Demir Krasniqi: Qamili i Vogël - këngë përjetësie
| E Merkure, 28.09.2016, 09:05 PM |

Në 25 – vjetorin e vdekjes :

QAMILI I VOGËL – KËNGË PËRJETËSIE

Shkruan  Demir Krasniqi

Duke pasur parasysh dëshirën e përjetshme të autorit të ndjerë – Qamilit të Vogël, i cili vazhdimisht mëtonte për këngët të cilat i kishte krijuar t’i publikonte të deshifruara me nota dhe duke pasur parasysh kërkesat e mëdha të miqve, dashamirëve dhe simpatizantëve të flakët të këngëve të këtij bardi të këngës popullore shqiptare; me iniciativën e familjarëve të tij dhe me vullnetin tim të paepur për ta jetësuar në vepër amanetin e Qamilit të Vogël , vendosëm në shenjë përkujtimi e nderimi ndaj veprës  së tij, me rastin e 15- vjetorit të vdekjes , të dalim me këtë publikim të veprave të krijuara gjatë tërë jetës së Artistit .

Prandaj, mu për këtë, e pagëzuam këtë vepër:”Këngë përjetësie” .

Këngët dhe veprat e Qamilit të Vogël i kam dashur , i kam dëgjuar , i kam mbledhur, i kam kënduar dhe i kam ruajtur me një xhelozi të madhe që nga mosha fëmijërore e deri në vdekjen e tij. Me të ndjerin  Qamilin e Vogël, kam pasur kontakte të shpeshta miqësore dhe të ngrohta.

Gjithnjë krenohem që kam pasur privilegjin të gjendëm në shoqëri me Të .

Ai ishte njeri i urtë, i ngrohtë, i dashur dhe i afërt për të gjithë .Ndonëse, në fushën e bashkëpunimit për incizimin e këngëve dhe publikimin e tyre , nuk kemi bashkëpunuar në asnjë projekt .

Qamili i Vogël nuk ishte ndonjë materialist , apo karrierist i theksuar , por ai tërë fuqinë dhe potencialin e vet krijues dhe material e shpenzonte duke e kultivuar këngën dhe duke e shpërndarë atë në çdo skaj të tokës, aty ku e dinte se ka shqiptarë dhe flitet shqip .

Ndonëse , nuk jam ndonjë etnomuzikolog i specializuar për shënimin dhe studimin e vlerave të krijuara popullore, kësaj pune mjaftë me përgjegjësi i kam hyrë vetëm në saje  të vullnetit të mirë dhe dëshirës për ti ofruar dëgjuesit në duar këtë vepër , edhe pse jam plotësisht i bindur se në punën time ka mjaftë lëshime e mangësi profesionale .

Gjatë hulumtimeve dhe gjurmimeve të mia ndaj krijimtarisë së Qamilit të Vogël, jam bazuar në burime të sakta , të cilat i kam mbledhur nga incizimet e hershme të Radio Prishtinës, incizimet në pllaka të gramafonit , në audio - kaseta , videokaseta dhe në botimet e 11 blejve me këngë popullore nga repertori i Qamilit të Vogël.

Nga i tërë ky material, rezulton se Qamili i Vogël është krijues , apo autor i gjithsejtë : 88 këngëve të ndryshme popullore, të krijuara në frymën e melosit qytetar dhe këngë me motive fshatare .

Në krijimtarinë e Qamilit të Vogël, zënë vend tri lloje të autorësisë së tij :

Këngë origjinale të krijuara me tekste e melodi vetanake,

Këngë në të cilat prezantohet vetëm si autor i versionit të melodisë dhe

Këngë në të cilat na prezantohet vetëm si autor i teksteve të tyre .

Këngë origjinale të krijuara me tekst e melodi vetanake , në literaturën e publikuar gjatë karrierës së tij , figurojnë gjithsejtë : 41 këngë .

Ato janë këngët numër : 3,6,7,8,9,10,11,12,13,14,15,16,17,18,19,20,22, 24, 25, 27, 28, 31, 32, 36, 37, 39, 40, 43, 50, 51, 52, 53, 54, 59, 62, 73, 74, 77, 79, 80, 84 dhe 88 .

Një numër të konsiderueshëm të këngëve nga repertori i tij , Qamili i Vogël , na prezantohet si autor i versionit të melodisë .

Në këtë lloj të autorësisë , Qamili shfrytëzon krijimtarinë gojore popullore që nga lashtësia , por në mungesë të melodive të tyre , ky ua kompozon meloditë e reja dhe ato i jetëson për tu kënduar me ëndje në popull .

Të këtilla janë këngët numër :1, 2, 4, 21, 26, 30, 41, 42, 44, 45, 46, 47, 48 , 49, 56, 58, 63, 64, 65, 66, 67, 68, 69, 70, 71 dhe 72.

            3. Versioni i tretë i autorësisë së Autorit , na paraqitet në disa këngë për të cilat i ka shkruar vetëm tekstet , apo vargjet e tyre . Në këtë rast , Qamili i ka shfrytëzuar me një mjeshtri të gdhendur meloditë e këngëve të vjetra popullore , të cilat përkundër melodisë së bukur ; nuk kanë pasur tekste kualitative .

Të këtilla janë këngët numër : 5, 29, 33, 34, 35, 55, 57, 60, 61, 75, 76, 78, 81, 82, 85, 87 dhe 94.

Në krijimtarinë e Artistit , nuk mungon as bashkëpunimi i ndërsjellë me autorët e tjerë, qoftë të tekstit, apo melodisë .

Të tilla janë këngët numër : 25, 38 dhe 77, të krijuara në bashkautorësi me Qazim Berishën , Ibrahim Krasniqin dhe Rexhep Hoxhën .

            Karakteristikë tjetër në krijimtarinë e Artistit të Madh është paraqitja e dy këngëve me tekste të ndryshme , por me melodi të njëjtë . Kjo dukuri , sipas të gjitha gjasave , do të ketë ardhur si pasojë e mosnjohjes së notave muzikore .

Kështu, bie fjala, melodia e këngës :”M’ agoi drita n’ breg t’ nji përroni” që është e sistemuar në numrin rendor: 16, na paraqitet pa asnjë ndryshim edhe në këngën me titull: “Nji ditë t’ Diele u zu dashnija”, që është radhitur nën numrin rendor: 17 .

            Melodia e këngës me titull : “Tërmeti i Dibrës”, numër 52, do ta shoqërojë më vonë edhe tekstin e këngës me titull: “Kënga e Ulqinit” në numrin rendor :84.

            Melodia e këngës me titull : “Dhetë Qershor , Shtatëdhetë e Tetë”, (Nr. 62), do ta shoqëroi më vonë edhe tekstin e këngës me titull : “Hajde moj buzëburbuqe”, në numrin 32.

            Melodia e këngës me titull : “Hajde çikë sonte për darkë” , në të cilën Qamili prezantohet vetëm si autor i melodisë , e që mbanë numrin : 26 , do të shfrytëzohet më vonë për ta kënduar tekstin e këngës me titull : “Hajde djalë të rrishë me dadën”, numër 29 , ku tani Qamili prezantohet si autor i tekstit , por jo edhe i melodisë .

            Në opusin krijues të Qamilit të Vogël vend meritor zënë këngët që trajtojnë motive qytetare dhe ato me motive fshatare . Tematika e këtyre këngëve është shumë e larmishme , nga se në to trajtohen temat e dashurisë , të dasmës , të jetës baritore , këngë ushtrie , këngë burgu, këngë kurbeti, këngë elegjiake , këngë historike , patriotike , këngë me motive nga Lufta Nacionale – Çlirimtare / pjesëtarë i së cilës ishte edhe vet / dhe këngë me përkushtime të ndryshme .

            Të paktë janë ata dëshmorë të LNÇ-së , të cilët nuk kanë zënë vend në këngët dhe në krijimtarinë e Qamilit të Vogël . Se Qamili i Vogël , ishte një këngëtar dhe krijues demokrat i vërtetë , internacionalist , njeri i paqes , mirëqenies dhe tolerancës ndëretnike , këtë më së miri e dëshmojnë këngët e tij, numër 81 dhe 82 , ku u këndon pa dallim , dy luftëtarëve dhe dëshmorëve të LNÇ-së : Boro Vukmiroviqit dhe Ramiz Sadikut , të cilët u pushkatuan në Landovicë të Prizrenit.

            Gjatë mbledhjes , shënimit dhe deshifrimit të këngëve të Qamilit të Vogël , jam munduar maksimalisht , që t’ a  ruaj ngjyrën dhe të folmen autoktone , të cilën e ka përdorur Qamili i Vogël në këngët e tij .

            Në pjesën përfundimtare të këtij libri, i kam bashkangjitur edhe gjashtë këngë – përkushtime , të cilat ia kushtuan dashamirët e tij , pas vdekjes së Qamilit të Vogël, siç janë : Hashim Shala , Agim Gashi , Demir Krasniqi , Ramadan Krasniqi për të përfunduar me këngën e tij të fundit me titull: “Vjersha ime “ , e cila vërtetë është një auto – epitaf i autorit të ndjerë , të cilën e kishte shkruar plot 15 vite para se të vdiste .

Këtij Auto – epitafi , ia kam kompozuar melodinë unë dhe e kam shndërruar në këngë , ku edhe e kam publikuar në audio - kasetën time .

            Për punën time rreth veprës dhe jetës së Qamilit të Vogël , ku për çdo përvjetorë të vdekjes së tij , i kam mbajtur programe memoriale publike dhe i kam botuar një monografi mbi jetën dhe veprën e tij , me rastin e 10 – vjetorit të vdekjes së Qamilit të Vogël, Familja e tij , më kanë nderuar me faljen e kompletit të kostumeve kombëtare të Qamilit të Vogël, me çka më kanë bërë një nder tepër të madh dhe njëherësh më ka obliguar që punën e këtij këngëtari dhe krijuesi legjendar ta çoj deri në fund .

Për këtë , dëshiroj që Familjen Muhaxhiri , ta falënderoj publikisht dhe do t’ iu jam mirënjohës i përjetshëm , si unë, ashtu edhe familja ime !

            Në fund: - Për gjithë atë që bëri , krijoi  dhe na e la në trashëgimi Qamili i Vogël – i qoftë për nderë , i qoftë Lavdi dhe i qoftë i lehtë Dheu i Kosovës !

Gjilan, Nëntor 2006.

            Biografia e këngëtarit Qamili i Vogël – Muhaxhiri ( 1923 – 1991 )

            Qamili i Vogël – Muhaxhiri , u lind më 1923, në një familje të varfër bujqish, në mëhallën e Gecës në Gjakovë .

            Në mungesë të kushteve për shkollim të rregullt , në mënyrë autodidakte ka mësuar shkrim – lexim dhe me punë të pavarur arriti arsimimin elementar .

            Ka qenë pjesëmarrës i LNÇ-së . Më vonë u kualifikua si punëtor grafik në Shtypshkronjën e NGB “Rilindja” të Prishtinës , ku edhe punoi deri në pension .

            Qysh si fëmijë , u vërejt talenti i tij i rrallë ndaj muzikës , ku tregonte interesim të madh ndaj këngës . Talenti i tij , shumë shpejt i ra në vesh mjeshtrit të madh të këngës dhe sharkisë – Ymer Agë Rizës nga Gjakova . Ai e mori Qamilin në Grupin e vet muzikor dhe aty i bëri hapat e parë në këngën popullore .

            Me Grupin muzikor të Ymer Rizës , ishte edhe një këngëtar tjetër më i moshuar, Qamil Idriz Haxhija .

            Qamil Muhaxhirin si fëmijë, kudo që shkonte nëpër ndeje e ahengje gjakovare , publiku e priste me një simpati dhe një admirim të madh .

Mu aty lindi epiteti : “I VOGËL” , epitet ky që shumë shpejtë do të zëvendësojë mbiemrin e tij – MUHAXHIRI dhe ky mbiemër do ta përcjellë deri në vdekje Qamilin e Vogël – këngëtarin tonë të madh .

Mbiemri i vërtetë i Qamilit të Vogël – Muhaxhiri del nga rrethanat tona të njohura historike , nga se me rastin e shpërnguljeve të mëdha të shqiptarëve nga fshatrat e rrethit të Jabllanicë , të parët e Familjes së tij, ishin të ardhur në Gjakovë nga  fshati Stubëll  i komunës së Medvegjës . Andaj, si në çdo qytet tjetër, ashtu edhe në Gjakovë, të gjithë ardhacakët quheshin : “Muhaxhirë” !

Qamili qysh herët mbeti jetim pa prindër . Gjendja e rëndë ekonomike në atë kohë, nuk i dha mundësi që të shkollohej , prandaj u detyrua që të kërkojë punë në Tiranë, ku bëhej si shegert te një zotëri – në një kafene .

Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Qamili më tepër interesohej për këngën, se sa për profesionin e kamerierit . Atje ra në kontakt me shumë këngëtarë me eminent të asaj kohe, prej të cilëve mësoi shumë këngë të ndryshme popullore .

Pas disa vitesh , përsëri kthehet në vendlindje .

Më 1952, pranohet si këngëtar i rregullt dhe solist i programeve të rregullta të Radio Prishtinës . Në atë kohë, Qamili punësohet edhe si punëtor grafik në Ndërmarrjen Grafike Botues “Rilindja” në Prishtinë, ku punon deri në pension .

Qamili i Vogël i takoi plejadës së parë të këngëtarëve popullorë kosovarë të pasluftës , siç janë : Zyhra Mula, Meserete Çavolli, Mazllom Mejzini, Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja, Hivzi Vokshi, Xhejlani Broçi, Adem Ejupi , Lilijana Çavolli, Muhamet Shala, Shahindere Bërlajolli, Qerimane Imami, Myrvete Fetahu, Gonxhe Gashi, Lajde Berisha, Behixhe Pakashtica , Anton Tomi , Gonxhe Manaku , Ismet Veseli, Rexhep Zajazi e shumë të tjerë .

Pasi u pranua në Radio Prishtinë , Qamili i Vogël kontribuoi dukshëm edhe në prezantimin e këngëve burimore me motive fshatare , si dhe në afirmimin e rapsodëve më eminent të asaj kohe , siç ishin : Salih Bajrami , Feriz Krasniqi, Riza Bllaca, Sefedin Gashi- Mleqani, Dervish Shaqa , Ibrahim Krasniqi, Hamide Sadiku , Halil Cërvadiku, Bajrush Doda, Tahir Drenica, Hashim Shala e shumë të tjerë .

Qamili i Vogël  , me zërin e tij kumbues dhe me punën e tij të palodhshme prej këngëtari, arriti që t’i mbajë për vete shumë adhurues të këngës popullore me decenie të tëra , çka është rast shumë i rrallë në historikun e këngëtarëve të tjerë .

Popullariteti i tij ndër masa të gjëra popullore , qëndron tek veprimtaria e tij e shumëllojshme pesëdhjetëvjeçare në fushën e artit poetiko – muzikor me karakter popullor . Ai shumë herët filloi të thurë edhe vetë këngë me motive të ndryshme që e përshkonin jetën e tij .

Zëri i tij tingëllues , i ngrohtë dhe i fisnikëruar me melizmatikë të këndshme , sidomos për veshin e dashamirëve të këngës sonë qytetare , duke na shoqëruar vite të tëra nëpërmes të valëve të Radio Prishtinës , pllakave të gramafonit , audio – kasetave , video – kasetave dhe koncerteve të shumta publike , bëri që aderuesit e këngës sonë ta duan , ta çmojnë dhe ta nderojnë figurën e Qamilit të Vogël , si këngëtar , duke e ngritur deri në piedestal me epitetet më të çmuara .

Ai përhapi këngët tona popullore në çdo mes dhe në çdo rreth shoqëror . Si solist dhe së bashku me grupe të ndryshme këngëtarësh , afirmoi këngën tonë , jo vetëm në Kosovë dhe në viset e banuara me shqiptarë , por edhe më gjerë në Evropë, Azi, Amerikë e gjetiu , ku u mirëprit  dhe u përshëndet ngrohtësisht kudo para publikut .

Qamili i Vogël është i njohur edhe për kontributin që ka dhënë në formimin , afirmimin dhe aftësimin e këngëtarëve tjerë popullor dhe me formimin e grupeve muzikore me gjithë përcjellje instrumentale .

Më 1967, në Gjakovë formon Grupin e njohur të këngëtarëve dhe muzikantëve popullor burimor “Ymer Riza”, i cili e kultivoi më tej sidomos këngën tonë qytetare, përend të parë atë gjakovare , pastaj shkodrane , tiranase , elbasanase etj.

Qamili i Vogël është këngëtari i parë kosovarë që u interesua dhe u angazhua për botimin dhe incizimin e këngëve popullore shqiptare në disqe gramafoni , libra, audio – kaste , koncerte , festivale e të tjera .

Ai në regjinë e vet private incizoi shumë disqe e audio – kaseta me këngë dhe këngëtarë të ndryshëm kosovarë .

Më 1967, u bë producent dhe përfaqësues ekzekutiv në Shtëpinë Diskografike “Jugoton” të Zagrebit, duke i dhënë kontribut të madh zhvillimit të diskografisë popullore shqiptare .

Në këtë shtëpi diskografike, Qamili përveç veprave të veta muzikore , afirmoi dhe plasoi këngë të reja , këngëtarë e grupe të reja muzikore nga të gjitha trevat e Kosovës, siç janë: Shkurte Fejza , Shyhrete Behluli, Kumrije Buçaj , Vjollcë Buçaj, Shpresa Berisha , Nezafete Shala ,Zylë Krasniqi , Remzije Osmani, Shaban Baksi , Selajdin Miftari, Riza Spanca, Abdurrahman Sfirca, Ramë Tzhaçi, Ismet Demaj , Fatmir Makolli, Qazim beha , Sali Berisha , Nukollë Nukprelaj etj.

Qamili i Vogël, nuk ishte vetëm këngëtar popullor, por ishte edhe poet dhe kompozito laik popullor , punëtor i palodhshëm i cili tërë jetën ia kushtoi këngës dhe përhapjes së saj në popull .

Në regji të vet private , botoi njëmbëdhjetë tufëza me këngë popullore dhe nga opusi i vet krijues.

Veprat e tij të botuara në formë të tufëzave , apo blejve janë :

“Bylbyli në Çabrat” – Prishtinë, 1957, 1961.

“Me sharkinë e Ymer Rizës” – Prishtinë, 1959, 1961.

“ Lulet e beharit” – Prishtinë, 1963.

“Tre hasjanët” – Prishtinë, 1963.

“Flaka e zemrës” – Prishtinë, 1963.

“Këndojnë bylbylat” – Prishtinë, 1973.

“Fyelli i bariut” – Prishtinë, 1973.

“Lule gjaku” – Prishtinë, 1975.

“Valët e kohës” – Prishtinë, 1975.

“Këngë krenare” – Prishtinë, 1978 dhe

“Lulëkuqe të dashurisë” – Prishtinë, 1978.

Ai të gjitha botimet e veta ua shpërndante gratis dashamirëve besnikë të këngës popullore shqiptare . Nuk përtonte e as nuk kursente kohë e mund për të shkuar me  shpenzimet e veta nëpër shkolla në fshatra të Kosovës e më gjerë, për t’ua shpërndarë nxënësve dhe arsimtarëve , sepse ishte i vetëdijshëm se brezi i ri është ai i cili do ta trashëgonte këngën  tonë popullore .

Në anën tjetër , Qamili i Vogël botoi 9 disqe gramafoni me këngë të veta dhe rreth 20 audio kaseta me këngë e valle të trevave tona si dhe disa video kaseta .

Në këto përmbledhje botimesh , përveç këngëve burimore popullore , tingëllojnë edhe këngët e Qamilit me motive të dashurisë së zjarrtë djaloshare, disa prej të cilave shprehin ndjenjat e miqësisë dhe të nostalgjisë ndaj vendlindjes, mandej këngë për fatin tragjik të individëve , në veçanti te të rinjve .

Qamili i Vogël vdiq në moshën relativisht të re , po sa i mbushi të gjashtëdhjetë e tetat , pikërisht më datën 4 Nëntor të vitit 1991, në Prishtinë , kur ne dashamirët e këngës së tij, pritnim akoma vepra të reja prej tij .

Ai i mbylli sytë përgjithmonë me të vetmen dëshirë:

- Që ta shohë Kosovën e lirë dhe të pavarur , që t’ ia dhurojë këngët që i vlonin në gji gjatë tërë jetës së tij !

Por, këtë dëshirë nuk e deshi fati ta përjetonte !

Ai, vdiq duke na e lënë amanetin e tij, neve brezave të rinj :

-Ta duam këngën , ta kultivojmë atë në çdo mes dhe ta këndojmë me dashuri, pa e çoroditur  asnjëherë dhe që Kosova – kurrë të mos mbetet pa këngë !”

Qamili, vërtetë vdiq, por toka e zezë e rrëmbeu atë prej nesh vetëm fizikisht !

Ajo ka fuqi aë ta kalbë vetëm trupin e këngëtarit , por kurrë nuk ka fuqi që t’ ia kalbë zërin, këngën dhe veprën e tij!

Ato do të jetojnë me ne dhe pas nesh , brez pas brezi !

Ne këngëtarët e rinj dhe dashamirët e këngës së tij, zotohemi se amanetin e tij do ta çojmë në vend dhe se kënga e tij do të jetojë në zemrat tona !

Shëmbëlltyra e tij, do të jetë udhërrëfyese për ne , se si duhet kultivuar , krijuar , kënduar e ruajtur kënga jonë krenare !

Për figurën e tij madhështore si këngëtar dhe krijues i këngës , populli i thuri epitete shumë të forta, si:

“Qamili i Vogël – këngëtar i madh”,

“Qamili i Vogël – mësues i këngës “,

“Qamili i Vogël – shkollë e këngës” ,

“Qamili i Vogël – ambasador i këngës shqiptare”,

“Qamili i Vogël – shpirti i këngës”,

“Qamili i Vogël – mjeshtër i këngës”,

“Qamili i Vogël – pionier i këngës “,

“Qamili i Vogël – veteran i këngës” ,

“Qamili i Vogël – legjendë e këngës”  e shumë e shumë epitete tjera .

Kënga dhe vepra e Qamilit të Vogël do të jetojë , aq sa të jetojë gjuha e ëmbël e Nënës Shqiptare !


Gjilan, Nëntor 2006.

(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: