Bajram Canameti: Famëmadhi Bilal Xhetani
| E Diel, 02.10.2016, 10:00 AM |

Famëmadhi Bilal Xhetani

Në 121 vjetorin e lindjes

Nga Bajram Canameti

Bilal Asllan Xhetani lindi në vitin 1895 në Derjan të Matit, në një familje të madhe atdhetare që kishte marrë epitetin: “Shtëpi mendje e buke”, ku lidhej besa e varej pushka për orët e qëndresës së shqiptarisë.

Që para viteve 1870, shtëpia e Xhetanajve kishte nxjerrë një elitë intelektuale me arsimim të lartë, si juristin dhe ushtarakun e lartë Ahmet Xhetani, ekonomistët e lartë Rrahman e Sulejman Xhetani, akademikët ushtarakë Ali, Hajrulla e Shaqir Xhetani dhe teologun mulla Osman Xhetani.

Shtëpia e pa ndarë numëronte 99 anëtarë: ekonomia  e familjes ishte e fuqishme. Numëroheshin mbi 100 gjedhe, tetë mushka e dy kuaj shale dhe mbi 2000 kokë bagëti të imëta.

Tridhjetë pushkë vareshin në krrabat e kullave nga burrat e shtëpisë.

Meqë kulmi i kullës së Xhetanajve, Ahmeti merrej me veprimtari patriotike e atdhetare, drejtimi i shtëpisë i qe ngarkuar gjyshit të Bilalit, Rrahmanit, që pjesëtarët e thërrisnin “Dajë’.

Xhetanajt vinin nga një derë fisnike e Skurajve të Kurbinit dhe lagjen ku banonin në Derjan e kishin emëruar Skuraj në emër të principatës së paraardhësve të tyre.

Rilindasi i madh, Ahmet Xhetani, anëtar i këshillit të lartë të Drejtësisë në Perandorinë turke, që në vitin 1860 u ndesh me Sulltanin për shkollën shqipe dhe shtetin shqiptar. Ai vjen në Mat për hapjen e shkollave shqipe në Derjan e Kalivaç të Macukullit, në Llapush të Gurrës  dhe në Bozhiq të Mirditës. Me ardhjen në Mat, ai shërbeu si kadi dhe kryetar i këshillit të pleqve në sarajet e Zogollit, të cilat kishin fituar një gjysëmautonomi.

Në vitin 1875, komandon luftën e Gjalishit kundër forcave turke dhe tre vjet më vonë e gjejmë në Lidhjen e Prizerenit e më vonë komandant për mbrojtjen e trojeve kombëtare në Plavë e Guci, në Hot e Grudë e Ulqin.

Për këtë aktivitet atdhetar, autoritetet e Perandorisë e internojnë në Itali, ku merr kontakt me rilindasin arbëresh Jeronim De Rada, duke organizuar një degë të Lidhjes së Prizerenit tek arbëreshët.

Për këto merita, ndonëse me vonesë, Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe këshilli i rrethit Mat e ka dekoruar Ahmet Xhetanin me motivacionin: “Për pjesëmarrje në luftëra për liri dhe pavarësi dhe bashkim të trojeve kombëtare në një shtet të lirë”.

Babai i Bilalit, Asllani ishte nip i Salcenajve (Rizvanajve) të Derjanit, derë e fisme me emër në analet e qëndresës së Matit për liri e dinjitet shoqëror. Familja e dërgoi Blalin të shkollohej në Francë për drejtësi, ku doli shkëlqyeshëm në studime. Megjithëse vendi kërcënohej nga coptimi, ai po përgatitej për ardhmërinë e shtetit ligjor.

Në vjeshtën e vitit 1912, Ahmet Bej Zogolli, në krye të dy mijë matjanëve u nis në mbrojtje të Shkodrës, nga pushtimi malazez.

Akademiku Ali Xhetani do të drejtonte Semtin e Prellit duke pasur të rreshtuar edhe dymbëdhjetë burra të fisit. Tashmë shtëpia e Xhetanajve ishte ndarë në katër pjesë: dy pjesë kishin mbetur në trojet e Derjanit, dy kishin zbritur në Myzë në bregun e lumit Mat.

Një nga luftëtarët e Xhetanajve ishte dhe i ati i Bilalit, Asllani.

Më pas Ali Xhetanin e shohim komandant të forcave të Derjanit në luftra kundra serbëve në Shkallën e Deshëve e Prat të Selishtës, bashkë me djemtë e tij.

Por, kur fillon aktiviteti atdhetar i Bilal Xhetanit?

Ishte viti 1920 kur Ahmet Zogu u bë nismëtar për zhvillimin e Kongresit të Lushnjes. Bilali, në krah të ushtarakut Ibrahim Xhetani, u rreshtua me forcat e Ahmet Zogut për mbrojtjen e punimeve. Përveç kësaj, ai dha edhe asistencën ligjore për aktivittein e mëvonshëm të vendimeve të Kongresit. Më pas, do të punojë në Gjykatat e Durrësit, Matit dhe Dibrës, me përkushtim, ndershmëri e profesionalizëm.

Pushtimin fashist Bilali bashkë me vllazninë e tij e priti me pushkë e me pas u angazhua në parinë e Mtait. Merr pjesë në Kuvendin e Bruçit të 26 korrikut 1943, duke u zgjedhur anëtar i Shtabit të luftës kundër garnizonit fashist në sulmin e tre mijë matjanëve të të gjithë krahëve dhe bindjeve politike për çlirimin e Burrelit. Bashkë me kushëririn e tij Isa Xhetanin ai dha kontribut në luftë kundra fashizmit.

Për aktivitetin patriotic, shtëpia e Xhetanajve do të digjej katër herë; nga turku, nga serbi, nga fashizmi dhe nga komunizmi.

Në gusht të vitit 1944, Bilai i shoqëruar nga Isaj merr pjesë në Kuvendin e Lurës, ku u farkëtua besëlidhje e parisë së veriut kundër komunizmit, ndërkohë që forcat ushtarake të komandauara nga Shefqet Peçi i djegin shtëpinë në Derjan.

Por fama e këtij burri u madhërua dhe mori dhenë në betejën e tij prometeniane kundër falangave të krim-ndëshkimit komunist.

Zgjedhjet e para të dhjetorit 1945, ku institucionalizohet krimi dhe devijimi i skajshëm i të ashtuquajturës demokraci popullore në një shtet të diktaturës së proletariatit, ishin një shans për Bilalin dhe sivëllezërit e tij të gjakut e të idealit për votën kundër këtij regjimi që po instalohej mbi pirgje kufomash dhe rrënoja ëndrrash të njerëzve të lirë.

Populli zgjodhi njëzëri kryetar të votimeve Bilal Xhetanin, ndërkohë që ky i fundit dhe intelektualët që si ai nuk e duronin gjëmën e mallkimit të kuq, me propogandën e tyre antikomuniste mundësuan që Derjani t’i thotë jo komunizmit. Rezultati ishte shumë i thellë: vetëm 3 përqind votuan pro Frontit Demokratik e ky fakt i tronditi falangat e sigurimit dhe mbetjet e tyre, që nisën presionet, por Bilal Xhetani nuk u mposht dhe nuk pranoi që të manipulohej vullneti politik i popullit, pa marrë parasysh pasojat, gjer në vdekje!

Diktatura, në shenjë hakmarrjeje dhe për të frikësuar komunitetin, më 2 shkurt 1946 e thërret Bilal Xhetanin në Pazarin e Derjanit, duke i thënë: “Në emër të popullit arrestohesh!”. Vendi ishte mbushur plot me forca të ndjekjes dhe të Komandës së Mbrojtjes. Populli i Pazarit reagoi, por ndaj tyre nis raprezalja, filluan arrestimet, presioni, dhuna e torturat.

Isaj u arratis dhe u bashkua me forcat e Ndrec Lufit, dajat e tij, më pas u largua në Dibër e pas tetë muajsh në arrati mbeti i vrarë në përleshje me forcat e ndjekjes.

Bilalin e dërgojnë në burgun e Peshkopisë, ku i bëjnë hetuesinë duke e akuzuar si “armik të popullit” e duke iu nënshtruar sprovave të një kalvari biblik!

Por famëmadhi Bilal Xhetani arriti ta lerë pa fjalë trupin gjykues, kur foli me fjalët gjëmim: “Nuk vidhet as grabitet vullneti i popullit. Mësojani këtë pushtetit tuaj!”.

Bilal Xhetani u ngrit kundër mizorisë dhe hipokrizisë së një sistemi makabër, iu çorri maskën apogjetëve të së keqes së përbindshme, që po instalonin me shpejtësi mekanizmat e djallit në Shqipëri.

Burgimi i përjetshëm nuk e theu, nuk e dekurajoi, por siç tregojnë bashkëvuajtësit, qëndroi gjer në fund stoik, derisa vdiq para kohe, më 12/05/1952, në burgun e Beratit.

Mbi atë fis kreshnikësh, mendimtarësh e qëndrestraësh, ra ora e zezë e mallkimit, mizorisë dhe persekutimit makabër. Arrestohen dhe dënohen Ibrahim Xhetani, bashkë me kushërinjtë e tij, Rizain, Sulejamnin dhe vëllai e Bilalit, Rrahmanin.

Diktatura u sul me egrësi edhe mbi gjakun dhe gjininë e Xhetanjave; Bilalit i pushkatohet djali i dajës, Asllan Doçi, dajat e babës Sali Llani dhe Abaz Dylja. Po kështu pushkatohet pa gjyq vëllai i bashkëshortes, Mustafa Tepshi.

Diktatura do të pushkatonte nipat e Xhetanajve: Delallijasin në Shijak dhe Satajt e Kurdarisë dhe dhjetëra miq e byrazera të Xhetanajve si Sulkurtaj, Vataj, Kolaj, Nelaj, Lufaj, Hysaj etj.

Por hakmarrja s’kishte të mbaruar: bashkëshortja e tij, Ferideja, një grua fisnike, bijë krutane me vëllanë të pushkatuar dhe burrin të vekur në burg, i rriti të tre djemtë me shumë mundime, duke u degëdisur nëpër kampet e internimit.

Shtëpia e Bilalit ishte sekuestruar nga shteti dhe qe kthyer në vatër kulture, ku zhvilloheshin aktivitetit e agjitpropit komunist dhe mbledhjet e shumta të kohës. Edhe kullat e Ibrahim Xhetanit i kishin kthyer në repart ushtarak. Djali i madh i Bilalit, Xhaviti arrestohet në vitin 1968 në Vorë dhe dënohet me akuzën “armik populli”, për agjitacion e propogandë.

Për tetë vjet, Xhaviti provoi tmerret e hetuesisë së Tiranës, Durrësit e Matit dhe burgun e Burrelit. Fëmijët e tij u rritën pa baba, me përbuzjen e pushtetit. Po kështu edhe dy vëllezërit e Xhavitit, Skënderi dhe Besimi. Skënderi rrinte si delja nën gërshanë; i vëllai i gruas së tij, Riza Ruka u dënua për agjitacion e propogandë kundra pushtetit. Megjithëse Skënderi nuk kishte ndonjë shkollë, përveç shtatëvjeçares, ai ishte një intelektual me gjen e kulturë familjare që rrezatonte mirësi e fisnikëri. Edhe në kushte që ishte nën tehun mizor të luftës së klasave, gëzonte respekt e simpati në të gjithë zonën e Derjanit.

Bashkë me bashkëshorten e tij, Luten, rriti një tufë me fëmijë me djersën e ballit dhe bekimin e shpirtit.

Vëllai i tij, Besimi nuk krijoi dot familje, duke mallkuar kohën e zezë. Kur e pyeta një ditë se pse nuk ke krijuar famije, ai me qetësinë apostolike që e karakterizon, m’u përgjigj: “Nuk jam mëkatar, nuk desha që fëmijët e mi të vuajnë si unë!”…

Vetëm pas viteve 1990, këtyre familjeve do t’u kthehej frymëmarrja. Tashmë Skënderi ka ndërruar jetë, por fëmijët e tij janë rritur e burrëruar dhe kanë nga një tufë fëmijë.

Bilal Xhetani e nisi jetën me shpresat e një uragani lirie që sillte me vete kulla e të parëve të tij qëndrestarë dhe e mbylli në burgun famëkeq të Diktaturës, ku e kishin mbyllur si antikomunist dhe armik të pushtetit diktatorial.

Ai u dekorua nga ish Presidenti Berisha në vitin 1993, si qëndrestar aktiv deri në vdekje kundër sistemit komunist.

Këto familje e mijëra të tjera si këto janë të lodhura nga plagët e rënda të një kohe të zezë e të gjatë. Më së paku, ata duan respektin e shoqërisë dhe përkujdesjen e shtetit…



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: