partisë “par definition” anti-monarkike me ceremoni laike në prani të bekimit të katër krerëve fetarë.

“Melting pot” më unik se i rrallë i esencës së Shqipërisë së shekullit XXI.

Gjithçka mrekulli gjer këtu...

Po të mos qe për zgjatimet tipike shqiptare të polemikave të zbrazëta nga vlera dhe kuptimi.

Nuk na u cënua sistemi republikan nga një martesë mbretërore, republikën le ta mbrojmë kur themelet e saj rrezikohen seriozisht nga vetë ne, nga korrupsioni, krimi e paaftësia jonë kronike për ta lulëzuar këtë republikën tonë shqiptare.

Asgjë të paqenë nuk kishte në atë ceremoni; mbreti ynë pa fron, ishte në shoqëri të mirë të dhjetëra princave e dukëve të tjerë pa fron nga shumë republika të tjera europiane, si edhe nga shumë pinjollë me gjakun blu, të mjaft familjeve historike mbretërore europiane akoma në pushtet, si për shembull “Reina Sofia” mbretëresha Sofia e Spanjës, e ëma e mbretit spanjoll Felipe VI.

Për të tjera, ata që akoma u shkon goja lëng nga jargët e mallit për dasmat e shokëve dhe shoqeve të Byrosë, që qenë vetëshpallur mbretër të pashpallur të Shqipërisë pas 8 nëntorit jugosllav dhe 1944-ës, le ta flenë mendjen pra, fisnikëria nuk bën për ta.



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: