Vangjush Saro: Specialistët mbajnë iso
| E Diel, 02.10.2016, 11:56 AM |

Specialistët mbajnë iso…

Përndryshe: Vetë(sh)përfillja e specialistëve

Nga Vangjush Saro

Ajo (që në mënyrë  kakofonike e kam vënë në kllapa,) ka shumë e shumë kohë që ngjet në Shqipëri. Politika dhe krerët e saj, klanet që sundojnë për momentin, marrin përsipër biznese, ndryshime, nisma, prishje dhe ndreqje, si t’ua thotë mendja atyre, duke i bërë ato shpejt e shpejt fakt të kryer, pa përfillur askënd. Doemos, as specialistët. Fjala e qëmotshme është: “Vetë Ali, vetë kadi.” Kurse profesori i njohur i ekonomisë, Milton Friedman, (specialist) thotë: “Kërcënimi më i madh i lirisë, është përqëndrimi i pushtetit...”

Po ndalem vetëm në dy nga tema e fundit, ndër më të mprehtat e shoqërisë shqiptare për momentin. E para, riciklimi i mbetjeve, plehrat, vetë industria e riciklimit, çarku ku jemi futur të gjithë, ku është futur sot krejt bota. Dhe e dyta, por jo e fundit, çështja e Teatrit Kombëtar. Ka disa kohë, që zien debati nëse duhet mbajtur apo duhet prishur a ribërë kjo godinë. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, jo më larg se dje, na e përsëriti që është një mjedis, ndërtesë mediokre, e ndërtuar nga italianët, nga ushtria italiane, për qëllime kulturore e demagogjike dhe si e tillë, sadoqë e përshtatur dhe me një histori të gjatë, të dhimbshme, nuk e përball dot kohën. (Nënvizim. Për mbetjet, personalisht jam kundër; për teatrin, ndjehem mëdyshas. Sidoqoftë, ndaj diçka kërkoj në këto radhë.)

Në vështrimin tim, thelbi i problemit, është (sh)përfillja e specialistëve. Në këto çështje, mirë është të flasin të parët dhe të fundit specialistët. Ata e dinë më mirë, bie fjala, çfarë po ndodh, çfarë janë ato mbetje, cili është raporti i vërtetë mes këtij “eksporti” të çuditshëm dhe industrisë së riciklimit, fundja çfarë mund të lejohet, pranohet, e çfarë jo. Mirëpo, specialistët flasin të fundit ose nuk flasin fare. Shumë prej tyre, kanë hyrë në lojën e politikës, përdoren si marioneta. Atëherë, ecë e kupto çfarë është duke ndodhur. Debate. Sherr. Propozime. Kaos. Një pjesë vënë kujen, një pjesë tjetër e paraqesin problemin thjesht si një hallkë ekonomike, një hap në ekonomi. Specialistët shpërfillen ose disa prej atyre vetë iu vjen për mbarë ky trajtim jashtë kohe.

E njëjta histori edhe me teatrin. Fillohet me përcaktime teknike dhe vijohet me episode sentimentale… I ka ikur koha, thuhet. Nuk është më funksional. Këtu prapë hapen disa diskutime, si puna e atyre kullave te Stadiumi Kombëtar dhe në qendër të Korçës, ndërtime të cilat një pjesë e qytetarëve, edhe specialistë, i kanë përcjellë me shumë kritika. Një paralele veç do të duhej hequr ndërkaq për sa i takon teatrit. Kam qenë te ai “teatrin” i ri, ai zgëqi që i thonë “metropol”, nëse nuk gabohem. E krahasoj me “Teatrin e Estradës”, që kishte një sallë të pranueshme, një holl shumë funksional dhe të tjera anekse gjithaq në funksion. Ndërkaq, teatri i ndërtuar apo i sajuar ngjit me ish-Teatrin e Estradës, është estradë. Atëherë të rimarrim termat. Nuk thashë për të parën estradë, por Teatri i Estradës. Kurse për të dytën, mund të themi me plot gojën “Estradë”. Atje të merret fryma. Por ja, zgjidhjet i bëjnë politikanët, zyrtarët; specialistët janë të fundit që pyeten.

Por më më fund, çfarë ndodh ndërkaq edhe me specialistët? Ky argument është trajtuar edhe më parë në disa nga shkrimet e mia, kur kam theksuar që vendit i duhen më së pari teknikë, drejtues e zyrtarë teknikë, që të njohin profesione të rëndësishme, inxhinierë, ekonomistë, juristë, të cilët mund të ofrojnë zgjidhjet më racionale dhe më të pranueshme. Specialistët, teknikët, janë në gjendje të na zbardhin disa të vërteta, duke argumentuar një ndryshim, një hap përpara apo prapa, një lëvizje që i ndih ekonomisë, artit dhe vetë jetës së qytetarëve pa pasoja të dukshme, apo përkundrazi prodhohet ajo thënia “prish kusi e bëj kanoçe…”

Situatë e vështirë. Në kohën tonë, edhe specialistët kanë hallet e tyre. Kujtojmë. Kjo ka ndodhur me shoqëritë rentiere, që i zuri goje sërish këto ditë ish-kryeministri i vendit, një autoritarist, një nga protagonistët kryesorë të ndërtimit të mentalitetit që nuk përfill specialistët; kjo ka ndodhur gjithashtu me një sërë rrugë, shumë prej të cilave janë bërë shkel e shko; kjo ka ndodhur dhe po ndodh me Hekurudhën Shqiptare, që pas vitit ‘90 ka marrë tatëpjetën dhe s’po di ku të frenojë; kjo ndodhi me floririn dhe me Gërdecin… Klanet nuk i duan specialistët. Nga ana tjetër, një pjesë e këtyre të fundit, shiten e blihen, kështu që bëhen të pabesueshëm, ndonjëherë komikë. Atëherë, dalin në plan të parë ministrat, kryeministrat, të cilët i dinë të gjitha, marrin përsipër t’i bëjnë të gjitha. Kështu e bënë me një sërë institucione e ndërtesa publike, me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ndjesë pastë, me ish-Kinostudion, që është ndarë ngastra-ngastra, me Qendrën Kulturore Kombëtare të Fëmijëve, e të tjera e të tjera.

Çfarë mund të thuhet më tej, kur specialistët rrinë gojëmbyllur! Ata nuk kanë autoritet, mes tyre nuk ka… autoritete. Që të flasin dhe të dëgjohen. Kështu, llomotisin vetëm zyrtarët. Por kur dalin më pas probleme, këta të shumëditur shkojnë e fshihen ose përdorin taktikën e sulmit si “mbrojtja më e mirë”, slogane të vjetra, por që ata i dinë mirë, sepse nga kohë të vjetra vijnë… Shoqëria shqiptare gjendet në udhëkryq. Profesori i njohur Xhejms Gustave Speth (specialist) thotë: “Problemet kryesore janë: egoizmi, babëzia dhe apatia. Për t’i përballuar ato, na duhet një transformim shpirtëror dhe kulturor.” Dhe për të bërë a filluar së paku këtë, prapë na duhen specialistët. Ku janë, more aman!...



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: