Sejdi Berisha: Shkrimtarët janë ambasadorë të kombit
| E Hene, 26.09.2016, 06:23 PM |

Krijuesit dhe letërsia kombëtare kanë nevojë dhe kërkojnë më shumë përkrahje morale dhe materiale

Sejdi BERISHA:

SHKRIMTARËT JANË AMBASADORË TË KOMBIT DHE VENDIT...!

(Nga takimi i rastit me krijuesit letrarë nga Tirana, Peja, Gjakova dhe Tropoja në qytetin Bajram Curri)

Problemet krijuese letrare kombëtare dhe pozita sot e shkrimtarit, ishte temë bisede në një takim rasti në Bajram Curri, e cila u zhvillua në ambientet e Muzeut Historik të këtij qyteti, e ku morën pjesë shkrimtarët: Hysen Sinani, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, Zenun Hysenukaj, Ndue Gjika dhe Mark Simoni (Tiranë), Sejdi Berisha (Pejë), Tahir Bezhani dhe Muharrem Kurti (Gjakovë), Lulzim Logu, Gjon Neçaj dhe Haki Zllami (Bajram Curri) dhe Shaban Nokshiqi (SHBA).

Pozita krijuese letrare dhe ajo e shkrimtarëve u konsiderua si jo e mirë dhe se për këtë nevojitet një organizim ndryshe, vetëdijesim dhe ndërgjegjësim si individual ashtu edhe i përgjithshëm por edhe qasje më ndryshe ndaj këtyre vlerave kombëtare kulturore dhe intelektuale.

____________

Letrarët nuk janë rrugëtarë, të cilët si në pajton ecin e ecin pa lokal dhe hapësira pune

Krijuesit letrarë por edhe ata te të gjitha fushave në të gjitha trojet shqiptare, kanë nevojë për trajtim më adekuat, t’u mundësohen kushte më normale pune, e ato mund të realizohen nëse shkrimtarët e kanë mbështetjen morale dhe materiale, në të kundërtën, letërsia dhe vlerat e saj do të përcjellën me një varg problemesh dhe vështirësish, të cilat pa mëdyshje se reflektohen edhe në cilësinë e punës, por edhe në afirmimin e vlerave shpirtërore dhe kulturore, të cilat, edhe sot e kësaj dite akoma janë të shkapërderdhura por edhe pa pozitën e merituar në rrjedhat shoqërore, e të mos flasim për përfaqësimin e letërsisë qoftë në vend e po ashtu edhe tek vendet dhe popujt tjerë të botës. E tërë kjo, pothuaj se ishte bosht i bisedave dhe i vlerësimeve te të gjithë të pranishmëve, në këtë debat, që u zhvillua spontanisht dhe në mënyrën më të sinqertë dhe të mirë të mundshme intelektuale, e ku morën pjesë disa nga krijuesit e Shqipërisë, të Malësisë së Gjakovës dhe nga Peja, të cilët ishin të shoqëruar nga Hysen Sinani, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe nga nikoqiri, Lulzim Logu, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Tropojës.

Një debat me peshën e mendimit krijues kombëtar

Që në fillim, duke e pirë kafenë e nismës së bisedës krijuese, u theksua se shkrimtarët, pothuaj se në pjesën më të madhe të qyteteve, bashkive dhe të komunave gjithandej vendit dhe trojeve tjera shqiptare, nuk kanë hapësira ku mund të tubohen dhe të takohen, dhe në këtë mënyrë, jo vetëm se nuk mund të debatojnë, por edhe as të hedhin në shesh ide e projekte për punën e tyre, dhe as nuk e kanë mundësinë që të krijojnë.

Ky problem jetik i tyre mund të jetë ashpërsuar edhe më shumë me marrjen edhe të atyre objekteve dhe hapësirave që i kanë pasur në shumë qytete. Ndoshta, pikërisht kjo dukuri është edhe refleksion i mungesës së vetëdijesimit të shoqërisë ndaj kësaj kategorie intelektualësh, mbase edhe studiuesish e edhe shkencëtarësh, të cilëve shumë mirë u dihet edhe pozita materiale e tyre!

E kjo kastë njerëzish, padyshim se janë ambasadorë te të gjitha vlerave të kombit dhe atdheut. Të rrjedhave letrare, kulturore, historike, intelektuale dhe shkencore...!

Për këtë çështje, më së shumti sikur brengoset, Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, Hysen Sinani, e cili nuk e heq dot goje pozitën dhe problemin e krijuesve letrarë por edhe të vetë letërsisë kombëtare.

Hysen Sinani: Libri duhet ta ketë vlerën dhe peshën krijuese

Krijuesit dukën të shkapërderdhur dhe puna e tyre krijuese është e rëndë...!

Ndoshta, të gjitha këto dhe shumë probleme të tjera, kanë bërë që krijimtaria letrare akoma të ngelet si pjesë e “lehtë” e rrjedhave shoqërore, për çfarë, në këtë kohë, në këtë shekull, krijuesit janë të shkapërderdhur, dhe kështu edhe puna krijuese duket dhe reflekton si më pak faktor në avancimin intelektual të njeriut dhe të shoqërisë pothuaj se në çdo mjedis.

Në këtë aspekt, tani edhe sukseset të cilat dikur kanë qenë më të theksuara dhe punë më e organizuar, sikur krijojnë “lakminë” për t’u mburrur me të kaluarën, apo edhe për ta tkurrë gatishmërinë dhe vullnetin për t’u organizuar ndryshe, thekson në mes tjerash, krijuesi dhe publicisti, Sejdi BERISHA.

Për çështjet aktuale krijuese çdo diskutim ndiqet me respekt dhe kujdes

Të këtij mendimi ishin edhe krijuesit tjerë në këtë debat, si Tahir Bezhani, Mark Simoni, Gjon Neçaj, Haki Zllami etj. Andaj, gjatë trajtimit të problemeve krijuese dhe të pozitës së shkrimtarëve, mbizotëroi mendimi se përkundër shoqërisë dhe organeve relevante të shtetit e pushtetit, edhe krijuesit duhet të organizohen në atë mënyrë, që roli i tyre të jetë më i theksuar, gjithnjë duke pasur parasysh përgjegjësinë dhe rolin e tyre intelektual, të cilët faktorë kërkojnë vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin individual, të komunitetit por edhe të vetë institucioneve shtetërore.

Mirëpo, përkundër të gjitha këtyre problemeve, u theksua se krijuesit me forcat dhe angazhimin e tyre vetanak, kanë arritur shumë në aspektin e forcimit të bashkëpunimit reciprok, ne këmbimin e përvojave dhe afirmimin e vlerave krijuese përmes formave të ndryshme krijuese, siç janë manifestimet e ndryshme letrare, si Mitingu i Poezisë në Gjakovë, Takimi letrar tradicional në Bajram Curri, pastaj Takimet Letrare “Ora e Tahir Deskut në Klinë, Takimet Letrare “Azem Shkreli” në Pejë, Takimet Letrare “Ibrahim Rugova” në Istog, manifestimet letrare në Kukës, Lezhë, në Durrës, Malishevë, Prizren e gjetiu, si dhe Takimet Tradicionale Letrare “Trirema e Poezisë Joniane” në Sarandë, e kështu me radhë.

Krijuesit, Mark Simoni, Sejdi Berisha dhe Gjon Neçaj, me interesim përcjellin debatin

Pra, duke pasur parasysh të gjitha këto dhe shumë manifestime të tjera letrare, krijuesit, shkrimtarët me të drejtë kërkojnë kushte më thelbësore për punën e tyre. Sepse, edhe organizimi i orëve të shumta letrare gjithandej trojeve shqiptare, botimi i antologjive dhe i revistave të ndryshme, po e afirmojnë dhe begatojnë letërsinë kombëtare në të gjitha fushat krijuese.

Në këtë kontekst, disa nga krijuesit e tubuar në Bajram Curri, vunë në pah edhe nevojën për krijimtarinë më cilësore, duke i ikur edhe shablloneve të vjetra krijuese, të cilat jo rrallë pengojnë për të dalë nga rrethi “vicioz” i krijimtarisë socrealiste, gjë kjo e cila tani ndikon në cilësinë krijuese, duke vënë në spikamë patriotizmin e tepruar, apo edhe heroizmat që vëllimisht i kemi prezent në krijimtarinë dje, mbase edhe sot. Në këtë temë, pos tjerëve u angazhua edhe krijuesit, Zenun Hysenukaj, Ndue Gjika etj.

Pas kuvendimit, krijuesit bëjnë një foto për kujtim para Muzeut Historik në Bajram Curri

Nuk u la pa u prekur edhe çështja e mbështetjes së librit dhe e botimit, por edhe angazhimi që libri të jetë pjesë e jetës dhe e punës si në shkolla ashtu edhe në të gjitha mjediset. Kjo është nevojë e domosdoshme, dhe se për këtë ndoshta ka nevojë imediate për organizimin dhe themelimin ndryshe të asociacioneve letrare, qoftë në qytete apo edhe në nivel shteti por edhe nëpër shkolla. Një gjë e tillë, duke parë shkapërderdhjen krijuese, është më se e domosdoshme dhe nevojë e shpejtë, të cilën gjë e theksuan edhe Muharrem Kurti, krijues nga Gjakova dhe të tjerë

Po ashtu, edhe manifestimet tanimë tradicionale letrare kudo që organizohen ato, sikur shprehet nevoja që ato të rifreskohen duke begatuar edhe metodën e organizimit më cilësor të tyre.

Krijuesit, Tahir Bezhani(Gjakovë), Sejdi Berisha(Pejë) dhe Muharrem Kurti(Gjakovë), para takimit letrar, pinë nga një kafe me Shaban Nokshiqin(SHBA) dhe me Gjon Neçajn(B. Curri)

Kritika e mirëfilltë letrare dhe përkthimi i veprave i krijuesve vendorë si “Thembër e Akilit”...!

Ndërkaq, kritika letrare dhe afirmimi i letërsisë kombëtare dhe e krijuesve përmes përkthimit, po ashtu ishte një prej temave më të theksuara në debat, gjë e cila, përkundër rrugëtimit të gjatë të letërsisë kombëtare por edhe të afirmimit krijues të shkrimtarëve, kritikëve, studiuesve dhe dramaturgëve, këta dy faktorë sikur nuk kanë lëvizur shumë vendit!

Kritika e mirëfilltë, ndoshta ende është duke “fjetur” apo e hezituar nuk del dot në sipërfaqe, kurse, përkthimi i veprave, thjeshtë është i vogël për të mos thënë fare i mangët, që sikur janë “Thembër e Akilit”. Pra, edhe në këtë aspekt, krijimtaria letrare kombëtare çalon dhe, nuk kam dëshirë të them: ajo sikur ecën me paterica!

Për tejkalimin e të gjitha këtyre dobësive dhe mangësive, në radhë të parë kërkohet institucionalizimi më serioz i krijimtarisë dhe i asociacioneve letrare kudo, të cilat duhet inkurajuar dhe mbështetur praktikisht. Por edhe për këtë, nevojitet thellimi i bashkëpunimit, këmbimi i përvojave dhe flakja e inateve, i smirave dhe i paragjykimeve, të cilat, edhe e shtrembërojnë shtyllën krijuese letrare, por edhe e çorodisin intelektin njerëzor e letrar. Për këtë, posaçërisht u angazhua, edhe shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA.

Dhe krejt në fund, duke e parafrazuar një mendim të Aleksandrit të Madh, dua ta përfundoj këtë shkrim me thënien: “Ne u jemi borxhli të prindërve tanë që na sollën në jetë, por i jemi borxhli edhe mësuesit i cili na ka mësuar mirë”, të cilën gjë duhet bërë edhe ne për gjeneratat e sotme dhe ato që vijnë nesër edhe në fushën e vlerave shpirtërore dhe kulturore, pra edhe në letërsi...!



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: